VOAL

VOAL

Qeveria: Nuk përjashtojmë asnjë serb që të aplikojë në Policinë e Kosovës

RFE/RL

Qeveria e Kosovës tha se nuk synon të përjashtojë asnjë serb që dëshiron të aplikojë për në Policinë e Kosovës, e që i plotëson kriteret e parapara.

Në fillim të janarit, Policia e Kosovës hapi konkurs për pranimin e zyrtarëve të rinj nga komunitetet joshumicë për të mbushur vendet bosh që janë në Drejtorinë Rajonale Mitrovicë Veri.

Por, në konkurs një prej kritereve është që kandidatët të mos jenë mbi 30 vjeç.

“Thirrja është e hapur për të gjithë ata që përmbushin kriteret. Në parim, ne nuk duam të përjashtojmë askënd dhe ne nuk synojmë që të zëvendësojmë serbët me shqiptarët sepse ne duam që serbët të përfaqësohen në institucionet tona multietnike”, tha Qeveria e Kosovës në një përgjigje dërguar Radios Evropa e Lirë.

Autoritetet hapën konkursin pasi rreth 550 pjesëtarë të komunitetit serb u larguan nga Policia e Kosovës në katër komunat në veri të shtetit nëntorin e vitit 2022.

Ata ishin në mesin e punëtorëve të sistemit të drejtësisë, institucioneve lokale dhe qendrore dhe të tjera, që u dorëhoqën në shenjë pakënaqësie me një vendim të Qeverisë së Kosovës, që kërkonte nga serbët të riregjistronin makinat me targa e Kosovës, dhe të largonin ato të lëshuara nga Serbia.

Qeveria tha se ky konkurs është mundësi e mirë për të gjithë ata persona që në të kaluarën nuk kanë mundur të punojnë në institucionet publike të Kosovës.

Megjithatë, nga ekzekutivi nuk kanë treguar nëse ish-policët kanë të drejtë të aplikojnë në konkursin aktual.

“Ne u bëjmë ftesë të gjithë serbëve që janë të interesuar dhe që plotësojnë kriteret, të aplikojnë për këto vende të hapura pune, veçanërisht ata që në të kaluarën nuk kanë pasur mundësi që të punojnë në sektorin publik për shkak të Listës Serbe, e cila shpesh kushtëzonte punësimin me anëtarësim në këtë parti”, tha Qeveria.

REL-i ka pyet Policinë e Kosovës nëse ish-policët kanë të drejtë të aplikojnë, por nga ky institucion kanë thënë vetëm se kandidatët që plotësojnë kriteret mund të aplikojnë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në fund të dhjetorit të vitit të kaluar, u bëri thirrje serbëve që të aplikonin për vende pune në institucionet e Kosovës, pasi argumentoi se “zbrazëtirën” që është krijuar në institucionet në veri, nuk duan ta mbushin me shqiptarë.

Edhe misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit (EULEX) u ka kërkuar serbëve që të kthehen në institucionet e Kosovës, pasi ky mision tha se nuk mund ta mbushë vakumin e krijuar nga dorëheqjet e policëve serbë në katër komunat në veri të Kosovës, të banuar me shumicë serbe.

Bislimi: Marrëveshja përfundimtare me Serbinë mund të arrihet në fund të marsit

Zëvendëskryeministri i parë në Qeverinë e Republikës së Kosovës, njëherësh kreu i ekipit negociator në dialog me Serbinë, Besnik Bislimi, ka bërë të ditur kohën se kur mund të arrihet marrëveshja përfundimtare mes Kosovës e Serbisë.

Në një intervistë për Euronews Serbia, Bislimi ka thënë se takimi në mes të kryeministrit kosovar, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, për propozimin franko-gjerman nuk është mbajtur ende, sipas Economia online.

“Marrëveshja e nënshkruar, pra e arritur më 23 nëntor, caktoi afatin se kur duhet mbajtur mbledhja e radhës e grupit special për normalizimin në Kosovë dhe BE. Prandaj, tashmë është rënë dakord që takimi të bëhet në fund të muajit mars. Kjo është arsyeja që zoti Kurti përmend fundin e marsit si afat për nënshkrimin e marrëveshjes. Nëse deri atëherë e kuptojmë se Serbia nuk ka ndërmend të jetë konstruktive gjatë dialogut, kjo do të thotë se procesi i nisur më 23 nëntor do të pezullohet dhe Kosova do të mund të vazhdojë të shqiptojë gjoba për targat ilegale që ende lëvizin nëpër Kosovë”, ka thënë ai.

Edhe pse nuk ka zbuluar detajet e propozimit, zëvendëskryeministri ka deklaruar se plani “de jure” e mbështet qëndrimin e Serbisë se nuk duhet të ketë njohje reciproke në këtë moment.

“Ne nuk duhet t’i zbulojmë elementet e dokumentit, por nëse fokusohemi në elementet “de jure”, atëherë mund të themi se dokumenti mbështet qëndrimin e Serbisë ku aktualisht nuk ka kusht  për njohje reciproke”, ka shtuar tutje Bislimi.

Liberalizimi i vizave për Kosovën sot në rendin e ditës në Bruksel

Në Komitetin e Parlamentit Evropian për Liritë Civile, Drejtësi dhe Çështje të Brendshme (LIBE), të enjten do të jetë temë e diskutimit edhe liberalizimi i vizave për Kosovën – marrëveshja trepalëshe, ku do të votohet.

“Votime: Propozimi i Parlamentit për rregullat për votimin e evropianëve dhe qëndrimin në zgjedhjet komunale në shtetet tjera të BE-së (raportues Joachim Brudzinski). Liberalizimi i vizave me Kosovën – marrëveshja trepalëshe (raportues Thijs Reuten)”, është njoftuar në faqen në Twitter të Komitetit, citon Veriu.info.

Për votimin ka njoftuar edhe eurodeputeti holandez Thijs Reuten. “Pas marrëveshjes shumë gjatë të pritur, që u arrit mes shteteve anëtare të BE-së për liberalizimin e vizave për Kosovën, ne do ta mbajmë ritmin në Parlamentin Evropian. Votim në Komitetin këtë të enjten”, ka shkruar në Twitter.

Deri tani nga Parlamenti Evropian ka pasur mbështetje të fuqishme për liberalizimin e vizave për Kosovën. Parlamenti kishte bërë edhe presion ndaj vendeve të Bashkimit Evropian që sa më parë të miratojnë vendimin për t’i hequr vizat për qytetarët e Kosovës, të cilët janë të vetmit në rajon që nuk mund të udhëtojnë në BE pa viza.

Albin Kurti sot në Austri, takim me dyer të mbyllura me kancelarin Nehammer

Prishtinë – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti sot do të vizitojë Austrinë, ku do të takohet edhe me kancelarin federal austriak, Karl Nehammer.

Bazuar në agjendë, ai do të pritet me nderimet më të larta ushtarake e shtetërore nga kancelari austriak, Karl Nehammer. Kurti do të ketë një takim me dyer të mbyllura me kancelarin e Austrisë, njofton RTK.

Më pas, në kuadër të kësaj vizite zyrtare, kryeministri Kurti dhe kancelari austriak, pritet të mbajnë edhe një konferencë për media.

Përveç çështjeve të Ballkanit Perëndimor si në aspektin politik ashtu edhe në atë të sigurisë, një ndër temat e këtij takimi mes kryeministrit Kurti dhe kancelarit Nehammer, do të jetë edhe aplikimi i Kosovës për anëtarësim në BE.

Kurti, gjatë vizitës në Vjenë të enjten, do të mbajë edhe një fjalim i ftuar nga Instituti Austriak për Politikë Evropiane dhe të Sigurisë dhe Akademia Diplomatike e Vjenës. Ai do ta flas për “Kosovën, Ballkanin Perëndimor dhe Bashkimin Evropian’, raporton RTKlive.

Ndryshe kjo vizitë e Kurtit në Austri vjen pas dorëzimit të aplikacionit për anëtarësim në BE dhe zhvillime pozitive rreth vendimit pozitiv për liberalizim të vizave nga ana e BE-së.

Kosova dhe Austria kanë bashkëpunim të mirë në shumë fusha.

Chollet: Asociacioni i komunave me shumicë serbe – detyrim ligjor i Kosovës

VOA

Këshilltari i Departamentit amerikan të Shtetit Derek Chollet, tha të mërkurën se Asociacioni i komunave me shumicë serbe duhet të themelohet në pajtim me Kushtetutën e Kosovës dhe ai është një detyrim ligjor.

Në një takim me një grup gazetarësh të medieve vendase, pas takimeve me udhëheqësit e institucioneve dhe partive politike në Kosovë, zoti Chollet tha se Shtetet e Bashkuara presin nga Kosova të përmbushë të gjitha përkushtimet e saj në bisedimet më Serbinë, që përfshijnë edhe themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Ai tha se Shtetet e Bashkuara presin që qeveria e Kosovës të hedh në tryezë disa propozime rreth këtij asociacioni.

“Dua të jem i qartë se ne nuk e mbështesim dhe nuk do ta mbështesim një organizimin të tipit Republike Serbska. Nuk po i kërkojmë Kosovës asnjë aranzhim që nuk është në pajtim me Kushtetutën dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015. Parlamenti i Kosovës i ka ratifikuar marëveshjet e Brukselit dhe Gjykata Kushtetuese ka thënë se është e domosdoshme të themelohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe gjë që ne besojmë se e bënë këtë një detyrim ligjor për qeverinë e Kosovës”, tha zoti Chollet duke nënvizuar se zhvillimet e fundit në veriun e Kosovës vetëm sa e kanë theksuar rëndësinë e themelimit të tij.

Ai i cilësoi të rënda javët në prag të Krishtlindjeve në veriun e Kosovës ku për tre javë me radhë grupe serbësh mbajtën të bllokuara rrugët kryesore në shenjë proteste ndaj arrestimit të një ish polici serb, nën dyshimet për sulm ndaj autoriteteve. Rrugët u zhbllokuan më 29 dhjetor pasi ish polici u dërgua në arrest shtëpie. Ai ishte një nga qindra pjesëtarët e policisë nga radhët e komunitetit serb që braktisën vendet e punës sikurse edhe punonjësit tjerë të këtij komuniteti në veriun e Kosovës mes mospajtimeve me vendimin e qeverisë në Prishtinë për ndalimin e përdorimit të targave të makinave të lëshuara nga Serbia.

Zoti Chollet e cilësoi shqetësues boshllëkun në institucionet në veri, ndërsa nënvizoi se “duhet t’i japim fund këtij cikli të ngecjes dhe është koha të vihemi në punë. Një nga mesazhet që sollëm këtu dhe do ta transmetojmë edhe në Beograd është se duam të shpenzojmë energjinë diplomatike amerikane për të punuar për të ardhmen euro-atlantike për Kosovën. Duam të shpenzojmë më pak energji në menaxhimin e krizave. Së këndejmi mesazhi ynë këtu dhe në Beograd është se nuk duhet të ketë veprime provokuese, duhet të shtensionojmë situatën dhe të marrim situatën në duar”.

Zoti Chollet tha se “Kosova dhe Serbia duhet të përfshihen urgjentisht në bisedimet e lehtësuara dhe të drejtuara nga Bashkimi Evropian që do të çojnë drejt një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve me njohjen e ndërsjellë në qendër”, ndërsa nënvizoi se ky dialog është mënyra më e mirë për Kosovën që të sigurojë ardhmërinë e saj evropiane dhe euro-atlantike.

Zoti Chollet, po qëndron në rajon në një periudhë përpjekjesh për ripërtëritjen e bisedimeve Kosovë – Serbi dhe nxitjes së proceseve integruese. Te enjten pritet të qëndrojë në Beograd, ndërsa po shtohen përpjekjet për një marrëveshje ndërmjet palëve në dritën e një propozimi evropian, që u bë i njohur si nisma franko-gjermane.

Chollet sot në Kosovë për të shtyrë përpara dialogun e Brukselit

Mimoza Sadiku

Këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit (DASH), Derek Chollet, do të vizitojë Kosovën më 11 janar, në mes të përpjekjeve të reja ndërkombëtare për të përshpejtuar procesin e normalizimit të raporteve midis Kosovës dhe Serbisë.

Chollet do të qëndrojë më 11 janar edhe në Shkup, ndërkaq një ditë më pas do të vizitojë edhe Serbinë.

Në Prishtinë, Chollet fillimisht do të takohet me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, në orën 13:30, ndërkaq një orë më pas është paraparë takimi me kryeministrin Albin Kurti.

Sipas njoftimit të DASH-it, ai do të bisedojë me krerët në Kosovë dhe të Serbisë për integrimin euroatlantik, përfshirë edhe arritjen e një marrëveshjeje për normalizimin e raporteve mes dy shteteve, të bazuar në njohje reciproke.

Njohësi i çështjeve politike, Artan Muhaxhiri, thotë se vizita e zyrtarit të lartë amerikan është e rëndësishme, sa i përket dinamizimit të procesit të dialogut.

“Është e qartë se kërkesa kryesore e Chollet do të jetë angazhimi më i madh, më energjik, më i mirëfilltë, më kualitativ i Qeverisë së Kosovës në dialog sepse edhe investimet madhore amerikane në Ballkan janë të drejtuar në arritjen e marrëveshjes finale dhe gjetjen e një zgjidhjeje për krijimin e një etape të re historike”, thotë Muhaxhiri për Radion Evropa e Lirë.

Sa i përket Serbisë, Muhaxhiri thotë se ky shtet ka presione të mëdha, si nga SHBA-ja, po ashtu edhe nga BE-ja, mirëpo sipas tij, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, po tenton që fokusin ta vendosë te “mospajtimet dhe refuzimet e Kosovës ndaj kërkesave amerikane”.

“Por, është absolutisht e qartë që edhe Serbia do të duhet të bëjë kompromise shumë të mëdha nëse dëshiron që të mos stigmatizohet si bllokuese e procesit dhe nëse dëshiron që të ketë të ardhme normale evropiane”, thotë ai.

Fokusi te plani franko-gjerman

Vizita e Chollet në Kosovë dhe Serbi vjen disa javë pas tensionimit të situatës në veri të Kosovës, që kulmoi me vendosjen e barrikadave nga grupe të serbëve lokalë në veri të shtetit, për shkak të arrestimit të një ish-polici serb.

Vetë Chollet deklaroi se u shpenzuan kohë në përpjekjet diplomatike në uljen e tensioneve, në vend se palët të përqendroheshin në dialog.

Në këtë drejtim, ai ka përmendur planin franko-gjerman, apo siç po quhet së fundi edhe si plani i BE-së, që synon çuarjen përpara të dialogut drejt një marrëveshjeje përfundimtare.

“Mendojmë se BE-ja ka parashtruar një drejtim të arritshëm, një drejtim të mirë. Sërish, do të jetë e vështirë. Do të dojë shumë punë. Do të dojë vendime të vështira dhe kurajë nga udhëheqësit, që të lënë mënjanë ndasitë dhe të bëjnë atë që është në interesin më të mirë të vendit të tyre”, ka deklaruar Chollet në një intervistë për Zërin e Amerikës të dhënë më 6 janar.

Muhaxhiri pret që pikërisht plani franko-gjerman të jetë në fokus të vizitës së Chollet në Prishtinë dhe Beograd. Sipas tij, ky plan, që nuk është bërë publik, por u është dorëzuar palëve vitin e kaluar, po konsiderohet si baza më realiste për dialog, andaj ai thotë se palët janë të interesuara që të dialogojnë mbi këtë bazë.

“Mirëpo, natyrisht që edhe çështja e Asociacionit është pjesë e planit franko-gjerman dhe zoti Chollet do të kërkojë nga Qeveria e Kosovës që të gjendet një zgjidhje kreative për angazhimin e Qeverisë kosovare në këtë aspekt, sepse me bllokadën aktuale të kësaj teme rrjedhimisht bllokohet edhe dialogu”, thotë Muhaxhiri.

Zyrtarët në SHBA janë shprehur se prioritet për ta është formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, për të cilin, Kosova dhe Serbia kanë arritur dy marrëveshje, më 2013 dhe më 2015.

Edhe evropianët kanë kërkuar që Kosova të zbatojë marrëveshjen për Asociacionin, teksa Muhaxhiri thotë se pa nisur së trajtuari këtë temë, “nuk mund të ketë ndonjë avancim kuptimplotë në dialog”.

SHBA-ja madje ka thënë se nëse Qeveria e Kosovës nuk do të krijojë Asociacionin, për të do të gjenden “partnerë alternativë”. Sipas Muhaxhirit, kjo formë është presion indirekt që kjo çështje të zgjidhet, nëse presioni direkt ndaj Qeverisë nuk rezulton i suksesshëm.

“Prandaj, kjo ideja e kërkimit të bashkëpunëtorëve alternativë ka ardhur pas refuzimeve të Qeverisë së Kosovës që të bisedohet për Asociacionin, për çfarëdolloj formati të Asociacionit, edhe pse SHBA-ja e ka bërë të qartë 100 herë se Asociacioni nuk do të ketë kompetenca ekzekutive dhe nuk do të lejohet bosnjëzimi i Kosovë”, thotë ai.

Pavarësisht kërkesave të SHBA-së, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është shprehur kundër një Asociacioni njëetnik.

