Monolog nga Florian Binaj
Tek kjo intervistë e Nicola Graterit, prokurorit anti-mafie, shumë vetë mund të habiten me faktet që ai sjell për krimin, biznesin e politikën shqiptare.
Sigurisht, ato që tha janë fakte shokuese.
Por, ajo që më bën më shumë përshtypje mua, është diçka tejtër… Ajo që tha, se ka mbi 35 vjet që nuk ka një jetë të tijën. Që nuk shkon në restorante. Nuk shkon në teatër. Nuk del të pijë një kafe buzë detit me shokët. Edhe pse jeton në vendin e ushqimit, detit e kulturës së shkëlqyer.
Nuk del, sepse kjo është kostoja që i duhet të paguajë për punën që bën.
Nuk tha, “i kontrolloj restorantet para se të hyj”. Nuk shkon fare!
Unë kur e dëgjova, pata turp. Jo për të. Për ne.
Ai ka 35 vjet, kështu. Ndërkohë ne kemi veëtm 10 vjet me reformë në drejtësi… dhe treçereku i prokuroëve e gjykatësve nuk e kaloi dot vetingun. Dhe prapë, për fat të keq, nuk e kemi akoma një Nicola Gratteri.
Ka diçka në fushën e drejtësisë që funksionon ndryshe nga shumë profesione të tjera. Nuk mund të luash me dy porta. Nuk mund të jesh edhe i pakompromis në zbatimin e ligjit, edhe i dhënë pas luksit, pushimeve ekzotike, verës së shtenjtë e jetës së bukur. Nuk mund të jesh një dishepull i të vërtetës dhe të jesh tolerant ndaj presionit të pushtetit; as të flesh i qetë se kriminelët i ke liruar brenda kornizave që ofron ligji.
Për fat të keq, rrugë të mesme nuk ka.
Dëgjoj herë pas here për të rinj që drejtësinë e konsiderojnë si një karrierë të mirë, si të ardhura të bollshme apo si rrogë të sigurt. Jo se po i gjykoj. Edhe ajo është jetë, është dhe zgjedhje e lirë. Por ne, si vend, kemi nevojë për diçka më shumë se kandidatë për nëpunës. Ne na duhen heronj.
Tani, a është një jetë e bukur të mos kesh mundësi as të takosh fëmijët e tu, të cilët jetojnë larg e me një emër tjetër, për të mos u bërë shënjestër e mafias që ti lufton? Sigurisht që jo.
Por, shembulli i Gratterit, na tregon që ka një moment kur ti kupton që, pikërisht ti, je një instrument i rëndësishëm i së drejtës në luftë kundër së keqes… Dhe në atë moment puna jote pushon së qeni karrierë apo para’, dhe ajo që ti bën shndërrohet në një mision.
Dhe ky mision kërkon sakrificë e besim.
Sigurisht, drejtësia nuk duhet të jetë luftë.
Por, në një vend si Shqipëria, ku kufiri mes së drejtës e të keqes po tenton të fshihet e të mos kuptohet ku rri, kemi shumë nevojë për misionarë të drejtësisë.
35 vjet thuajse pa i parë fëmijët. Ky është çmimi i futjes së qindra mafiozëve në burg. Kjo është sakrifica njerëzore jo vetëm për profesionin, por për shoqërinë dhe atdheun.
A ka njeri këtu, që është gati?/Piranjat/Syri.net