VOAL

VOAL

Akademiku Fuga: Përse nuk ftuam deputetë shqiptarë të RMV? Mos na ngopni me iluzione boshe!

November 27, 2022

Komentet

Fokusi te Perëndimi i kushton Kosovës barriera në botën islamike

Kosova ka mbi 1.5 milion banorë me shumicë myslimane, por me Kushtetutë është shtet laik.

 

Valona Tela

Vendi i fundit me shumicë myslimane që njohu Kosovën si shtet, ishte Bangladeshi, në vitin 2017.

Pavarësinë e saj – të shpallur më 2008 – e njohin pak më shumë se gjysma e 57 vendeve anëtare të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik, e cila e përshkruan veten si “zë i përbashkët i botës myslimane”. Mes tyre prijnë Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

Megjithatë, shumë të tjera – si Indonezia me mbi 275 milionë banorë apo Irani me mbi 88 milionë – nuk e njohin.

Radio Evropa e Lirë kontaktoi ministritë e Jashtme të këtyre dy vendeve, ashtu si edhe atë të Tunizisë, Irakut dhe Sirisë, për t’i pyetur nëse janë duke shqyrtuar qëndrimin për Kosovën, por nuk mori përgjigje.

Ngjashëm, as Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës nuk iu përgjigj interesimit të REL-it për aktivitetet e saj lobuese në këto vende.

Në një intervistë dhënë gazetës Arab News në vitin 2022, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se është “gabim i madh” që disa vende me shumicë myslimane refuzojnë ta njohin Kosovën si shtet.

“Mendoj se ato janë keqinformuar nga Serbia. Disa prej tyre e mbajnë atë qëndrim edhe për shkak të lidhjeve të ngushta me Federatën Ruse. Unë u bëj thirrje të gjitha vendeve të botës që – për hir të paqes afatgjate, sigurisë së qëndrueshme dhe njohjes së të drejtave të njerëzve për liri dhe vetëvendosje – ta njohin pavarësinë e Kosovës”, ka thënë Kurti për Arab News.

Kosova ka mbi 1.5 milion banorë me shumicë myslimane, por me Kushtetutë është shtet laik.

Pavarësisht mbështetjes së disa prej shteteve më të mëdha dhe më me ndikim në botë, Kosova nuk është ende pjesë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe njihet vetëm nga pak më shumë se 100 prej 193 shteteve anëtare të OKB-së.

Gëzim Visoka, profesor i Studimeve të Paqes dhe Konfliktit në Universitetin e Qytetit të Dublinit, thotë se hezitimi i shumë vendeve me shumicë myslimane për ta njohur Kosovën, buron nga një ndërthurje komplekse e ndikimeve gjeopolitike dhe aleancave historike.

Në mesin e tyre, ai përmend në mënyrë të veçantë Iranin, për të cilin thotë se ka lidhje të ngushta me Serbinë dhe Rusinë dhe se është i prirë të ndjekë narrativë antiperëndimorë. Si i tillë, ai ka ndikim edhe në shtete si Siria, Libani e Iraku.

“Pastaj, janë dhe shtete si Maroku dhe Palestina, që kanë lidhje të veçanta me Serbinë, për shkak të problemeve të brendshme që kanë me rajone të caktuara dhe lidhjeve historike që ka krijuar ish-Jugosllavia me to”, thotë Visoka.

“Pra, kemi të bëjmë pak me perceptimin e Kosovës si një projekt perëndimor ose amerikan, dhe pjesërisht me trashëgiminë e Jugosllavisë në Lindjen e Mesme dhe në Afrikën Veriore”, thotë ai për programin Expose të Radios Evropa e Lirë.

Michael Bishku, profesor i Historisë në Universitetin Augusta, thotë se qëndrimi i disa shteteve mosnjohëse të Kosovës lidhet edhe me frikën e tyre se pavarësia e saj mund të krijojë precedentë, por edhe me presionin e Rusisë – aleates kryesore të Serbisë në skenën ndërkombëtare.

“Nuk mendoj se Irani do ta njohë Kosovën, sepse ai shkon në hap me Rusinë. Ato dy vende janë mjaft të lidhura. Irani e ndihmon Rusinë në luftën e saj në Ukrainë. Disa vende të tjera mund ta shqyrtojnë pozicionin e tyre ndaj Kosovës në të ardhmen, por Irani jo”, thotë Bishku.

Për Visokën, sinjale të mira te shumë vende me shumicë myslimane nuk kanë dërguar as disa veprime të Kosovës, përfshirë vendimin e saj për të krijuar marrëdhënie diplomatike me Izraelin dhe për të hapur ambasadën në Jerusalem.

“Statusi i Jerusalemit është i kontestuar dhe ka një konsensus ndërkombëtar që status quo-ja e tij të mos ndryshojë, derisa të gjendet një zgjidhje e konfliktit mes Izraelit dhe palestinezëve. Kosova ka shkuar një hap tutje dhe ka marrë anë në këtë kontest dhe kështu është perceptuar si akt jomiqësor nga vendet arabe”, thotë Visoka.

Kosova hapi ambasadën në Jerusalem në vitin 2021, pas një marrëveshjeje me Serbinë, të arritur në Shtëpinë e Bardhë. Vendimi atëkohë u kundërshtua nga Liga Arabe, por edhe nga Bashkimi Evropian, i cili e cilësoi si “fatkeq”.

Visoka thotë se Kosova, nga frika e stigmatizimit ose perceptimit si vend islamik, ka anashkaluar nevojën për të pasur marrëdhënie të mira me shumë vende joperëndimore.

“Në raport me Jerusalemin dhe Palestinën, Kosova ka hapësirë të jetë më eksplicite, të marrë qëndrimin e BE-së sa u përket zhvillimeve në Gazë, në Liban dhe të mos bëjë asgjë më shumë”.

“Por, Kosova ka qenë gati e njëanshme deri tani – ajo i ka dënuar sulmet e 7 tetorit të vitit të kaluar [në Izrael] dhe ka qenë kryesisht e heshtur ndaj krimeve dhe dhunës ndaj civilëve palestinezë”, thotë Visoka.

Sipas tij, Kosova duhet të krijojë një politikë të jashtme më parimore dhe më të balancuar, e cila do të dërgonte sinjale te vendet që nuk e kanë njohur, se ajo nuk është kundër botës arabe apo interesave të tyre..

Autoriteti palestinez, i cili me dekada lufton kundër pushtimit nga Izraeli, nuk e njeh Kosovën, dhe ish-udhëheqësi palestinez, Yasser Arafat, është kritikuar për lidhje të ngushta me ish-presidentin jugosllav, Sllobodan Millosheviq.

Bishku dyshon se shumë vende me shumicë myslimane janë mirë të informuara për Kosovën dhe kontekstin historik të pavarësisë së saj.

“Palestinezët janë të zemëruar dhe pyeten përse vendet perëndimore nuk brengosen shumë për njohjen e shtetit palestinez, aq sa për Kosovën”, thotë Bishku për Exposenë.

Me përshkallëzimin e konfliktit në Lindjen e Mesme, gjatë vitit të kaluar, Kosova, në disa raste, ka shprehur mbështetje për Izraelin.

Kur Irani ka sulmuar shtetin izraelit më 1 tetor, kryeministri Kurti ka shkruar në X se Kosova mbështet të drejtën e Izraelit për t’u vetëmbrojtur, si dhe të gjitha përpjekjet për arritjen e një armëpushimi të menjëhershëm.

Për analistët, Kosova nuk e ka luksin të marrë anë ose të jetë rajonale në politikën e jashtme, derisa nuk siguron njohje më universale.

Visoka pranon se ndërveprimi me vende si Siria, që kanë regjim autoritar ose gjysmë-autoritar, mund t’i kushtojë Kosovës në imazhin e saj perëndimor, por thotë se me një lobim të heshtur dhe të koncentruar, vendet mosnjohëse mund t’i ndryshojnë pozicionet.

Në atë rast, përfitimet për Kosovën do të ishin të mëdha, sipas tij.

“Përveç thellimit të bashkëpunimit ekonomik, politik, kulturor dhe ushtarak, këto vende kanë votë në OKB dhe do të ishin kyçe për avancimin e Kosovës si shtet sovran brenda OKB-së. Anëtarësimi në shumicën e organizatave ndërkombëtare kërkon dy të tretat e votave të anëtareve të tyre dhe blloku i vendeve arabe ose myslimane është i fuqishëm”, thotë Visoka.

Bishku pajtohet. Në rast të një solidarizimi më të madh të vendeve me shumicë myslimane, Kosova do të mund të bëhej edhe anëtare e Organizatës së Bashkëpunimit Islamik, thotë ai.

“Shqipëria është anëtare prej shumë kohësh. Në rast të anëtarësimit, edhe Kosova do të mund të merrte ndihmë financiare, e cila do të ishte e dobishme. Por, për aq kohë sa nuk ka solidaritet në këtë organizatë, është vështirë të thuhet se kur mund të ndodhë kjo”, thotë Bishku.

Turqia, e cila vetë e ka njohur Kosovën vetëm një ditë pas shpalljes së pavarësisë, u ka bërë disa herë thirrje vendeve me shumicë myslimane që ta ndjekin shembullin e saj.

Vetë presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, ëshë zotuar para tre vjetësh se do të punojë për të rritur numrin e njohjeve të Kosovës.

Radio Evropa e Lirë pyeti Ambasadën turke në Prishtinë për aktivitetet lobuese të Ankarasë, por nuk mori përgjigje.

Njohjen e fundit, Kosova e mori nga Izraeli në shkurt të vitit 2021.

Në një intervistë dhënë mediumit Kallxo në fund të vitit të kaluar, shefja e diplomacisë kosovare, Donika Gërvalla, ka thënë se është duke punuar për njohje të reja, por se nuk mund t’ua imponojë vullnetin e saj shteteve të tjera.

Sido që të jetë, në një botë ku aleancat dhe partneritetet kanë rëndësi, Kosova do të duhej ta kishte kuptuar se pranimi i saj kërkon më shumë sesa, thjesht, një vullnet të mirë – ndoshta një diplomaci më serioze dhe një grimcë finese më shumë. REL

Kosovë- Marshi i opozitës në dritën e luftës hibride- Nga Dr Sadri RAMABAJA

Si dhe pse përjetohen zgjedhjet e 9 shkurtit 2025 si një lloj “Shpate e Demokleut” nga opozita – kjo amalgamë e neotitistëve dhe olhokratëve tanë modernë?!
Qytetarët gjatë kësaj legjislature kanë krijuar bindje, se tashmë vota e tyre ka vlerë – ajo ndikon drejtpërdrejtë në vendimmarrjen politike.

 

1. Si u shndërrua Kosova në laborator eksperimental?

Republika e Kosovës me aktin më të lartë juridik, konsiderohet shtet i pavarur, sovran dhe i pandashëm. Për fat të keq, kjo frymë e kushtetutës nuk përputhej për kohë të gjatë me realitetin.
Kosova, duke u trajtuar edhe nga qendra të vendosjes politike si rast eksperimental, është duke u sfiduar në krijimin e së drejtës dhe zbatimin e saj, respektivisht në gjakimin për ndërtimin e shtetit të së drejtës. Kjo po ndodhë, jo pse nuk ka rend juridik, sistem juridik, por meqë normat juridike përkrah funksionimit të tyre, favorizoheshin kundruall subjekteve politike të cilat luanin një rol dominant në aspektin ekzekutiv të gjykatave. Kjo, tashmë duket qartë se nuk është e rastësishme. Në këtë kuadër, për ta argumentuar këtë tezë, ia vlen të hedhim dritë mbi historikun dhe mënyrën e ngritjes së sistemit juridik në Kosovën e pasluftës. Administrata e UNMIK-ut, duke qenë tejet e interesuar që të mbetet për kohë të gjatë në Kosovë, segmente të saj me orientim politik të hapur proserb, kishin bërë çmos që në Gjyqësorin e Kosovës të rikthehen pothuajse të gjithë lojalistët e pushtetit të Milosheviqit.

Nëse do t’i hidhni edhe sot një sy konkurseve të publikuara në atë kohë, nga të gjithë gjyqtarët që po sistemoheshin në sistemin e gjyqësorit nga poshtë -lartë, deri tek Gjykata Kushtetuese, administrata e UNMIK-ut kërkonte përvojë pune prej 3 deri në 10 vjet! [1]

Juristi i famshëm austriak, Hans Kelzen do të thoshte, shteti ka dy funksione themelore: krijimin e së drejtës dhe zbatimin e së drejtës. A mund të bëhej kjo me ish gjyqtarët e epokës së Millosheviqit?!