Por, Muhaxhiri thotë se Kosova nuk ka shumë alternativa dhe se duhet të pranojë një zgjidhje edhe nëse përfshin Asociacionin në të.

“Gjithsesi edhe Kosova duhet të bëjë kompromise në mënyrë që të shkohet përpara”, thotë ai.

Radio Evropa e Lirë siguroi propozimin e BE-së, që njihet si plani franko-gjerman, që synon të çojë përpara procesin e dialogut.

Në të parashihen të drejta të barabarta të Kosovës dhe Serbisë, respektim të integritetit territorial, mosprekjen e kufijve, njohjen e simboleve shtetërore dhe një aranzhim të veçantë për komunitetin serb në Kosovë.

Muhaxhiri thotë se Kosova do të përfitonte njohjen e pesë shteteve mosnjohëse të BE-së dhe anëtarësimin në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

Sipas dokumentit të siguruar nga REL-i, aty nuk përmendet njohja e ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë apo anëtarësimi i Kosovës në OKB, por theksohet mbështetja që palët duhet t’i japin njëra-tjetrës në procesin e integrimeve evropiane.

“Nisma diplomatike ka për qëllim që Serbia ‘të detyrohet’ që të diskutojë për planin franko-gjerman”

Pas Prishtinës, Chollet do të qëndrojë në Beograd më 12 janar. Sipas kryetarit të Komisionit për Kosovën në Parlamentin serb, Millovan Drecun, Serbia nuk do të refuzojë kurrë bisedimet me faktorin ndërkombëtar.

“Por, është plotësisht e qartë se biseda do të jetë shumë e shkurtër. Prandaj, ne refuzojmë çdo ide për ta trajtuar Kosovën si shtet”, tha për REL-in Drecun, i cili është pjesë e Partisë Progresive Serbe, të presidentit Vuçiq.

Millovan Drecun tha se nisma e ardhshme diplomatike ka për qëllim që Serbia “të detyrohet” që të diskutojë për planin franko-gjerman.

Në janar, në Kosovë dhe Serbi po ashtu pritet të qëndrojnë i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, dhe i dërguari i Uashingtonit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar. Ata pritet të shoqërohen nga të dërguarit e presidentit të Francës dhe kancelarit gjerman, Emmanuel Bonne dhe Jens Pletner.

Emisarë evropianë dhe amerikanë po ashtu kanë vizituar Kosovën dhe Serbinë muajve të fundit. Fushatat diplomatike, sipas Muhaxhirit, janë treguar të suksesshme në të kaluarën.

“Është një privilegj për Kosovën që ekziston një interesim kaq i madh për arritjen e marrëveshjes finale nga ana e bashkësisë ndërkombëtare, pasi që edhe në Rambuje dhe Vjenë është dëshmuar se kjo është qasja e vetme e cila mund të dërgojë deri në suksesin e marrëveshjeve”.

“E njëjta po ndodh edhe tash, prandaj edhe Kosova duhet të jetë bashkëpunuese me ndërkombëtarët në mënyrë që të përfitojë nga interesimi i tyre dhe që përfundimisht dialogu me Serbinë ta marrë një epilog dhe kjo të shndërrohet në një etapë historike për Kosovën, dhe Ballkanin në përgjithësi”, thotë ai.

“Vijat e kuqe” të Serbisë

Përderisa propozimi i BE-së, në Kosovë është pranuar dhe nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është parë si “bazë e mirë për diskutime të mëtejme”, zyrtarët në Serbi janë shprehur më të rezervuar.

Madje Kurti ka deklaruar se Serbia e ka refuzuar këtë plan, gjatë një mbledhjeje të Këshillit Nacional të Sigurisë të mbajtur në tetor të vitit të kaluar, duke iu referuar një deklarate të ministrit të Jashtëm serb, Ivica Daçiq, që atëbotë deklaroi se Serbia nuk do të mund të pranonte një plan ku njihet pavarësia e Kosovës.

Daçiq më 10 janar tha se Serbia ka tri vija të kuqe sa i përket Kosovës: çdo marrëveshje e arritur duhet të zbatohet, mosnjohja e pavarësisë së Kosovës dhe garantimi i sigurisë së serbëve që jetojnë në Kosovë.

Interesimi i ndërkombëtarëve për marrëveshjen finale

I dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, ka paralajmëruar se viti 2023 mund të jetë vit vendimtar për arritjen e një marrëveshjeje të mundshme.

Ai ka deklaruar se “dritarja e vetme e mundësive” që të arrihet një marrëveshje është nga marsi i këtij viti deri në dhjetor apo në fillim të vitit të vitit 2024.

Loic Tregoures, profesor i shkencave politike dhe ekspert për Ballkanin, i tha Shërbimit të Ballkanit të REL-it, se Uashingtoni dhe Brukseli, me këto përpjekje po dëshirojnë të shmangin shpërthimin e një konflikti të ri.

Sipas tij, 15 vjet nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, është koha që palët të arrijnë një marrëveshje dhe se është në interesin e Prishtinës që të përshpejtohet ky proces për të normalizuar situatën e saj ndërkombëtare.

“Megjithatë, nga pikëpamja e Serbisë nuk ka nguti, status quo-ja është e mirë për presidentin Vuçiq”, tha ai.

Tregoures shtoi se sa më shpejt që mund të arrihet një marrëveshje ligjërisht e obligueshme, BE-ja mund t’ia kujtojë Vuçiqit se të qenët kandidat për BE nënkupton se duhet të jesh serioz për disa çështje “që aktualisht po mbahen të heshtura”. Në këtë drejtim ai përmendi reformat në sundimin e ligjit, gjyqësor, lirinë e medias, legjislacionet për mjedisin si dhe luftën kundër korrupsionit.

Kosova dhe Serbia dialogojnë me ndërmjetësimin e BE-së që nga vitit 2011. Procesi është thënë se synon të përmbyllet me një marrëveshje ligjërisht të obligueshme.

Prishtina kërkon që marrëveshja të përfshijë njohjen reciproke, ndërkaq Beogradi insiston në një zgjidhje kompromisi, pa treguar saktësisht se për çfarë kompromisi bëhet fjalë.

Kontribuoi: Ludmilla Cvetkoviq

Somalia përgënjeshtron Vuçiçin, shteti afrikan kërkon thellim marrëdhëniesh me Kosovën

Gaboni, Somalia, Saint Lucia, Burkina Faso, Maldivet, Antigua dhe Barbuda, Libia dhe Esëatini. Këto janë shtetet që sipas presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kanë çnjohur Kosovën. Këto pretendime, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ia bëri të ditura popullit të tij, në adresimin vjetor, në fund të vitit të kaluar, shkruan sot RTKlive.

Ndërkohë, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës të Republikës së Kosovës,  pati  reaguar pas deklaratave të presidentit serb

“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, njofton që nuk ka asnjë  njoftim në MPJD dhe as në misionet e Republikës së Kosovës, rreth pretendimeve të djeshme të presidentit serb se disa shtete paskan tërhequr njohjen”.

MPJD deklaroi se një pretendim i tillë nuk është vërtetuar as pas bisedave personale me përfaqësues në nivele të ndryshme të këtyre shteteve, por as pas konsultimit me partnerët e rëndësishëm të vendit tonë.

Fakti se pretendime të tilla të Serbisë janë më shumë për të shtuar konfuzionin tek qytetarët serbë, duket se u vërtetuan sot në Ankara të Turqisë.

Ambasadori i Republikës së Kosovës në Turqi, Agon Vrenezi, takoi  sot ambasadorin e Somalisë në  Ankara. Somalia është një nga shtetet që Serbia deklaron se ka çnjohur pavarësinë e Kosovës.

Siç ka njoftuar ambasadori somalez në Turqi,  Jama A. Mohamed, me ambasadorin Vrenezi kanë pasur një takim produktiv e ku kanë diskutuar për forcimin e raporteve bilaterale.

“I nderuar që prita ambasadorin Agron Vrenezi, ambasador i Kosovës në Turqi”, shkroi diplomati somalez.

“Ne patëm një diskutim produktiv për forcimin e raporteve tona bilaterale, shkëmbyem informacione dhe pikëpamje rreth çështjeve aktuale në rajon”, ka shkruar Mohamed.

Nga ana tjetër, Ministria e Jashtme e Kosovës në llogarinë e saj në twitter, duke njoftuar për këtë takim, shkruan se dy ambasadorët diskutuan për mundësitë e bashkëpunimit më të thellë ndërmjet dy vendeve. “Ata shkëmbyen pikëpamjet për zhvillimet rajonale e ndërkombëtare”, shkruan në njoftimin e MPJD-së.

Përplasjete  Kosovës dhe Serbisë për çështjet e njohjeve apo tërhejqes së njohjeve edhe më tej vazhdojnë.

Sidoqoftë, diplomacia serbe duke përdorur edhe propagandën, ka qenë mjaft aktive edhe publikisht në synimin e saj për të dëmtuar pozitën politike të Kosovës në arenën ndërkombëtare, sidomos gjatë vitit 2022.

Kurti: Shkatërruam laboratorët e drogës në veri, vlenin qindra milionë euro

Kryeministri Albin Kurti ka vazhduar edhe sot me punët që qeveria e tij i ka kryer në vitin 2022, shkruan Syri.net Kosova.

Ai sot e ka paraqitur qeverinë tij në vitin 2022 në luftën e saj kundër krimit dhe korrupsionit.

Por ajo që ka ra në sy është se Kurti ka treguar edhe për shkatërrimin e disa laboratorëve të drogës në veri të vendit, ku sipas tij kanë kushtuar me vlera qindra milionëshe.

“Shkatërruam 5 laboratore të drogës në veri të Kosovës, me vlerë qindra milionëshe në substanca dhe në pajisje si dhe 3 laboratore për prodhimin e kriptovalutave, po ashtu në veri“, ka shkruar mes tjerash Kurti.

Në Mitrovicën e Veriut protestohet kundër “tradhtisë” së Vuçiqit

Protesta e serbëve lokalë në Mitrovicën e Veriut. 8 janar 2023.

RFE/RL

Në Mitrovicën e Veriut – komunë e banuar me shumicë serbe – është protestuar të dielën kundër, siç u tha nga organizatorët, “tradhtisë së lartë” të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, dhe “torturës ndaj serbëve dhe pushtimit të veriut”, nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Rreth 200 qytetarë u mblodhën mesditën e 8 janarit para objektit të Listës Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë, e cila mbështetet nga Beogradi zyrtar – ku protestuan kundër politikës zyrtare të Serbisë në Kosovë dhe qëndrimit të “Kurtit ndaj serbëve”.

Kryeministri Kurti kishte deklaruar disa herë që nuk është kundër qytetarëve serbë, por kundër “kriminelëve serbë” që thyejnë ligjin në Kosovë.

Protestuesit kanë shpalosur një pankartë ku shkruhej “Vuçiq, Kosova nuk të do. Na ke tradhtuar. Nuk e duam as Asociacionin tënd. Na ke shitur!”.

Aty përveç Vuçiqit e Kurtit, u kritikua edhe Lista Serbe.

Njëri nga organizatorët e protestës, Ivan Miletiq, tha se janë mbledhur ngase “ka ardhur ora e fundit, dhe populli i Mitrovicës dhe Kosovës nuk do të ndalet dhe nuk do të dorëzohet, e do të luftojë deri në fund”.

Ai tha se gjatë vendosjes së barrikadave në veri të Kosovës, kanë besuar se Vuçiqi do të qëndrojë prapa serbëve dhe t’i mbështesë ata, “por kjo nuk ndodhi”.

Gjithashtu, ai i bëri thirrje Kurtit dhe bashkësisë ndërkombëtare që t’i tërheqin të gjithë policët e njësisë speciale nga veriu i Kosovës dhe t’i mbyllin bazat atje.

Në fillim të dhjetorit, Qeveria e Kosovës tha se në veri është policia e rendit, por njësitë speciale të PK-së.

Miletiqi tha se ata nuk kanë asgjë kundër popullit shqiptar dhe popullit që ka vullnet të mirë.

U tha po ashtu se askush nuk është kundër shtetit të Serbisë, por se po u kërkojnë liderëve në Serbi që mos t’i “mbrojnë në këtë mënyrë”, ngase sipas tyre, asnjë listë e imponuar serbe nuk i përfaqëson ata, dhe i kërkuan Beogradit zyrtar që “t’i dëgjojë njerëzit që jetojnë këtu, të cilët po shantazhohen dhe kanë frikë”.

Një tjetër organizator i protestës, Nebojsha Joviq, tha se serbët kanë problem me politikën e Kurtit, por se është detyrë e Vuçiqt që të garantojë sigurinë e serbëve në veri.

Ai tha se Lista Serbe nuk mund të përfaqësojë më serbët, ngase sipas tij “fatin e vendosin biznesmenët dhe politikanët e dështuar”.

Për njëzet ditë me radhë, në dhjetor të vitit 2022, në katër komunat veriore u vendosën barrikada në rrugët që çojnë në pikat kufitare të Kosovës dhe Serbisë.

Barrikadat ishin vendosur në shenjë proteste kundër arrestimit të një ish-polici të Kosovës nga komuniteti serb, i cili sipas autoriteteve kosovare dyshohet se ka organizuar një sulm në zyrat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri.

Serbët vendosën t’i heqin barrikadat pas ndryshimit të masës së sigurisë së Dejan Pantiqit nga paraburgimi në arrest shtëpiak.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti pret 12 gazetarë ukrainas që aktualisht mikpriten në Kosovë

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, u takua me 12 gazetarët ukrainas që po banojnë në kryeqytetin e vendit, në kuadër të programit të mbështetur dhe financuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës, Journalists-in-Residence (JiR Kosovo).

Ai u uroi mirëseardhje në Zyrën e Kryeministrit Lyudmilas, Serhit, Marinas, Victoriias, Lyudmilas, Irynaas, Oksanas, Katerynas, Lyudmilas, Olgas, Anastasiias dhe Olenas dhe vajzës së saj gjashtë vjeçare që së fundmi i është bashkuar në Prishtinë.

“Është nder dhe kënaqësi e veçantë të ju takoj në këtë ditë feste dhe pushimi”, u shpreh kryeministri Kurti, duke shtuar se ai dhe populli i Kosovës bashkëndjejnë me dhimbjet e humbjet e tyre dhe se ndjejnë detyrë humane, qytetare dhe institucionale që të ju ndihmojnë. Ai i falënderoi për qëndresën në Ukrainë, ku partnerët e dy gazetareve janë në front të luftës, si dhe për punën e tyre në Kosovë nëpërmjet artikujve të ndryshëm gazetaresk.

Gazetarët shprehën mirënjohjen e tyre të thellë për mbështetjen dhe mikpritjen e ngrohtë që u ka ofruar Kosova dhe populli i saj. Kjo i ka bërë të ndjehen si në shtëpi në këto kohë të vështira për ta, popullin dhe vendin e tyre. Ata ndanë me kryeministrin nga përvojat e tyre në Kosovë dhe angazhimet profesionale.

Kryeministri Kurti u uroi Krishtlindjet Ortodokse gazetarëve ukrainas me besim ortodoks që festojnë edhe sot. Krishtlindja ortodokse këtë vit për herë të parë po shënohet në dy data, me 25 dhjetor dhe 7 janar, me vendim të Kishës Ortodokse të Ukrainës (OCU) pas invazionit të paprovokuar të Federatës Ruse mbi Ukrainën.

Në takim ishin të pranishëm edhe përfaqësues të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, zbatues të programit JiR, dhe Qendrës Evropiane për Liri të Shtypit dhe Medies (ECPMF).

 

Synimi i SHBA për avancimin e Kosovës drejt integrimit euroatlantik, këshilltari i lartë i DASH pritet të vizitojë Prishtinën

Këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, do ta vizitojë Kosovën më 11 janar. Ai gjithashtu do të vizitojë edhe Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë, njofton DASH-i.

Sipas njoftimit, Chollet do të takojë në Prishtinë zyrtarët qeveritarë, liderët e tjerë politikë dhe shoqërinë civile, për t’i diskutuar përpjekjet e SHBA-së për ta ndihmuar avancimin e Kosovës drejt integrimit euroatlantik, “përfshirë këtu arritjen e një marrëveshje gjithëpërfshirëse mes Kosovës dhe Serbisë përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja, që në qendër do ta kishte njohjen reciproke”.

 

Pas Prishtinës, Chollet viziton Beogradin. Atje, më 12 janar, ku përveç sigurisë energjetike, integrimin ekonomik rajonal dhe përparimin e Serbisë drejt synimit për anëtarësim në BE, temë diskutimi do të jetë edhe dialogu Kosovë-Serbi.

 

“Ai [Chollet] të diskutojë për rolin e Serbisë në forcim të paqes rajonale dhe sigurisë dhe angazhimin e vazhdueshëm në dialogun e lehtësuar nga BE-ja për t’i normalizuar marrëdhëniet me Kosovën”, thuhet në njoftim.

Para Prishtinës dhe Beogradit, Chollet do ta vizitojë Shkupin. Atje ai do të takohet me liderët qeveritarë për të diskutuar një sërë çështjesh, përfshirë energjinë, ekonominë dhe luftën kundër korrupsionit.

