Për herë të parë të enjten, administrata e presidentit Barack Obama tha qartë dhe publikisht se një pagesë 400 milionë dollarëshe për Iranin u përdor si mjet për të siguruar lirimin e një grupi të burgosurish amerikanë.
Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit John Kirby përsëriti qëndrimin e administratës se negociatat që Iranit t’i ktheheshin paratë e bllokuara që nga dështimi i një marrëveshje të vitit 1970 për blerje armësh, ishin kryer të ndara nga bisedimet për lirimin e katër shtetasve amerikanë që mbaheshin nga Teherani.
“Sikurse thamë atëherë, qëllimisht e përdorëm atë moment për t’i zgjidhur të dy çështjet njëkohësisht. Dihet publikisht se i kthyem Iranit 400 milionë dollarë që të përkonte me respektimin e marrëveshjes së Hagës, duke qënë të shqetësuar se në se ky vend do të lironte pengjet, pasdi Irani mund të ndryshojë mendim, duke patur parasyshë vonesat e panevojshme dhe që të jemi të sinqertë, edhe mosbesimin reciprok mes dy vendeve. Padyshim u përpoqëm të kemi epërsi sa më të madhe deri në lirimin e shtetasve amerikanë. Nëse shtrohet pyetja se a kishte lidhje në këtë mes, unë nuk do ta mohojë atë.”
Në fillim të muajit, presidenti Obama mohoi se pagesa ndaj Iranit në të njëjtën ditë me lirimin e pengjeve ishte një “marrëveshje shkëmbimi”, duke theksuar se transferimi i parave ishte njoftuar në janar, një ditë pas zbatimit të marrëveshjes bërthamore me Iranin.
Kandidati republikan për president, Donald Trump, u tregua i shpejtë për të dënuar marrëveshjen dhe tha se zoti Obama nuk kishte treguar të vërtetën.
“Tashmë e dimë nga Departamenti i Shtetit se presideti Obama gënjeu rreth 400 milion dollarëshit që ju dha Iranit. 400 milionë dollarë në kash u dërguan në Iran. Ai e mohoi se ishin për pengjet, por në fakt ishin për pengjet. Ai tha se ne nuk paguajmë për lirimin e pengjeve, por ne e bëmë një gjë të tillë. Ai gënjeu për pengjet, hapur dhe me paturpësi sikurse gënjeu për kujdesin shëndetësor.”
Të burgosurit e mbajtur në Iran ishin shefi i byrosë së gazetës The Washington Post në Teheran Jason Rezaian; veterani i marinës Amir Hekmati; kleriku i krishterë Saeed Abedin dhe i Nosratollah Khosravi-Roodsari, zhdukja e të cilit nuk ishte bërë publike deri para lirimit të tij.
Transferimi i parave dhe lirimi i pengjeve me 17 janar, erdhi në të njëjtën kohë me marrëveshjen e Perëndimit me Iranin lidhur me kufizimin e programit të tij bërthamor, që rezultoi me heqjen e sanksioneve që kishin dëmtuar ekonominë e atij vendi.
Kritikët, kryesisht ata që kundërshtojnë marrëveshjen me Iranin, e kanë quajtur atë, lirim përkundrejt shpërblimit. Ligjvënësit republikanë po ashtu e kanë dënuar veprimin duke thënë se ai minon qendrimin hershëm amerikan kundër pagesave për lirimin e pengjeve.
Komentet