VOAL

VOAL

phl-7

October 27, 2014

Komentet

(Video) Eugjen Merlika, nipi i Mustafa Krujës tregon për gjyshin e tij

Eugjen Merlika, nipi i Mustafa Krujës tregon për gjyshin e tij

Sa monotoni Poezi nga Elida Buçpapaj

 

Sa monotoni
mërzi
kotësi
bezdi
neveri

në Tiranë
vetëm flihet
ose
ditë e natë
gogësihet

të lluqur
si zhaba
në lluksin e baltës dhe llucës
të shkelur nën shollën
dhe thundrën
e këpucës

në metropolin
e rrenës dhe përrallës
nën hënën dhe diellin
tallës

ku njerëzia
i djeg ditët pa dhimbje
në thatësirën
e indiferencës tribale
ku as pret as të presin
ku trupin dhe shpirtin
e shesin

ku nuk mendohet
as fantazohet
ku askush
nuk rebelohet
veç kënetohet
dhe i këndohet
shëmtimit

ku edhe zgjuar
flihet
dhe gogësihet
gjymtueshëm
shfytyrueshëm
trishtueshëm

nën orkestrën
monotone
të hiçit
që nuk e lëshon
skeptrin e
diçit

si gramafoni
bajat
që i shkretëron
ditët e jetës

mes gogësimave
të shëmtimit
prej moslëvizjes

nën marshin idiot
të rrumpallave
që e kthyen vendin
në gërmadhë

dhe populli u bë
shurdh-memec
sa keq
ajme, ajme
për dreq

Më 1 maj 1909 lindi poeti i shquar grek Janis Ricos

Janis Ricos (gr. Γιάννης Ρίτσος; Monemvasia, 1 maj 1909 – Athinë, 11 nëntor 1990) ka qenë poet dhe komunist grek, veprimtar aktiv i qëndresës greke gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ndonëse nuk donte të cilësohej si poet politik, është cilësuar “poeti i madh i së majtës greke.”

Biografia

U lind në Monemvasia, në krahinën e Lakonisë në Peloponez, ishte i katërti dhe më i vogli nga fëmijët e një familjeje pronarësh toke. Në moshën tetë-vjeçare nis të pikturojë, të shkruajë poezi dhe të luajë në piano. “Nëntë dritare kish në shtëpinë tonë dhe të gjitha hapeshin nga ana e universit”, do të ndërmendë ai më vonë vitet e fëmijërisë. Por, parajsa fëmijënore nuk vazhdon gjatë. Nga viti 1921, poeti i ardhshëm nis të njohë një mori fatkeqësish: familja rrënohet ekonomikisht, nëna dhe vëllai i madh vdesin para kohe, babai, që vuante nga trazime mendore, shtrohet në një spital psikiatrik. Vetë poeti do të kalojë tre vjet (1927-1930) në sanatorium për t’u kuruar nga tuberkulozi, sëmundje që e shoqëroi gjithë jetën. Këto ngjarje tragjike do të mbeten të pashqitshme nga vepra e tij poetike.

Një prirje vetjake dhe sidomos leximet e ndryshme të kësaj kohe e nxitin Ricosin të bëhet poet dhe revolucionar. Në vitin 1934, ai boton librin e tij të parë Traktori, i frymëzuar kryesisht nga futurizmi i Majakovskit dhe, një vit më vonë, librin Piramidat, dy vepra këto që realizojnë një ekuilibër të brishtë midis besimit tek e ardhmja, që bazohet mbi idealin komunist, dhe dëshpërimit vetjak. Në vitin 1936, poema e gjatë Epitafi shfrytëzon formën e poezisë popullore tradicionale dhe jep, nëpërmjet një gjuhe të thjeshtë, një mesazh prekës vëllazërimi. Muzika e Miki Theodhoraqisit më 1960-n, do ta bëjë këtë poemë ndezësin e revolucionit kulturor në Greqi.

Në vitet 1937–1940, Ricos boton librin Kënga e motrës sime. Me këtë rast, patriarku i letrave greke, Kostis Palamas, i shkruan Ricosit: “… Po mënjanohemi, Poet, që të kalosh.” Librat Simfoni pranverore dhe Marshi i Oqeanit përbëjnë bazën e Simfonisë së Shtatë të Theodhoraqisit, e njohur ndryshe si “Simfonia pranverore”. Te libri Mazurka e vjetër me ritmin e shiut (1942), Ricosi artikulon për të parën herë lidhjen e tij me hapësirën greke – mbartëse e kujtesës historike, që do të lejë gjurmë të pashlyeshme në krejt veprën e tij të ardhme.

Gjatë luftës civile, Ricosi angazhohet në luftën kundër të djathtës fashiste, çka i kushton katër vjet qëndrim nëpër kampe të ndryshëm “riedukimi”: Limnos, Ajos Efstratios, Makronisos. Megjithatë, ai vazhdon në kushte nga më të vështirat, të shkruajë vepra të rëndësishme në këtë kohë, që do të përmblidhen në librin Zgjim. Nga ferri i këtyre kampeve do të shpëtojë përkohësisht duke rigjetur Athinën, falë solidaritetit ndërkombëtar të nxitur prej poetëve dhe artistëve si Eluard, Aragon, Neruda, Picasso-s, etj.

Në vitin 1956, Ricosi boton veprën e madhe të pjekurisë së tij, Sonatë në dritën e hënës, që e vlerëson me Çmimin Kombëtar të Poezisë e, më pas, në vitet 1958 – 1966, vijnë me radhë përmbledhjet Kur vjen i huaji, Plakat dhe deti, Shtëpia e vdekur, ku nis seria e monologëve të gjatë të frymëzuar nga mitologjia dhe tragjedia antike, pastaj Filokteti, pastaj Oresti. Në vitet 1967 – 1971, junta ushtarake e ardhur në pushtet me grusht shteti, e internon përsëri poetin në Jaros dhe Leros e më pas në Samos, çka nuk e pengon ta pasurojë më tej veprën e tij të gjerë dhe ta zgjerojë frymëzimin në antikitetin grek: Persefoni, Agamemnoni, Izmini, Ajaksi, Helena, Kthimi i Ifigjenisë, Fedra janë poemat e shkruara në vitet 1965 – 1975. Përmbledhja madhore Përmasa e katërt do të grupojë të gjitha këto tekste që kanë formën e monologut “teatral” e që janë frymëzuar, siç thamë, prej mitit antik. Heronjtë e këtyre veprave gjenden shpesh para një konflikti ose në zgrip të vdekjes, në çastin kur duhet të bëjnë bilancin e jetës së tyre. Të gjitha këto poema janë një meditim i thellë për pleqërinë, vdekjen, kohën, historinë dhe copëtimin e një ekzistence të kapur midis ekzigjencave vetjake dhe imperativëve kolektivë, për vetminë dhe krizën e lëvizjeve revolucionare. Paralelisht me këtë kulm të krijimtarisë së tij, Ricosi shkruan edhe një numër të madh poezish të shkurtra që pasqyrojnë, në mënyrë therrëse, makthin e zgjuar të popullit të tij, të cilat i mblodhi në vëllimet Muri në pasqyrë, 18 këngë të atdheut të hidhur, Korridor dhe shkallë, Gjeste, letra, etj.