 

Vizita e tij në këto tri shtete, nga 11 deri më 13 janar, sipas DASH-it synon që të “nënvizojë përkushtimin e vazhdueshëm të SHBA-së ndaj paqes, stabilitetit dhe prosperitetit të Ballkanit Perëndimor”.

 

Ndërsa nga data 8 deri më 10 janar, Chollet do të udhëtojë në Emiratet e Bashkuara Arabe.

Më 12 dhjetor, Chollet anuloi vizitën në disa shtete të Ballkanit dhe në Bruksel, pasi doli pozitiv me sëmundjen COVID-19./REL

Sulmi ndaj autobusit të Kosovës në Serbi, Miftaraj: A do reagojnë BE-ja e ambasadorët e huaj

Drejtori i IKD-së, Ehat Miftaraj, ka reaguar pas sulmit në Serbi të autobusit me mërgimtarë nga Kosova në drejtim të Gjermanisë, transmeton Syri.net Kosova

Miftaraj thotë se Bashkimi Evropian dhe ambasadorët e huaj duhet të reagojnë për sulmet e Serbisë ndaj shqiptarëve.

“Bashkimi Evropian, ambasadorët e huaj në Beograd a do reagojnë për sulmet kriminale të Serbisë ndaj shqiptarëve që udhëtojnë nëpër Serbi?”.

Madje, Miftaraj thotë se institucionet shtetërore duhet të mos mbajnë fjalime në rrjete sociale, por të merren me diplomaci.

“Qeveria, Presidenca, MPJ sa na mbajnë fjalime nëpër Facebook, koha është të merren me diplomaci përmes rrugëve zyrtare, me kërku sqarime, llogari” ka shkruar Miftaraj në Facebook.

Kujtojmë se, nga kompania “Fadili Tours” për Syri.net Kosova kanë konfirmuar se nga ky sulm nuk ka të lënduar.

Rrëfehet xhaxhai i pjesëtarit të FSK: Azemi gjuajti për vetëmbrojtje, iu bllokua rruga

“Gjithçka ka ndodhur në vetëmbrojtje”.

Kjo është fjalia që familja e ushtarit të FSK-së, Azem Kurtaj, ia tha Nacionales për ngjarjen që ndodhi të premten në Shtërpcë, atje ku dyshohet se Azemi ka shtënë me armë zjarri, nga plumbat e së cilës kanë pësuar dy të rinj serbë, njëri 11 e tjetri 21-vjeçar.

Ushtari i FSK-së tashmë është ndaluar nga Policia e Kosovës.

Ai ka vendosur që deri në seancën dëgjimore të mbrohet në heshtje. Nacionale e ka vizituar familjen e ushtarit të shtunën gjatë ditës dhe prej atje jua sjell rrëfimin e familjes e të avokatit të Azem Kurtajt.

Disa burra e kanë mësyrë të shtunën pasdite fshatin Gabrricë të komunës së Kaçanikut. Lagjja “Vëllezërit Kurtaj” kishte më shumë lëvizje të veturave të shtunën sesa në ditët e tjera. Destinacion ishin shtëpitë e Kurtajve.

Djali i familjes, Azemi, ka disa orë që gjendet në njërën nga qendrat e ndalimit. Pjesëtari i FSK-së dyshohet se të premten pasdite ka shtënë me armë zjarri në Shtërpcë. Si pasojë, të plagosur kanë mbetur dy persona nga komuniteti serb, njëri 11 vjeç e tjetri 21-vjeçar.

Familja: Jemi të shqetësuar, e dimë që Azemi ka gjuajtur në vetëmbrojtje
Nga familja e ushtarit pak dinë rreth asaj që ka ndodhur të premten pasdite. Por assesi nuk besojnë që me qëllim për t’i vrarë djali i tyre ka shtënë drejt qytetarëve në atë zonë.

Axha i Azemit, Afrimi, në një bisedë prapa kamerave për Nacionalen tha se nipit të tij nga persona për ta panjohur në Shtërpcë i është bllokuar rruga. Si pasojë, Azemi ka shtënë në tokë në vetëmbrojtje.

“Të gjithë jemi të shqetësuar për rastin. Pak dimë edhe ne, por e dimë që iu ka blloku rruga edhe në mbrojtje ka gjujtë. Ai (Azemi) ka qenë duke kalu andej”- i tha gazetës axha i tij.

Kur u pyet se ku e kishte marrë armën pjesëtari i ushtrisë, axha tha se e kishte me leje.

“Arma sigurisht që ka qenë me leje”– tha për Nacionalen, duke mos dashur që të komentonte më shumë axha i Azemit.

Nga familja e tij kanë sqaruar se në momentin kritik, ushtari kishte qenë duke vozitur veturën e tipit Golf 5 ngjyrë hiri.

Avokati i ushtarit Azem Kurtaj: Klienti im është shumë i shqetësuar, thotë se në vetëmbrojtje ka ndodhur gjithçka

Mbrojtja e ushtarit Azem Kurtaj, avokatri Naim Ferati, për Nacionalen dha pak hollësi rreth komunikimit të parë me klientin e tij.

Avokati sqaroi se gjendja emocionale e Kurtajt është e rëndë pas asaj që ka ndodhur të premten pasdite. Tha se, në bazë të asaj se çka i ka thënë ushtari, rasti ka ndodhur në vetëmbrojtje.

“Nesër e kemi seancën dëgjimore. Në këtë fazë, klienti im e ka shfrytëzuar të drejtën që të mbrohet në heshtje tash për tash. S’kemi shumë informacione, sepse ende s’e kemi takuar. Rasti, sipas klientit tim, ka ndodhur në vetëmbrojtje. Duhet me folë tash me klientin e me i sqaru rrethanat. Dje ka qenë i shqetësuar, i traumatizuar. Nuk e ka pritë që po ndodh diçka e tillë”– i tha Nacionales Naim Ferati, avokat i ushtarit Azem Kurtaj.

Kush është Azem Kurtaj?
Azem Kurtaj, është djali i dëshmorit të UÇK-së Danush Kurtajt i cili kishte mbetur i plagosur rëndë më 21 maj të vitit 1999 për të vdekur një ditë më pas. Ai kishte qenë i burgosur në Dubravë dhe ishte mes shumë viktimave në masakrën e kryer nga forcat serbe.

Më 25 nëntor, ose më pak se dy muaj më parë, Azem Kurtaj kishte qenë mes ushtarëve të Kosovës që ishin dekoruar nga Ushtria e Shqipërisë.

Në një lidhje telefonike me portalin Indeksonline, Kurtaj ka thënë se ndihet i pafajshëm për rastin që ka ndodhur në Shtërpcë.

Nga ky rast raportohet se mbetën të plagosur Stefan Stojanoviqi (11 vjeçar) dhe Millosh Stojanoviqi (21 vjeçar). Pas këtij rasti, serbët kishin bllokuar magjistralen Ferizaj-Shtërpcë.

‘Ndihem i pafajshëm’, vetdorëzohet në polici i dyshuari për plagosjen e dy të rinjve në Shtërpcë

Mbrëmë një ngjarje e rëndë ndodhi në fshatin Drajkovc të Shtërpcës ku dy persona 11 dhe 31 vjeçar shtetas serb janë plagosur nga i dyshuari A.Kurtaj.

Ky i fundit i ka qëlluar dy të rinjtë teksa ka qenë në një automjet në lëvizje dhe më pas është larguar nga vendi i ngjarjes.

Indeksonline ka kontaktuar me të dyshuarin i cila ka thënë se ndihet i pafajshëm për rasttin që po ndërlidhet emri i tij.

Ai ishte duke qëndruar në një vend në Prevallë gjatë bisedës dhe po priste patrullën e Policisë, ndërsa kjo e fundit nuk vonoi dhe u shfaq në momentin që i dyshuari po fliste.

Biseda:

A.Kurtaj: Në Prevallë… Jo hala s’ka ardhë një patrullë me më marr

A.Kurtaj: Qe veq erdhën (policia)

Policia në njoftimin e saj bëri me dije se dy të plagosurit ishin në spital duke marrë mjekim dhe ishin jashtë rrezikut për jetën.

Ndërkohë që të shumtë kanë qenë zyrtarët lartë të Kosovës që kanë reaguar dhe dënuar ngjarjen.

Njoftimi i policisë:

Sot, rreth orës 15:19 policia e stacionit në Shtërpcë ka pranuar një informacion se në fshatin Drajkovc të Shtērpcës dy persona, njëri rreth 11 vjeçar dhe tjetri rreth 31 vjeçar janë plagosur nga arma e zjarrit nga personi/persona të panjohur i cili/të cilët ishin me një automjet të udhëtarëve në lëvizje, që po qarkullonte nga Shtërpca në drejtim të Ferizajt dhe më pas janë larguar nga vendi i ngjarjes.

Dy të lënduarit për ndihmë mjekësore janë dërguar në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Shtërpcë dhe pas marrjes së ndihmës së parë në Shtërpcë, për tretman të mëtutjeshëm mjekësor janë dërguar me autoambulancë për në qytetin e Graçanicës. Të dy të plagosurit nga informacionet që kemi janë jashtë rrezikut për jetë”, thuhet në njoftimin e policisë.

KFOR-i i përgjigjet kërkesës së Serbisë për dërgimin e forcave në Kosovë – nuk dihen hollësi

VOA

Ministria serbe e Mbrojtjes tha të premten në mbrëmje se mori përgjigjen nga misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë ndaj kërkesës për vendosjen e forcave serbe të sigurisë në Kosovë, por nuk dha më shumë hollësi.

Përgjigjja është marrë në vendkalimin kufitar ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, në Merdar, thuhet në një njoftim të shkurtër në të cilin theksohet se dokumenti i është dorëzuar kabinetit të presidentit serb Aleksandar Vuçiç.

Me 16 dhjetor forcat e KFOR-it thanë se pranuan një letër nga Serbia, e cila kërkon kthimin e deri një mijë pjesëtarëve të ë forcave të saj të sigurisë në Kosovë.

“Aktualisht letra është duke u shqyrtuar”, thanë me 16 dhjetor zyrtarë të KFOR-it, por pa dhënë asnjë hollësi.

Beogradi i referohet Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, të vitit 1999 në të cilën parashihej kthimi i një numri të personelit ushtarak dhe policor jugosllav për të kryer disa funksione si “ndërlidhja me misionin civil ndërkombëtar dhe me praninë ndërkombëtare të sigurisë; shënjimin/pastrimi i fushave të minuara; mbajtjen e një pranie pranë objekteve të trashëgimisë serbe; mbajtjen e një pranie në vendkalimet kryesore kufitare”.

Kosova në atë kohë cilësohej pjesë e asaj që kishte mbetur nga ish Jugosllavia. Nëntë vjet pas miratimit të Rezolutës 1244, Kosova shpalli pavarësinë e saj që njihet nga vendet kryesore perëndimore, por kundërshtohet nga Serbia dhe aleatja e saj Rusia.

Rezoluta përcaktoi edhe mandatin e forcave paqeruajtëse të NATO-s që kujdesen për sigurinë e Kosovës, të cilat nuk dhanë të premten hollësi rreth përgjigjes ndaj kërkesës serbe që pasoi tensionet e fundit në veriun e Kosovës, ku për rreth tri javë ne radhë grupe qytetarësh serbë mbajtën të të bllokuara rrugët kryesore në shenjë proteste ndaj arrestimit të një ish polici serb nën dyshimet për sulm ndaj autoriteteve. Bllokadat u larguan më 29 dhjetor pasi ish polici u dërgua në arrest shtëpie.

I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar tha që më parë se Shtetet e Bashkuara refuzojnë kthimin e forcave serbe të sigurisë duke nënvizuar se “kriza nuk duhet militarizuar. Ky nuk është momenti për të përdorur ushtrinë, është koha për diplomaci, dialog dhe kompromis sikurse edhe për imagjinatë, të mendojmë se çfarë sjellë e ardhmja e rajonit”.

Nga diplomatët evropianë ishte ministrja e Jashtme gjermane Annalena Baerbock e cila e cilësoi kërkesën serbe plotësisht të papranueshme.

Kërkesa e Beogradit, nga autoritetet në Kosovës është cilësuar si një kërcënim me agresion.

Një pjesë e opozitës në Serbi tha se një kërkesë e tillë është e parealizueshme dhe po përdoret për nevoja të brendshme të pushtetit serb.

Osmani me deputetin britanik Lammy: Interes i madh i Serbisë, i ‘satelitit’ të Rusisë, për të destibilizuar rajonin!

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur dje në takim deputetin David Lammy, njëherësh sekretar i Jashtëm nën hije i Partisë Laburiste në Mbretërinë Bashkuar.

Sipas Presidencës, në takim me deputetin Lammy, Presidentja Osmani ka falënderuar Mbretërinë e Bashkuara për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës që nga vitet e 90-ta dhe në këtë kontekst kërkoi mbështetje të metëjme për sfidat me të cilat po ballafaqohet Kosova në këtë periudhë.

Presidentja theksoi se Kosova, si një sukses i përbashkët i popullit të saj dhe aleatëve ndërkombëtar, ka bërë hapa të rëndësishëm në forcimin e demokracisë, sikurse edhe të sundimit të rendit dhe ligjit. Duke qenë gjithnjë në anën e drejt të historisë, Kosova është rreshtuar krah aleatëve edhe me vendimet për sanksione ndaj Rusisë e në mbështetje të Ukrainës.

Por, siç theksoi Presidentja Osmani, interesimi i satelitit të Rusisë, Serbisë, për ta destabilizuar rajonin e Ballkanit Perëndimor, është më i madh se asnjëherë më parë, për shkak se Serbia është e interesuar të bllokojë suksesin në dialog dhe të arrijë qëllimet e saj me dhunë e nëpërmjet bandave kriminale.

Prandaj, Presidentja Osmani shtoi se Kosova ka ende nevojë për mbështetjen e aleatëve sikurse Mbretëria e Bashkuar, në mënyrë që të bëhen hapa përpara në forcimin dhe konsolidimin e mëtejmë të pozitës ndërkombëtare si dhe në luftimin e tendencave destabilizisuese ruso-serbe.

Në veçanti, Presidentja Osmani nënvizoi rëndësinë e mbështetjes për anëtarësim në Këshillin e Evropës si dhe në Partneritetin për Paqe të NATO-s, si prioritete imediate.

Në takim është diskutuar edhe për procesin e dialogut me Serbinë ku Presidentja Osmani ka përsëritur faktin se Kosova vazhdon të jetë palë konstruktive, e cila po përballet me obstruksionet e vazhdueshme të Serbisë.

Ajo vlerësoise është me rëndësi që Mbretëria e Bashkuara ta vazhdojë trashëgiminë e saj të mbështetjes ndaj Kosovës jo vetëm në forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar, por edhe në intensifikimin e bashkëpunimit në fusha të interesit të dyanshëm.
syri.net

Sveçla: Jemi dëshmitarë të përzierjes së Rusisë në çështjet e brendshme të shteteve, edhe të Kosovës

Prishtinë – Në një intervistë për edicionin qendror të lajmeve në RTK, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka folur për situatën në pjesën veriore të vendit, pas heqjes së barrikadave. Ministri Sveçla ka thënë se pjesëtarët serbë të policisë që dhanë dorëheqje, më shumë i kanë shërbyer krimit dhe vet Serbisë, sesa Kosovës dhe ligjeve të Republikës. Sveçla ka shtuar se presionet në veri do të luftohen me të gjitha metodat, që edhe ajo pjesë të çlirohet nga ndikimi i grupeve kriminale.

Duke folur për situatën e sigurisë në veri të Mitrovicës, ministri Sveçla deklaroi se  të gjitha rrugët tashmë janë të hapura, përveç atyre ilegale, të cilat deklaroi se janë të mbyllura nga patrullimet e vazhdueshme të Policisë së Kosovës, e cila vazhdon të luftojë çfarëdo veprimtarie kriminale atje.

“Situata mund të themi se është e qetë, por nuk mund të themi se është plotësisht stabël”, tha ministri Svecla. “Përderisa ndikimi i Serbisë vazhdon të jetë jashtëzakonisht i madh përmes strukturave kriminale, atëherë nevojitet mobilizim i gjithmbarshëm, jo vetëm i strukturave të sigurisë, e posaçërisht policisë, por i gjithë shoqërisë sonë që të tejkalohen këto sfida”.

Ministri i Punëve të Brendshme u shpreh se roli iobstruktiv i Serbisë duhet të neutralizohet njëherë e përgjithmonë, e që edhe ajo pjesë e Kosovës të shohë përpara sikurse të gjitha pjesët tjera të vendit.

Ministri deklaroi se  edhe pas dorëheqjes së pjesëtarëve të komunitet serb nga Policia e Kosovës, kjo e fundit po arrin ta menaxhojë  shumë mirë situatën atje.

“Po ka numër të mjaftueshëm të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës. Mund të themi lirisht se situata po menaxhohet më mirë se çdo herë tjetër”, u shpreh ministri Sveçla, sipas të cilit, faktikisht tashmë është publike se një pjesë e pjesëtarëve, apo e ish pjesëtarëve nga kjo kategori, më shumë i kanë shërbyer krimit e Serbisë, sesa që i kanë shërbyer betimit të tyre si pjesëtarë të Policisë së Kosovës.

