(Vapë e verës se ç‘na solli: Parlament kallashnikovi!)
***
Fatosi i Shqipërisë Nënë
Seç u ngrit në një sabah –
Si një thes lakra Devolli
E mori Shqipërinë në krah!
Dhe u nis drejt Avrupës
Me barrën ngarku mbi shpinë:
“Rruga s’ështē aq e gjatë, – tha:
Do t’i biem për Athinë!
Oi-oi-oi!
Ah, ta lumsha, moj Parti –
Ç’Qeveri na nxore ti!
Ngrite Qeveri pilafi!
Mu si mot’n e trembëdhjetë
Jorgo “Epirot” Zografi!
A-e-e-e!
Me nëntëmbëdhjetë Ministri
Orkestër për Simfoni:
Me tetëmbëdhjetë gërneta
Dhe, VETËM një çifteli!
Oi-oi-oi!
Na rrofsh, Fatos, o trim –
Që s’kalove mbi Shkumbin!
PS-në e nderove –
Nga “shpellorët” na shpëtove!
O-bo-bo!
Ah, ta lumsha, moj Parti!
Burrë të madh na nxore ti!
Tos’n e Nanos – lule trimi!
Të keqen ia marrtë Lenini!
Finon djal’- dragua me fletë
Q’e dridhi Janinën vetë
(Me tregëti – që gjashtë vjet!)
Hajde – hajde!
Shqipëri ç’t’u dha e mbara:
PSD-isti i orëve të para –
Paskal Dr. i Historisë:
Në ballë të Dipllomacisë!
Ay e di më së mirit
Kufir’n e Vorio-Epirit!
Oi-oi-oi!
Sapo t’vë lidhjet me botë
Vëndin do ta bëjë Evropë!
Do ta integrojë Shqipërinë
Tiranë, Belgrad e Athinë!
O-po-po!
Kurse i Brëndshmi ministër –
Cekua, arkeo-polic djalë –
Me shallvare, hypë mbi kalë
Do i bie Shqipërisë vërdallë!
Nga Saranda në Koplik –
Vlorë, Kavajë, Lezhë e Cërrik
Me një turr e me një vrap
Do ta bëjë miletin zap!
Do t’i bindë Komitetet
Që t’i dorëzojnë haletet:
Municion e armë të lehta:
Topa, tanke e raketa!
Do t’u thotë: “Armët dorëzoni!
Mori fund Revolucioni!”
O-ho-ho-ho!
Ah, ta lumsha, moj Parti!
Seç e bëre Shqipëri!
Që nga Jugu në Veri!
Bashkë me Brokajn e paepur –
Ministrin e Ushtrisë së Vdekur!
Me Imam Legjislativin!
Me Thim’ Argjirokastritin!
Buf – Privatin, Ermelindën!
Malajn – Usta Piramidën!
Xhuvellin e Bujkrobërisë!
Leonidh’n e Shëndetësisë!
Që nga Jugu në Veri:
Konispol e Dragobi
Seç e bëtë lesh e li!
Oi-oi-oi!
Eh, sa do ia dimë lezetin
Sa ta marrin mirë pushtetin!
Do hedhim vallen dardhare
Me Dadë Artën Permetare!
Me Perikli PAD-ist Tetën!
Gaço Transport Biçikletën!
Shaqo Turist Veriorin!
Maço Veriatlantik Lakrorin!
Hajde-hajde!
Kujt i dolli më së miri
Midis gjith’ këtyre shakave?
Kujt, përveçse një bandilli –
Elmaz – Ministrit të Grave!
New York,
Korrik, 1997

PS:
Autori i kësaj poezie, të botuar 21 vjet më parë në Gazetën “Illyria”, ka bindjen se nuk ka dallime të mëdha midis kësaj Qeverie dhe atyre që erdhën më pas, – tashmë, në dy shtetet tona. Të njëjtin kaçamak e ziejnë Rama e Ramushi, – i pari në KAZAN (në Tiranë), ndërsa i dyti në TENXHERE (në Prishtinë).
Komentet