Nga viti 1970, poezia e Ricosit merr formën e sintezave të gjata apo të thyerjeve onirike, ku ëndrra dhe mbirealja ndërfuten pa ndërprerje tek e përditshmja, sidomos me praninë e personazheve të çuditshëm dhe zhvendosjen e vazhduar në kohë dhe hapësirë. Një univers më vete krijohet te librat E ardhme dhe Këngë fitoreje, të cilët këndojnë bukurinë e jetës, teksa Erotiket përbëjnë një himn shndritës për dashurinë në të gjitha dimensionet e saj. Ndërkohë, në vitin 1975, Ricosit i jepet titulli doktor honoris causa i Universitetit të Selanikut, si dhe çmimi Alfred de Vigny i qytetit të Parisit. I diskutuar për çmimin Nobel, ai deklaron se nuk do të mund të pranonte një çmim që dy vjet më parë ia kishin dhënë Henri Kissinger-it. Në 1977, Ricosit i jepet çmimi Lenin për paqe. Me këtë rast, ai udhëton në Moskë në shoqërinë e Aragon-it.

Vitet tetëdhjetë e kthejnë Ricosin te proza. Nëntë libra përmblidhen nën titullin Ikonostas shenjtorësh anonimë, ku mbizotërojnë ngadhënjimet e poetit: liria e metaforave, alternimi i reales me oniriken, gjuha e guximshme, hapja e shqisave mbi një univers erotik ku bashkekzistojnë epokat dhe moshat. Poezitë e librit të tij të fundit Vonë, shumë vonë nëpër natë (1987-1989) janë të mbushura me trishtim dhe ndërgjegjësim për humbjet, por mënyra përvujtnisht poetike me të cilën poeti rimëkëmb jetën dhe botën rreth tij, u ruan atyre një dritë shprese në një hovje të fundme krijimi.

