Partia Demokratike ka publikuar sot emrat e disa zyrtarëve të lartë të Policisë të cilët sipas saj janë të implikuar në trafik droge.
Kreu i grupit parlamentar demokrat, Edi Paloka tha në një konferencë për shtyp se Rama nuk e ka më mendjen të bëjë punën e kryeministrit, por po promovon biznesin e drogës.
“Në funksion të biznesit të drogës Edi Rama ka shtrirë inkriminim e drejtuesve të Policisë, siç raportohet edhe nga qytetarë dhe punonjës me integritet të Policisë së Shtetit. Drejtori i Qarkut Durrës, Perlat Cullhaj bashkë me shefin e Komisariatit Krujë, Erjon Ismaili drejtojnë dhe kontrollojnë territorin dhe trafikun e hashashit në gjithë malësitë e Krujës, duke vjelë 30% të parave për çdo rrënjë kanabis për shefin e madh në Tiranë. Ata kanë sigurisht një aleat të mirë për këtë biznes kriminal, që është kryetari i Bashkisë, Bushi i famshëm, i proceduar në Itali për trafik droge. Drejtori dhe shefi i policisë së Ramës, sigurojnë kalim të lirë të mallit për në Itali në Portin e Durrësit, përmes Drejtorit të kufirit, Boge Budini, dhe zëvendës drejtorit të Kufirit, Moisi Sula”, tha Paloka.
Sipas tij “Aranit Arapi, Drejtor i Qarkut të Gjirokastrës, vegla qorre e Ramës, gardiani besnik i plantacioneve dhe hambarit të madh të drogës që shtrihet në gjithë zonën, vecanërisht në vendlindjen e ministrit të brendshëm. Dritan Lenja është proceduar nga shërbimi i kontrollit të brendshëm për shkelje, abuzime dhe lidhje me narkotrafikun. Me lobimin e fuqishëm të Armando Prengës, ai vjen në krye të policisë së Qarkut të Lezhës, deputetit të Edi Ramës që gjakosi qytetarët në derën e komisariatit të Kurbinit. Ndërsa kushëriri i afërt i Tahirit, që ishte drejtor në Lezhë, Alban Cela, shkon me ngritje, drejtor i Policisë së Qarkut Shkodër. Ja pra sesi Edi Rama inkriminon Policinë e Shtetit, sipas nevojave të baronëve të drogës. Ja pse Shqipëria është mbuluar nga droga si kurrë më parë. Ky biznes kriminal po asfikson vendin dhe ekonominë e ndershme, për të pasuruar një grusht njerëzish që ndajnë paratë me Edi Ramën”.
Komentet