Gruaja më dinte që kisha dalë për pazar kur unë i nisa këtë foto.
-Kam hyrë në grevë me Adriatik Lapajn, – i shkrova.
Më mori urgjent, por nuk ia hapa.
-Jam në mbledhje, jemi duke diskutuar për strategjinë,-i bëra mesazh.
Atë sekondë filluan zilet e cel. Merrte goca, mbesa, një djalë xhaje i gruas deri motra nga Korça. I kishte alarmuar shqiponja ime. Por unë stoik. Në karrike, poshtë zyrës së Ramës dhe në krah të Tikut.
-Ej, po si nuk vijnë tiranasit more? Të paktën gjysëm ore, sa të duken që janë të shqetësuar që qeveria me një tender vjedh 50 milionë euro?
Ai më sheh në sy, gatit përgjigjen, por nuk është shumë i merakosur nga mungesa e njerëzve.
-Jemi më keq se në komunizëm,-thotë.-Atëhere të trembte, të burgoste, të vriste ama shumica e popullit në heshtje e urrenin. Tani të shpërfillin. Sikur në këtë trotuar s’ka protestues, sikur çdo gjë ecën fjollë. Asnjë lajm në tv a mediat e tjera.
Pas kësaj shton:
-Më kanë bërë padi penale se doja të ngrija një çadër.
M’u kujtua historia e një çadre para Shtëpisë së Bardhë në Washington. Pa leje e ngriti një zonjë për të protestuar ndaj armëve bërthamore. Askush nuk ia preku. Aty te ajo çadër u protestua 35 vite rresht.
Kuptoj që mediat e tv do mungojnë. Se pronarët e tyre janë hamësit e buxhetit të shtetit. Po gazetarët pse nuk vijnë. Pse?
Shkova sot, do shkoj nesër e çdo ditë se e kam dhe porosi nga vëllai im Teodor Keko:
-Ai gazetar që nuk kritikon qeverinë është impotent.
Ke të drejtë Dorka i vogël. Gazetaria shqiptare sot është mbushur dingaz me impotentë. Me impotentë të pasur.