Nga qershori i vitit 1999, konkretisht prej atij momenti historik kur forcat serbe [ushtarake e të sigurisë] qenë detyruar ta lëshonin Kosovën, me akomodimin e shpejtë të UNMIK-ut, konform Rezolutës 1244, e tutje deri më 17 shkurt 2008, kur Kosva do të shpallte pavarësinë, ishte një periudhë e gjatë, kur dimokracitë liberale po e trajtonin Kosoëvn si një laborator eksperimental të inxhinjeringut social e politik. Pluralizmi i shpifur politik i Kosovës kështu po kalonte nga laboratori eksperimental serb i epokës së apart’heidit [1989-1999] – në atë të të ushtruarit të pluralizmit politik si një proces i shpërfillur, por sidoqoftë do të prodhojë një realitet të ri më 17 shkurt 2008.
Gjatë periudhës së administrimit të Kosovës nga Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), nga viti 1999 deri në shpalljen e pavarësisë në vitin 2008, kishte një kontekst të ndërlikuar politik dhe institucional që ndonjëherë rrëshqiti drejt një lloji shpërfilljeje për pluralizmin politik.
Kjo periudhë karakterizohej nga sfida të mëdha në ndërtimin e institucioneve demokratike dhe në nxitjen e një spektri të plotë politik, për shkak të faktorëve si:

Dominimi i UNMIK-ut mbi vendimmarrjen: UNMIK-u kishte kompetenca të gjera ekzekutive dhe legjislative në Kosovë, duke përfshirë kontrollin mbi institucionet kryesore të vendit dhe funksionimin e tyre. Për shkak se UNMIK-u kishte mandatin e mbikëqyrjes dhe krijimit të një sistemi të ri qeverisjeje, shumë herë vendim-marrja politike dhe institucionale binte në duart e një administrate ndërkombëtare, duke kufizuar sovranitetin e plotë të aktorëve politikë kosovarë dhe mundësitë e tyre për të vepruar të pavarur.

Mungesa e zgjedhjeve të rregullta dhe të besueshme: Në vitet e para pas luftës, UNMIK-u ishte përgjegjës për organizimin e zgjedhjeve dhe për mbikëqyrjen e zhvillimit të institucioneve politike. Megjithëse zgjedhjet u organizuan për asambletë komunale dhe më vonë për Kuvendin e Kosovës, administrata e UNMIK-ut shpesh shihej si një faktor që ngadalësonte zhvillimin e një sistemi të vërtetë demokratik dhe pluralist, duke qenë se vendimet kyçe merreshin nga një administratë ndërkombëtare dhe jo nga përfaqësuesit e zgjedhur të popullit.

Roli i kufizuar i shoqërisë civile: Shoqëria civile në Kosovë në vitet e pasluftës ende nuk kishte fituar një fuqi të plotë për të ndikuar në vendimmarrje. UNMIK-u, duke qenë një administratë ndërkombëtare me mision të caktuar nga Kombet e Bashkuara, shpesh nuk u përgjigjej presioneve nga grupet e shoqërisë civile vendase, duke krijuar kështu një boshllëk në pjesëmarrjen qytetare.

Rrjedhimisht derisa UNMIK-u kishte si mision ndërtimin e institucioneve demokratike, shpesh ai u përball me ndeshtrasha të mëdha në lidhje me nxitjen e një sistemi të vërtetë pluralist në Kosovë. Kombinimi i rolit të fuqishëm të administratës ndërkombëtare dhe tensionet e brendshme politike që lehtësisht mud të degjeneronin në lufët civile, po të mos marshonin dhe etabloheshin fillimisht forcat e KFOR-it, bënë të vështirë zhvillimin e plotë të një sistemi politik të larmishëm dhe përfaqësues.

2. Mashtrimi kolektiv i shoqërisë

Tejzgjatja e Apart’heijdit serb bashkë me të ushtruarit e pluralizmit nën drejtimin e LDK-së, kishte krijuar predispozitat për një mashtrim kolektiv të shoqërisë,[2] duke ju larguar gjithnjë e më shumë Lirisë. U dashtë dalja në skenë e UÇK-së së vegjëlisë dhe sakrifica sublime e Timoteut modern Adem Jashari tok me familejen e tij, që historia të marrë kthesën e duhur.

Në përmasa pothuajse të njejta për ikje nga Liria, alias Republika funksionale, po ndikonte në ambientin politik kosovar edhe tejzgjatja e periudhës tranzitore nga UNMIK-u tek qeverisja vendore.

Shteti edhe pas shpalljes së pavarësisë, po trajtohej disi i shpifur, irreal, ose edhe më keq – si i huaj, nga ai miksim nomenklaturash politike, që ishin një lloj nusprodukti i dy dekadave – asaj të Apart’hejdit serb [LDK-së] dhe dekadës tjetër që shenjon qeverisja e UNMIK-ut [PDK-së].

Rrjedhimisht dekada e dytë e lirisë po shndërrohej në një shtrat të rrezikshëm prokrusti për Republikën [humbja e rreth 3000 ha në jug – dhuratë për Maqedonin e Veriut; humbja e 8200 ha në perendim – dhuratë për Malin e Zi dhe pregaditja e terrenit që në emër të “shkëmbimit të territoreve” me Serbinë], që nënkuptonte humbjen e 18 për qind të territorit së Republikës, që de fakto paraqet pjesën më jetike të saj. Krejt ky proces po shoqërohej me hapa real që do ta konceptonin dështimin e Republikës si proces të paramenduar bashkarisht me ideologët serb!

Shih për këtë, zgjedhjet e 14 shkurtit 2021 i kam cilësuar si një revolucion demokratik i heshtur. Ai akt ishte më shumë se ushtrim i pluralizmit demokratik, si e njeh teoria e parlamentarizmit.
Përmes atyre zgjedhjeve, Kosova po bënte prerje epokash.
Qytetarët e Kosovës përmes atij revolucioni të heshtur, po dërgonin në histori amalgamën politike të neotitistëve dhe olhokratëve, që tashmë ishin shnëdrruar në gangrenë vrastare për trupin e brishtë të Republikës.

Në kontekstin aktual kosovar rikthimi tek termi “neotitistë”, ka për objektiv të përshkruaj politikanët ose grupet që e shohin periudhën jugosllave tutje si një kohë stabiliteti ekonomik dhe me gjasë edhe si një model për të adresuar sfidat e sotme politike dhe ekonomike.

Megjithatë, ata janë të vetëdijshëm se ideologjia titiste mbart një barrë historike për Kosovën, sidomos për shkak të rrugëve që u ndoqën nga shovinisëtt serb për shuarjen e asaj pak autonomie që gëzonte Kosoëva me kushtetutën e vitit 1974. Për këtë arsye, neotitizmi mund të jetë një pozicion kontravers në Kosovë, sidomos me ato shtresa që kërkojnë një identitet më të pavarur dhe larg nga trashëgimia e ish-Jugosllavisë, që ndërkohë pretendojnë ta mveshin me një lloj të nacionalizmi të shpifur urban dhe neoliberalizmi ala Donald Trump!

Ndërkaq nocioni “oligokratë” [në rastin e Kosovës të afërt me LDK/PDK-në], i referohet shpesh elitave politike dhe ekonomike që akuzohen për kontroll të tepruar mbi resurset dhe vendimet politike të vendit, duke kufizuar demokracinë e mirëfilltë dhe duke forcuar pushtetin e tyre përmes rrjeteve të interesave private. Në këtë kontekst, disa figura politike dhe subjekte të caktuara që kanë pasur ndikim të madh në qeverisjen e Kosovës në të kaluarën, kanë për qëllim të rikthehen në pushtet për të vazhduar zhvatjen e pasurive të vendit tutje dhe shnëdrrimin e Republikës në një satelit atipik të akcilës qendër vendim-marrëse, me rëndësi që ata ët jenë në pushtet!

Sipas intelektualit të njohur anglo-gjerman, Ralf Dahrendorf, demokracia përbëhet nga një “ansambël institucionesh”, që legjitimojnë ushtrimin e pushtetit politik, mundësojnë ndërrimin e pushtetit pa dhunë, kontrollin dhe balancën e ushtrimit të pushtetit, si dhe participimin e qytetarëve në ushtrimin e pushtetit. Gjatë këtyre katër viteve të qeverisë Kurti demokracia zuri fill të perceptohet si pushtet i qytetaërve, pa çka se “ansambli i institucioneve”, sidomos ai i Drejtësisë, stonoi.

Që nga teoria e Platonit mbi shtetin, ekziston edhe hipoteza se, çdo formë e sundimit mund të marrë njërën nga dy cilësitë që ndërlidhen me vizionin politik:
I. Njëra trajtë që orientohet në arritjen e mirëqenies dhe
II. Tjetra që bazohet ekskluzivisht në interesat e sundimtarëve. [Wolfgang Petritsch: 2019]

Nëse shoqëritë e shteteve demokratike thellojnë polarizimin dhe, në vend të kompromiseve dhe debatit, imponojnë vetëm vullnetin e shumicës (së aristokracisë SR), atëherë kemi të bëjmë me shënjuesin e dytë të demokracisë: atë të cilin historiani grek, Polybios (200 deri 12 vjet p. K.) e cilësonte si OLHOKRATI – sundim të fundërrinave. [3]
Olhokratët tanë kaherë janë pozicionuar tok në një tabor me kritikët e demokracisë liberale, duke i hapur rrugë promovimit të demokracisë iliberale. Përafrimi i tyre me Orbanin, Erdoganin…nuk ishte dhe nuk është i rastësishëm. Një qasje e tillë është një produkt i naivitetit dhe i cinizmit bashkë. Prandaj legjitimuesit e apart’heidit serb dhe imituesit e demokracisë në vitet ‘90, nga bota e civilizuar u panë më shumë si naivë politik, ndërkaq olhokratët shihen ashtu si janë: si cinikë e plangprishës. Por diskursi teorik në raport me këto fenomene pothuajse ka munguar ndër ne.
Sidoqoftë 14 shkurti i vitit 2021 bëri prerjen historike, duke dërguar në opozitë iliberalët dhe duke i sjell në pushtet liberalët demokratë të majtë.

Tek tashti, kur prerja e këtyre dy epokave po bëhet gjithnjë e më e qartë dhe rikthimi i pasuesve të titizmit tok me olhokratët po bëhet më e qartë se do të ishte kundërrevolucion tipik, në skenën politike e dipplomatike, por edhe në atë mediale, furishëm na shpërfaqen falangat bjellogardiste, si dikur në dhjetorin e vitit 1924, që po shoqëronin bandat e Ahmet Zogut në marshin e tij për rikthim në pushtet në Tiranë.

3. Zgjedhjet e 9 shkurt 2025 – referendum politik

Për më shumë se tri dekada kjo amalgamë e titizmit kosovar e veshur me petkun e demokracisë, e ngjizur në një lloj monstrumi politik tok me olhokratët që prodhoi puçi brenda UÇK-së më 1998, u rrit me një shpejtësi të habitshme, marramendëse dhe u shndërrua në një klasë politike çoroditëse, makute, thellësisht zhvatëse, që ka krijuar tentakulat e saj brenda sistemit politikë, në sektorin e financiarë dhe të krimit, duke u përqëndruar sidomos në sektorin e drejtësisë.

14 shkurti i vitit 2021 kishte ngjallur shpresën se Republika e Kosovës, përveç se ia kishte dalë të shkëputej nga kthetrat e asaj lukunie titste-olhokratiste, do të mund të shndërrohej në një lokomotivë për frymëmarrje të re brenda hapësirës sonë kombëtare. Këto katër vite që po lëmë pas, e provuan katërcipërisht se kjo shpresë kishte bazament real. Funksionalizimi dhe faktorizimi Republikës së Kosovës është prova më reale se Kombi ka mundësi të gjeneroj forca të reja edhe në fushën e mendimit politik dhe të pluralizmit real demokratik. Shteti i së drejtës mund të shndërrohet në ideal të këtij brezi politikanësh.

Ndërkohë atë që nuk e bëri dot Drejtësia e kapur – ndëshkimin e banditëve që zhvatën tërë atë pasuri të Republikës sidomos gjatë procesit të privatizimit,[4] duhet ta bëjë sërish qytetari përmes referendumit politik më 9 shkurt 2025.