Ministri Sveçla njoftoi se tashmë është bërë publik edhe konkursi i ri për pjesëtarë  të Policisë së Kosovës nga komunitetet pakicë.

“Ne si institucione do të kryejmë obligimet tona, jo vetëm se do të hapim konkurs që edhe ka ndodhur, por do të sigurohemi që presionet kriminale të luftohen”.

Ai tha se e di që ka presione, por  e di që ato janë të jashtëligjshme. “Ato presione do të luftohen me të gjitha metodat në mënyrë që edhe ajo pjesë e shoqërisë sonë të çlirohet nga tutela e kriminelëve”, tha Sveçla, duke rikujtuar se ata nuk janë kriminelë të zakonshëm, por janë të drejtuar dhe udhëhequr  e mbështetur nga Vuçiq dhe Qeveria e Serbisë.

“Do të thotë sa më larg nga Vuçiç dhe Qeveria e Serbisë në veriun e Kosovës , veriu do të ketë më shumë sundim të rendit dhe të ligjit, më shumë barazi për të gjithë qytetarët, pavarësisht përkatësisë së tyre etnike”, tha ai.

Në këtë intervistë, ministri Sveçla foli edhe për ndikimin e Rusisë në rajon. Ai tha se çfarëdo roli që Rusia mund të ketë në rajon, ai patjetër që është negativ.

“E dimë shumë mirë dhe jemi dëshmitarë të përzierjes së Rusisë në çështjet e brendshme të shteteve të ndryshme, e patjetër edhe të Kosovës”, nënvizoi ai.

Sipas tij, rritja e raportit midis Serbisë dhe Rusisë gjatë dhjetë vjetëve të fundit është një dëshmi se Rusia është e përgatitur, por edhe Qeveria e Serbisë po ashtu është e pajtuar me rolin destruktiv të Rusisë në rajon.

“Shumë shpesh kur bëhen analiza nga faktorë të ndryshëm për qasjen që Qeveria e Serbisë dhe Vuçiq ka në raport me interferencat e tyre në Kosovë, harrohet fakti se aty ka një rol jashtëzakonisht të madh edhe Putin dhe njerëzit e tij, qoftë ndikim politik, qoftë ndikim të drejtpërdrejtë edhe në terren”.

Sveçla u shpreh se ajo u pa edhe në kinse protestën në kufirin midis Kosovës dhe Serbisë në pikë kalimin kufitar në Jarinjë.

Kryeministri Albin Kurti: Gjuha e propozimit “franko – gjerman” i jep qëndrueshmëri marrëveshjes së mundshme me Serbinë

Besim Abazi

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti i tha Zërit të Amerikës se propozimi evropian për një marrëveshje me Serbinë përfshinë koncepte universale që e bëjnë marrëveshjen të qëndrueshme, por që sipas tij, Beogradi nuk ka dhënë shenja se është i gatshëm ta pranojë. Ai rithekson se marrëveshja për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, është e vetmja që nuk e ka kaluar testin e Gjykatës Kushtetuese, por nuk shpalosi ndonjë plan rreth zbatimit të kësaj marrëveshjeje për përmbushjen e së cilës është shtuar trysnia ndaj tij. Në një intervistë me korrespondentin tonë në Prishtinë, Besim Abazi, kryeministri Kurti, thekson se qeveria e tij nuk bëri asnjë lëshim për heqjen e bllokadave në veriun e vendit të vendosura muajin e kaluar nga grupe qytetarësh serbë të mbështetur nga Beogradi.

Zëri i Amerikës: Kosova la pas një vit sfidues, çfarë prisni të jetë viti i ri për të?

Albin Kurti: Sigurisht që do të ketë sfida të cilat i trashëgojmë nga viti i kaluar, por në të njëjtën kohë mund të ketë edhe sfida të reja. Jemi në një kohë kur kontinenti evropian ndodhet në një luftë dhe në anën tjetër fqinji ynë verior është i lidhur më ngushtë se kurrë dhe më gjerë se kurrë pikërisht me Federatën Ruse, e cila kreu agresion ushtarak dhe invazion në Ukrainë. Në anën tjetër, brenda vendit tonë kemi pasur suksese të pamohueshme, për 17 vende jemi ngritur te Transparency International sa i takon luftimit të korrupsionit, pastaj edhe sa i përket lirisë së medieve sipas Reporterëve pa Kufij dhe gjithashtu për herë të dytë jemi të parët në Ballkan sa i përket sundimit të ligjit dhe të dytit në botë sa i përket përmirësimit në sundimin e ligjit. Kemi lëvizur nga grupi C në grupin B sa i përket qeverisjes të fokusuar në digjitalizim, kemi aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës me 12 maj, në Bashkimin Evropian me 15 dhjetor dhe po përgatitemi që të aplikojmë edhe për anëtarësim në NATO. Imazhi i Kosovës është përmirësuar dhe kjo ka ndikuar që nga një janari i vitit 2024 të mos ketë regjim të vizave në zonën ‘Shengen’ për qytetarët e Republikës së Kosovës. Buxheti i vitit 2023 është më i madhi në historinë e Kosovës, 3.2 miliardë që është 17 për qind më i lartë se buxheti i vitit të kaluar dhe rritja ekonomike është 4 për qind pasi që të hiqet inflacioni, këtë rritje nuk e kemi ndaluar për shtetin por e kemi shpërndarë në shoqëri. Pakoja e ringjalljes ekonomike ishte diku përafërsisht 4 për qind të bruto produktit vendor në 2021-shin, e në vitin 2022 kësaj pakoje ia shtuam edhe pakon për përballje me inflacion gjithsej rreth 5 për qind të bruto produktit vendor. Kemi pasur edhe universitetin për herë të parë falas për të gjithë studentët, pra pa asnjë pagesë përveç atyre që bëjnë doktoraturë, edhe bachelor edhe master është falas në universitetin publik. Në të njëjtën kohë kemi vazhduar me ndihmën, me mbështetjen për lehonat dhe për fëmijët, tashmë për të gjithë fëmijët deri në moshën 16 vjeçare, pra nën moshën 16 vjeçare do t’i marrin shtesat për fëmijë dhe diku rreth 30 mijë lehona apo nëna të reja marrin po ashtu mbështetjen financiare nga qeveria, gjithsej janë rreth 260 mijë përfitues. Edhe në aspektin e energjisë këtë vitin që shkoi kemi pasur një sukses shumë të madh me korporatën Sfidat e Mijëvjeçarit, grant prej 202 milionë dollarëve – programi kompakt dhe gjithashtu 105 megavat me parkun e erës në Selac dhe 70 megavat me parkun solar për ngrohje. Eficienca e energjisë është duke u ngritur, me ç’rast kemi subvencionuar familjet të cilat kanë përdorur pajisje të cilat kursejnë energjinë elektrike, në nëntor të vitit që shkoi 15 për qind më pak kanë shpenzuar amvisëritë sesa një vit më herët. Andaj në shumë aspekte jemi më mirë dhe besoj që do të vazhdojnë sukseset edhe në vitin 2023, por vështirësi padyshim që do të ketë.

Zëri i Amerikës: Vështirësitë vijnë në një mënyrë të trashëguara nga viti që e lamë pas e tensionet që përshkuan gjysmën e dytë të vitit 2022 sikur kulmuan në veriun e Kosovës në muajin dhjetor. Ato u zbutën, të paktën përkohësisht, me heqjen e bllokadave. Si u bë e mundur një gjë e tillë, çfarë ofruat në shkëmbim të heqjes së tyre?

Albin Kurti: Ne kemi ofruar gjentilesën tonë karshi KFOR-it, i cili kërkoi pak më shumë kohë që të hiqen ato pa ndërhyrjen e policisë tonë. Policia jonë do të ndërhynte para vitit të ri nëse nuk do të hiqeshin barrikadat. Ne i dhamë KFOR-it kohën të cilën e kërkoi sepse natyrisht që më mirë është të hiqen pa intervenim. Pra nuk është që ne i gëzoheshim intervenimit të policisë, ne dëshironim që KFOR-i, i cili për 23 vite vazhdimisht ka afirmuar lirinë e lëvizjes, ta sigurojë atë dhe u bë mirë që ata që i vendosën barrikadat edhe i hoqën ato. Bindja ime e fuqishme është që nga frika edhe i kanë vendosur e nga frika edhe i kanë hequr.

Zëri i Amerikës: Pra nuk pati ndonjë marrëveshje?

Albin Kurti: Nuk ka pasur kurrfarë marrëveshje.

Zëri i Amerikës: Por a pati komunikim gjatë asaj kohe zoti kryeministër?

Albin Kurti: Ka pasur me ambasadën amerikane, ka pasur me ambasadorët e Quintit dhe sidomos më KFOR-in dhe EULEX-in, por ne nuk kemi ofruar asgjë në shkëmbim përveç kohës shtesë për KFOR-in. Gjithashtu, ishte e qartë që ato barrikada u ngritën nga strukturat ilegale të Serbisë që u shndërruan në banda kriminale pikërisht në kohën kur ne u dakorduam që t’i shtyjmë për prill të vitit 2023 zgjedhjet në katër komunat në veri. Pra, në njëfarë mënyrë mu atëherë kur ne e bëmë një konsecion, ata i ngritën barrikadat sepse kishin ngelur pa pretekst.

Zëri i Amerikës: Ju gjatë pjesës së dytë të vitit të kaluar disa herë keni diskutuar me bashkësinë ndërkombëtare, posaçërisht me diplomacinë amerikane, u janë bërë kërkesa për shtyrje, fillimisht keni refuzuar pastaj siç thotë opozita keni pranuar në fund duke dëmtuar madje edhe marrëdhëniet me diplomacinë amerikane. Përse ka ndodhur kështu zoti kryeministër?

Albin Kurti: Po u kërkua prej nesh të shtyhet 12 muaj ose 10 muaj sepse periudha një vjeçare sipas marrëveshjes së Brukselit thanë se nuk është konsumuar ende, por kjo nuk është e vërtetë. Nga mesi i janarit të vitit 2018 targa KM, PR, GL e të tjera nga koha e (Sllobodan) Millosheviçit, nuk do të duhej as të prodhoheshin as të lëshoheshin e as të ripërtëriheshin. Andaj është qëndrim i qeverisë së Republikës së Kosovës se ajo periudha 12 muajshe e kësaj marrëveshje për targat që është bërë në Bruksel, është konsumuar, pra nuk mund t’i pranojmë këto afate të cilat tashmë janë të konsumuara. Në anën tjetër neve na u tha që duhet t’i japim afat 12 muaj sepse nuk kemi informuar mjaftueshëm me fushatën tonë. Besoj që as kjo nuk qëndron, disa video i kemi bërë anëtarë të ndryshëm të qeverisë, fushata nëpër televizionet tona dhe nuk besoj që ka ngelur dikush i painformuar. Kërkohej që ne ta bënim këtë shtyrje në kohën kur digjeshin makinat e serbëve që i konvertonin targat KM në ato RKS që janë legale e legjitime, pra në njëfarë mënyre ne nuk mund të pranonim që po dështon shteti në efikasitetin e lëshimit të targave RKS për ata që dëshirojnë t’i konvertojmë dhe në anën tjetër nuk mund të pranonim një shpjegim alternativ për marrëveshjet e Brukselit. Çfarë kemi bërë? Ne nuk e kemi anuluar vendimin tonë mirëpo kemi bërë sekuencim dhe diferencim në zbatimin e tij, filluam me qortimet – afër dy mijë qortime dhe asnjë ankesë e asnjë incident dhe ne nuk e bëmë më pas gjobitjen për shkak se pranuam që t’i japim afat deri në pranverë të vitit të ardhshëm marrëveshjes për normalizim të plotë të marrëdhënieve, që do ta ketë në qendër njohjen reciproke. Pra ishte jo anulim i vendimit por sekuencim dhe diferencim në zbatim, është ende aty dhe tregon vullnetin e mirë të qeverisë së Republikës së Kosovës, ne jemi qeveri e një shteti sovran.

Zëri i Amerikës: Por gjatë kësaj periudhe kur tensionet shpesh herë vluan shumë, a ka pasur momente kur mund të keni thënë ‘nuk ja ka vlejtur për targat e makinave të tensionojmë situatën kaq shumë’?

Albin Kurti: Nuk besoj që kam pasur asnjë moment të tillë për shkak se unë nuk pres prej Serbisë së këtillë autokratike e cila nuk distancohet as nga e kaluara – Millosheviqi, as nga e tashmja – Putini, që ta ndërrojë qasjen ndaj Kosovës. Andaj unë nuk besoj që duhet brenda vetes tonë të gjejmë defekte, ne duhet ta kuptojmë që në veri e kemi një shtet armik i cili nuk e ndryshon Kushtetutën dhe i cili është shumë agresiv ndaj vendit tonë me ato 48 bazat ofensive, 28 të ushtrisë dhe 20 të xhandarmërisë. Do të ishte gabim i madh nëse kushdo në Kosovë tash provon që të hyjë në tezën e vetfajsimit, kur kemi një Serbi pro ruse e agresive si rrallë herë më parë.

Zëri i Amerikës: Por kishit kërkesa të diplomatëve amerikanë të cilët kanë dhënë garanci të fuqishme për sigurinë dhe sovranitetin e pavarësinë e Kosovës, por që kërkonin afate të caktuara për shembull si zoti (Derek) Chollet i cili në një moment u shpreh i zhgënjyer që ju nuk e dëgjuat atë.

Albin Kurti: Unë jam kryeministër i qeverisë së Republikës së Kosovës dhe presidenti (Joe) Biden ka thënë që qeveria e Kosovës është qeveri e një shteti sovran. Asnjëherë partneriteti, aleanca, bashkëpunimi me Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk është cenuar, nuk është rrezikuar, përkundrazi, por duhet ta kuptoni që Shtetet e Bashkuara të Amerikës përveç se na kanë njohur edhe ndërmjetësojnë midis Prishtinës e Beogradit dhe në këtë kuptim shpesh herë na vijnë edhe me ndonjë kërkesë e cila paraqitet si ide për kompromis. Nëse ne e konsiderojmë të arsyeshme si qeveri atëherë edhe e bëjmë, mirëpo asnjëherë nuk është kontestuar e drejta jonë që të vendosim për veten tonë, fundja ky është edhe kuptimi i 14 shkurtit të vitit 2021, ende nuk janë bërë dy vjet të fitores më të madhe demokratike në Kosovën e pasluftës.

Zëri i Amerikës: Por kritikët tuaj, posaçërisht ata nga opozita, thonë se vërehet një lloj qasje ndëshkuese e Shteteve të Bashkuara të Amerikës kundruall qeverisë tuaj. A e ndjeni ju këtë?

Albin Kurti: Unë nuk e ndjej këtë, përkundrazi, unë kam takime të rregullta me ambasadorin amerikan për çdo javë dhe jemi vazhdimisht në kontakt e në komunikim dhe pothuajse gjithmonë pajtohemi, por jo gjithmonë, sepse unë nuk mund t’i përfaqësoj Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ambasadori amerikan dhe as sekretari i shtetit apo departamenti i shtetit nuk mund ta përfaqësojnë Kosovën. Ne udhëhiqemi nga idealet amerikane, mirëpo kjo është Kosovë dhe ne duhet ta mbrojmë shtetin tonë, popullin tonë, historinë tonë edhe më shumë sesa që e bën këtë kushdo tjetër. Pra, ne nuk mund të presim që Shtetet e Bashkuara të Amerikës do ta mbrojnë Kosovën në diskurs edhe më shumë sesa vet ne, përkundrazi ne duhet që për Kosovën të kërkojmë edhe më shumë sesa kushdo tjetër, edhe më shumë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Zëri i Amerikës: Zoti kryeministër tensionet në veri nxitën shqetësime për ripërtëritje konflikti ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Keni pasur frikës, A ka pasur frikë dhe rrezik nga një gjë e tillë?

Albin Kurti: Nuk kam frikë unë. Jam i brengosur, jam i kujdesshëm, jam i shqetësuar sepse ky është pjesë edhe e përshkrimit të vendit tim të punës, mirëpo nuk kam frikë?

Zëri i Amerikës: Por, a kishte rrezik?

Albin Kurti: Po ka rrezik. Rrezik ka, sepse është Serbia. Jo sepse jam unë. Rrezik është sepse është Serbia në anën tjetër e cila nuk është penduar për krimet, nuk e ndryshon qëndrimin ndaj Kosovës dhe në vitin që porsa lamë pas i ka bërë tri marrëveshje shumë të rëndësishme me Rusinë. E para është ajo për blerjen e gazit më së liri në Evropë, E dyta është ajo për koordinim në politikën e jashtme ndërmjet (Nikola) Selakoviçit dhe (Sergey) Lavrovit në New York në margjinat e AP të OKB-së. Dhe e treta është që njeriun më prorus në Serbi, politikanin më prorus në Serbi, e barti shef të shërbimit sekret, Aleksandar Vulinin, përndryshe i njohur si zëvendëspresident i partisë së gruas së (Sllobodan) Millosheviçit. Domethënë, unë nuk e di çka duhet të ndodhë më shumë që të kuptojmë se me çfarë Serbie kemi të bëjmë. Dhe në këtë situatë duhet të bëhemi bashkë kundër një Serbie të tillë që është më agresive dhe armiqësore se çdo herë më parë prej se kemi shpallë pavarësinë, në vend se të këqyrim të gjejmë papërsosuri brenda Kosovës së shumëvuajtur, që më në fund po ka zhvillim ekonomik dhe demokratik, pavarësisht mosnjohjes së Serbisë. Pra, ne duam njohje reciproke, por ndërkohë që nuk kemi njohje reciproke, ne duhet të zhvillohemi.