Disa Poezi

  • NJË DIJE E HIDHUR
Qëndron, me krahë të kryqëzuar, në gjysmëhijen mbrojtëse.
Gardiani çalaman i natës s’ka më vend ku të ulet. Karriget
i kanë shitur që para dy javësh. Përjashta, në oborr,
po pastrojnë fuçi të mëdha. Në port lagen
rimorkiatorë të rëndë. Te shtëpia përkarshi,
dëgjohet zëri i spikerit të radios. Nuk dua të dëgjoj.
Mbi tryezë unë mbledh fluturat e djegura të natës, duke ditur vetëm
se gjithë pesha e tyre është tek lehtësia.
  • DISFATË
Gazeta të vjetra hedhur në oborr. Përherë të njëjtat avaze:
vjedhje, krime, luftra. Ç’të lexosh?
Bie një mbrëmje e ndryshkur. Drita të verdha.
Dhe ata, që dikur kishin besuar tek e përjetshmja, janë plakur.
Nga dhoma ngjitur çlirohet avulli i heshtjes. Kërmijtë
i ngjiten murit. Buburrecat koloviten
nëpër kutitë prej hekuri të biskotave.
Dëgjohet zëzëllima e zbrazëtisë. Dhe një dorë e madhe e paformë
i zë gojën e trishtë dhe fisnike Atij
që bëri çmos të shqiptonte fjalën lule.
  • NË SPITAL
Mbrëmje e qetë. Një oxhak, çatitë, vija e kodrës,
një re e vockël. Me sa dashuri
vështron ti qiellin nga dritarja e hapur
sikur të merrje leje prej tij. Edhe qielli të vështron. Në fakt,
ç’ke marrë? Ç’ke dhënë? Tani është tepër vonë të bësh një bilanc.
Fjalën tënde të parë dhe të fundit
e ka thënë dashuria dhe revolucioni.
Gjithë heshtjen tënde e ka thënë poezia. Sa shpejt thahen
trëndafilat! Prandaj dhe ti do ikësh kur të të vijë ora
i shoqëruar nga arushi që rri në këmbë
me një trëndafil të madh artificial në putrat e parme.
  • PAS TROJËS
Fjalët tashmë të mbyllura për bujarinë e yjve.
Fëmijët janë rritur. Të tjerët kanë ikur.
Në dhomëz, një kukull e thyer.
Kali i vogël prej druri i Neoptolemit ka mbetur
në korridorin e errët me pllaka bardh-e-zi. Askush
nuk i hipën më. Sa për atë tjetrin, kalin e madh të zgavërt,
aty strehohen buburrecat dhe merimangat. Ai nuk mashtron
as miq, as armiq. Çarçafët e dikurshëm, në sënduk,
me veshjet e ditës së fundit të karnavaleve, pa naftalinë.
Gjithçka e kanë ngrënë mola. Me çfarë rasti
ai filozof i marrë këlthiti një natë të egër:
“Hirin tim e çova lart në mal”. Pastaj heshti përgjithmonë.
  • POST-SCRIPTUM
Duke u përsëritur e përsëritur, gjërat humbasin kuptim dhe ngjyrë –
gurë, ujëra, dritare, dhe ai burrë me valixhe të shformuar
që pret para doganës teksa sahati i madh
thërret orën tetë dhe anija nuk do të vijë më
ndonëse është dëgjuar sirena. Mbi mol,
ka mbetur vetëm vinçi i kryqëzuar dhe koshat e zbrazët.
Pastaj yjet u ngritën mbi maunat e përgjumura
dhe atje, në sheshin e shkretuar, në këmbë të përmendores për të vdekurit,
katër marinarë vunë trupin e palombarit të mbytur.
  • STATUJAT DHE NE
Statujat gjakftohta s’e vrasin mendjen që roniten;
u presin krahët, këmbët a kokën
dhe ato prap rrinë drejt, në të njëjtin qëndrim,
apo, të shtrira përmbys, buzëqeshin,
apo, me hundën përtokë, na kthejnë shpinën, i kthejnë shpinën kohës
a thua se çiftëzohen, a thua se i dorëzohen
një dashurie të pafund, teksa ne i vëzhgojmë
me një lodhje dhe një brengë të pashpjegueshme. Më vonë
hyjmë në një hotel të lirë, hapim perdet
që të futet drita e mesditës dhe nisim,
të zhveshur krejt edhe ne, të shtrirë në shtratin e parehatshëm,
të imitojmë shtangien e qetë të statujave.
  • IDEM
Shtëpitë dhe pemët janë zbrazur. Zogjtë nuk kanë më
ku të ulen. Gjatë gjithë ditës
parakalojnë tregtarët shëtitës. Me këtë jemi mësuar.
Petka të rreme, stoli të rreme.
Kur bie mbrëmja, ata ikin. Pa shitur asgjë. Megjithatë
në rrugën bregdetare, kur ndizen dritat,
një lukuni e madhe qensh të egër endacakë
zihen akoma për një kockë.
  • KJO “NDOSHTA”
Ndoshta kanë njëfarë vlere
gjërat që kemi lënë pas,
ndoshta shkëlqejnë dymbëdhjetë gotat
mbi tryezën e gostisë zyrtare,
ndoshta do t’i japin një ditë emrin tonë
një fshati, një mali, një rruge.
Ndoshta. Ndoshta. Por ja sesi tani
kjo “ndoshta” në buzët e tua
ka humbur shkëlqimin dhe freskinë.
  • SHPËRNGULJE
Shtëpitë po zbrazen pak nga pak. Fjalët po zbrazen.
Deri dje, kishte dy mollë tek ajo shportë.
Zejtari, në rrugë, mprihte thikat e vjetra. Tani
ti nxjerr dorën nga dritarja
jo për t’i bërë shenjë ndonjë reje apo anijeje
por thjesht për të ndier prekjen e ajrit, dhe në dorë
ti mbart erën e akullt e gërryese të zbrazëtisë.
  • MË KOT
Fytyra të lodhura, duar të lodhura.
Kujtesa e lodhur. Dhe ky shurdhim
i pikëlluar. Ka rënë mbrëmja.
Fëmijët janë rritur. Kanë ikur.
Ti nuk pret përgjigje. Se mos
kishe për çfarë të pyesje! Më kot
je përpjekur kaq vjet të ngjitësh
mbi këtë maskë prej kartoni
një buzëqeshje miratuese. Mbylli sytë.
  • NDRYSHIME
Ata që ikën ishin nga tanët. Na ka marrë malli.
Ata që u kthyen janë krejt të panjohur për ne.
Dikur nuk kishin syze. Tani mbajnë.
Vështirë të thuash që ka sy pas xhamave.
Vetëm nëse ua sheh në befasi teksa flejnë,
kur valixhet e tyre të hapura në korridor
çlirojnë erën e pazakontë të ndërresave të reja,
kur feneri i madh ndizet në rrugë
duke ndriçuar dyert e dyqaneve të mbyllur
dhe kur e pamundura bëhet e mundur sepse ti
nuk ke më asgjë për të blerë a për të shitur.
  • NË NJË ORË SHIU
Balona të vjetra, të grisura, të mbajtura me fije
në pemët e zhveshura dhe telat e telegrafit
kërcasin në erë. Papritmas
ra një rrebesh i rrëmbyer dhe tregtari i ri i katër stinëve
hapi një çadër të madhe e të zezë mbi karrocën e tij
për të mbuluar portokallet. Dhe ky kontrast
midis portokalleve të praruara dhe çadrës së zezë
u bashkua me zhurmën e shiut, duke pasuruar
të errtën e të pashpjegueshmen bukuri të botës.
  • VARKA E ZEZË
Plaku është ulur te pragu. Është natë. Është vetëm.
Në dorë mban një mollë. Të tjerët
e kanë lënë jetën në dorën e yjve.
Ç’tu thuash? Nata është natë.
Nuk dimë as ç’do të vijë më pas. Hëna
bën sikur zbavitet
tek shndrit deri tutje mbi det. Mirëpo,
në mes të kësaj madhështie, dallohet më qartë
varka e zezë me dy rrema dhe varkëtari i zymtë që afrohet.

(Wikipedia)

Kryeministri Kurti përkujtoi me homazhe të vrarët e masakrës në Nabërgjan të Pejës

 

 

Nabërgjan, Pejë, 1 maj 2024

 

Në shënim të 25-vjetorit të masakrës në Nabërgjan të Komunës së Pejës, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bëri homazhe dhe vendosi lule të freskëta, në nderim dhe kujtim të të vrarëve nga forcat armike serbe.

 

“ Kriminelët serbë vranë shumë shqiptarë, mirëpo ata nuk arritën ta shfarosin popullin tonë, gjenocidi  tyre dështoi sepse ne jemi këtu dhe ata ikën”, deklaroi kryeministri Kurti.

 

Në nderim të 17 të vrarëve të datës 1 të muajit maj të masakrës në Nabërgjan, kryeministri Kurti theksoi se nga data 1 deri me 18 maj janë vrarë 31 shqiptarë, duke mos kursyer që nga fëmijët e moshës 13 vjeçe deri tek të moshuarit të moshës 95 vjeçare. Këta civilë të paarmatosur e të pambrojtur, gjendeshin përballë një makinerie ushtarake policore e cila po marshonte me projektin gjenocidal të ideuar, të planifikuar në Beograd nga regjimi i Millosheviqit,për shfarosjen e popullit shqiptar tha Kryeministri.

“Ata u vranë për shkak se ishin shqiptarë dhe donin të jetojnë të lirë në tokën e tyre”, tha kryeministri Kurti.

 

Gjatë homazheve ai vlerësoi edhe të arriturat e shtetit të Kosovës, pasi që Kosova u çlirua, u pavarësua, Kosova po zhvillohet e po përparon. “Buzëqeshja e fëmijëve sot, zhvillimi i Kosovës, përparimi i saj edhe brenda edhe në arenën ndërkombëtare, është për çdo ditë konfirmim i lirisë së Kosovës, i pavarësisë së Republikës, dhe i fitores tonë para 25 vjetëve”, është shprehur kryeministri Kurti.

 

Tutje, ai përmendi edhe faktin që na nevojitet drejtësia sepse për 31 të vrarët në Nabërgjan, nga 1 deri më 18 maj 1999, sot e kësaj dite jo vetëm që nuk ka asnjë të dënuar,  asnjë të gjykuar, por nuk ka asnjë të akuzuar, dhe për këtë fakt, siç u shpreh kryeministri na duhet drejtësia që të jemi të qetë, të jemi në paqe dhe të mbyllen plagët.