Fenomeni i rrudhjes së partive politike tradicionale po thellohet edhe në demokraciët e etabluara në Perednim. Qytetari prandaj nuk i sheh LDK/PDK/AAK/AKR si alternativë pushteti.
LDK/PDK/AAK… vazhdojnë të funksionojnë si korporata oligarkësh që po pretendojnë të rikthehen në pushtet dhe të vrasin shpresën e disa brezave…
Ato tashmë nuk përbëjnë opozitën reale që do të duhej ta kishte korpusi politik i skenës plurale. Opozita reale në Kosovë do të fillojë të krijohet, shih për këtë, tek pas 9 shkurtit 2025.

4. Tendencat e hapura për rikthimin e Republikës në kthetrat e olhokratëve

Në një ese timen me titull sinjifikativ “Republika në kthetrat e olhokrëtve”, të shkruar në rrthana të jashtëzakonshme në vitin 2018, tek trajtoja fenomenin e grryerjes së shtetit, që ndryshe është trajtuar edhe si “vdekje e ngadalshme e demokracive”, i jam referuar, përveç tjerash, edhe dy profesorëve të universitetit të Harvardit, Steven Levinsky dhe Daniel Ziblatt. Aktualisht, demokracitë po vdesin jo nga një goditje e vetme (siç ishin grushtet e shteteve, kryengritjet apo atentatet dikur), por fare ngadalë dhe pothuajse pahetueshëm. Levinsky dhe Ziblatt sjellin një krahasim atipik të këtij fenomeni me atë që zhvillohet në fushën e futbollit: figurat autoritative, për të forcuar ndikimin e tyre në fushë, punën e parë që bëjnë, provojnë të vënë nën kontroll gjyqtarin kryesor në fushë, pastaj t’i margjinalizojnë lojtarët kryesorë të kundërshtarit dhe, së fundmi, edhe të ndryshojnë rregullat e lojës në dobi të vetes, ashtu që në fund, de fakto, nuk është e mundshme të flitet për lojë fer. [5]

Në terrenin politik e shtetëror, gjyqtarët e të gjitha niveleve të sistemit konsideroheshin nga olhokratët tanë, ashtu si edhe shërbimet e fshehta (AKIA, Shërbimi i Inteligjencës në polici, G2 në FSK), pastaj autoritetet rregullative dhe ato të ATK-së dhe, si instrumente të dobishme. Këto struktura, tashmë është si të thuash sekret publik, ishin të kapura nga SHIK-u alias PDK-ja.

Përmes mbetjeve të kësaj strukture, pushtti i ri i VV-së, që nga dita e parë e instalimit të tij, nga brenda e nga jashtë, do të lëvizeshin të gjithë zaret që ai të bie. Por, kishte diçka të brendshme, në frymën që kishte instaluar tashmë VV, që po kultivonte shpresën e funksionalizimit të Republikës. Ndërkaq në rrafshin historik, Lëvizja VV po shpjente tutje misionin historik që ka, jo vetëm në raport me të ardhmene Republikës së Kosoëvs, por edhe për kontributin në rrafshin e prosperimit dhe faktorizimit të Kombit.
Prandaj dështoi lufta hibride e shpërfaqur fillimisht në trajtën e një “mësymje sindikaliste”.
Intensifikimi i saj, në përmasat e një marshi opozitar qoftë edhe në dritën e luftës hibride, do të intensifikohet ndërkohë në prag të zgjedhjeve në trajtën e montimit të lajmeve të rreme dhe përhapjes së panikut, dezinformimit klasik dhe shpifjeve të ulta.
Pas marshin sindikal, ndërhyrja e Serbisë përmes Listës Serbe për të krijuar kaosin politk në veri dhe legjitimuar aneksimin e kësaj pjese të Republikës, do të marrë përmasa kulmore që shestontohej si proces i kalimit të kufijve të luftës hibride drejt agresionit klasik. [Rasti i Banjës, në Albanik/Leposaviq]. Ndërkq përlogaritja e gabuar, natyrisht si pjesë e ngushëllimit pas dështimit të brendshëm, se këtë rrëzim sërish do ta bënte faktori nëdrkombëtar, siç e pat bërë në kulmin e pandemisë administrata e Donald Trump-it përmes emisarëve të tij, ishte shpërfaqja më plastike e naivitetit politik dhe injorancës që në vetvete mbruante dhe mbrunë ajo shtresë e hollë e olhokratëve tanë të depushtetizuar më 14 shkurt 2021.

5. Kur zgjedhjet shihen si “Shpatë e Demokleut”

Strukturat neotitiste dhe ato që prodhoi mendësia olhokrate në Kosovë preferojnë rendin iliberal, autokracinë para demokracisë libreale. Prandaj këto struktura zgjedhjet shpesh i perceptojnë si një “Shpatë e Demokleut”. Prandaj përmes mediave vizive dhe portaleve pretendojnë të mbjellin frikë, panik, pasiguri dhe tension politik, duke rrezikuar jo vetëm stabilitetin politik, por edhe jetën dhe lirinë e qytetarëve. Ky koncept vjen nga legjenda e Demokleut, ku shpata që rri pezull mbi kokën e të ndëshkuarëve, simbolizon rrezikun e pashmangshëm që mund të bjerë në çdo moment. Në kontekstin e shoqërive iliberale, zgjedhjet prandaj mbartin një rrezik të ngjashëm për disa arsye:

Frika nga ndryshimi i pushtetit: Në shoqëritë iliberale, ku liderët autokratikë apo grupet dominuese kanë tendencën të mbajnë pushtetin, respektivisht ta marrin atë, përmes mjeteve të paligjshme apo jodemokratike (manipulim zgjedhor, censurë, represion), çdo palë zgjedhjesh për këto kuazielita paraqesin kërcënim real. Ata e shohin procesin zgjedhor si një moment kritik që mund të sjellë fundin e tyre politik, ndoshta edhe fizik, nëse humbasin kontrollin. Kjo është veçanërisht e vërtetë në sisteme ku korrupsioni dhe abuzimet janë kaq të përhapura sa që largimi nga pushteti mund të çojë në ndjekje penale ose hakmarrje nga grupet e reja.

Përdorimi i zgjedhjeve si fasadë: Zgjedhjet në shoqëritë iliberale, në rastin tonë nga strukturat iliberale neotitiste dhe të olhokratëve,shpesh përdoren si një mjet për të legjitimuar regjimet dhe për të krijuar një iluzion të demokracisë. Edhe pse procesi zgjedhor ekziston, ai është shpesh i manipuluar me qëllim të mbajtjes së pushtetit, respektivisht marrjes së tij. Kjo ndikon që tensioni të rritet, pasi çdo devijim nga plani mund të dëmtojë seriozisht stabilitetin e regjimit, duke nxitur frikë nga rezultatet e papritura.

Pasiguria për të ardhmen: Në ambientet politike ku kanë terren veprimi dhe vendimmarrje strukturat iliberale, rezultati i zgjedhjeve është shpesh i paparashikueshëm për publikun dhe aktorët politikë. Kjo ndodh sepse këto struktura kanë predisponim të manipulojnë rezultatet e zgjedhjeve në mënyra të fshehta, dhe populli nuk ka besim se zgjedhjet do të jenë të lira apo të ndershme. Kjo krijon pasiguri të madhe në radhët e qytetarëve, të cilët e shohin procesin zgjedhor si një rrezik që mund të çojë në ndryshim të dhunshëm të pushtetit.

Rreziku i destabilitetit: Nëse zgjedhjet në një shoqëri iliberale, respektivisht në ato komunitete ku strukturat iliberale pretendojnë ta marrin pushtetin, nuk pranohen nga opozita apo nga populli si legjitime, ato mund të çojnë në përplasje civile, protesta masive, ose madje edhe në dhunë të hapur. Ky është një tjetër aspekt i “Shpatës së Demokleut”, ku pasiguria për rezultatin dhe ndjekja e një procesi të pandershëm rrezikon të shkaktojë përmbysje të madhe shoqërore.

Mungesa e një kornize të fuqishme demokratike: Në shoqëritë ku institucionet janë të dobëta dhe nuk respektohen parimet e sundimit të ligjit, zgjedhjet shpesh janë përpjekje të tensionuara për kontroll dhe pushtet, në vend që të jenë shprehje e lirë e vullnetit të popullit. Kjo rrit ndjenjën e pasigurisë dhe bën që zgjedhjet të shihen si një moment kritik, ku mund të ndodhë një përmbysje e papritur e pushtetit, respektivisht marrje e pushtetit, duke u shndërruar kështu në një “Shpatë e Demokleut” mbi gjithë strukturën politike të vendit.

6. Lufta hibride ndaj Kosovës

Lufta hibride ndaj Kosovës dhe qeverisë së saj është një koncept që përshkruan përpjekjet komplekse dhe shumëdimensionale për të destabilizuar vendin, dobësuar institucionet e saj dhe ndikuar politikisht, ekonomikisht dhe ushtarakisht. Ky lloj konflikti është shpesh i padukshëm dhe përfshin mjete të ndryshme që shkojnë përtej luftës konvencionale. Në kontekstin e Kosovës, lufta hibride po përfshinë veprime të tilla si dezinformimi, ndërhyrja politike, presioni ekonomik, përdorimi i tensioneve etnike dhe diplomacia agresive nga aktorët e brendshëm dhe të jashtëm, kryesisht të ndikuar nga Serbia dhe aleatët e saj, jo vetëm Rusia.

Një nga strategjitë e Serbisë dhe Rusisë në luftën hibride kundër Kosovës është përdorimi i mediave lokale, përfshirë portale dhe televizione, për të përhapur mesazhet e tyre. Në Tiranë dhe Prishtinë, ka portale dhe media të cilat, edhe pse jo të njohura publikisht si pjesë e një agjende serbe alias ruse, po amplifikojnë propagandën serbe/ruse përmes ribotimit të artikujve të burimeve pro-serbe/ruse ose përhapjes së narrativave që bien në linjë me interesat e Beogradit/Kremlinit.

Në këtë kuadër edhe beteja për ta dekurajuar votimin, sidomos të mërgatës sonë, është tërësisht antidemokratike. Në këtë kurth tashmë kanë rënë edhe mekanizma të bredshëm institucional [KQZ-ja], politik e medial.

Ja disa nga mënyrat se si kjo luftë hibride manifestohet aktualisht:

Dezinformimi dhe lufta mediatike: Një nga aspektet kryesore të luftës hibride është fushata e dezinformimit, e cila synon të destabilizojë situatën politike dhe sociale në Kosovë. Kjo përfshin përhapjen e lajmeve të rreme, narrativave të shtrembëruara dhe propagandës në mediat sociale dhe tradicionale, duke synuar të nxisë tensione brenda shoqërisë kosovare dhe të minojë legjitimitetin e qeverisë. Mediat e kontrolluara nga aktorë të jashtëm, si ato serbe dhe ruse, shpesh krijojnë ose amplifikojnë informacione të rreme për të krijuar një atmosferë të dyshimit dhe konfuzionit rreth vendimeve qeveritare, në përpjekje për të ulur besimin e popullit ndaj institucioneve të Kosovës.

Presioni ekonomik: Një tjetër taktikë e luftës hibride është presioni ekonomik. Për shembull, Serbia ka përdorur politika ekonomike për të mbajtur ndikim mbi serbët e Kosovës, por edhe tek një lagje e mirë e biznesit që ishte aktiv edhe gjatë dekadës së Apart’heijdit në Kosovë [1989-1999] dhe ka ndikuar në ekonomi jo vetëm në veriun e Kosovës, ku popullata serbe është më e përqëndruar. Ky presion përfshin gjithashtu mbështetjen e strukturave paralele që operonin në veri të Kosovës, të cilat kishin funksionuar deri vonë të pa cenuara nga qeveritë kosovare. Këto struktura sfidonin autoritetin e Prishtinës dhe përkeqësonin situatën e sigurisë dhe stabilitetit ekonomik në rajon. Këto struktura ekonomike që operonin në veri për kohë të gjatë, siç u dëshmua, ishin financuesit edhe të strukturave të sigurisë, që Serbia i mbante gjithandej dhe në fund edhe i aksionit ushtarak me elemente të veprimit terrorist që po planifikonte ta aneksojë veriun e Kosovës. Aksioni ushtarak në Banjë/Banjskë ishte pjesë e këtij akti.