Zëri i Amerikës: Zoti kryeministër diplomatët amerikanë, posaçërisht pas krizës në veri e thanë prerazi se duhet të përmbushen të gjitha marrëveshjet e deritashme me theks të veçantë në atë për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, duke ju bërë thirrje që të fillojnë negociatat për zbatimin e saj. A është hedhur ndonjë hap nga qeveria juaj për të? E di keni thënë se nuk keni asgjë të re për këtë asociacion por e reja është se trysnia është përqendruar mbi të. Keni hedhur ndonjë hap?

Albin Kurti: Në dekadën para se unë të bëhem kryeministër janë bërë 33 marrëveshje në Bruksel. Vetëm njëra nuk e ka kaluar testin e Gjykatës Kushtetuese. Dhe pikërisht në atë insiston Serbia. Dy të tretat e marrëveshjeve nuk i ka zbatuar Serbia ndonëse i ka nënshkruar. Ajo insiston vetëm në këtë. Mirëpo, ju e keni parë edhe në dhjetor, Serbia nuk e ka mendjen te asociacioni i komunave, por e ka mendjen te asociacioni i barrikadave. Kjo i bie që barrikadave t’ua qosh komunat. Neni i 80-të i Kushtetutës së Serbisë, parasheh asociacion për pakicat, por asociacion vullnetar të individëve në aspektin kulturor dhe arsimor…

Zëri i Amerikës: A mund ta bëni ju një model të tillë?

Albin Kurti: Po. Unë ua kam thënë në Bruksel. Sepse presidenti i Serbisë u lavdërua se si trajtohen pakicat në Serbi. Ndërkohë që ne e dimë atë spastrimin etnik që bëhet ne Medvegjë, por edhe Bujanoc e Preshevë, me eliminim të adresave. Nëse ata besojnë që po sillen shumë mirë e pakicat, po e marrim modelin e tyre – janë Këshillat Nacional. Këshilli Nacional i shqiptarëve, i boshnjakëve, i hungarezëve e kështu me radhë. Në anën tjetër në Kosovë 92 për qind janë shqiptarë, pakicat janë 8 për qind dhe të mos harrojmë jo vetëm serbe. Kemi boshnjakë, turq, ashkali, egjiptian, romë edhe goranë. Të gjithë këta e pranojnë pavarësinë. Edhe shumica dërmuese e serbëve e pranojnë pavarësinë. Ata të cilët janë në lista të rrogave të Serbisë, nuk e pranojnë pavarësinë. Por ata janë pakica e pakicës serbe. Ndërsa në Serbi rreth 80 për qind janë serbë, rreth 20 për qind nuk janë serbë. Pra ne kemi shumë më pak pakica sesa Serbia. Dhe po e marrim modelin e tyre me Këshillat Nacionale edhe në Kosovë. Reciprociteti është parimi i shëndoshë i marrëdhënieve të mira fqinjësore. Në anën tjetër, nëse ata besojnë që Kushtetuta e Republikës së Kosovës, e cila në masë të konsiderueshme është shkruar nga ish presidenti (Martti) Ahtisaari, si ndërmjetësues me shumë privilegje për serbët, ne i kemi nenet prej 57 deri në 62 të kapitullit të tretë për pakicat le të ndërrohet Kushtetuta e Serbisë dhe le t’i marrin këto gjashtë nene. Pra ashtu qysh i kemi të drejtat për pakicat, le t’i bëjnë në Serbi. O po ë bëjmë ne atë nenin 80 –të tyre, Këshillat Nacional të pakicave, ose le t’i marrin ata këto gjashtë nenet tona.

Zëri i Amerikës: Por këto çështje nuk janë pjesë e marrëveshjeve, nuk janë pjesë e trungut që është votuar në parlamentin e Kosovës. Asociacioni është. Ka një vendim të Gjykatës Kushtetuese dhe diplomatët amerikanë po thonë se nuk guxon të prekë Kushtetutën dhe as funksionalitetin e shtetit, por duhet të bëhet dhe ka modele në botë pa e prekur ligjshmërinë dhe kushtetutshmërinë e vendit. A ka një zgjidhje a keni një model?

Albin Kurti: Unë ju kuptoj, ju e keni fjalën për atë ratifikimin që është bërë në qershor të vitit 2013 të marrëveshjes së 19 prillit të atij viti. Mirëpo, ajo marrëveshje, është interesant, e ka edhe pikën 14-të që thotë Kosovë dhe Serbia nuk do ta pengojnë njëra tjetrën sa u përket integrimeve evropiane. Këtë pikë e ka shkelur Serbia. Me datën 15 dhjetor në Pragë të Republikës Çeke, unë dorëzova aplikacionin zyrtar të Republikës së Kosovës për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian. Presidenti i Serbisë u shkroi letra shteteve të BE-së, ne veçanti pesë vendeve mosnjohëse, kundër anëtarësimit të Kosovës në BE. Pra, atë marrëveshje të cilën e ka aq shumë për qejf Serbia, vet e ka shkelur në javën e tretë të muajit dhjetor. Andaj ajo nuk mund të thirret në një marrëveshje që në njërën anë nuk e ka ratifikuar në kuvendin e Serbisë dhe në anën tjetër e ka shkelur vet.

Zëri i Amerikës: Zoti kryeministër javën që vjen priten vizita me rëndësi në Kosovës, përfshirë këshilltarin e departamentit amerikan të shtetit Chollet, por edhe të dërguarit amerikan evropian, si dhe të dërguarit e Francës dhe Gjermanisë dhe pritet të jetë një periudhë e re e përpjekjeve në dritën e propozimit që u bë i njohur fillimisht si propozimi franko gjerman për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dy vendeve. Ju e keni cilësuar atë bazë të mirë për diskutime, po a është bazë e mirë për zgjidhje?

Albin Kurti: Sigurisht që diskutimet duhet të çojnë në zgjidhje, mua në veçanti më ka pëlqyer fakti se kjo nuk është një marrëveshje e cila bëhet përbrenda asaj le ta quajmë ideologji e zgjidhjes së problemeve, ku ne e konsiderojmë secilin problem unik brenda Kosovës dhe mandej me marrëveshje të komplikuara me një oqean të hollësive për të cilën nuk ka askush interes që të marrë vesh detajet. Unë e kam mirëpritur faktin që kemi nocione, koncepte universale si hyrje të këtij propozimi, integriteti territorial, sovraniteti, pavarësia, barazia, sundimi i ligjit, demokracia, vetëvendosja pra të gjitha këto përmenden aty dhe gjuha universale edhe e shton parimësinë por edhe ja jep qëndrueshmërinë marrëveshjes. Duket që kjo i ka penguar më së shumti Beogradit dhe pikërisht për ta ambalazhuar refuzimin e këtij propozimi ata dhanë dorëheqje prej institucioneve në Kosovë në veri të Ibrit dhe me këto barrikada në njërën anë dëshiruan ta territorializojnë çështjen përbrenda nostalgjisë për të ashtuquajturin shkëmbim territorial që ka dështuar si projekt por nuk ka vdekur si ide, dhe në anën tjetër dëshiruan ta mbysin pluralizmin politik të komunitetit serb i cili në fakt po lind me Nenad Rashiçin dhe Rada Trajkoviçin. Nëse shikoni mediet në Serbi, këta dy persona janë gati edhe më të urryer sesa unë, pra është përpjekje e vazhdueshme e Serbisë për të mos lejuar pluralizmin e tyre. Unë besoj që kjo përpjekje e tyre pati çuar edhe në vrasjen e Oliver Ivanoviçit para pesë vjetëve. Konsideroj që propozimi franko gjerman apo i Bashkimit Evropian, i mbështetur nga Shtetet e Bashkuara është një bazë e mirë, mirëpo nga mbledhja e Këshillit të Sigurisë në Beograd në fillim të nëntorit doli ministri i tyre i Jashtëm, përndryshe zëdhënës i partisë së Millosheviçit dikur, dhe tha se e kemi hedhur poshtë propozimin e tillë. Unë besoj se të gjithë duhet të merremi me ta dhe jo me mua e me sekuencimin e diferencimin e zbatimit të vendimit për targat.

Zëri i Amerikës: Megjithatë ka një përshtypje se trysnia është më shumë e përqendruar në Prishtinë dhe më pak në Beograd.

Albin Kurti: Po ashtu edhe unë e kam përshtypjen që të këqijat që vazhdon të bëjë Beogradi do të duhej të kishin një trysni shumë më të madhe atje dhe përse nuk po ndodhë kështu, besoj se nuk do të duhej të përgjigjem unë.

Zëri i Amerikës: Zoti kryeministër megjithatë propozimi franko gjerman nuk e përmend njohjen e ndërsjellë, ndonëse në të kaluarën edhe Shtetet e Bashkuara kanë thënë se një zgjidhje duhet të përqendrohet rreth njohjes së ndërsjellë dhe tani sikur është lënë anash, sikur nuk është koha për një gjë të tillë. A nuk e bënë këtë propozim më shumë si një zgjidhje të ndërmjetme?

Albin Kurti: Varet nga negociatat, unë nuk mendoj që ende pa filluar negociatat mund të dihet rezultati, por dihet forma e atij rezultati e forma për mua është e qartë – normalizim i plotë i marrëdhënieve sepse marrëdhëniet i kemi abnormale, me njohjen reciproke në qendër. Tash le të ja fillojmë diskutimeve dhe le të shohim, ne e duam njohjen reciproke në qendër, Beogradi e do Asociacionin e komunave si parakusht. Por e do Asociacionin si parakusht jo sepse e do Asociacionin por për shkak se nuk e do marrëveshjen, nuk e do paqen, nuk e do normalitetin e marrëdhënieve tona. Ne kemi treguar edhe gatishmëri, edhe vullnet, edhe interesim, kemi qenë kreativ, konstruktiv e të përkushtuar, arsyeja përse nuk kemi marrëveshje është në Beograd.

Zëri i Amerikës: Kur prisni të fillojnë bisedimet rreth kësaj?

Albin Kurti: Në muajin janar ne presim të kemi vizita të të gjithë emisarëve, atij evropian, amerikan, nga Berlini dhe nga Parisi me ç’rast besoj se kemi nevojë për një hov të ri të dialogut për marrëveshje i cili në njërën anë u vendos si pikë e parë e rendit të ditës në mbledhjen e 18 gushtit në Bruksel, dhe në anën tjetër u pasua pas tri javësh me nëntë shtator nga vizitat e emisarëve Lajcak, Bon dhe Plotner këtu në Prishtinë dhe më pas në Beograd. Tash u takon atyre ta intensifikojnë përpjekjen si ndërmjetës që janë, unë jam gjithmonë i gatshëm dhe i hapur.

Peach takon krerët institucionalë të Kosovës

Takimi mes presidentes Vjosa Osmani dhe të dërguarit britanik Sir Stuart Peach, në Prishtinë, 5 janar 2023.

RFE/RL

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur të enjten, më 5 janar, të dërguarin e posaçëm të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Stuart Peach, ka njoftuar Zyra e Presidentes së Kosovës.

Në njoftim thuhet se Peach është njoftuar nga presidentja Osmani lidhur me zhvillimet e fundit në Kosovë. Ajo ka theksuar përkushtimin dhe angazhimin e institucioneve të vendit për paqe dhe siguri.

Gjithashtu, është thënë se Kosova vazhdon të jetë e koordinuar me partnerët ndërkombëtar për adresimin e sfidave të sigurisë dhe në këtë kontekst, presidentja Osmani ka kërkuar “përfshirje më të madhe të Britanisë së Madhe si një anëtare kyçe e NATO-s dhe një partnere historike e Kosovës”.

“Presidentja Osmani ka theksuar se Kosova në vazhdimësi është palë konstruktive në raport me dialogun me Serbinë, porse pala serbe nëpërmjet përpjekjeve për destabilizim të Kosovës përpiqet ta zhvendosë fokusin nga dialogu”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Presidentes së Kosovës.

Në këtë frymë, siç thuhet në njoftim, presidentja Osmani ka kërkuar që ndaj tendencave destabilizuese të Serbisë, “bashkësia ndërkombëtare ta mbajë një qëndrim unik duke dënuar veprime e tilla dhe duke mos bërë barazimin e palëve kur dihet qartë se kush është agresori”.

I dërguari i posaçëm i Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Stuart Peach, në pasditen e së enjtes është pritur në takim edhe nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Zyra e kryeministrit Kurti ende nuk ka dhënë detaje lidhur me takimin.

Stuart Peach është emëruar i dërguar i posaçëm i Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor në dhjetor të vitit 2021.

Asokohe, ish-kryeministri britanik , Boris Johnson tha se emërimi i Peach është pjesë e përkushtimeve të vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar për stabilitet dhe paqe në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

NATO: Aktualisht kemi prezencë të mjaftueshme në Kosovë

Pjesëtarë të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, gjatë patrullimeve në afërsi të pikës kufitare të Jarinjës. Dhjetor, 2022.

Shkëlqim Hysenaj

Organizata e Traktatit të Atlantikut Verior (NATO) tha se nuk ka pranuar asnjë kërkesë zyrtare nga Kosova për shtimin e numrit të trupave në misionin e saj, KFOR.

Një zyrtar i NATO-s i tha Radios Evropa e Lirë se KFOR-i aktualisht ka kapacitetet e nevojshme për të ofruar siguri dhe lëvizje të lirë për të gjithë qytetarët, bazuar në mandatin që ka.

“KFOR-i mbetet plotësisht i aftë për të përmbushur misionin në përputhje me mandatin e tij të Kombeve të Bashkuara”, tha zyrtari i NATO-s.

Ky qëndrim pason thirrjen e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, i cili kërkoi që NATO-ja të shtojë numrin e trupave paqeruajtëse në Kosovë, pas tensioneve të fundit me Serbinë.

“Një rritje substanciale e ushtarëve të NATO-s dhe pajisjeve ushtarake në shtetin tonë do të përmirësonte sigurinë dhe paqen në Kosovë dhe në mbarë rajonin e Ballkanit Perëndimor”, tha Kurti për gazetën gjermane, Die Welt më 1 janar.

I pyetur nëse NATO-ja do ta shqyrtonte një kërkesë eventuale zyrtare të Qeverisë së Kosovës për shtimin e kapaciteteve, zyrtari i NATO-s tha se “çdo ndryshim në prezencën e NATO-s bazohet në rrethana dhe kushte të caktuara”.

“Trupat e KFOR-it po monitorojnë nga afër situatën në terren dhe janë plotësisht të përgatitura për të ndërhyrë nëse stabiliteti, siguria dhe liria e lëvizjes janë në rrezik”, tha zyrtari i NATO-s për REL-in.

Duke iu referuar thirrjes së kryeministrit Kurti, ky zyrtar tha se NATO-ja ka qenë e përkushtuar për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor për dekada dhe se misioni i KFOR-it, me afro 4.000 trupa, është “demonstrimi më i prekshëm i këtij angazhimi”.

Forcat e misionit paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, u vendosën në Kosovë pas përfundimit të luftës më 1999 me synim që të garantojnë sigurinë.

Qeveria: Rritja e prezencës së KFOR-it, spraps planet serbo-ruse

Ditë më parë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë për gazetën gjermane “Die Welt”, tha se rritja e prezencës ushtarake të KFOR-it në Kosovë do të kontribuonte në sigurinë dhe paqen në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor.

Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, Qeveria e Kosovës tha se kërkesa e kryeministrit lidhet me “situatën e krijuar pas ngritjes së 16 barrikadave në katër komunat në veri të vendit nga grupe kriminale atje, përfshirjes së personave me lidhje direkte apo indirekte me ‘Wagner’ dhe ‘Ujqit e Natës’ dhe deklaratave kërcënuese të Serbisë”.

“Prania shtesë e NATO-s në Kosovë spraps planet e errëta Beograd-Moskë për Ballkanin Perëndimor”, thanë nga Qeveria për Radion Evropa e Lirë.

Ekzekutivi shtoi se rritja e prezencës së KFOR-it, do të ishte mundësi e mirë për rritje e kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), përmes trajnimeve dhe ushtrimeve të përbashkëta.

Njohësi i fushës së sigurisë në Kosovë, njëherësh ish-deputet i Kuvendit të Kosovës, Nuredin Ibishi, tha se kërkesa e kryeministrit Kurti për rritjen e prezencës së KFOR-it në Kosovë, është e bazuar në vlerësimet që bëjnë institucionet e sigurisë.

Ai tha se situata në pjesën veriore të Kosovës – të banuar me shumicë serbe – mbetet e tensionuara dhe se, sipas tij, ka dyshime për infiltrime të individëve dhe grupeve të rrezikshme, sidomos të atyre të lidhura me Rusinë.