 

“Për këtë padrejtësi speciale që iu bë popullit tonë, pas 25 vjetëve ju bëjmë thirrje prokurorisë së shtetit, e në veçanti Prokurorisë Speciale që të akuzojë kriminelët për të cilët ka edhe dëshmi materiale, edhe dëshmitarë të gjallë, dhe dëshmi të intervistave të atyre që ishin dëshmitarë por që pas 25 vjetëve nuk janë më në mesin tonë” tha kryeministri.

 

Në përmbyllje teksa u shprehu ngushëllime familjarëve të të vrarëve mizorisht para 25 viteve, kryeministri tha se martirët dhe dëshmorët nuk janë vetëm të familjeve të tyre,  por janë të historisë tonë kombëtare,  janë të popullit tonë.

 

Në këto homazhe kryeministri Kurti, shoqërohej nga Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Fatmire Mulhaxha Kollçaku dhe Gramoz Agusholli,  si dhe zëvendësministri i Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Taulant Kelmendi.

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:

 

Të dashura familje të dëshmorëve dhe martirëve të kombit,

Të dashur veteranë e invalidë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës,

Të nderuar ministra, ministre e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, dhe ministër I Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi,

I nderuari kryetar i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri,

Të nderuar deputetë të Kuvendit të Republikës, Fatmire Mulhaxha Kollaçku, dhe Gramoz Agusholli,

I nderuari zëvendësministër i Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Taulant Kelmendi,

Zonja dhe zotërinj,

Të nderuar të pranishëm,

Motra dhe vëllezër,

Sa kemi dhembje e pikëllim për ata që nuk janë më në mesin tonë, po ashtu kemi edhe shumë krenari e mburrje që i patëm, që qëndruan dhe që fituan.

Këtu në Nabërgjan të Pejës, me datën 1 maj të vitit 1999-të, pra saktësisht para 25 viteve janë vrarë 17-të civilë të paarmatosur, të pambrojtur. E nga data 1 maj deri me datën 18 maj gjithsej janë vrarë 31 civilë, të të gjitha moshave,  të dy gjinive, nga 13 vjeç deri në 95 vjeç. Ata u vranë për shkak se ishin shqiptarë dhe donin të jetojnë të lirë në tokën e tyre. Ndërkaq, përballë e kishin një makineri ushtarake policore e cila po marshonte me projektin gjenocidal të ideuar, të planifikuar në Beograd, nga regjimi i Millosheviqit për shfarosjen e shqiptarëve.

Kriminelët serbë vranë shumë shqiptarë, mirëpo ata nuk arritën ta shfarosin popullin tonë, gjenocidi  tyre dështoi sepse ne jemi këtu dhe ata ikën. Kosova u çlirua, Kosova u pavarësua, Kosova po zhvillohet e po përparon, ndërkaq kriminelët struken në Serbi, me shpresë që atje regjimi nuk do ndërrohet asnjëherë, sepse qartazi ai po i strehon,  e po i mbron ata.

 

Kosova me aleatët perëndimorë NATO-n, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vendet e Bashkimit Evropian, me demokracitë e globit e fitoi luftën, mirëpo që ta fitojmë plotësisht paqen, përveç se zhvillimin e progresin na nevojitet drejtësia, na nevojitet drejtësia që të jemi të qetë, që të jemi në paqe, që të mbyllen plagët. Për 31 civilët e vrarë në Nabërgjan, nga 1 deri me 18 maj 1999, sot e kësaj dite jo vetëm që nuk ka asnjë të dënuar, jo vetëm që nuk ka asnjë të gjykuar, por nuk ka asnjë të akuzuar.

Qeveria e Republikës së Kosovës duke ngritur kapacitetin edhe të hetimit edhe kushtet e të ardhurat e prokurorëve ka krijuar të gjitha mundësitë që kriminelët qoftë në prezencë qoftë në mungesë, të akuzohen, gjykohen e dënohen. Andaj edhe njëherë, për këtë padrejtësi speciale që ju bë popullit tonë, pas 25 vjetëve iu bëjmë thirrje prokurorisë së shtetit, e në veçanti Prokurorisë Speciale që të akuzojë kriminelët për të cilët ka edhe dëshmi materiale, edhe dëshmitarë të gjallë, dhe gjithashtu edhe  dëshmi të intervistave të atyre që ishin dëshmitarë por që pas 25 vjetëve fatkeqësisht nuk janë më në mesin tonë. E vërteta është në anën tonë, kemi nevojë për drejtësi.

 

Buzëqeshja e fëmijëve sot, zhvillimi i Kosovës, përparimi i saj edhe brenda edhe në arenën ndërkombëtare, është për çdo ditë konfirmim i lirisë së Kosovës, i pavarësisë së Republikës, dhe i fitores tonë para 25 vjetëve. Meqë është data 1 maj, më lejoni të ua uroj të gjithëve ditën e punëtorëve, por meqenëse dje fizikisht u ndamë përfundimisht nga Ali Lajci, i cili pas një sëmundje  të rëndë e të gjatë ndërroi jetë, më lejoni që të gjithëve, secilit e secilës të ju shprehë ngushëllimet e mija të përzemërta për  bacën Ali, për këtë veprimtar  të paepur i cili nuk kurseu asgjë për të mirën e popullit dhe të shtetit tonë, i cili në çdo funksion që pati, qoftë në burg a në liri, qoftë në institucionet qendrore apo këtu në Pejë, dha maksimumin për nga dija e mundësitë, dhe na i la mësimet se si duhet atdheu dhe kombi shqiptar.

 

Ngushëllime të gjithë familjarëve që sot nuk i keni më mesin tuaj më të dashurit tuaj që ua vranë mizorisht para 25 vjetëve. Por në të njëjtën kohë lavdi të gjithë dëshmorëve dhe martirëve tuaj të kombit tonë sepse ndoshta familjet i keni më të vogla tash, por mos harroni që i keni edhe më të mëdha. Sepse martiret dhe dëshmorët nuk janë vetëm të familjeve të juaja por janë të historisë tonë kombëtare janë të popullit tonë dhe që të gjithë ne që nuk jemi në familjet tuaja, në fakt jemi anëtarë të rinj të ripërtërirë të cilëve do të na keni përherë këtu në mënyrë që e kaluara të mos na përsëritet por në të njëjtën kohë të sigurohemi që kjo arrihet nëpërmjet drejtësisë e cila as nuk falë as nuk harron.