Ndërhyrjet politike dhe diplomatike: Serbia, me mbështetjen e disa aleatëve ndërkombëtarë si Rusia etj., ka ndërmarrë një fushatë agresive për të bllokuar njohjet e pavarësisë së Kosovës në arenën ndërkombëtare. Përmes diplomacisë agresive dhe lobimit, Serbia ka arritur të bindë disa vende të tërheqin njohjet e tyre për Kosovën, gjë që si akt minon përpjekjet e Kosovës për integrim në organizata ndërkombëtare – në Kombet e Bashkuara dhe BE.
Ndërhyrja në proceset politike të brendshme në Kosovë, përmes mbështetjes së partive të caktuara ose aktorëve politikë, është gjithashtu pjesë e kësaj lufte hibride.

Përdorimi i mjeteve ushtarake dhe të sigurisë: Ndërsa Kosova dhe Serbia nuk janë në konflikt të hapur, tensionet e sigurisë mbeten një element i rëndësishëm i luftës hibride. Serbia shpesh ka përdorur demonstrime të forcës ushtarake pranë kufijve të Kosovës, duke organizuar stërvitje ushtarake dhe duke shfaqur një retorikë të ashpër që nxit frikën për një konflikt të mundshëm. Kjo krijon një ndjenjë pasigurie në Kosovë dhe një klimë tensioni që ndikon në stabilitetin e brendshëm.

Ndikimi i Rusisë dhe aktorëve të tjerë të jashtëm: Rusia ka qenë një mbështetëse e fuqishme e Serbisë në përpjekjet e saj për të destabilizuar Kosovën, duke përdorur luftën hibride si pjesë të strategjisë së saj për të rritur ndikimin në Ballkanin Perëndimor. Përmes fushatave të dezinformimit dhe mbështetjes diplomatike, Rusia përpiqet të krijojë një imazh të Kosovës si një vend i paqëndrueshëm dhe të sfidojë përpjekjet e Perëndimit për të integruar Kosovën në institucionet euro-atlantike.
Instituti për Studime Europiane në kuadër të Akademisë Ruse të Shkencave (IEE RAS) është një institucion akademik rus që fokusohet në çështjet e Evropës dhe marrëdhëniet ndërkombëtare, duke përfshirë rajonin e Ballkanit, përfshirë Kosovën. Ky institut, si shumë të tjerë në Rusi, është i lidhur ngushtë me agjendat gjeopolitike të Kremlinit dhe, siç dëshmohet lehtësisht, ai është i përfshirë në hartimin e politikave dhe dokumenteve që mbështesin interesat ruse në çështjen e Kosovës.
Që të dy proektet: ai për Bashkësinë e Komunave Serbe [Zajednica] dhe Ballkani i Hapur janë ideuar dhe hartuar nga ky institut.
Rusia ka qenë gjithmonë një aleate e ngushtë e Serbisë dhe ka mbështetur fuqimisht refuzimin e njohjes së pavarësisë së Kosovës. Në këtë kontekst, Instituti për Studime Europiane dhe akademikë të tjerë të lidhur me qendrat ruse të mendimit politik, shpesh përfshihen në hartimin e strategjive që mbështesin dhe forcojnë pozicionin serb dhe rus për çështjen e Kosovës.
Instituti për Studime Europiane në kuadër të Akademisë Ruse të Shkencave luan një rol të rëndësishëm në mbështetjen e pozicionit të Rusisë dhe Serbisë ndaj Kosovës, përmes studimeve, analizave dhe dokumenteve që ndihmojnë në formësimin e strategjive diplomatike dhe propagandistike kundër njohjes ndërkombëtare të Kosovës. Ai ndihmon në legjitimimin e pozicionit rus dhe serb, duke mbështetur veprimet politike që synojnë destabilizimin e Kosovës dhe pengimin e integrimit të saj në institucionet ndërkombëtare.

E përditshmja Korrieri më 6/6/2023 kishte publikuar një tekst me titull “LAVROV: Ka ndodhur diçka e paimagjinueshme, por askush nuk do të jetë në gjendje t’i shkatërrojë marrëdhëniet tona me Serbinë”, gjë që, siç konstatoi faqja e verifikimit të fakteve Faktoje, është dezinformatë. Kjo media serbe bën gjithashtu të ditur se, pikërisht në fillim të qershorit[2023], kur liderët e tre vendeve pjesëmarrëse dhe të ftuarit e tyre morën pjesë në një samit në Ohër, kishte përkuar me një tjetër lajm të bujshëm: vizitën e humbur të ministrit të Jashtëm rus Sergej Lavrov në Beograd.
Pasi Bullgaria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut qenë detyruar të mbyllin hapësirën e tyre ajrore për avionët rusë, Lavrovit iu desh të anulonte udhëtimin e tij në Serbi. Në përgjigjen e tij për mediat ruse, ministri i Jashtëm goditi NATO-n dhe Bashkimin Evropian, duke thënë:
“Natyrisht ata që po manovrojnë gjërat në Bruksel nuk e kanë dashur këtë, nuk kanë dashur që ne t’i shprehim mbështetje Beogradit, ndër të tjera, dhe projektit të Ballkanit të Hapur. Tashmë është e qartë për të gjithë se Brukseli, NATO dhe BE duan ta kthejnë Ballkanin në projektin e tyre të quajtur Ballkani i Mbyllur”.[6]

Sfidimi i sovranitetit përmes mosnjohjeve ndërkombëtare: Fushata serbe për të bllokuar njohjet e Kosovës në arenën ndërkombëtare është një element i rëndësishëm i luftës hibride. Përmes lobimit dhe presioneve diplomatike, Serbia dhe aleatët e saj kanë ndikuar në reduktimin e numrit të vendeve që njohin Kosovën, gjë që automatikisht minon përpjekjet e Kosovës për anëtarësim në organizata ndërkombëtare dhe për konsolidimin e sovranitetit të saj.

Përfundim

Në shoqëritë iliberale, respektivisht në komunitetet ku veprojnë struktura politike me prirje iliberale, zgjedhjet nuk përfaqësojnë një proces të natyrshëm demokratik, por më tepër një moment tensioni dhe pasigurie për elitat dhe për popullin. Frika nga humbja e pushtetit dhe pasojat e tij, respektivisht gjakimi për marrjen e pushtetit me çdo kusht, si dhe mungesa e një sistemi të qëndrueshëm dhe të drejtë, i bën zgjedhjet ngjarje që ngjasojnë me “Shpatën e Demokleut”, ku çdo veprim apo rezultat mund të ketë pasoja të rënda dhe të paparashikueshme për shoqërinë.
Kosova megjithatë, që prej vitit 2010, ka zhvilluar zgjedhje të rregullta dhe të pranuara në përgjithësi nga partitë politike pjeësmarrëse dhe nga komuniteti ndërkombëtar, madje si të lira dhe të drejta. Këto zgjedhje kanë siguruar një nivel stabiliteti politik, dhe rotacioni i pushtetit mes partive politike është bërë në mënyrë paqësore. Kjo ka forcuar besimin e mekanizmave ndërkombëtarë që Kosova po bën përparim drejt një demokracie funksionale, duke respektuar procesin demokratik dhe pluralizmin politik.
Ndërkaq qytetarët gjatë kësaj legjislature kanë krijuar një lloj bindjeje, se tashmë vota e tyre ka vlerë – ajo ndikon drejtpërdrejtë në vendimmarrjen politike; ata e ndjejnë përkujdesjen e pushtetit të tyre, rrjedhimisht nuk janë më të tjetërsuar nga politika.
Vazhdimi i pritshëm i mandatit për qevrinë Kurti më 9 shkurti i 2025, prandaj konceptohet si Shpatë e Demokleut nga nomenklatura mikse e neotitistëve dhe olhokratëve.

Lufta hibride ndaj Kosovës dhe qeverisë së saj është një strategji e ndërlikuar dhe shumëdimensionale që përfshin mjete të ndryshme për të destabilizuar vendin dhe për të dobësuar legjitimitetin e institucioneve të saj. Kjo luftë përfshin dezinformimin, presionin ekonomik, instrumentalizimin e tensioneve etnike, ndërhyrjet politike dhe diplomatike, si dhe përpjekjet për të minuar sovranitetin e Kosovës në arenën ndërkombëtare. Aktorët kryesorë, si Serbia dhe Rusia, janë të angazhuar në këtë luftë hibride, duke përdorur çdo mjet në dispozicion për të arritur qëllimet e tyre politike në rajon.

La Gazetta di Puglia (1927) Fytyra e Ahmet Zogut shkëlqen si ajo e një artisti kur flet për zhvillimin e Shqipërisë

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 9 Tetor 2024

“La Gazetta di Puglia” ka botuar, të dielën e 22 majit 1927, në faqen n°3, një shkrim asokohe mbi kontributin e Ahmet Zogut në zhvillimin e Shqipërisë, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar : 

Ahmet Zogu

Ahmet Zogu ka prerogativën e lakmueshme për të qenë kreu i shtetit më i ri  në botë. Ai është rreth tridhjetë vjeç dhe në manifestimet e vazhdueshme të veprimtarisë dhe vullnetit të tij ka mundur t’i japë vendit të tij, të ndarë deri tani nga anarkitë më konservatore, aspektin me të vërtetë të denjë për një shtet, i cili qoftë edhe i vogël, dëshiron të vendoset në nivelin e të tjerëve në fushën e qytetërimit dhe përparimit.

Në fakt, kushdo që shqyrton kushtet aktuale të Shqipërisë, veprat e rilindjes që po kryhen, organizimin e shtetit jo si një shprehje abstrakte, por si një autoritet që zëvendëson gjithçka, gjithë entuziazmin që zgjon energjitë e fshehura të raca në vendin e vogël të shtypur nga zgjedha turke për kaq shekuj, nuk mund të mos vërehet sesi flaka e gjithë këtij kompleksi aktivitetesh, qendra e gjallërimit, është Presidenti shumë i ri i Republikës.

Ai bën një jetë të vështirë pune. Nuk ka asnjë problem të madh apo çështje të hollësishme që nuk është shqyrtuar dhe zgjidhur personalisht nga ai. Dhe kështu ai fiton avantazhin për të sjellë gjurmën e personalitetit të tij vendimtar edhe në gjërat më modeste. Në godinën modeste që ruajnë truprojat dhe në dhomat e bardha që kanë pamjen e një shtabi ushtrie, me oficerët e paktë të shtëpisë së tij ushtarake, ai kalon orë e orë të tëra me këmbëngulje të frikshme dhe përpjekje fizike përhapur nëpër këto krahina, ku deri disa vite më parë mesjeta dukej se mbijetonte me gjithë barbarizmin dhe të gjitha kontradiktat e saj.

Ahmet Zogu nuk ka një pamje nga e cila të dallohet veçanërisht personaliteti i tij. Elegant, i thjeshtë, tek ai ka një dinjitet të veçantë që i mban në distancë ata që i afrohen. Në intimitet, megjithatë, ai është i sjellshëm, i ëmbël, i sjellshëm me të gjithë. Mirëpo, kur flet për vendin e tij, për atë që ka ndërmend të bëjë për Shqipërinë, atëherë fytyra e tij shkëlqen si ajo e një artisti që flet për punën e tij dhe nga sytë e tij të ftohtë e gri kalojnë llamba (shkëlqime – flakë) të gjalla.

Nga një familje e vjetër – ndoshta më e vjetra në Shqipëri – ajo që mbeti tek ai ishte siguria e sundimit që ishte tipike e atyre udhëheqësve të mëdhenj shqiptarë ndaj të cilëve, për t’i dashuruar ata, sulltanët tregoheshin bujarë me shpërblime dhe ndihma. Mirëpo, ky karakter i veçantë i sigurisë iu kalit me zakonet e udhëtimit dhe kontaktit me racat e tjera.

Një mik i sinqertë i Italisë, sepse e kupton se jeta dhe zhvillimi për vendin e tij janë të pamundura pa mbështetjen tonë vëllazërore, ai është një admirues entuziast i Musolinit dhe sa herë i afrohet një italiani nuk mungon ta pyesë me atë mprehtësi që e dallon për kreun e qeverisë sonë dhe për fashizmin.

Ahmet Zogu mezi afrohet. Jeta e tij e vështirë e punës e ndalon atë nga çdo shpërqendrim. Por herë pas here makina presidenciale ikën nga rrugët e Tiranës drejt detit. Ky është i vetmi argëtim që bën Kreu i Shtetit. Verës largohet në vilën e bardhë që zbukuron malin, rrëzë të cilit Durrësi gëzohet në diell; por edhe atëherë puna vazhdon : vetëm streha ka ndryshuar.