“Inteligjenca ruse, diplomacia, pastaj edhe këto qendra që janë vendosur gjithandej në Serbi, në Nish, por edhe në Beograd, thirren [se janë] humanitare porse kanë krejt qëllim tjetër, duke përfshirë elemente destruktive me qëllim të krijimit të një krize të re që do ta tërhiqte vëmendjen nga lufta në Ukrainë. Këtu ka një aleancë në mes të Serbisë dhe Rusisë. Serbia po luan rolin e një Rusie të vogël dhe po tenton të zhvillojë një lloj lufte hibride në Kosovë dhe rajon”, tha Ibishi.

Në fundin e dhjetorit, ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, akuzoi Rusinë se po nxit Serbinë që të destabilizojë Kosovën. Por, këto akuza të Sveçlës u hodhën poshtë nga Kremlini zyrtar.

Ndërkaq, Ibishi shtoi se çdo rritje e kapaciteteve të KFOR-it, do të ishte një garanci më e madhe për paqe, jo vetëm në Kosovë, por për tërë Ballkanin Perëndimor.

Nga 10 dhjetori deri më 29 dhjetor, disa serbë lokalë ngritën barrikada në veri të Kosovës, në shenjë pakënaqësie me arrestimin e një ish-polici serb të Kosovës. Por, ndryshimi i masës së sigurisë nga paraburgimi në arrest shtëpiak për Dejan Pantiqin, hapi rrugë që serbët të hiqnin barrikadat, duke argumentuar se kërkesat e tyre janë plotësuar.

Gjatë kohës kur barrikadat ishin të vendosura në veri të Kosovës, Serbia ngriti në gjendjen më të lartë të gatishmërisë ushtrinë e saj.

Në një rast, Serbia rreshtoi ushtrinë në vijën kufitare me Kosovën, që Prishtina zyrtare e cilësoi si “kërcënim direkt”.

Megjithatë, KFOR-i tha se Serbia ka të drejtë të kryejë lëvizje ushtarake në territorin e saj, por duhet të qëndrojë larg territorit të Kosovës për të paktën 1 kilometër e gjysmë.

Këtë shkelje, sipas KFOR-it, nuk e bëri ushtria serbe që u pozicionua në Rashkë, në jugperëndim të Serbisë.

Çfarë i parapriu kërkesës së kryeministrit?

Situata në pjesën veriore të Kosovës u tensionua në pjesën e dytë të vitit 2022.

Por, tensioni kulmoi më 6 dhjetor kur u sulmuan zyrat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të Kosovës në Zubin Potok dhe në Mitrovicë të Veriut.

Si të dyshuar për organizimin e sulmeve, Policia e Kosovës arrestoi ish-policin Dejan Pantiq. Autoritetet thanë se ai dyshohet për veprime terroriste kundër rendit kushtetues të Kosovës.

Arrestimi i tij nxiti grupe të serbëve lokalë të vendosnin barrikada në rrugët kryesore që çojnë drejt pikave kufitare, mes Kosovës dhe Serbisë, Jarinjë dhe Bërnjak.

Për 20 ditë rresht, grupe të serbëve qëndruan në barrikada duke bllokuar qarkullimin.

Gjatë një proteste në Rudarë të Zveçanit, serbët paraqitën kushte për largimin e barrikadave. Ndër to ishte edhe lirimi i Dejan Pantiqit dhe formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Për shkak të bllokimit të rrugëve në veri, forcat e rendit e kishin të pamundur ta transferonin Pantiqin në një qendër ndalimi. Ai u mbajt në stacionin policor në afërsi të pikës kufitare në Jarinjë deri më 28 dhjetor, kur Gjykata Themelore e Prishtinës, me kërkesë të Prokurorisë ia zëvendësoi masën e paraburgimit më atë të arrestit shtëpiak.

Më 5 janar, Prokuroria kërkoi që Dejan Pantiqit t’i zgjatet arresti shtëpiak edhe për dy muaj të tjerë.

Stano: Shembulli i bashkëpunimit ndërmjet BE-së dhe NATO-s është Kosova

Veriu i Kosovës, përkatësisht zhvillimet e fundit atje, janë përmendur nga zyrtarë të Bashkimit Evropian, të cilët kanë folur rreth nënshkrimit të një deklarate ndërmjet BE-së dhe NATO-s për një bashkëpunim më të afërt strategjik. Sipas zyrtarëve evropianë, angazhimet drejt shtendosjes së situatës në veri të Kosovës, janë shembulli më i mirë praktik i bashkëpunimit mes BE dhe Aleancës Veri-atlantike.

Zёdhёnёsi i Bashkimit Evropian, Peter Stano ka deklaruar se konteksti aktal gjeostrategjik i bashkëpunimit nё mes tё bllokut evropian dhe Aleancёs Veriatlantike ёshtё tejet i rёndёsishёm dhe relevant si asnjёherё mё parё, njofton RTK.

Angazhimet drejt shtendosjes sё situatёs nё veri tё Kosovёs, sipas Stanos, ёshtё shembulli mё i mirё praktik i bashkёpunimit nё mes tё BE dhe NATO-s.

“Rasti i fundit ishte në veri të Kosovës nё periudhёn nё mes tё Krishtlindjeve dhe Viti tё Ri, kur BE-ja dhe NATO u koordinuan ngushtë në terren. Po ashtu jemi të koordinuar dhe po punojmë shumë ngushtë edhe në kontekstin e agresionit ilegal rus ndaj Ukrainës”, kak nёnvizuar Stano.

Zёdhёnёsi i Bashkimit Evropian i ka bёrё kёto cilёsime duke i pyetur se kur NATO dhe BE do nёnshkruajnё deklaratёn e pёrbashkёt, tё shumёpritur e qё ka tё bёjё me luftёn nё Ukrainё.

Nёnshkrimi i kёsaj deklarate pritet tё ndodh tani e sa muaj dhe e njëjta do jetё thirrje e pёrbashkёt Rusisё që të ndalojë luftën e saj dhe të largohet nga Ukraina.

Teksti i deklaratёs ёshtё dakortësuar gjatё vitit 2022 mirёpo miratimi ka pasur ngecje nё dritё tё tensioneve nё mes tё Qipros si anёtare e BE-sё dhe Turqisё si anёtare e NATO-s.

“Sigurisht se është e rëndësishme nënshkrimi i një deklarate të përbashkët, dhe presim të ndodhë kjo sa më shpejt të jetë e mundur”, kё thёnё Stano, zёdhёnёs i Bashkimit Evropian.

Formalizimi i tekstit tё deklaratёs sё pёrbashkёt do të përfaqësonte një arritje të konsiderueshme diplomatike, duke pasur parasysh muajt e angazhimeve që u deshën për të arritur deri te ky moment.

Tensionet në veri të Kosovës- KFOR largon automjetet që bllokonin rrugët

Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka njoftuar se po zhvillon “operacione inxhinierike” në veri të Kosovës për të hequr disa automjete që ende po bllokojnë rrugët atje.

Për 20 ditë me rradhë, në dhjetor të vitit 2022, në katër komunat veriore të banuara me shumicë serbe, u vendosën barrikada në rrugët që qojnë drejt pikave kufitare Kosovë-Serbi. Barrikadat u vendosën në shenjë pakënaqësie me arrestimin e një ish-polici serb të Kosovës, i cili, sipas autoriteteve të Kosovës, dyshohet për organizimin e një sulmi ndaj zyrave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri.

Por, serbët vendosën të heqin barrikadat pasi Dejan Pantiqit iu ndryshua masa e sigurisë nga paraburgim në arrest shtëpiak. Po ashtu, përfaqësuesit e serbëve në Kosovë, gjatë një takimi në Rashkë të Serbisë me presidentin serb, Aleksandar Vuçiç, më 28 dhjetor deklaruan se kanë marrë garanci që kërkesat e serbëve për heqjen e barrikadave do të plotësoheshin. Ndryshe disa kamionë, me të cilët ishte bllokuar rruga në lokacionin e njohur si Shkëmbi i Dudës në Mitrovicë të Veriut, janë djegur më 29 dhjetor.

Në njoftimin e KFOR-it në Twitter u tha se operacioni për largimin e automjeteve të bllokuara në rrugë po bëhet për të rikthyer lirinë e lëvizjes në atë zonë./rel

Kurti kërkon shtim të trupave të KFOR-it në Kosovë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar shtim të forcave të KFOR-it në Kosovë.

Në një intervistë për gazetën gjermane ‘Die Welt’, Kurti ka thënë se shtimi i ushtarëve dhe pajisjeve ushtarake të NATO-s në Kosovë do të ndihmonin në paqe në gjithë Ballkanin Perëndimor.

‘Një rritje e konsiderueshme e numrit të ushtarëve dhe pajisjeve ushtarake të NATO-s në vendin tonë do të përmirësonin sigurinë dhe paqen në Kosovë dhe gjithë Ballkanin Perëndimor’, ka thënë Kurti.

Ai ka treguar se si Kosova ka rritur buxhetin për mbrojtje e po ashtu edhe numrin e ushtarëve rezervistë. ‘Një rritje e numrit të ushtarëve në forcën paqëruajtëse të NATO-s, KFOR, do të mbështeste përpjekjet tona në aspektin e mbrojtjes’, tha Kurti.

Aktualisht në Kosovë janë rreth 3800 ushtarë të KFOR-it, rreth 70 gjermanë. Sipas një vendimi të Bundestagut gjerman, deri në 400 ushtarë shtesë mund të dërgohen me urgjencë në Kosovë.

‘Ushtarët gjermanë sigurisht janë të mirëpritur në Kosovë’, ka thënë Kurti.

Situata në Kosovë ishte tensionuar në javët e fundit, ku serbët në veri vendosën barrikada, duke bllokuar rrugët që çonin në pikat kufitare në Jarinjë e Bërnjak. Po ashtu u sulmuan zyrtarët policorë, gazetarët, madje edhe patrullat e EULEX-it dhe KFOR-it, me shok-bomba e po ashtu me armë. Një pjesëtar i Policisë së Kosovës u plagos me armë zjarri gjatë situatës që mbizotëroi për 20 ditë.

‘16 barrikada në katër komunitete veriore, dhe burra me maska e shenja të forcave mercenare ‘Wagner’ dhe ‘Ujqërit e natës’ në uniformat e tyre të zeza, e me flamuj duke thirrur ‘Lutu Zotit dhe mbaju fort pas Rusisë’, e bëjnë të qartë nevojën për trupa shtesë të NATO-s, siç e bën edhe grumbullimi i trupave dhe artilerive serbe përgjatë kufirit me Kosovën dhe deklaratat e vazhdueshme nga shtetet serbe dhe ruse’, ka thënë Kurti.

Hiqen barrikadat në veri

RFE/RL

Pasditen e së enjtes janë larguar barrikadat në fshatin Rudarë, i cili gjindet në komunën e Zveçanit, raportojnë gazetarët e Radios Evropa e Lirë nga terreni.

Sipas informacioneve nga terreni, barrikadat janë larguar edhe në Mitrovicë të Veriut.

Barrikadat janë hequr nga rrugët edhe në komunën e Leposaviqit dhe të Zubin Potokut.

Te barrikada në Rudarë dhe tek ajo në Mitrovicë të Veriut janë të pranishëm njerëz me maska.

Rrugët kryesore që çojnë drejt Jarinjës dhe Bërnjakut – pikat kufitare që lidhin Kosovën me Serbinë – ishin bllokuar që nga 10 dhjetori.

Barrikadat në veri të Kosovës u ngritën nga disa grupe serbësh, për të kundërshtuar arrestimin e një ish-polici serb të Policisë së Kosovës.

Dejan Pantiq u arrestua nën dyshimet për sulm ndaj zyrtarëve kosovarë, në fillim të dhjetorit.

Më 28 dhjetor, Pantiqit iu zëvendësuar masa e paraburgimit me arrest shtëpiak.

Për barrikadat, Kosova ka fajësuar “bandat kriminale” që kanë mbështetjen e Serbisë.

“Barrikadat po hiqen. Të dielën e thamë që është çështje ditësh kur do të largohen ato. Edhe më mirë që kjo të bëhet pa ndërhyrjen e policisë sonë. Vetë i vunë barrikadat, vetë i hoqën ato. Me fjalë të tjera, krejt kot janë lodhur ata të cilët e bllokuan veten,” tha kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në pritjen e fundvitit me gazetarë.

Se barrikadat do të largoheshin tha të enjten presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pas takimit me përfaqësuesit e serbëve nga Kosova.

Vuçiq u takua me ta mbrëmjen e 28 dhjetorit në kazermën e Ushtrisë Serbe në Rashkë, afër kufirit me Kosovën.

Ai tha të mërkurën se janë dhënë garanci se kërkesat e serbëve për heqjen e barrikadave do të plotësoheshin. Kërkesat e serbëve janë: lirimi i ish-policit Dejan Pantiq, që “njerëzit që ishin në barrikada të mos ndiqen penalisht”, dhe të mos lejohej hyrja e forcave speciale të Kosovës në veri.

Shefi për politikë të jashtme i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, deklaroi se “diplomacia mbizotëroi në uljen e tensioneve në veri të Kosovës”.

Ai përshëndeti kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin serb, Aleksandar Vuçiq. “Dhuna nuk mund të jetë kurrë një zgjidhje”, shkroi Borrell në një postim në Twitter.

“Tani kemi nevojë për përparim urgjent në dialog”, shtoi Borrell.

Ai, po ashtu, lavdëroi punën e BE-së, SHBA-së dhe KFOR-it lidhur me këtë çështje.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë thanë më 28 dhjetor se janë duke punuar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për të gjetur një zgjidhje politike që të ulen tensionet në veri të Kosovës.

Në një deklaratë të përbashkët, SHBA-ja dhe BE-ja mirëpritën garancitë e lidershipit të Kosovës që konfirmuan se nuk ka lista për arrestimin e qytetarëve serbë ose përndjekjen e atyre që protestojnë paqësisht apo për vendosjen e barrikadave.

Ndryshe, gjatë natës, disa kamionë, me të cilët ishte bllokuar rruga në lokacionin e njohur si Shkëmbi i Dudës në Mitrovicë të Veriut, janë djegur. Sipas Policisë së Kosovës, përveç dëmeve materiale, nuk raportohet për persona të lënduar, përderisa rasti është duke u hetuar.

Këta kamionë ishin vendosur në këtë vend më 27 dhjetor, kur grupe të serbëve vendosën barrikada të reja në rrugët e veriut.

Përveç veriut, më 27 dhjetor një barrikadë tjetër ishte vendosur në territorin e Serbisë, në afërsi të kufirit të Kosovës me Serbinë, në Merdare.

Vendosja e barrikadave nxiti tensione të shumta në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Serbia vendosi në gatishmëri ushtrinë, si dhe rriti prezencën ushtarake në vijën kufitare me Kosovën, përkatësisht në Rashkë të Serbisë.

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kërkuan vazhdimisht largimin e barrikadave, si dhe respektimin e marrëveshjeve të Brukselit.

Çfarë u parapriu tensioneve në veri?

Situata në pjesën veriore të Kosovës u tensionua muajve të fundit për shkak se Qeveria e Kosovës vendosi që të largojë nga qarkullimi targat ilegale me akronimin KM si dhe akronime tjera PR, GL, PE etj., të cilat lëshoheshin për serbët e Kosovës nga Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë.

Vendimi u kundërshtua nga serbët lokalë, si dhe nga Beogradi zyrtar. Megjithatë, Qeveria e Kosovës ishte e vendosur për zbatimin e këtij vendimi me gjithë faktin se komuniteti ndërkombëtarë, përfshirë SHBA-në, kërkonte më shumë kohë.

Për shkak të refuzimit për të zbatuar vendimin për riregjistrim të veturave me targa ilegale, institucionet e Kosovës, suspenduan nga puna drejtorin e Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Nenad Gjuriq.

Pas suspendimit të drejtorit Gjuriq, Lista Serbe, subjekti më i madh politik i serbëve në Kosovë, njoftoi për largimin e serbëve nga të gjitha institucionet e Kosovës, deri në rikthimin e tij në punë si dhe, siç tha kryetari i saj, Goran Rakiq, deri në respektimin e të gjitha marrëveshjeve nga institucionet e Kosovës, përfshirë formimin Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Në javët që pasuan dorëheqje dhanë zyrtarët serbë të Policisë së Kosovës, të sistemit të drejtësisë, ata të nivelit lokal dhe atij qendror.

 

Derisa komuniteti ndërkombëtar ka kërkuar rikthimin e serbëve nëpër institucione, zyrtarë të Qeverisë përfshirë kryeministrin Albin Kurti, kanë thënë se kthimi i tyre nuk mund të jetë çështje politike, duke shtuar se është çështje ligjore e kushtetuese

Rihapet vendkalimi Kosovë – Serbi në Merdarë, pritet zhbllokimi i rrugëve në veriun e Kosovës

VOA

Autoritetet në Kosovë thanë se është rihapur të enjten vendkalimi kufitar me Serbinë në Merdarë, dy ditë pas bllokimit të tij nga një grup serbësh në territorin e Serbisë në shenjë siç thanë, mbështetjeje për serbët në veriun e Kosovës që për gati tri javë po mbajnë të bllokuara rrugët në zonë.