 

Ju falemnderit.

(Zyra e Kryeministrit)

 

Kosova pranë anëtarësimit në KiE, Bakoyannis: Asnjë kandidati nuk i janë kërkuar kaq shumë reforma

Hartuesja e raportit pozitiv për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, deputetja greke, Dora Bakoyannis, ka theksuar se asnjë kandidati nuk i janë kërkuar më shumë reforma se Kosovës para diskutimit për anëtarësim në këtë organizatë.

Bakoyannis, ka thënë se “për të ardhur tek opinioni pozitiv, deputetja greke ka thënë se janë dashur 300 ditë, misione në Prishtinë, Mitrovicë të Veriut dhe Bruksel, ekip të specializuar dhe dhjetëra takime me qeveritarë, ambasadorë, bashkiakë serbë, përfaqësues të Kishës Ortodokse Serbe, organizata joqeveritare e organizata ndërkombëtare”.

“Po ashtu raporti ka kërkuar nga autoritetet në Prishtinë që pas 25 vjetësh të rivendosin pronën e manastirit më të rëndësishëm serb në rajon, që të tërhiqnin një projektligj për shpronësimin e pronave serbe dhe të nënshkruanin një listë marrëveshjesh për të drejtat e njeriut, e mbi të gjitha, ta vendosin komunitetin serb nën mbrojtje ndërkombëtare”, ka thënë Bakoyannis në një tekst autorial për “European Western Balkans”.

“Asnjë kandidati nuk i është kërkuar të kryejë kaq shumë reforma para se të sillet për diskutim çështja e pranimit të tij në organizatë. Kjo me gjasë është arsyeja pse 83 për qind e Asamblesë votoi pro raportit”.

Ajo ka shkruar për lidhjet e saj “speciale” me popullin serb. Duke mbrojtur raportin e vet me Serbinë, Bakoyannis ka thënë se raporti i saj pozitiv për anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës i është kushtuar “vetëm të drejtave të njeriut dhe nevojës për t’i sjellë dy milionë evropian nën ombrellën demokratike të KiE-së”.

“Kjo e fundit ka rëndësi të veçantë për komunitetin serb në rajon, që për dekada, i ishte hequr e drejta për të ndjekur penalisht autoritetet e Prishtinës për shkelje të të drejtave të njeriut, para një gjykate të njohur ndërkombëtarisht”, ka shkruar ajo.

Deputetja greke Bakoyannis ka përsëritur se në raport nuk ka dhënë qëndrim për shtetësinë e Kosovës duke thënë se po t’i kërkohej të shprehte mendim për shtetësinë, s’do ta kishte marrë përsipër përpilimin e raportit, pasi vjen nga Greqia që nuk e njeh Kosovën. Pavarësisht se çështja e shtetësisë së Kosovës nuk është çështje e raportit për pranimin e Kosovës, Bakoyannis thotë se është sulmuar nga lidershipi serb.

Bakoyannis ka komentuar edhe deklaratën e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, për negocimin e korrigjimit të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë, më 2018.

“Pavarësisht faktit se negocimi i kufijve presupozon ekzistencën e dy shteteve (nëse jo, me kë po negocion?), për çka unë e kundërshtoj, e kam konsideruar këtë akt trimërie nga presidenti Vuçiq dhe jo akt tradhtie. Pragmatizmi është burim i paktë, por kritik në politikë dhe liderët që kanë arritur ndonjëherë promovimin e interesave të shteteve të tyre janë ata që nuk hezitojnë të dalin kundër instinkteve bazë të imagjinatës kombëtare”, ka shkruar Bakoyannis.

Raporti pozitiv i Bakoyannisit për pranimin e Kosovës në Këshill të Evropës pati marrë shumicën e votave në Asamblenë Parlamentare në prill. Tani pritet që për dy javë të mbahet votimi final në Komitetin e Ministrave, ku nevojiten 2/3 e votave për t’u pranuar si anëtare e plotë. /Telegrafi/

Petrit Halilaj sjell “Abetaren” në Muzeun Metropolitan të Nju Jorkut

Artisti Petrit Halilaj gjatë intervistës për Zërin e Amerikës, në hapje të ekspozitës së tij “Abetare” në tarracë të Muzeut Metropolitan në Nju Jork

VOA/Garentina Kraja

Këtë javë, artisti i mirënjohur nga Kosova, Petrit Halilaj hapi në njërin ndër institucionet më prestigjioze të artit në botë, në Muzeun Metropolitan të Nju Jorkut, një instalacion të artit bashkëkohor, të quajtur “Abetare.” Halilaj, krijimet e të cilit janë një gërshetim i përvojave personale me kujtesën kolektive të të jetuarit dhe mbijetuarit gjatë luftës në Kosovë, i tha Zërit të Amerikës se vepra e tij, në qiellin e Nju Jorkut, është një thirrje për një botë ku brezat e ardhshëm do të jenë të lirë të ëndërrojnë.

Lule, shtëpi, zemra, yje. KFOR-i, Messi.

Një merimangë e frikshme.

Këto janë disa nga copëzat e një fëmijërie, të gdhendura në një moment të caktuar kohor, në bankat shkollore, ku fëmijët mësuan shkronjat e para, krijuan shoqëritë e para, por, që për brezin e Petrit Halilajt, në Kosovën e përfshirë nga flaka e luftës në vitin 1998, u shndërruan në hi. Një pjesë e vogël arritën të mbijetojnë.

Sot këtë koleksion kujtimesh personale, këto simbole të ngrira të një kohe tronditjesh të mëdha, të gjurmuara në bankat e hedhura të shkollës së vjetër “Shote Galica” në fshatin Runik në Kosovë, Halilaj i shndërroi në skulptura gjigande metali për t’i vendosur këtë javë në hapësirën e tarracës së Muzeut Metropolitan të Nju Jorkut, me emrin “Abetare.”

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, në hapje të ekspozitës, Halilaj tha se shkarravitjet dhe gdhendjet, që janë pikënisja e kësaj vepre, i ndeshi gjatë një vizite të rastit shkollës së tij të vjetër, të vetmes që i kishte mbijetuar luftës së forcave serbe në këtë fshat të Drenicës, që, bashkë me inventarin po rrënohej për t’i bërë vend, në Kosovën e pasluftës, një shkolle te re.