Kur Ahmet Zogu ishte ministër i Brendshëm në një qeveri apatike, pavarësisht se i njihte cilësitë e padyshimta, askush nuk do ta kishte menduar se ai i ri biond dhe elegant, me një pamje të qetë dhe paqësore, do të shfaqej më vonë për atë që në të vërtetë është sot animatori i Shqipërisë, transformatori i popullit të tij.

Në shtetin e tij të vogël, ai është siç ishte Pjetri i Rusisë në perandorinë e madhe dhe të përgjumur moskovite, dhe ka cilësitë e vullnetit këmbëngulës të Carit të madh.

Do të mjaftonte synimi për ta bërë Tiranën më të mirën ndër kryeqytetet ballkanike për të parë se çfarë flakë të lartë dhe çfarë këmbënguljeje të padiskutueshme ka në ndjekjen e ëndrrave të ambicieve të tij fisnike, pra për ta bërë Shqipërinë e deritanishme të braktisur, një komb të lulëzuar që me besim di të shikojë nga e ardhmja dhe të fitojë vendin që i takon në Evropë.

G. T.

Qytetarër e Kosovës duhet të kenë kujdes nga ushqimet me të cilat furnizohen nga Serbia- Nga Isuf B.Bajrami

 

“Edhe sikur ajri i pastër të vinte vetëm nga Serbia dhe jeta ime të ishte e varur prej tij,të isha shqiptare nuk do ta blija. Do të më dukej përbuzje ndaj të gjitha viktimave.”
Anne Marie Lizin

 

Përshendetje për të gjithë qytetarët e Kosovës.

Sot sipas vijës institucionale të Qeverisë së Kosovës, ka filluar ri-furnizimi i Kosovës me mallra nga Serbia!

Mendoj se qeveria i ka politikat dhe arsyet e veta,ndërsa qytetarët i kanë arsyet dhe pasojat për të ardhmen e tyre shëndetësore!

Sa i përket vijës institucionale dhe asaj individuale, mendoj se kanë dallim dhe kohë pas kohe mund edhe të kenë kundërthënie!

Megjithatë qëllimi i vijës institucionale dhe shqetësimet e qytetarëve përputhen në një pikë të rëndësishme dhe të përbashkët e ajo është shëndeti i mirë i qytetarëve të Kosovës.

Nga e gjithë kjo, unë si bashkëqytetarë i juaj në Ķosovë,e mbështes mendimin e Zonjës Anne Marie Lizin “Edhe sikur ajri i pastër të vinte vetëm nga Serbia dhe jeta ime të ishte e varur prej tij,të isha shqiptare nuk do ta blija. Do të më dukej përbuzje ndaj të gjitha viktimave.”si mendim i drejtë dhe i arsyeshëm.

Ju uroj shëndet të mirë.

Vendi i Lekës, 09.10.2004

Penalizohet Shqipëria: Do eliminohet Korridori 8, do të ndërtohet linja Beograd-Shkup-Athinë

Ministri serb i Ndërtimit, Transportit dhe Infrastrukturës, Goran Vesiç, ka pranuar personalisht se Aleksandër Vuçiç ka qenë i përfshirë në lobingje per ndalimin e ndërtimit të Korridorit 8, i cili do të lidhte Detin e Zi me detin Adriatik, raportojnë mediat bullgare.

“Bashkimi Evropian e transferoi korridorin nga Bullgaria në Shqipëri, si dhe atë nga Rumania në Greqi.

Ne e kemi parandaluar këtë skenar të errët për Serbinë me vendimin e Aleksandar Vuçiç të fillojë të investojë në linjën hekurudhore të Korridorit 10”, ka deklaruar Vesiç, shkruan Bgnesnews.

Sipas tij, “Serbia duhet të luftojë për të qenë një vend qendror nëpër të cilin kalojnë të gjitha linjat hekurudhore.”

Më tej në artikull thuhet se vendimi i parë i qeverisë së Maqedonisë ishte ndalimi i ndërtimit të Korridorit 8. Krahu i djathtë e Mitkoskit, Aleksandar Nikoloski, madje u përpoq të ridrejtojë fondet evropiane të siguruara për këtë korridor transporti në Korridori 10. sn

Tallja dhe abuzimi i rëndë i sektit Rama me Vlorën – Nga Bujar Leskaj

Më 7 tetor 2024, Partia Demokratike e Degës Vlorë bëri kallëzim penal në Prokurorinë e rrethit Vlorë, për përgjegjësitë e rënda te bashkë-shkaktimit të përmbytjeve shkatërruese në qytetin bregdetar, me rastin e shirave të 4 tetorit 2024. Këto përgjegjësi nga bashkia, OSHEE dhe drejtuesit e hidrovorit të qytetit janë konkrete, lehtësisht të verifikueshme në terren dhe krejtësisht të dukshme.

Vlora pati përmbytje masive për dy ditë, për shkak kryesor që nuk funksioi asnjë kanal kullues, ndërsa kanali i ujërave të larta që çonte ujin në hidrovorin e Vlorës, u bllokua nga mos pastrimi!

Përmbytjet penguan dhe paralizuan aktivitetin njerëzor dhe ekonomik të mijëra qytetarëve dhe qindra bizneseve, duke shkaktuar dëme të mëdha ekonomike, të nivelit të miliona eurove, në familjet dhe bizneset vlonjate.

Vlora, në krizë të pashembullt ekonomike dhe sociale

Vlora nuk ka qenë kurrë më parë në një krizë të tillë ekonomike, shoqërore dhe sociale, sa e ka zhytur sot sekti në qeverisje, edhe pse drejtuesi i tij mburret se ka bërë shumë për Vlorën  e deliron për futjen e tij në historinë e qytetit dhe krahinës!

Mes rretheve të tjera, të dhëna kokëforta e rendisin Vlorën në vendet e para të papunësisë, largimit të familjeve nga emigracioni galopant, si dhe rënies së konsumit dhe fuqisë blerëse të familjeve vlonjate.

Bashkia e Vlorës është pothuajse inekzistente, pa projekte konkrete, me administratë të tejfryrë me militantë partiakë dhe me nivele shumë të ulta të realizimit të të ardhurave dhe investimeve.

Raportet e bankave të nivelit të dytë që operojnë në Vlorë flasin për rritjen e kredive të këqija dhe pamundësinë e dhjetra firmave dhe bizneseve në prag falimentimi, për shkak se nuk kanë mundësi të shlyejnë kreditë.

Porti i Vlorës, mushkëria kryesore e biznesit të qytetit, pritet të zhvendoset në zonën e Triportit, ndërkohë që në vend të tij do të ndërtohet një port jahtesh, me 22 objekte banimi dhe hotelerie për oligarkët e Ramës.

Shëndetësia e Vlorës rrezikon të mbetet pa mjekë e infermierë, të cilët po largohen dita ditës për jashtë vendit.

Universitetit publik të Vlorës i mungojnë çdo vit me dhjetra studente, ndërkohë që janë mbyllur disa degë dhe priten të mbyllen të tjera.

Institucionet me varësi nga ministritë janë pothujase inekzistente në Vlorë, ku në shumicën e tyre drejtuesit janë militantë partie. Pjesa më madhe e tyre janë të përfolur për abuzime me fondet publike.

Shkollat e mesme dhe nëndëvjeçare të Vlorës janë në masën 90 përqind pa ngrohje, me problematika të shumta në cilësinë e mësimdhënies dhe të disiplinës, ndërkohë që drejtuesit e shkollave janë emëruar jashtë çdo kriteri profesional. Janë thjesht dhe vetëm militantë partiakë, pa formimin dhe përvojën e duhur. Nga shumë shkolla nëntëvjeçare e të mesme raportohen përditë mungesa të nxënësve, të cilët largohen nga shkolla, si pasojë e largimit të familjeve të tyre jashtë shtetit.

Vlora, e mashtruar nga premtimet dhe e braktisur në problematikat e saj

Pak vite më parë, gjatë vizitës në portin e Vlorës, në skelën e famshme, Rama prezantoi dy projektet: “Zgjerimi i Terminalit të Pasagjerëve” dhe “Rehabilitimi i Portit Detar Vlorë”. U zotua atë ditë edhe për të futur një linjë të re tragetesh me Italinë. Ku shkuan të gjitha këto projekte, zotime e deklarata?!

Rama dhe sekti i tij vetëm se janë tallur me Vlorën dhe vlonjatët. Vlora nuk është vetëm shëtitorja bregdetare dhe bulevardi Vlorë-Skelë, të cilat, për të thënë të vërtetën, janë kthyer në ngushtica dhe makth për qytetarët që duhet t’i përshkruajnë përditë.

Nga një vëzhgim i shkurtër dhe i drejtpërdrejtë, shikon se e gjithë infrastruktura në të gjitha lagjet e qytetit është e shkatërruar. Në këto lagje, rruget nuk janë më rrugë, por gropa e baltë, ndërkohë që sheshet janë kthyer në moçale!

Premtimi gjoja solemn se Vlora do të furnizohej 24 orë me ujë të pijshëm rezultoi një mashtrim i madh elektoral. Angazhimi se gjoja ujërat e zeza të qytetit dhe rrethinave nuk do të derdhen më në det rezultoi po ashtu një mashtrim i madh.

Pas problematikave të shfaqura me biznesin përgjatë Lungomares, ato po shfaqen dhe në bizneset në të dyja anët e Bulevardit Vlorë-Skelë , ku zhvillojnë aktivitet më shumë se  200 sipërmarrje, që nga kancelaritë e deri tek bankat, duke punësuar me mijëra familje.

Mungesa e parkimeve krijon probleme tek këto biznese. Për këtë arsye, shumë prej tyre kanë filluar të kërkojnë ambiente të reja, ose po mbyllin aktivitetet.

Qyteti bregdetar në degradim e shkatërrim, jo rinovim!

Shumë rrugë, sheshe e blloqe banimi në qytet janë të amortizuara në një masë të konsiderueshme, duke filluar që nga lagjet në qendër si “Lef Sallata” e “28 nëntori”, e deri në periferi, si në lagjet “11 janari”, “Kushtrimi” e Zona Industriale.

Lagjia “Partizani”, zona e e njohur me emrin “Llonxhë”, vetëm 200 metra larg godinës së Bashkisë së qytetit, jeton prej vitesh të tëra në mjerim të plotë, pa asnjë investim. Në të  mungojnë kushtet më elementare të jetës në komunitet.

Impianti i përpunimit të ujërave të zeza në Vlorë, investim i qeverisë Berisha, nuk funksionon normalisht. Kjo sjell si pasojë mosmenaxhimin dhe derdhjen e ujërave të ndotura në Gjirin e mrekullueshëm të Vlorës.

Në zanafillë, projekti synonte uljen e ndotjes së ujit, përmirësimin e kushteve të jetesës dhe të shëndetit të qytetarëve. Asgjë e tillë nuk ka ndodhur këto 11 vite të (keq)menaxhimit të Vlorës nga sekti Rama.

Vlora është një ndër qarqet me një industri turizmi mjaft të fuqishme për kushtet e vendit tonë, e lidhur fort me detin. Nëse nuk arrihet të frenohet ndotja e ujërave që derdhen në det, atëherë kjo industri dhe për pasojë, të ardhurat prej saj dhe për familjet vlonjate, marrin një goditje mjaft të rëndë.

Ujësjellësi i qytetit, tashmë në duart e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, ndodhet krejtësisht jashtë kontrollit, për fondet që harxhon, me një skandal në pikun e sezonit turistik, kohë kur qyteti I Vlorës qëndroi 3-4 ditë pa ujë të pijshëm.

Sot Vlora është qyteti me zona të shumta që nuk furnizohen me ujë të pijshem ose furnizohen më pak se 30 minuta në ditë!

Ndërkohë, Ujësjellësi i Vlorës është kthyer në hapësirë punësimi, për qoka e shërbime ndaj partisë-shtet.

Vendgrumbullimet e mbetjeve në Vlorë dhe në Orikum janë dy gangrena, që u shpërfaqën dhimbshëm edhe në këtë sezon turistik veror. Në kulmin e sezonit, mbetjet u dogjën për 5 ditë rresht, duke shkaktuar një ndotje të madhe dhe tërësisht të dëmshme për shëndetin e qytetarëve vlonjatë dhe turistëve.