Policia e Kosovës tha se “rruga e cila ishte bllokuar me 27.12.2022 në kilometrin e dytë brenda në Serbi, sot në ora 09:50 është liruar për qarkullim”.

Ky ishte veprimi i parë pas paralajmërimit të presidentit serb, Aleksandar Vuçiç, se largimi i bllokadave nga rrugët në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe do të fillojë mëngjesin e së enjtes.

“Për 24 orë apo 48 orë do të hiqen barrikadat”, tha ai pas një takimi me përfaqësuesit e serbëve nga Kosova të mërkurën në Rashkë në jug të Serbisë.

Paralajmërimi u bë pasi një gjykatë në Prishtinë vendosi lirimin nga paraburgimi të një ish polici serb, arrestimi i të cilit më 10 dhjetor çoi në bllokimin e rrugëve në veriun e Kosovës.

Presidenti serb tha se Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, kanë garantuar se asnjë nga serbët që vendosën bllokadat, nuk do të ndiqet penalisht.

Paraditen e së enjtes rrugët ne veri ende janë të bllokuara ndërsa në njërën nga bllokadat, dy kamionë u dogjën në rrethana të pasqaruara.

Heqja e bllokadave pritet të ulë tensionet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e cila në fillim të javës vuri në “gjendje të plotë gatishmërie ushtarake” forcat e saj të sigurisë, duke thënë se Kosova e ka bërë të njëjtën gjë.

Autoritete në Kosovës mohuan njoftimet e tilla duke i cilësuar ato pjesë të propagandës serbo-ruse që synojnë destabilizimin e Kosovës.

Forcat paqeruajtëse të udhëhequra nga NATO-ja thanë Forcat e Armatosura të Serbisë nuk kanë nevojë për autorizim nga KFOR-i që të lëvizin dhe stërviten në territorin e tyre, por duhet të kërkojnë leje për të afruar më shumë se një mijë metra nga kufiri me Kosovën. Ndërsa, Forca e Sigurisë së Kosovës, mund të vendoset në veriun e Kosovës vetëm me pëlqimin paraprak të komandantit të KFOR-it.

KFOR: Serbia duhet të na njoftojë nëse i afrohet Kosovës më pak se 1 km, FSK në veri vetëm me lejen tonë

KFOR-i përmes një komunikate për media ka reaguar lidhur me vizitën që Ministri i Mbrojtjes së Serbisë Millosh Vucevic dhe gjenerali i ushtrisë serbe Milan Mojsliovic ua kanë bërë ushtrisë serbe të cilët janë vendosur në Rashkë, siç thotë KFOR-i rreth 2 kilometra në afërsi të “ vijës kufitare administrative”.

Nga KFOR-i thonë se është e dobishme të rikujtohet se forcat serbe s’kanë nevojë për autorizim nga KFOR-i për të lëvizur dhe trajnuar në territorin e Serbisë, ndërkohë sqarojnë se sipas marrëveshjeve ekzistuese ushtria serbe duhet të njoftojë KFOR-in vetëm në rast se forcat e tyre kanë nevojë për t’u afruar në kufi me Kosovën në më pak se 1 mijë metra.

“Ai informacion duhet t’i jepet KFOR-it nga Komisioni i Përbashkët Zbatues, misioni i të cilit është të lehtësojë komunikimin dhe mirëkuptimin ndërmjet komandantit të KFOR-it dhe Forcave Serbe të Sigurisë”, thuhet në komunikatë.

Ndërkohë sqarojnë se ushtria e Kosovës në veri të Kosovës mund të vendoset vetëm pas miratimit paraprak të komandantit të KFOR-it.

“Sa i përket Forcave të Sigurisë së Kosovës (FSK), vendosja e tyre, sipas marrëveshjeve ekzistuese, kërkon pëlqimin paraprak të komandantit të KFOR-it për të shkuar në veri të Kosovës. KFOR-i, në përputhje me mandatin e tij, mund të angazhohet me përfaqësues legjitimë të komunitetit lokal në veri të Kosovës si pjesë e këtij procesi të pajtimit”, thuhet në komunikatën e KFOR.

Në këtë komunikatë kanë thënë se këto marrëveshje deri tani janë zbatuar dhe kanë bërë thirrje që palët të vazhdojnë një gjë të tillë.

“KFOR-i mbetet jashtëzakonisht vigjilent dhe ka aftësinë dhe personelin për të ofruar një mjedis të sigurt dhe të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet nën mandatin tonë të OKB-së, bazuar në Rezolutën 1244 të vitit 1999. KFOR-i vazhdon të monitorojë nga afër situatën në terren dhe aktivitetet përgjatë linjën kufitare administrative, duke mbështetur dialogun për të gjetur një marrëveshje për të zbutur tensionet në veri të Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Vjosa Osmani vesh uniformën ushtarake dhe i drejtohet trupave të saj: Kosovës duhet t’i bëhemi gardianë

Presidentja e Republikës së Kosovës Vjosa Osmani gjatë adresimit të saj të përvitshëm ndaj Forcave të Sigurisë së Kosovës ka tërhequr vëmendjen pasi është shfaqur duke veshur një uniformë ushtarake.

Kjo dalje e Osmanit vjen në një kohë kur tensionet në veri të vendit vijojnë të jenë një çështje e nxehtë dhe ende nuk është gjetur një zgjidhje mes palëve.

Osmani deklaroi gjatë fjalës së saj para trupave kosovare se më shumë se kurrë nevojitet devotshmëri ndaj atdheut, vigjilencë e përkushtim.

“Viti që po lëmë pas u përcoll me sfida jo vetëm për ne, por edhe për botën. Duhet të jemi të vetëdijshëm që sfidat do të rriten krahas me përpjekjet për ta sfiduar paqen dhe rendin botëror nga regjimet autoritare hegjemoniste. Prandaj, më shumë se kurrë na duhet devotshmëri ndaj atdheut, vigjilencë e përkushtim që Republikës t’i bëhemi gardianë.

 

Kjo gatishmëri e juaja për ta mbrojtur vendin nga çdo rrezik na bën krenar secilin… është nder e privilegj sa herë jam në mesin tuaj. Mbi të gjitha djemtë e vajzat e forcës sonë janë të gatshëm për të mbajtur integritetin territorial e sovranitetin e shtetit tonë… Ju shquheni për përkushtimin ndaj vendit, për nivelin profesional, për disiplinë e përkushtim ndaj ndaj detyrës, për nderin ndaj vendit tuaj. Kjo na bën krenar ne si shtet”, u shpreh ajo.bw

KGJK i reagon Kurtit për Pantiqin

Pallati i Drejtësisë në Prishtinë

RFE/RL

Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka shprehur shqetësim për “kërkesën e kryeministrit Albin Kurti për t’u informuar me emrin e gjyqtarit”, i cili ka marrë vendim ligjor për ndërrimin e masës së ish-policit serb të Policisë së Kosovës, Dejan Pantiq, nga paraburgimi në arrest shtëpiak.

“Rikujtojmë kryeministrin se gjyqtarët janë dhe duhet të jenë të pavarur gjatë ushtrimit të detyrave të tyre kushtetuese dhe ligjore, ndërsa tendencat për ndërhyrje janë të papranueshme dhe si të tilla i dënojmë fuqishëm”, thuhet në reagimin e KGJK-së.

Në këtë reagim thuhet se “Këshilli Gjyqësor publikisht e informon kryeministrin Kurti se bazuar në Kushtetutë dhe Ligj, personi zyrtar kompetent që ka marr këtë vendim quhet Gjyqtar i Republikës së Kosovës, vendimet e të cilit duhet të respektohen pa i komentuar, pa përjashtim, përfshirë edhe Qeverinë”.

Kurti gjatë një konference për media më 28 dhjetor tha se është “shumë kureshtar të kuptoj se cili është ai prokuror që bën këtë kërkesë e cili është ai gjyqtar i procedurës paraprake që e aprovon”.

Kundër vendimit për Pantiqin u shpreh edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila e cilësoi si “aktin më të rëndë që mund t’i bëhej vendit nga institicionet që do të duhej të ishin shembulli më i mirë i mbrojtjes së qytetarëve dhe rendit tonë kushtetues”.

Prokuroria Speciale e Kosovës konfirmoi të mërkurën se Pantiqit i është ndryshuar masa e sigurisë, nga paraburgimi në arrest shtëpiak, dhe tha se ky ndryshim u bë për shkak të gjendjes shëndetësore të ish-policit serb.

Arrestimi i Pantiqit, nxiti ngritjen e barrikadave në veri të Kosovës. Barrikadat u vendosën nga disa serbë lokalë, duke bllokuar rrugët që çojnë drejt dy pikëkalimeve kufitare, Jarinjë dhe Bërnjak, që lidhin Kosovën me Serbinë.

Lista Serbe – partia kryesore e serbëve në Kosovë – ka paraqitur disa kushte për largimin e barrikadave, dhe njëra ndër to ka thënë se është edhe lirimi i serbëve të arrestuar.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian thanë se janë duke punuar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për të gjetur një zgjidhje politike që të ulen tensionet në veri të Kosovës.

Uashingtoni dhe Brukseli u bënë thirrje të gjithëve që të marrin veprime të menjëhershme për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës.

U kthye në motivin e përplasjes Kosovë-Serbi, lirohet ish-polici serb Dejan Pantiç në Jarinjë

Avokati i Dejan Pantiçit, Nebojsha Vllaiç, ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se klientit të tij i është zëvendësuar masa e paraburgimit me arrest shtëpiak.

“Policia [e Kosovës] është e detyruar që të transferojë Pantiçin në adresën ku ai jeton”, tha ai.

 

Pantiç, ish-polic i Kosovës, u arrestua më 10 dhjetor në pikën kufitare të Jarinjës. Sipas autoriteteve të Kosovës, ai dyshohet për organizmin e “sulmit terrorist” të 6 dhjetorit ndaj zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Arrestimi i Pantiçit, nxiti ngritjen e barrikadave në veri të Kosovës. Barrikadat u vendosën nga disa serbë lokalë, duke bllokuar rrugët që çojnë drejt dy pikëkalimeve kufitare, Jarinjë dhe Bërnjak, që lidhin Kosovën me Serbinë.

 

Për shkak të ngritjes së barrikadave, autoritetet kanë konfirmuar se Pantiç po mbahet në një stacion policor afër Jarinjës. Kosova ka kërkuar ndihmën e misionit të Bashkimit Evropian në Kosovë për Sundim të Ligjit (EULEX) për transferimin e Pantiçit.

 

EULEX i ka thënë Radios Evropa e Lirë më 23 dhjetor se ende po e shqyrton mundësinë e ndihmës në transferimin e Pantiqit.

 

Lista Serbe – partia kryesore e serbëve në Kosovë – ka paraqitur disa kushte për largimin e barrikadave, dhe njëra ndër to ka thënë se është edhe lirimi i serbëve të arrestuar.

 

Zyrtarët serbë më herët kanë thënë se autoritetet në Kosovë nuk i kanë ofruar Pantiçit trajtimin e duhur shëndetësor, por ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ka deklaruar më 22 dhjetor se ai gëzon shëndet të mirë.

Kurti u bën thirrje serbëve të aplikojnë për punë në institucionet e Kosovës

RFE/RL

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u ka bërë thirrje pjesëtarëve të komunitetit serb në Kosovë, që të aplikojnë për vende pune në institucionet e Kosovës.

“Zbrazëtinë që ekziston brenda institucioneve tona të përbashkëta pas dorëheqjes kolektive dhe kryesisht të detyruar, të disa qindra serbëve, ne nuk duam ta mbushim me shqiptarë”, tha Kurti në një konferencë për media, teksa bëri një adresim në gjuhën serbe.

“Prandaj, i ftoj të gjithë serbët nga Kosova që të aplikojnë për këto vende pune, veçanërisht serbët që nuk kanë pasur asnjë shans deri më tani”, shtoi ai.

Në nëntor, qindra serbë në veri të Kosovës u larguan nga Policia e Kosovës, institucionet e drejtësisë dhe institucionet lokale e qendrore.

Dorëheqjet u dhanë në shenjë pakënaqësie ndaj një vendimi të Qeverisë së Kosovës që kishte të bënte me rirregjistrimin e makinave me targa serbe, në ato RKS – Republika e Kosovës.

Që nga ajo kohë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, Kosova dhe Serbia kanë arritur një marrëveshje për targat.

Gjatë adresimit në gjuhën serbe, Kurti u tha serbëve se Kosova është shteti i të gjithëve, ku të gjithë janë të mirëseardhur, pavarësisht përkatësisë fetare apo racore.

“Ne qëndrojmë për një ndarje të qartë midis fesë dhe shtetit, midis institucioneve fetare dhe institucioneve demokratike”, tha ai.

Thirrja e Kurtit që serbët në veriun e Kosovës të aplikojnë për punë në institucionet e Kosovës, u bë në kohën kur në këtë pjesë të shtetit për 19 ditë me radhë janë të vendosura barrikada.

Disa serbë lokalë që nga 10 dhjetori kanë vendosur barrikada në veri, duke bllokuar rrugët që çojnë drejt pikave kufitare Jarinjë dhe Bërnjak, që lidhin Kosovën dhe Serbinë.

Që atëherë këto dy pika janë mbyllur për qarkullim, ndërkaq nga 27 dhjetori është mbyllur edhe pikëkalimi në Merdare, pas vendosjes së barrikadave në territorin e Serbisë.

Serbët lokalë ngritën barrikadat në shenjë pakënaqësie me arrestimin e ish-policit serb të Kosovës, Dejan Pantiq. Kosova ka thënë se Pantiq dyshohet për organizimin e sulmit të 6 dhjetorit ndaj zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri.

Pantiqit më 28 dhjetor i është zëvendësuar masa e paraburgimit me arrest shtëpiak.

Për barrikadat, Kosova ka fajësuar “bandat kriminale” që kanë mbështetjen e Serbisë, ndërkaq Beogradi ka thënë se barrikadat do të hiqen kur Prishtina të formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Alarm për bombë në aeroportin e Prishtinës, evakuohen qytetarët dhe personeli, dalin pamjet

Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari” ka marrë një kërcënim me bombë. Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e ANP’së, Valentina Gara, e cila ka bërë me dije se udhëtarët dhe personeli janë evakuar.

“Konfirmojmë se kemi pranuar një kërcenim me bombë. Udhëtarët dhe personeli janë evakuar dhe janë të sigurt. Ekipet e involvuara në planin emergjent janë duke kryer detyrat e tyre”, ka shkruar Gara.bw

Ministria e Jashtme e Kosovës, thirrje qytetarëve që janë nisur për në atdhe ta shmangin Merdaren

Prishtinë – Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka dalë më një informacion i rëndësishëm për të gjithë ata që janë duke udhëtuar drejt Kosovës.

Kjo pasi që, siç bënë me dije kjo ministri grupet kriminale serbe kanë bllokuar pikën kufitare në Merdarë, njofton RTK.

“Njoftohen të gjithë bashkatdhetarët dhe qytetarët që janë në lëvizje të shfrytëzojnë pika të tjera kufitare për qarkullim deri në një informim tjetër zyrtar nga ana e institucioneve të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin zyrtar të MPJD-së..

Po ashtu , thuhet në njoftim se nëse keni hyrë tashmë në Serbi, atëherë ju lutemi t’i përdorni pikat kufitare ne Mutivodë, Dheu i Bardhë ose të merrni rrugë përmes Maqedonisë së Veriut (pikë-kalimi kufitar i Preshevës) përmes Shkupit.

“Duke marrë parasysh faktin që janë në qarkullim shumë lajme të rreme, të cilat synojnë përhapjen e frikës, ju lutemi të ndiqni @Kosovo_Police rreth përditësimeve më të fundit zyrtare në këtë drejtim”, thuhet në njoftimin MPJD.

Arben Vitia riemërohet ministër i Shëndetësisë

RFE/RL

Zyra e Kryeministrit ka bërë të ditur se Arben Vitia është riemëruar si ministër i Shëndetësisë me vendim të kryeministrit Albin Kurti.

Në njoftim thuhet se Kurti “i ka uruar suksese në plotësimin e detyrave dhe përgjegjësive të tij”.

Vitia kishte dhënë dorëheqje nga pozita e ministrit të Shëndetësisë në tetor të vitit të kaluar për të marrë pjesë në zgjedhjet lokale për kryetar në Komunën e Prishtinës – garë të cilën e kishte humbur kundër kandidatit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Përparim Rama.

Vitia kishte shërbyer si ministër i Shëndetësisë edhe në Qeverinë Kurti 1 më 2020.

Pas dorëheqjes së tij, rreth një muaj më vonë, ministër i Shëndetësisë ishte emëruar Rifat Latifi. Por, ky i fundit dha dorëheqje më 6 tetor, gati një vit pas marrjes së detyrës.

Që nga atëherë, Kosova ishte me ushtruese detyre të ministres së Shëndetësisë, Dafina Gexha-Bunjaku.

Ndërkohë, Qeveria e Kosovës në shtator kishte themeluar Komisionin Ekzekutiv për Shëndetësi i cili udhëhiqet nga kryeministri Kurti.