“Instinkti i parë që pata ishte t’i shpëtoja bankat. Në to kishte vizatime të gjeneratave e gjeneratave të ndryshme, nga 30-40 vjetët e fundit, ndoshta edhe prej viteve para se të lindja unë. Gjenerata të cilat përmes vizatimeve, simboleve, shkrimeve, shkronjave, alfabetit, të viteve të ndryshme – të viteve ‘90 gjatë okupimit, të viteve ’98-’99 gjatë luftës, simbole të pasluftës, simbole të shpresës dhe ndoshta të kohës pas çlirimit, ku ndihej entuziazmi edhe realiteti lokal i lidhur me Runikun, Kosovën, si edhe me krejt botën përmes këtyre vizatimeve,” thotë Halilaj.

“Abetarja”, që shndërron gdhendjet, shkrimet dhe gërvishtjet, ndonjëherë më të vogla se 1 centimetër, të nxënësve në bankat shkollore, në skulptura gjigande tredimensionale të vendosura në tarracën e muzeut, është pjesë e një udhëtimi më të zgjeruar nëpër rajon, që provon t’i lidhë përvojat universale me traumat intime dhe nevojën për t’u përballur dhe për të imagjinuar një të ardhme ndryshe. Sipas Halilajt, këto banka nga vitet ’70 dhe fëmijët që uleshin në to, përjetuan shkatërrimin e Jugosllavisë, të gjitha konfliktet e viteve të 90, ndarjet, dhe luftërat. Të gjitha këto gjurmë, thotë ai, të gjitha ato breza fëmijësh, po frymonin bashkë në këto banka.

“Këto vizatime janë nga Prizreni, nga shkolla të komunitetit turk, rom nga Obiliqi, nga shtetet e ndryshme si Shqipëria, si Maqedonia, Mali i Zi, por edhe shtetet si Serbia, ose shtete të tjera, të cilat jo domosdo sjellin kujtimet dhe eksperienca të cilat ne i kishim dëshiruar. Më duket që këto vizatime, që vijnë nga këto shtete të Ballkanit, sjellin një ëndërr që nuk është utopike për një të ardhme ku të gjithë kemi vendin dhe mundësinë për ta krijuar një bisedë të re në aspektin kulturor dhe në të gjitha aspektet tjera,” thotë Halilaj për Zërin e Amerikës.

Halilaj thotë se ekspozitën ua dedikon të gjithë fëmijëve që po kalojnë nëpër periudha të errëta dhe se është i lumtur që ka jetësuar në këtë vepër vizatimet e fëmijëve nga vende të ndryshme në skulptura, të cilave për të qëndruar mbi horizontin e Nju Jorkut, siç thotë si, ju duhet që fizikisht të jenë të mbështetura tek njëra-tjetra.

Për drejtorin e Muzeut Metropolitan, Max Hollein, instalacioni i Halilajt, i cili po bën bujë në shtypin amerikan, është i jashtëzakonshëm. Ai i tha Zërit të Amerikës se vepra e Halilajt është një sukses i madh për këtë institucion.

“Instalacioni i Petrit Halilajt në këtë tarracë është një arritje e madhe në historinë e Muzeut Metropolitan dhe historinë e angazhimit të tij me artin bashkëkohor. Ajo që Petriti bëri këtu është të transformojë tarracën në një vend të kujtesës, të festës, të të rimenduarit të historisë dhe festimit të saj në një mënyrë shumë emocionuese. Ky vend është njëri prej vendeve më të dashura për banorët e Nju Jorkut, është pjesa më e famshme e muzeut dhe jemi të lumtur që Petriti e transformoi në këtë mënyrë,” thotë drejtori Hollein.

Në tarracën e Muzeut, Halilaj po jetëson një ëndërr personale dhe po projekton një ëndërr tjetër kolektive, duke nxitur të tjerët pas tij të sfidojnë, të shkruajnë, të tregojnë dhe ritregojnë historinë, për të cilën ai thotë se në Ballkan është e vështirë dhe e ashpër.

“Është ëndërr t’i shohësh vizatimet e Runikut dhe vizatimet e fëmijëve në banka shkollore, që këtu takohen me vizatime të fëmijëve prej shumë shteteve të rajonit dhe krijojnë një bisedë të re, ku njëra e mbanë tjetrën, për të qëndruar si skulptura, dhe njëra e mbanë tjetrën për të treguar histori të reja, të cilat nga aspekti politik ndoshta janë shumë më të vështira, por nga aspekti i fëmijëve që vizatojnë e kanë një humanitet brenda tyre që më sjellin shumë shpresë për një të ardhme mes shteteve të rajonit,” thotë ai.

Ekspozita “Abetare” do të jetë e hapur në Muzeun Metropolitan të Nju Jorkut deri më 27 tetor.

Zëvendëskryeministri Bislimi u takua me Sekretarin e Shtetit të Departamentit Federal për Punë të Jashtme të Zvicrës (EDA), Alexandre Fasel

Bernë, 1 maj 2024

 

Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, u takua ditën e djeshme gjatë qëndrimit në Zvicër me Sekretarin e Shtetit të Departamentit Federal për Punë të Jashtme të Zvicrës (EDA), Alexandre Fasel.

 

Në këtë takim, zëvendëskryeministri Bislimi theksoi perspektivën evropiane të vendit tonë, objektivat e synimet e rrugëtimit në proceset e integrimit evropian dhe zhvillimin e progresin e vendit tonë. U nënvizua se përmes programit tonë qeveritar dhe politikave të ndërmarra, kemi dëshmuar përkushtimin e fuqishëm për qeverisje demokratike dhe bërë hapa të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik, për rritje ekonomike të qëndrueshme, me shpërndarje të drejtë e të barabartë tek të gjithë qytetarët.

 

Më tej, u diskutua dhe rreth anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës. Zëvendëskryeministri Bislimi theksoi vlerat demokratike të shtetit tonë dhe synimin e përafrimit me bashkësinë evropiane, ku një hap i rëndësishëm është dhe anëtarësimi në këtë organizatë.

 

Në mesin e temave të trajtuara ishin dhe situata në vend dhe rajon si dhe procesi i dialogut. Zëvendëskryeministri Bislimi e falënderoi z. Fasel për mikpritjen, bisedën e çmuar dhe pikëpamjet e shkëmbyera, duke theksuar dhe rëndësinë e vazhdimit të fuqizimit të marrëdhënieve mes dy shteteve tona.

Jep dorëheqjen drejtori i rëndësishëm i Erion Veliajt, pritet arrestimi nga SPAK-u?!

Një nga drejtorët më të rëndësishëm të Veliajt, Elton Kacidhja, mësohet se ka dhënë dorëheqjen ditën e sotme në mënyrë të parevokueshme.

Elton Kacidhja është një nga drejtorët kryesorë të Bashkisë së Tiranës.