Në njësinë administrative Orikum, vërehet e njëjta situatë me vendgrumbullimin dhe trajtimin e mbetjeve. Kjo, përveç shëmtisë vizuale, përbën një katastrofë të mirëfilltë mjedisore.

Periferia e qytetit është në kaos të plotë ndërtimesh e mungesa hapësirash publike, ku mungojnë rrugë, kanalizime, ndriçim, etj.

Në njësitë administrative, që deri dje ishin komuna, mungojnë gjërat më jetësore për një banor fermer, i cili jeton me bujqësi dhe blegtori.

Rama tani po grabit dhe malet e Vlorës!

Nuk mjaftoi grabitja e pronave të vlonjatëve në bregdet me ligjin famëkeq Nr. 20/20 “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë” dhe me ligjin “Per Investitorin Strategjik”. I fundit është Vendimi i Këshillit të Ministrave i datës 10 tetor 2024 për ndryshimin e destinacionit të 21.979 m2 pyje dhe kullota të Malit të Çikës, në dobi të kompanisë së një oligarku të Ramës, për ndërtim hotelesh luksoze.

Ky Vendim i Këshillit të Ministrave merret në dhunim të plotë të Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit që Shqipëria ka nënshkruar me Bashkimin Evropian, e cila kërkon garë të hapur në dhënien e aseteve shteterore privatit.

Gara e hapur të lejon të kesh oferta më të mira për komunitetin e zonës dhe banorët vendas, për nxitjen e ekonomisë dhe turizmit, si dhe për projekte më miqësore me mjedisin. Po Rama dhe sekti i tij as që kanë ndërmend ndonjëherë të zhvillojnë garë. Ata duan vetëm të grabisin dhe Vlora me pasuritë e saj natyrore dhe vendndodhjen strategjike, është bërë kryezona e plaçkitjes së sektit Rama, me çfarë i ka mbetur akoma për t’u vjedhur, malet e saj.

xxx

Qeveria dhe bashkia e qytetit Vlorë kanë detyrim publik dhe ligjor të menjëhershëm të dëmshpërblejnë familjet dhe bizneset e dëmtuara nga përmbytja e 4 tetorit 2024 në Vlorë, e shkaktuar në rradhë të parë nga paaftësia dhe papërgjegjshmëria skandaloze e tyre, dhe jo vetëm nga rënia e shirave të rrëmbyeshëm.

Këto janë “kryeveprat” e zeza të sektit Rama në Vlorë. Prandaj dhe vlonjatët protestuan fort më 7 tetor në Tiranë dhe nuk do t’i ndalin protestat, derisa bajlozi Rama t’i qërrohet detit dhe tokës së Vlorës, si dhe të gjithë Shqipërisë!

Harris gëzon shëndet të plotë, thotë mjeku i saj

Kandidatja e demokratëve për presidente, Kamala Harris.

 

Nënpresidentja amerikane, Kamala Harris gëzon “shëndet të shkëlqyer”, dhe “ka qëndrueshmëri fizike dhe mendore” për të shërbyer si president, ka thënë mjeku i saj në një letër të publikuar të shtunën, duke përmbledhur historikun për shëndetin e saj.

Doktor Joshua Simmons, kolonel i ushtrisë amerikane dhe mjek i nënpresidentes, ka shkruar se Harris, 59-vjeçare, gëzon shëndet të plotë, jetë aktive dhe që kontrollet e saj të fundit, të kryera në prill, tregojnë që gjithçka është në rregull.

Këshilltarët e Harrisit shpresojnë të përdorin këtë moment për të bërë dallimin me republikanin, Donald Trump, i cili ka publikuar informacion të kufizuar për shëndetin e tij, ndër vite, dhe ka rritur dilemat për gjendjen që ka, sipas një ndihmësi të fushatës së Harrisit, që ka folur në kushte anonime.

Trump ka publikuar informacione të kufizuara edhe pas atentatit kundër tij në korrik, kur ka pësuar gërvishtje në vesh.

Trump, 78-vjeçar, e ka përmendur shumë shpesh gjendjen shëndetësore të presidentit aktual, Joe Biden, 81-vjeçar, kur ky i fundit pati vendosur të rikandidonte për një mandat të ri.

Prej kur Biden është zëvendësuar nga Harris, gjendja shëndetësore e Trumpit ka marrë më shumë vëmendje.

Në nëntor të vitit të kaluar, Trump e ka festuar ditëlindjen, duke e publikuar një letër të dërguar nga mjeku i tij, që ish-presidenti është në gjendje të “shkëlqyer” fizike dhe mendore.

Në letrën e postuar nga Trumpi nuk ka pasur hollësi që kanë mbështetur pretendimet e tij.

Harris, demokrate, dhe Trump, republikan, do të përballen në zgjedhjet presidenciale të 5 nëntorit në SHBA.

Gara aktualisht është shumë e ngushtë mes dy palëve. REL

Pamjet ekskluzive- Dy burgje, një gjykatë dhe dhoma për 4 persona pa ujë e tualet. Ja çfarë ndodh brenda kampit të Gjadrit

LEZHE

I ngritur brenda ambienteve të portit, pas një marrëveshjeje mes kryeministrit të Shqipërisë dhe kryeministres italiane Giorgia Meloni, puna për ndërtimin e tij ka përfunduar.

Në hyrje të portës së çeliktë qëndrojnë disa efektivë të policisë italiane që do të kujdesen për sigurinë, ndërsa janë marrë të gjitha masat për të shmangur një arratisje të mundshme, që nga gardhi i lartë metalik i pa kapërcyeshëm e deri të kamerat e sigurisë me rezolucion të lartë.

Në këtë qendër pritjeje të zë syri të gjitha llojet e uniformave, nga ushtarë të armatosur, te Guardia di Financa, karabinieria dhe policia italiane. Secili me detyra të përcaktuara.

Autoritetet kanë marrë masa për të asistuar në çdo hap emigrantët që nga momenti që do të mbërrijnë, e derisa sa të nisen për në Gjadër.
Fillimisht ata do të ushqehen. Më pas do të ekzaminohen nga njekë dhe personel shëndetësor në këto ambiente të përshtatura si një Ambulancë brenda kampit dhe secili krahas dokumenteve të tjera do të ketë kartelën e vet shëndetësore.

Më pas në këto ambiente të ngritura enkas për këtë qëllim, do të pajisen me veshje të reja dhe do të asistohen nga shërbimi social i kampit, për t’ju nënshtruar më pas procedurave të azilit në zyrat e ngritura në katin e parë.

Zyrtarët italianë të kampit shprehen se procedura e aplikimit për azil është e njëjtë me procedurën që ndiqet në Itali dhe do të kryhet nga të njëjtat autoritete me zyrtarët italianë që kanë mbërritur dhe janë duke bërë testimet e fundit përpara ardhjes së grupit të pare të azilkërkuesve.

Pas përfundimit të gjithë kësaj procedure e cila është parashikuar që të zgjasë disa orë, brenda asaj dite emigrantët, me këto makina të policisë dhe karabinierisë italiane, do të transportohen 20 kilometra më tej, në kampin e sapo përfunduar
Gardhi rrethues metalik i Kampit të Gjadrit është rreth 5 metra i lartë, me disa gardhe dhe porta të hekurta të tjera, të vendosura në seksione të ndryshme të kampit.

Kjo është hyrja. Deri këtu detyrën për ruajtjen e perimetrit të jashtëm e ka policia shqiptare, matanë kësaj porte, janë trupat e armatosura italiane, efektivët e policisë italiane, ushtrisë, karabinierisë dhe Guardia di Financas qëndrojë në gatishmëri me detyra të përcaktuara për çdo trupë.

Në këto ndërtesa dy katëshe do të jetojnë pjesëtarët italianë të stafit. Që nga ai administrativ, e deri te ai policor e ushtarak.
Në katin e dytë janë fjetoret, ndërsa në të parin zyrat dhe mensa.

Për të arritur në pjesën ku do të jenë të vendosur emigrantët, duhet të ecësh rreth 10 minuta në këmbë, dhe të kalosh edhe një portë tjetër sigurie.

Mandej edhe një portë e trete rreth 5 metra e lartë duhet të hapet për të shkuar në vendin ku do të qëndrojnë azilkërkuesit.
Në dallim nga ndërtesat e administratës, fjetoret e emigrantëve janë njëkatëshe.
Kështu do të duket një dhomë emigrantësh. Në një hapësirë të ngushtë, janë të vendosur dy krevate marinari. Dhe në mes një tavolinë me 4 karrige. Aq sa do te jetë edhe numri maksimal i refugjatëve në një dhomë me përmasa kaq të vogla. Tualet nuk ka, as dush e as lavaman. Për shkak të hapësirës së vogël të dhomave të improvizuara, është menduar që ato të jenë kolektive, në një pjesë tjetër të kampit.
Në këtë oborr të brendshëm emigrantët mund të lëvizin lirisht, pa e kaluar portën, por të monitoruara 24 orë nga këto kamera me rezolucion të lartë, dhe efektivë.

Në fazën aktuale, kampi do të mund të strehojë 400 emigrantë që presin përgjigjen e azilit, në periudhën maksimale 28 ditore, por puna për zgjerimin e tij ende vijon. Sipas planit, kur i gjithë ndërtimi të ketë përfunduar, kampi do të mund të strehojë rreth 3 mijë emigrantë, përveç administratës që do të shtohet dhe pakësohet në varësi të numrit të azilkërkuesve që do të mbërrijnë.

Një gjykatë, me salla gjyqi, si ato që shohim çdo ditë është ngritur në këtë ndërtesë, e cila administrohet nga policia italiane e burgjeve. Në këto dhoma, do të gjykohen çështje civile dhe penale, me gjyqtarë, prokurorë e legjislacion Italian.

Brenda kampit ka edhe dy burgje. I pari për ata që do tu refuzohet azili dhe nuk do të pranojë të kthehen në vendet e tyre, dhe i dyti për ata që do të kryejnë vepra penale brenda kampit. Kushtet këtu, janë edhe më të vështira. Megjithëse në këtë kamp është lajmëruar se do të ketë vetëm azilkërkues meshkuj, në radhët e efektivëve të policisë ka edhe vajza e gra që do të shërbejnë.

Gardhe, porta metalike, policë, qeli, kamera sigurie, rrethim pas rrethimi dhe kushte të vështira për të jetuar normalisht.
Kjo është ajo që i pret në kampin e Gjadrit azilkërkuesit që do të ndërmarrin udhëtimin e rrezikshëm për të shkuar drejt brigjeve italiane, për një jetë më të mirë.

E nëse do të jetë apo jo kështu, secili mund ta gjykojë vetë nga këto pamje që sheh.bw

Arkeologu denoncon: Mozaiku i Orfeut në Durrës është në mëshirë të fatit

Nga Eduard Shehi, BIRN

Qyteti i Durrësit, qendra më e madhe arkeologjike e Shqipërisë, aktualisht paraqet një mangësi të madhe në ekspozimin e monumenteve arkeologjiko-historike të zbuluara në të ndër dekada. Me përjashtim të një pjesë të amfiteatrit, linjës jugperëndimore të fortifikimeve antike të vona, dhe forumit bizantin, në qytet nuk janë lirishëm të vizitueshëm monumente të tjera. Edhe më shumë ndihet kjo mungesë përsa i takon një grupi të veçantë monumentesh: mozaikëve. Aktualisht, ndër 12 mozaikët e qytetit vetëm mozaiku i kapelës së amfiteatrit është i shikueshëm nga vizitorët. Asnjë mozaik tjetër në qytet nuk mund të vizitohet.

Ndër të gjithë mozaikët e zbuluar në qytetin e Durrësit bën dallim për nga cilësia e lartë e realizimit mozaiku i Orfeut. Ai është shpalluar Monument Kulture i kategorisë së parë me urdhër nr. 22, dt. 18/01/2010 të Ministrit të Kulturës.

Ky mozaik polikrom, pjesërisht i gërmuar, gjendet në bodrumin e një banese njëkatëshe. Bëhet fjalë për tre sipërfaqe mozaiku (dy pranë njëri-tjetrit, i treti paksa më larg), të zbuluara në thellësinë 0,86 m, pjesë dyshemesh të një banese antike.