Sipas vendimit të Qeverisë, disa nga përgjegjësitë e këtij komisioni janë zhvillimi i sistemit informativ i sistemit shëndetësor, në të gjitha nivelet e sektorit publik dhe privat, analiza dhe definimi i ndarjes dhe bashkëpunimit publiko-privat në shëndetësi si dhe reforma tjera në sistemin shëndetësor të Kosovës.

Ky Komision deri më tani ka zhvilluar disa takime.

Të shtëna pranë patrullës së NATO-s në veriun e Kosovës

VOA

Zyrtarë të forcave paqeruajtëse të udhëhequra nga NATO në Kosovë thanë të dielën në mbrëmje se të shtëna me armë zjarri janë dëgjuar dhe parë afër një patrulle të KFOR-it në veriun e Kosovës, ku serbët lokal kanë vendosur bllokada për të penguar policinë vendase të patrullojë zonën e përfshirë nga tensionet muajve të fundit.

Në një deklaratë të misionit thuhet se nuk pati dëme në njerëz e as dëme materiale nga të shtënat që u dëgjuan në rajonin e Zubin Potokut. KFOR-i nuk dha hollësi të tjera.

Më herët policia e Kosovës mohoi njoftimet e publikuara në mediet serbe sipas të cila ka pasur shkëmbime zjarri në Zubin Potok, pasi policia e Kosovës “ka dashur të heqë njërën nga barrikadat” në këtë komunë.

“Nuk ka pasur ndonjë sulm ndaj Policisë së Kosovës, e as nuk ka pasur ndonjë shkëmbim zjarri mes policisë së Kosovës, apo ndonjë grupi”, tha ndërkaq në një njoftim policia e Kosovës.

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, shkroi në llogarinë e tij në Facebook se “lojërat e (presidentit serb Aleksandar) Vuçiç dhe instrumenteve të tij kriminale po vazhdojnë. Fillimisht deklaruan se në Zubin Potok ka pasur përleshje të armatosura të iniciuara nga Policia e Kosovës dhe Njësitë e saj Speciale. Mirëpo, kur e kuptuan se bandat kriminale të mbështetura nga vet ai kanë sulmuar KFOR-in, duan t’i mohojnë të gjitha sulmet”, shkroi ministri Sveçla duke nënvizuar se “barrikadat duhet të hiqen menjëherë. Serbia duhet të ndalojë organizimin dhe mbështetjen e strukturave kriminale ilegale që duan të destabilizojnë Republikën e Kosovës”.

Në Beograd ndërkaq shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë serbe, Milan Mojsiloviç, tha se është takuar me presidentin serb dhe është nisur për në Rashkë, një komunë në jugperëndim të Serbisë, jo larg kufirit me Kosovën.

Ndonëse nuk bëri ndonjë koment rreth shkrimeve të medieve serbe për zhvillimet ne veriun e Kosovës, ai i tha televizionit pro qeveritar serb Pink se “situata në Kosovë është e tillë që kërkon praninë e ushtrisë serbe përgjatë vijës administrative”.

Grupe serbësh po mbajnë të bllokuara rrugët në veriun e Kosovës që nga dhjetë dhjetori pas arrestimit të një ish polici serb nën dyshimet për sul ndaj personave zyrtarë.

Qeveria e Kosovës i ka kërkuar KFOR-it, heqjen e bllokadave, ndërsa misioni i drejtuar nga NATO-ja tha se preferon që kjo të ndodhë në rrugë paqësore.

Policët e bllokuar në Leposaviq ndërrohen pas dy javësh

Policët të cilët kanë qenë të bllokuar tash e dy javë në Leposaviq, për shkak të barrikadave në veri të Kosovës, sapo është bërë ndërrimi i tyre.

Ata tashmë gjinden në drejtorinë policore në jug.

Lajmin për Gazetën Express e konfirmoi kryetari i Sindikatës së Policëve të Kosovës, Imer Zeqiri.

Ai tha se gjendja e tyre shëndetësore në përgjithësi është e mirë.

“Po ashtu është. Në përgjithësi gjendja shëndetësore është e mirë”.

Kujtojmë se për dy javë, këta policë qëndruan atje të bllokuar, me ushqim të konservuar e pamundësi për t’u pastruar e ndërruar rrobat.

Protestë kundër Gjykatës Speciale pas dënimit të ish-komandantit të UÇK-së

Protestuesit janë mbledhur para ndërtesës së Kuvendit të Kosovës në Prishtinë. 24 dhjetor 2022.

RFE/RL

Me sloganin “Jo në emrin tim”, në Prishtinë është protestuar kundër Gjykatës Speciale pas dënimit me 26 vjet burgim për krime lufte të ish-komandantit të UÇK, Salih Mustafa.

Protesta e së shtunës u organizua nga Partia Socialdemokrate (PSD).

Kreu i kësaj partie, Dardan Molliqaj, ka bërë thirrje për unitet për ta kundërshtuar këtë gjykatë.

“Lufta për liri është shenja që ky është shteti jonë. Damkosja e kësaj lufte është sulm mbi Kosovën e pavarur. Edhe 23 vjet pas çlirimit, çlirimi po ka kosto”, tha ai.

Ai e ka quajtur absurd dënimin e Salih Mustafës.

“Shikoni aktgjykimin e kësaj gjykate ku thotë që duhet të dënohet komandant Cali është nëse viktima është vrarë nga plumbat e ushtrisë serbe. Kjo është e pritshme kur gjykata nuk e ka qëllim drejtësinë, por e ka qëllim dënimin e UÇK-së. Procesi i Speciales na ka nxjerrë edhe një mësim, liria mund të fitohet një herë, por duhet të mbrohet çdo ditë”, ka thënë ai.

Molliqaj tha se duhet të veprohet tash dhe të mos priten dënime të tjera, por se duhet të rrëzohen edhe dënimi ndaj Mustafës.

“Ne nuk jemi këtu për t’i dekoruar ata që e kanë kundërshtuar këtë gjykatë, e as fajësuar ata që e kanë votuar këtë gjykatë… Duhet të bëhemi bashkë nëse e kemi njëmend mbrojtjen e UÇK-së. Nën akuzë e kemi përndjekjen për liri, i kemi themeluesit e UÇK-së, e kemi shtabin e UÇK-së, komandantë të zonave operative, prandaj atyre që u thuhet se nuk po dënohet UÇK-ja, por individët, përgjigjuni thjesht se juve nuk ju intereson as UÇK-ja”, tha ai.

U.d i kryetarit të OVL të UÇK-së, Faton Klinaku, ka thënë se aty gjykohen vetëm shqiptarët dhe jo kriminelët serbë që kryen krime në Kosovë.

“Gjykata Speciale gjykon vetëm shqiptarët, por jo krimet e kryera në Kosovë, jo krimet e masakrat që i ka shkaktuar pushtuesi serb ndaj civilëve. Gjykon vetëm UÇK-në, duke e quajtur edhe ndërmarrje e përbashkët kriminale”, tha ai.

Protestuesit kanë protestuar nga sheshi “Zahir Pajaziti” deri në hapësirën përballë Kuvendit dhe Qeverisë së Kosovës.

Në mesin e protestuesve janë parë edhe deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës – Hisen Berisha, Ganimete Musliu dhe Ariana Musliu Shoshi.

Gjykata Speciale, me seli në Hagë, funksionon sipas ligjeve të Kosovës.

Mustafa është dënuar për vrasje të paligjshme, torturë dhe ndalim arbitrar. Ai është shpallur i pafajshëm për trajtim mizor.

Sipas aktakuzës, Salih Mustafa, i njohur si ‘komandant Cali’, ka qenë komandant i njësitit gueril BIA, njësit brenda Zonës Operative të Llapit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Vetë ai është deklaruar i pafajshëm për akuzat ndaj tij.

Vendimi ndaj Mustafës përbën aktvendimin e parë të Gjykatës Speciale lidhur me hetimet për krime lufte në Kosovë.

Përveç Mustafës, të akuzuar për krime lufte janë edhe ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ish-anëtari i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi, ish-zëdhënësi i UÇK-së, Jakup Krasniqi dhe ish-pjesëtari tjetër i UÇK-së, Pjetër Shala.

Sipas aktakuzës, Thaçi, Veseli, Krasniqi, Selimi dhe Shala dyshohen për veprat penale që kanë të bëjnë me krime lufte: ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme dhe krime kundër njerëzimit: burgosje, akte të tjera çnjerëzore, zhdukje me forcë të personave dhe përndjekje, të cilat, sipas Dhomave të Specializuara, janë kryer mes marsit të vitit 1998 dhe shtatorit 1999.

Gjykata Speciale e Kosovës është formuar pas publikimit të një raporti të Këshillit të Evropës më 2011, nën autorësi të senatorit zviceran, DickMarty.

Në atë raport janë përmendur krimet e pretenduara në Kosovë.

MEHMET KRAJA: REAGIM NDAJ DEKLARATËS SË SEKSIONIT TË SHKENCAVE SHOQËRORE TË ASHAK-ut

Lidhur me deklaratën e Seksionit të Shkencave Shoqërore të ASHAK rreth tekstit të analizës “Synimet destabilizuese të Serbisë në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor” e shoh të nevojshme të sqaroj si në vijim:

E para, si kryetar i ASHAK nuk jam në pozitë të imponoj, e as nuk kam imponuar asnjë sjellje arbitrare, përveç se kam kërkuar të shtohet aktiviteti i seksionit dhe të vendoset ligjshmëri për mbarëvajtjen e punëve në Akademi.

E dyta, lidhur me reagimin rreth analizës “Synimet destabilizuese në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor”, duhet të saktësoj se me datë 17 janar 2022, në mbledhjen e Kryesisë së Akademisë është diskutuar teksti i analizës dhe, mbështetur në procesverbalin e mbledhjes (nuk mund ta bëj publik pa vendim Kryesie, prandaj duhet ta parafrazoj) është diskutuar teksti i analizës dhe sipas radhës, janë shprehur këto qëndrime:

1. Justina Shiroka-Pula, nënkryetare, e përkrah si iniciativë dhe thotë se ia ka përcjellë kryetarit disa sugjerime;
2. Luan Mulliqi, sekretar shkencor, e mbështet analizën dhe kërkon që ajo të publikohet menjëherë;
3. Sabri Hamiti, sekretar i seksionit të Gjuhësisë dhe Letërsisë, analizën e quan politike dhe shprehet i rezervuar për shpërndarjen e saj;
4. Gjylieta Mushkolaj, sekretare e Seksionit të Shkencave Shoqërore, e përkrah iniciativën dhe analizën, duke sugjeruar që ajo të plotësohet me referenca;
5. Fetah Podvorica, sekretar i Seksionit të Shkencave të Natyrës, e përkrah iniciativën dhe analizën, duke sugjeruar që ajo të plotësohet me referenca;
6. Rauf Dhomi, sekretar i Seksionit të Arteve, e mbështet analizën dhe sugjeron që ajo të publikohet menjëherë;
7. Mehmet Kraja, kryetar, e mbështet analizën dhe publikimin e saj.

Ndonëse nuk kishte obligim statutor (për çfarëdo publikimi është kompetente Kryesia), me propozimin e kryetarit, Kryesia vendosi që teksti i analizës t’u vihet në dispozicion të gjithë anëtarëve të Akademisë dhe me mesazhin e bashkëlidhur iu kërkua anëtarëve që për vërejtjet eventuale të shprehen me shkrim në një afat prej 10 ditësh (24 janar 2022).

Nga të gjithë anëtarët e Akademisë (38 anëtarë), janë përgjigjur me shkrim dy anëtarë: akademik Isa Mustafa dhe anëtari korrespodent Arsim Bajrami.

Ndërkaq, gjatë publikimit në ueb-faqen e Akademisë, për ndonjë arsye teknike, mund të jetë shfaqur edhe versioni im i paredaktuar i tekstit, por së fundi në ueb qëndron teksti i përfundimtar, i autorizuar.

Në fund, edhe përkundër koncensusit të gjerë mes anëtarëve të Akademisë dhe mbështetjes nga anëtarët e Kryesisë, duke marrë parasysh rrethanat e krijuara, me qëllim të ruajtjes së institucionit, sot kam kërkuar nga shërbimet teknike që të vihet emri im në krye të tekstit të analizës në ueb-faqen e Akademisë, që domethënë se unë marr përgjegjësinë për çdo shkronjë të këtij teksti.

Mehmet Kraja

Kryetar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës

Seksioni i Shkencave Shoqërore të ASHAK del me deklaratë: Teksti është i Mehmet Krajës, distancohemi nga analiza

Një analizë e botuar muajin që shkoi nga AShAK-u, e që u komentua gjerësisht pasi u publikuan disa shkrime për përmbajtjet e kritikueshme, po vazhdon ende të jetë në qendër të debatit. Për këtë çështje është mbledhur edhe vetë Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovoës.

Sesioni i Shkencave Sociale në AShAK, ka theksuar se teksti i botuar në faqen zyrtare të AShAK-ut është tekst i Mehmet Krajës, kryetar i AShAK-ut, dhe i paautorizuar për publikim.

“1. Seksioni i Shkencave Shoqërore distancohet nga Dokumenti i publikuar në faqen zyrtare elektronike të AShAK dhe sqaron se ai është tekst i Kryetarit të Akademisë, z. Mehmet Kraja, i paautorizuar për publikim. Seksioni, që në fillim e ka kundërshtuar publikimin e këtij teksti joshkencor në emër të Akademisë, që shihet nga Procesverbali i mbledhjes së 26 janarit 2022!” – thuhet aty.

Madje, në deklaratën e tyre, ky Sesion ka kritikuar Krajën për sjellje imponuese dhe arbitrare.

“Seksioni i Shkencave Shoqërore ka kohë që ia ka tërhequr vërejtjen Kryetarit të ASHAK-ut z. Mehmet Kraja për sjelljet imponuese e arbitrare, e që po e lëndojnë rëndë dinjitetin e institucionit në krye të të cilit është. Me qasjen e tij jo-akademike dhe veçanërisht me publikimin e këtij dokumenti joshkencor, të hartuar nga vet ai, si drejtues i një institucioni prestigjioz shkencor, artistik dhe kulturor, sjellë përçarje me pasoja të rënda për vet Akademinë.” – thuhet tutje.

Tutje, në komunikatë thuhet se AShAK-u ka kërkuar reflektim nga ana e Krajës për dëmin e shkaktuar ndaj Akademisë. E në rast të mungesës së refletimit, ata kanë paralajmëruar veprime tjera statutore.

“Për shkak të papërgjegjësisë dhe veprimeve imponuese dhe arbitrare, Seksioni i Shkencave Shoqërore kërkon nga z. Kraja reflektim institucional dhe moral për dëmin e shkaktuar ndaj Akademisë dhe publikut të gjerë.

Nëse z. Kraja nuk reflekton karshi përgjegjësisë institucionale dhe morale, Seksioni i Shkencave Shoqërore do të iniciojë veprime të tjera statutore.” – përfundon komunikata e AShAK-ut.

Barrikadat në veri, opozita thirrje qeverisë së Kosovës: Mos u dorëzoni para grupeve kriminale të kontrolluara nga Serbia

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka thënë se injorimi që Qeveria ia ka bërë situatës në veri të Mitrovicës vetëm sa e ka vështirësuar konsolidimin e sovranitetit të plotë në atë pjesë të Kosovës dhe po rrezikon një valë të re të largimit të shqiptarëve.

Krasniqi, përmes një postimi në Facebook, ka njoftuar se sot ka takuar Këshillin Politik të PDK-së, me të cilin ka diskutuar në lidhje me zhvillimet e fundit në Kosovë.

“Bashkë me Koordinatorin, akademik Arsim Bajrami, kemi shprehur shqetësimin e madh me realitetin e ri i cili po tentohet të krijohet në pjesën veriore të Kosovës. Injorimi që Qeveria ia ka bërë kësaj situate vetëm sa e ka vështirësuar konsolidimin e sovranitetit të plotë në atë pjesë të Kosovës dhe po rrezikon një valë të re të largimit të shqiptarëve. Edhe një herë, i bëjmë thirrje Qeverisë që mos të dorëzohet para barrikadave të grupeve kriminale të kontrolluara nga Serbia. Zbatimi i ligjshmërisë në tërë territorin e Republikës së Kosovës nuk kërkon kompromis, por lidership shtetëror”, ka shkruar Krasniqi, transmeton Telegrafi.

“Me Këshillin Politik kemi diskutuar edhe për pranimin me të drejta të plota në Aleancën e Liberalëve dhe Demokratëve të Evropës (ALDE). Pranimi në ALDE vjen si konfirmim i përbrendësimit të vlerave evropiane dhe njohjes së reformave thelbësore që PDK ka bërë gjatë këtij viti”, ka shkruar ai.

 

Krasniqi ka njoftuar se në një takim të ndarë, ka takuar edhe kryetarët e degëve të PDK-së, me të cilët diskutuan për zhvillimet politike, projektet komunale dhe me theks të veçantë, diskriminimin që Qeveria po u bën komunave që udhëhiqen nga PDK.

 

“Me kryetarët e degëve folëm edhe për ecurinë e zgjedhjeve në Rininë Demokratike të Kosovës, të cilat, këtë herë, do të shënojnë një sukses të jashtëzakonshëm për demokracinë dhe fuqizimin e partisë”, ka shkruar Krasniqi.bw


Send this to a friend