Ai u përfol disa ditë më parë për dorëheqjen e tij, të cilën e ka mohuar, por CNA ka mësuar nga burime zyrtare se Kacidhja e ka dhënë sot dorëheqjen.

Ujësjellësi i Tiranës ka qenë një nga institucionet më të përfolura dhe të akuzuara që shkojnë deri te dhënia e tenderëve me vlerë miliona euro për kompanitë e lidhura me inceneratorët.

Gjithashtu në Ujësjellësin e Tiranës mediat kohë më parë raportuan dhe punësime gazetarësh dhe shpesh ka qenë një institucion i akuzuar si një vend punësimi nepotik, i përdorur nga kryebashkiaku i Tiranës. sn

Blushi: Drejtësia për të ndjerin Ardit Gjoklaj është detyrim ndaj çdo të riu shqiptar që sot punon për t’u arsimuar

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirsë, Tedi Blushi ka reaguar në ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve.

Blushi është shprehur se në Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve nderojmë kujtimin e paharruar të të miturit, Ardit Gjoklaj, i cili humbi jetën 8 vite më parë në landfillin e Sharrës ku ishte punësuar për të fituar të ardhura për të siguruar librat e shkollës, pa rënduar familjen që mbahej vetëm me rrogën e kryefamiljarit.

Postimi:

Sot në Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve nderojmë kujtimin e paharruar të të miturit, Ardit Gjoklaj, i cili humbi jetën 8 vite më parë në landfillin e Sharrës ku ishte punësuar për të fituar të ardhura për të siguruar librat e shkollës, pa rënduar familjen që mbahej vetëm me rrogën e kryefamiljarit.

Ëndrrat e tij u prenë në mes nga babëzia dhe korrupsioni i pronarit faktik të inceneratorit të Tiranës dhe kryetari i organizatës kriminale 5D, Erion Veliaj.

Drejtësia për të ndjerin Ardit Gjoklaj është detyrim ndaj çdo të riu shqiptar që sot punon për t’u arsimuar.

Gjaku i tij është thirrje për të mos harruar se korrupsioni i Erion Veliaj të vret!

Gjaku i tij nuk falet dhe as mund të amnistohet nga “Drejtësia me Regji”!

Ne nuk do ta harrojmë kurrë Arditin dhe do të bëjmë gjithçka që Erion Veliaj të marrë ndëshkimin e merituar për këtë krim!

DYFAQËSI ETIKE- Nga ANTONIO POLITO- Përktheu Eugjen Merlika

 

Afrimi i 25 prillit do të rindezë krahasimet ndërmjet Lirimit tonë e atij të të tjerëve. Është e parashikueshme që në manifestimet do të ridëgjohet thirrja “Palestina e lirë”, e do të hymnizohet “qëndresa” e atij popilli. Por po aq e sigurtë është se të njëjtin interes nuk do të shkaktojë qëndresa e ukrainasve. Simbas një paradoksi të eksperimentuar mirë në debatin tonë publik: pikërisht ata që janë më shumë të zotuar për të kundërshtuar pushtuesin izraelian, janë më të prirurit për të kuptuar arsyet e pushtuesit rus. Megjithëse Gaza nuk ishte e pushtuar para se të shpërthente lufta, ndërsa Donbasi ishte dhe është. Kjo vëngëri etike e politike është interesante edhe në motivimet e saj. Pardje ishte një dëgjuese e radios tepër e zemëruar me qeverinë ukrainase: “Atë që e gjej të palejueshëm – thonte – është përçmimi i skajshëm i jetës njerëzore nga ana e atij që dërgon dy ushtarë të luftojnë kundër dymijëve”. Zakonisht mbajmë anën e më të dobtit. Ndërsa në rastin e Rusisë, fuqia ushtarake dhe demografike e së cilës e quajtur e tepruar, është që në fillim një arsye shumë e mirë që ajo t’a fitojë luftën. Pra:zemërohemi në emër të shënjtërisë së jetës me ata dy që qëndrojnë, por jo me dymijët që përpiqen t’i vrasin.
Duke lënë mënjanë faktin që në histori shpesh herë më i trashi i ka marrë goditjet (Rusia cariste, rul ngjeshës i Evropës, qe për shëmbull fuqia e parë që u mund nga një Vend aziatik, Japonia e vogël, më 1905). Por ai që bën më shumë përshtypje është arsyetimi që mohon në rrënjë të drejtën e qëndresës së më të dobtit, që është i ligjëruar pikërisht nga dobësia e tij numerike e ushtarake e atij që pëson një padrejtësi e një paudhësi. Nuk e di nëse përkrahësit e kësaj teze a e kuptojnë se arrijnë deri në mohimin e shëmbëllesave të heroizmit si ajo e treqind spartanëve, që në Termopile mbrojtën lirinë e grekëve përballë fuqisë së pakufishme ushtarake persiane; ose atë të vietkongëve që në shtegun Ho Shi Min më së fundi mundën gjigandin amerikan; madje edhe qëndresën e hindianëve t’Amerikës, që më mirë se sa të përfundonin të internuar në një vend, parapëlqyen të përballeshin në një fushë beteje.
Shkurt: nëse më i dobti nuk ka të drejtë të mbrohet, duhet rishkruar e gjithë historia e njerëzimit. Nga ana tjetër, jam i sigurtë se e njëjta dëgjuese nuk do të kishte përdorur kurrë të njëjtin argument për të dënuar veprimet e partizanëve italianë ndërmjet 1943 e 1945, madje duke përsëritur padinë e vjetër të të bërit përgjegjës, me luftën e tyre, të shpagimeve të llahtarëshme nazifashiste të Marzabottos e të Sant’Anna të Stacemës. Nga ana tjetër ata që mendojnë si ajo sigurisht nuk i kërkojnë Hamasit të pushojë luftën për të shmangur plojën e mijra civilëve palestinezë. Madje dhe Hamasi, duke ngritur të famshmin flamur të bardhë, do të kishte fuqinë t’i jepte fund luftës, duke mos pranuar të përballonte një kundërshtar qartësisht më të fuqishëm për aftësi ushtarake e teknologjike. Megjithatë përgjegjësia e Hamasit, ploja e izraelianëve e 7 tetorit, nuk mund të krahasohet as së largëti me çfarëdo “casus belli” të përdorur nga Moska ndaj Kievit për të ligjëruar mësymjen.
Pikërisht ndeshtrasha e luftës arabo-izraeliane, e filluar 76 vite më parë, do të duhej të na mësonte se paqja nuk është një fitore ushtarake, se nuk mjafton një bashkëngjitje territori ose dorzimi i armikut për t’a siguruar. Më 1948, kur OKB-ja vendosi lindjen e dy Shteteve në Palestinë, më të dobtit ishin hebrejtë, pak qindra mijra të rrethuar nga një det miljona arabësh në Egjypt, Jordani, Siri, Liban, Irak; të cilët bënë gabimin të mos pranimit të planit të ndarjes, të bindur se do të mbizotëronin me forcën, duke hapur kështu një nga luftërat sot më larg çdo shprese të paqes. Në të njëjtën mënyrë, nëse nesër në mëngjes një qeveri ukrainase do të vendoste t’i dorëzohej Putinit, nuk do të ishte fundi i luftës, por fillimi i një lufte të re, të zvarritur e të pafund, ndoshta edhe një stine terrorizmi ndërkombëtar; pikërisht ashtu siç ndodhi në Lidjen e Mesme, kur palestinezët e Arafatit e përqafuan atë si armë qëndrese.
Rusët duhet t’a dinë mirë, mbas përvojës së Afganistanit: e mësyen edhe atë Vend, por u detyruan të tërhiqeshin mbas dhjetë vitesh, duke lënë të hapur plagën e skajshmërisë islamike nga e cila mbiu sulmi i Bin Ladenit Amerikës, përgjigja e Bushit të ri, lufta e Irakut, pafundësia e vatrave të luftës dhe atentateve që ende sot gjakosin botën.
“Nuk ka paqë pa drejtësi”. E ka thënë edhe Gjon Pali i II, duke shtuar: “Nuk ka drejtësi pa falje”. Kush përgatitet të ndyejë kujtimin luftës sonë të Lirimit për të përligjur shtypjen e të tjerëve, ose për të bërë dy pesha e dy masa simbas mësyesve, le të kujtojë këto fjalë më 25 prill.
“Corriere della Sera”, 15 prill 2024 Përktheu Eugjen Merlika