Dy sipërfaqet e para kanë ngjashmëri motivesh, që i bën pjesë të një koncepti dekorues. Tapeti qendror ishte i rrethuar nga një brez i gjerë anësor, krijuar me ndërthurje motivesh të ndryshme. Motivi i gërshetit me dy shirita, mbi sfond te zi, gjarpëronte në të gjithë brezin, duke kufizuar disa hapësira në formë gjashtëkëndëshi apo trapezoidi. Brenda këtyre formave gjeometrike, në një sfond të bardhë, krijohen të tjera figura gjeometrike dhe floreale, si yje të formuar nga dy trekëndësha, alternuar me rombe dhe trekëndësha dhe në brendësi motive vegjetale.

Pjesa qendrore e mozaikut është një kompozim kompleks motivesh gjeometrike dhe floreale, mbi një sfond të bardhë. Motivi bazë është në formën e një ylli të krijuar nga tetë rombe të bashkuar në një pikë qendrore. Në hapësirat që krijoheshin janë kompozuar motive floreale me linja të harkuara, si përdredhëse rrushi që dilnin nga një trup hardhie.

Pjesa tjetër e mozaikut paraqet imazhe figurative, dëshmi se i takonte një ambjenti të ndryshëm nga mozaiku i mësipërm. Skena e zbuluar ka përmasa 90×57 cm. Kompozimi i mozaikut kufizohet nga një brez anësor krijuar me pesë rreshta, të zbukuruar me motive të ndryshme gjeometrike. Pjesa qendrore e mozaikut paraqet një kompozim me disa figura. Imazhi kryesor është një figurë njerëzore paraqitur si një djalosh i ri, tek qëndron i ulur. Qëndrimi i tij jepet ëndërrimtar, me trupin e kthyer djathtas në tre-të-katërtat, ndërsa kokën e rrotulluar në krah të kundërt, të mbështetur në dorën e djathtë, me pamje të ngritur lart dhe të përhumbur në mendime. Ka fytyrë të rrumbullakët, flokë të gjatë që i varen nga pas, dhe mban një kapele të tipit frigjian. Pas tij zhvillohet një skenë bukolike, e krijuar me disa figura. Pranë një peme qëndrojnë dy viça, njëri i shtrirë, kurse tjetri nga pas në ecje. Një cjap me dy gjymtyrët e para të mbështetura tek trungu i pemës përpiqet të ushqehet me gjethe. Në degët e pemës qëndron një zog.

Datimet e dhëna për këto skena ndryshojnë nga një botim tek tjetri. Sipas studiuesve motivet me rombe të alternuara me kuadrate janë marrë si koncepte nga zbukurimet në stuko dhe gur, duke u përdorur që nga shek. I e.s. në Itali dhe më pas u përhapën në provinca. Moikom Zeqo e ka datuar fillimisht në fundin e shek. III – fillimi shek. IV e.s., e më pas në shek. IV-V e.s. Të tjerë studiues, bazuar tek korniza e gjerë me motive gjeometrike dhe floreale e polikromia e mozaikut, e datojnë në shek. III e.s., që duket më bindëse.

Mozaiku është zbuluar në bodrumin e një banese njëkatëshe, në lagjen nr. 9. Rrotull ka banesa të tjera, kryesisht njëkatëshe, ku duhet hamendësuar se vazhdon ndërtesa antike. Megjithatë, deri më sot nuk ka pasur njoftime për gjetje të tjera, që mund të konsiderohet normale për Durrësin.

Ndër vite arkeologët dhe konservatorët kanë kërkuar publikisht apo brenda institucioneve pjesë e të cilave ishin e janë, që të realizohej blerja e banesës nga shteti shqiptar. Më pas, me shtetëzimin e banesës të fillonte gërmimi arkeologjik për të nxjerrë të gjithë mozaikun që ruhet aty. Do të kishim kështu një monument të ri dhe jashtëzakonisht të rëndësishëm për trashëgiminë shqiptare, e cila do të ishte e vizitueshme për publikun e gjerë.

Deri më sot nuk ka pasur asnjë përçapje reale nga asnjë institucion shtetëror. Për këto arsye, ndërmorëm një tjetër përpjekje së fundmi, duke propozuar blerjen e kësaj banese. Në mungesë të ndonjë reagimi, menduam se mund të gjenim ndihmën e diasporës shqiptare në botë, veçanërisht asaj në ShBA. Çuditërisht, as edhe një reagim nuk kemi pasur deri më tani. Mbetet e çuditshme sesi bashkëpatriotët tanë harxhojnë shifra jo të pakta, për të parë ndeshje futbolli nëpër botë, të stolisur me flamuj, por tuten kur vjen fjala për t’u bërë bashkë me një qëllim edhe më të rëndësishëm, siç është nxjerrja në pah e vlerave të rëndësishme të trashëgimisë sonë të përbashkët historike. Ndoshta, pas botimit të këtij shkrimi të shkurtër, mund edhe të ketë lëvizje, të institucioneve shtetërore apo edhe të shoqatave e organizatave shqiptare. Deri më atëherë, uroj e shpresoj që mozaiku të jetë ‘gjall e shnosh’.

Artikull i rremë ‘Zelensky ble makinën e Hitlerit’

VOA/Matthew Kupfer

Artikulli i gazetës ‘Seattle Tribune’ përmbante gjithçka, Presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, Adolf Hitlerin dhe një automjet me vlerë 15 milionë dollarë. Nuk ishte për t’u çuditur që ai u përhap me shpejtësi në të gjitha mediat shtetërore të Rusisë dhe atyre pro-Kremlinit.

Përzgjedhja e temës ishte e çuditshme për një gazetë të vogël të një qyteti amerikan, që zakonisht mbulon vetëm zhvillimet lokale.

Në fakt, artikulli me titullin “Makina e paradës së Hitlerit blihet nga Zelensky i Ukrainës” ishte një tjetër lajm i rremë i përhapur nga propaganda ruse.

‘Seattle Tribune’ nuk ekziston si media. Ajo është një faqe interneti e maskuar si një organizatë mediatike. Vetë artikulli ishte një përmbledhje e temave më të njohura të dezinformatave të Rusisë për Ukrainën: ‘nazizmi’, ‘korrupsioni pa kufi’ dhe ‘shpërdorimi i ndihmës amerikane’.

Sipas artikullit, Presidenti Zelensky u pa në Kiev duke dalë nga një makinë e llojit ‘Mercedes-Benz 770K Grosser Offener Tourenwagen’, automjeti i paradës së Adolf Hitlerit. Kjo supozohet se ka ndodhur vetëm disa ditë pasi udhëheqësi i Ukrainës u kthye nga Uashingtoni, ku qeveria amerikane kishte ndarë një ndihmë prej 8 miliardë dollarësh për vendin e tij.

Artikulli përfshinte fotografinë, me gjasë, të një publikimi në kanalin ukrainas ‘Realna Viyna’ në aplikacionin ‘Telegram’. Ai shfaq një foto të automjetit të parkuar përpara ndërtesës së administratës presidenciale të Ukrainës, në Kiev.

Sidoqoftë, përtej faktit se faqja e lajmeve ‘Seattle Tribune’ nuk ekziston në të vërtetë, artikulli kishte disa probleme të tjera të dukshme.

Së pari, kanali ‘Realna Viyna’, që në gjuhën ukrainase do të thotë ‘Lufta e Vërtetë’, nuk ka publikuar atë që shihet në fotografi. Së dyti, fotografia e “automjetit të Hitlerit” gjendet lehtësisht në internet. Fotografia e ndërtesës presidenciale të Ukrainës, është manipuluar duke i shtuar makinën e Hitlerit.

Zëri i Amerikës arriti të konfirmojë se fotografia e makinës ishte ajo që gjendet me lehtësi në internet. Zëri i Amerikës e bëri këtë duke parë njollën e zezë në asfalt, nën automjet dhe reflektimin që shihet në xhamin e përparmë që përputhen plotësisht me imazhin e ‘Mercedes-Benz 770K’ të gjetur në internet.

Së treti, faqja e internetit ‘Seattle Tribune’ u regjistrua më 3 tetor të këtij viti, vetëm gjashtë ditë përpara se të publikohej artikulli i rremë. Regjistrimi u bë me një afat për vetëm një vit.

‘Seattle Tribune’ duket se i përket një rrjeti faqesh interneti dezinformuese të kontrolluara nga John Mark Dougan, amerikan që jeton në Rusi, sipas Shayan Sardarizadeh-ut, gazetar që merret me dezinformatat në rrjetin ‘BBC’.

Ai vuri në dukje në rrjetin social X se krijimi i faqeve të rreme lokale të lajmeve amerikane është qasja standarde e zotit Dougan. Ky përfundim përputhet me vëzhgimet e Zërit të Amerikës për rrjetin e amerikanit Dougan.

John Mark Dougan, ish-zëvendës sherif në Florida, u akuzua për zhvatje dhe përgjim në Shtetet e Bashkuara. Në vitin 2016, ai u arratis në Rusi dhe më vonë mori azil politik atje.

Ai tani operon të paktën 167 faqe dezinformimi që shpesh publikojnë artikuj që u shërbejnë interesave ruse, sipas një hetimi të majit të këtij viti nga ‘NewsGuard’.

Faqet e zotit Dougan më parë tërhoqën vëmendjen për përhapjen e një historie të rreme duke pretenduar se zonja e parë e Ukrainës, Olena Zelenska, kishte blerë një makinë Bugatti prej 4.8 milionë dollarësh gjatë një vizite në Francë, për përkujtimin e zbarkimit të aleatëve në Normandi.

Artikull dukej se synonte audiencën perëndimore. Historia e rreme e “makinës së Hitlerit”, megjithatë, po përhapet më së shumti brenda audiencës ruse. Në një mesazh në ‘Telegram’, zoti Dougan i tha Zërit të Amerikës se nuk ishte në dijeni për faqen e internetit ‘Seattle Tribune’.

“Nuk kam dëgjuar kurrë për të. Por e kërkova në internet dhe e pashë, dhe vura re se ka shumë informacione të shkëlqyera atje. Një shtyllë e vërtetë integriteti gazetaresk, në të njëjtin nivel me ‘Nju Jork Tajms’, CNN dhe MSNBC”, shkroi ai, duke iu referuar gazetës së njohur dhe dy rrjeteve të mëdha televizive në Shtetet e Bashkuara.

Siç ndodh shpesh me falsifikimet që kryhen me cilësi të lartë, historia e rreme rreth automjetit të paradës së Hitlerit kombinon një tregim fiktiv rreth Presidentit Zelensky me fakte reale rreth shitjes së një makine të paradës së ish-nazistëve në Shtetet e Bashkuara.

Informacioni i vërtetë vjen nga një artikull në një gazetë të vërtetë amerikane: ‘The Seattle Times’, e cila në shkurt të vitit 2018 njoftoi se automjeti ‘Mercedes-Benz 770K’ ishte shfaqur për një kohë të shkurtër në Seattle, pasi ishte vënë në ankand në Scottsdale të Arizonës, para një muaji.

Pasi automjeti nuk u shit në ankand, shpejt gjeti një blerës. Pas shitjes, ‘makina e Hitlerit” u shkarkua për pak kohë nga një kamion në lagjen e pasur Medina, në periferi të qytetit Seattle. Aty tërhoqi vëmendjen e një banori vendas, i cili i dha një intervistë për këtë gazetës “The Seattle Times”. Më vonë, automjeti ka të ngjarë të jetë ngarkuar përsëri në kamion dhe të jetë largur nga aty.

Drejtori i kompanisë së ankandeve ‘Worldwide Auctioneers’, Rod Egan (emri i tij u përmend gjithashtu në artikullin e rremë të ‘Seattle Tribune’), nuk pranoi t’i tregonte ‘The Seattle Times’ blerësin e aitomjetit, duke përmendur një marrëveshje që nuk lejonte zbulimin e identitetit.

Megjithatë, zoti Egan tha se destinacioni përfundimtar i makinës ishte ‘shumë, shumë larg’ përtej kufijve të Shteteve të Bashkuara.

Artikulli i ‘Seattle Times’ citoi gjithashtu një raport të medias gjermane se gjashtë makina të tilla ishin blerë nga një miliarder rus në vitin 2009. Midis tyre ishte edhe automjeti i përmendur në artikullin e rremë.

Artikulli i rremë rreth Presidentit Zelensky dhe “automjetit të Hitlerit” kujtoi gjithashtu një skenë nga filmi amerikan i vitit 2001 ‘Rat Race’. Aty, aktori Jon Lovitz vjedh makinën e paradës së Hitlerit nga një muze imagjinar i oficerit nazist Klaus Barbie dhe më pas e përplas atë në një takim të veteranëve amerikanë të Luftës së Dytë Botërore.

I pyetur nëse ishte i njohur me filmin dhe skenën, ziti Dougan u përgjigj duke e vlerësuar filmin si ‘flori të komedisë’.

‘The Guardian’: Hapen qendrat italiane të migracionit në Shqipëri, precedent i rrezikshëm në BE

Italia ka hapur zyrtarisht dy qendra në Shqipëri, ku planifikon të mbajë emigrantë të paligjshëm që do të kapen në ujërat ndërkombëtare, ndërsa përpiqen të kalojnë nga Afrika në Evropë.

Ambasadori italian në Shqipëri, Fabrizio Bucci, tha se qendrat ishin gati për të akomoduar personat ndërkohë që kërkesat e tyre për azil shqyrtoheshin, por nuk mund të thoshte se kur do të mbërrinin të parat. “Që nga sot, dy qendrat janë gati dhe funksionale”, u tha Bucci gazetarëve në portin e Shëngjinit në bregdetin e Shqipërisë në Adriatik, ku do të zbarkojnë personat e marrë.

Sipas kushteve të një marrëveshjeje të diskutueshme që është kritikuar nga grupet e të drejtave të njeriut, por e miratuar në heshtje nga BE, deri në 3000 emigrantë në muaj do të dërgohen në qendra, ndërsa kërkesat e tyre për azil përpunohen në Itali. Fëmijët, gratë dhe individët vulnerabël do të dërgohen në Itali.

Marrëveshja u nënshkrua nëntorin e kaluar nga kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, dhe homologu i saj shqiptar, Edi Rama. Meloni tha në atë kohë se në këmbim të mbështetjes së Ramës për qendrat, ajo do të bënte gjithçka që ishte e mundur për të mbështetur anëtarësimin e Shqipërisë në BE.

Meloni, e cila dikur tha se Italia duhet t’i riatdhesojë njerëzit dhe më pas të “fundosë varkat që i shpëtuan”, ka argumentuar se plani është i nevojshëm për të reduktuar mbërritjet nga deti.

“Elementi më i dobishëm i këtij projekti është se ai mund të përfaqësojë një mjet të jashtëzakonshëm parandalues ​​për migrantët e paligjshëm të destinuar të arrijnë Evropën”, tha Meloni në qershor, duke shtuar se “marrëveshja mund të përsëritet në shumë vende dhe të bëhet pjesë e strukturës së BE-së, për zgjidhjen e krizës së migracionit.

Dy qendrat në Shqipëri i kanë kushtuar Italisë 670 milionë euro (564 milionë funte). Ato drejtohen nga Italia dhe janë nën juridiksionin italian. Gardianët shqiptarë do të ofrojnë siguri të jashtme.

Një qendër është krijuar në Shëngjin, rreth 45 milje (75 km) në veri të kryeqytetit, Tiranës. Tjetra është rreth 15 milje në jug të Shëngjinit, pranë një ish-aeroporti ushtarak në Gjadër.

Meloni ka thënë se zyrtarët do të përpiqen të përpunojnë kërkesat për azil brenda 28 ditëve, shumë më shpejt se muajt që duhen aktualisht në Itali.

Shqipëria do të përpunojë vetëm aplikimet e njerëzve nga vendet e përcaktuara si të sigurta nga Italia, një listë që së fundmi është zgjeruar nga 15 vende në 21. Lista e përditësuar përfshin Bangladeshin, Egjiptin, Bregun e Fildishtë dhe Tunizinë ndër të tjera. Një vit më parë, 56588 persona nga këto vende morën rrugën për në Itali.

Shumica dërrmuese e kërkesave pritet të refuzohen, sepse vendet nga vijnë aplikantët konsiderohen të sigurta, gjë që kufizon automatikisht hapësirën për dhënien e azilit. Ata, kërkesat e të cilëve refuzohen, do të ndalohen përpara riatdhesimit të tyre eventual.

Kujtdo që i pranohet kërkesa do të çohet në Itali.

Meloni dhe aleatët e saj të djathtë kanë kërkuar prej kohësh që vendet evropiane të ndajnë më shumë barrën e migracionit.

Punonjësit e ndihmës kanë kritikuar ashpër marrëveshjen, duke thënë se kanë frikë se qendrat do të mbushen me shpejtësi me njerëz që presin të kthehen në shtëpi.

Médecins Sans Frontières ka thënë se marrëveshja shkon “një hap përtej” marrëveshjeve të mëparshme midis vendeve të BE-së dhe shteteve joanëtare, si Turqia, Libia dhe Tunizia. “Qëllimi nuk është të dekurajohen largimet, por të parandalohen në mënyrë aktive njerëzit që të ikin dhe ata që shpëtohen në det të kenë akses të sigurt dhe të shpejtë në territorin evropian”, tha MSF në një deklaratë./ oranews/

Riccardo Magi, presidenti i partisë së majtë “Më shumë Evropë” tha se “ata po krijojnë një lloj Guantanamo italiane, jashtë çdo standardi ndërkombëtar, jashtë BE-së, pa mundësinë e monitorimit të statusit të paraburgimit të njerëzve të mbyllur në këto qendra. Italia nuk mund të transportojë njerëz të shpëtuar në det në një vend jashtë BE-së sikur të ishin pako apo mallra”.

Më 14 gusht, agjencia e OKB-së për refugjatët, e cila ka shprehur shqetësime serioze rreth marrëveshjes, ra dakord të monitorojë tre muajt e parë të veprimit të marrëveshjes.

UNHCR tha se nuk ishte palë në marrëveshje dhe mbajti rezerva për të, duke kërkuar sqarime se si do të zbatohej marrëveshja. Megjithatë, agjencia tha se kishte rënë dakord të ishte një monitoruese për të ndihmuar në “mbrojtjen e të drejtave dhe dinjitetit të atyre që i nënshtrohen”.

Disa zyrtarë shqiptarë kanë thënë se marrëveshja është një mënyrë për të falënderuar Italinë që pranoi mijëra njerëz që ikën nga varfëria në Shqipëri pas rënies së komunizmit në 1991.

Komisioneri i Këshillit të Evropës për të drejtat e njeriut tha se marrëveshja mund të krijojë një precedent të rrezikshëm. “Zhvendosja e përgjegjësisë përtej kufijve nga disa shtete, gjithashtu nxit të tjerët të bëjnë të njëjtën gjë, gjë që rrezikon të krijojë një efekt domino që mund të dëmtojë sistemin evropian dhe global të mbrojtjes ndërkombëtare”, tha ai.sn

Qeveria në fushatë në Diasporë, një tjetër shkelje e Kodit Zgjedhor- Nga GENC BURIMI

 

Kritika kryesore e raportit të fundit të OSBE/ODIHR mbi zgjedhjet në Shqipëri (ato të majit 2023) plot 40 faqe, përmblidhej në një fjali: “Mazhoranca në Shqipëri përdor burimet shtetërore për interesat elektorale të PS në fuqi”. Pak muaj para zgjedhjeve të reja, qeveria e zotit Rama jo vetëm që nuk nxjerr asnjë mësim nga këto raporte ndërkombëtare që vënë në pikëpyetje ndershmërinë e zgjedhjeve, por për provokim apo për injorancë se si funksionon një demokraci normale ai insiston në përdorimin e burimeve shtetërore për qëllime elektorale të partisë së tij.

Pas mitingjeve partiake që bëri në Athinë dhe Romë, Edi Rama përgatit një tur të ri elektoral të partisë së tij socialiste, kësaj here tek Diaspora shqiptare në SHBA. Që të zhvillojë fushatë biles dhe shumë larg gjeografikisht, kjo është gjëja më legjitime dhe normale për një kryetar partie siç është rasti i Edi Ramës. Por që ta bëjë këtë fushatë për partinë e tij duke u fshehur pas kostumit të kryeministrit që ia paguajnë të gjithë shqiptarët është shokuese në një demokroci normale.

Më shokuese akoma është heshtja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, që duhet të ishte në ballë të mbrojtjes së interesave të taksapaguesve dhe t’i çonte një paralajmërim kryeministrit se këto raunde me Diasporën nuk duhet të financohen nga shteti, por nga militantët e PS ashtu si PD financon nga arka e saj mitingjet që organizon. KQZ-ja adoptoi pa kompleks të njëjtën heshtje edhe gjatë zgjedhjeve të kaluara, ato bashkiake, në momente kritike kur Rama me gjysëm kasketë kryeministrore dhe gjysmën tjetër partiake kërcënoi zgjedhësit e Shkodrës se do të kishin zero investime nëse nuk votonin për PS-në e kryeministrit. Ai moment haluçinant i fushatës nuk i shpëtoi biles as komenteve të ashpra në raportin post-zgjedhor të OSBE-ODIHR-it.

Po miqtë ndërkombëtarë, me ata amerikanë në krye pse heshtin?

Për diçka shumë më të vogël që as që mund të konsiderohet si krim zgjedhor që kreu homologu boshnjak i Edi Ramës, ai u shpall “non grata” nga SHBA-të! Krimi i Fadil Novaliç? Kryeministri i Bosnje-Hercegovinës për 8 vjesht rresht (2015-2023) guxoi dhe u çoi “thjeshtë” një letër pensionistëve boshnjakë me logon e qeverisë, para zgjedhjeve, ku ai vinte në pah ndihmën e madhe që qeveria e tij u jepte pensionistëve dhe premtonte rritje pensionesh.

Veçse kjo letër influenconte pensionistët boshnjakë në favor të partisë së kryeministrit ndaj Fadil Novaliç u shpall “non grata” nga Departamenti amerikan i Shtetit. Non grata thjesht për një letër pensionistëve si akt që kërcënonte ndershmërinë e zgjedhjeve! Sa të sertë amerikanët… Po kryeministri shqiptar Edi Rama që jo vetëm çon letra dhe patronazhistë para zgjedhjeve, apo instalon aplikacione të PS-së në telefonat e nëpunësve civilë, por jep, me taksat e shqiptarëve ndihma para zgjedhjeve, rrit rroga dhe pensione para zgjedhjeve duke i manipuluar zgjedhësit sikur këto të mira i kishin nga arka e Rilindjes dhe jo nga xhepat e të gjithë popullit duke përfshirë dhe atë demokrat, përse falet?

Sikur të mos mjaftonin gjithë keto “qoka” që i bëri elektoratit para zgjedhjeve lokale të majit 2023, për këto zgjedhje legjislative të 2025-ës ku do të mund të votojnë për herë të parë mbi 1 milion e gjysëm shqiptare jashtë shtetit, kryeministri partiak, apo Partia – Shtet riniset për gjah votash deri në anën tjetër të globit, për t’u mburrur aty se Diaspora e pati të drejtën e votës falë PS-së në pushtet domethënë për ta influencuar Diasporën që ajo të votojë për partinë e kryeministrit. Mburrjet e partisë – shtet s’do të mjaftojnë pasi ashtu siç e bëri me Diasporën në Athinë apo Romë, Rama do të përfitojë të shfrehet para Diasporës në SHBA me fjalët më ofenduese kundër opozitës se sa të poshtër e të pafrekuentueshëm janë liderët e opozitës. Qartazi, Rama po shkon te Diaspora në Amerikë jo si kryeministër por si shef i mazhorancës për të bërë kryekëput fushatë elektorale. Atëherë përse falet nga KQZ-ja dhe nga ndërkombëtarët? Çfarë vlere kanë pastaj raportet katastrofike të OSBE/ODIHR pas zgjedhjeve në Shqipëri që tregojnë se çfarë nuk funksionoi si kofini pas të vjelave?

Të paktën opozita mos ta falë këtë agresion që i bëhet garës elektorale ku shteti ndërhyn me gjithë forcën e tij. Çfarë ironie. Me taksat që paguhen dhe nga Berisha apo Salianji që mbahen pa mëshirë në izolim, kryeministri bredh me “Air Albania” dhe zbret në hotelet me luksoze për të shfryrë nervat ndaj këtyre të dyve dhe kundra mbarë opozitës në një fushatë të mirëfilltë elektorale për kapjen e votës së Diasporës deri përtej Atlantikut. Dhe shqiptarët, duke përfshirë dhe atë të PD-së, duhet t’i paguajnë me taksat e tyre këto xhiro elektorale, biles ai militanti i PD-së financon me taksën e tij edhe qylymin e kuq që shkel Rama kur zbret nga avioni përpara se të shkojë të vjellë vrer po kundra atij militantit të bazës së PD-së… “O tempora, o mores”.


Send this to a friend