PUTINI, FILOZOFI NAZIST DHE PROTESTAT E “LEJUARA”- Nga PAOLO VALENTINO- Përktheu Eugjen Merlika

 

Ivan Ilin është njëri ndër filozofët e parapëlqyer të Vladimir Putinit, të cilin e citon shpesh e me dëshirë. Por Ilini, i vdekur më 1954, ka qënë edhe një adhurues i bindur i Hitlerit, përpkrahës i nazizmit dhe i quajtur si teoricieni i “fashizmit rus”.
Prandaj studentët e Universitetit Shtetëror për studimet humaniste ngritën krye përballë vendimit të Rektoratit për të titulluar me të Shkollën e re eprore të Politikës, duke emëruar si drejtor një tjetër figurë të diskutueshme, mendimtarin tejet kombëtarist Alexandër Dugin. Në një thirrje zyrtare, të nënëshkruar nga 5 mijë veta, studentët i kërkojnë ministrisë së Shkencës e Prokurorisë federale të ndryshojnë emrin e Shkollës, mbasi”qëndra e kërkimeve të njërit ndër universitetet kryesorë të Vendit që ka thyer nazifashizmin, nuk mund të mbajë emrin e një mbështetësi t’atyre ideve”. Një deputet i Dumës, Vladimir Isakov, ka kërkuar një hulumtim mbi vendimin, sepse po të kishte qenë gjallë Ilini, do të ishte në dhunimin e ligjit rus që ndalon riabilitimin e nazizmit.
Gjëja më kureshtare është se, në përgjigje të një pyetjeje, zëdhënësi i Putinit, Dmitri Peshkov, paska thënë se Kremlini “nuk parapëlqen të jetë i ngatërruar në këtë diskutim”. Nga të dyja njëra: o Putini lejon që sistemi të ketë ndonjëherë ndonjë valvul shpërthimi, ose nuk i bën përshtypje të vetëkundërshtohet, duke paditur ukrainasit se janë të gjithë fashistë e ndërkaq merr frymëzim nga një filozof nazist. Janë sjelljet tipike të Carëve, fundi i të cilëve filloi pikërisht nga Universitetet.

“Corriere della Sera”, 23 prill 2024 Përktheu Eugjen Merlika

30 VJETORI I UNIVERSITETIT “ISMAIL QEMALI”, VLORË- Nga MSc. Albert HABAZAJ

 

Për herë të parë bëhet përurimi i Universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë në Panairin III Mbarëkombëtar të Botimeve Akademike dhe Shkencore në sallën “Aleks Buda” të Akademisë së Shkencave Tiranë

Përgjegjës i Bibliotekës Shkencore, Universiteti “Ismail Qemali” Vlorë dhe koordinator institucional i Panairit

1. Shkurtesë
Viti 2024 është viti i festimeve të 30 vjetorit të çeljes së Universitetit “Ismail Qemali” Vlorë, që do të kulmojnë me festën jubilare më 3-4 Tetor 2024. Përgatitjet kanë filluar me kohë me ngritjen e Komisionit të Festës në rektorat, ku marrin pjesë pedagogë të njohur nga të katër fakultetet, si dhe staf nga administrate: prof.dr. Bardhosh Gaçe, prof.as.dr. Frosina Londo, prof.as. dr. Kristofor Lapa, Msc. Albert Habazaj, Rezarta Sinanaliaj Harikla Beduli, Roksana Novak, Gentjana Belulaj, Marieta Mërkuri dhe Eloina Tozaj, e cila është edhe kryetare e këtij komisioni, që ka hartuar programin e punës, ka ndarë detyrat për secilin anëtar dhe të gjithë si grup dhe ka nisur punën me takime me titullarët dhe pedagogët e vjetër për t’u marrë kujtimet e tyre, si dhe për grumbullimin e materialeve, fotove, videove e dokumenteve origjinale, (dorëshkrime, vendime, urdhëra etj.) që kanë të bëjnë me fillimin e Udhëtimit Universitar të Vlorës ismailqemaliste, krijimin e një minimuzeu, arkivit historik, botimit të një almanaku, broshure të vogël, librit të Universitetit, filmit dokumentar, Akademi nderimi etj. Ka filluar e ndihet atmosfera e festës, e cila shfaqet në entusiazmin dhe përgjegjësinë e pedagogëve dhe stafit në departamente, laboratore, biblioteka e deri në auditoret e studentëve.
2. Fjalëza si historik
Universiteti “Ismail Qemali” Vlorë u hap në 10 Tetor 1994 me Vendim të Këshillit të Ministrave, nr. 105, datë 28.02.1994. Fillimisht mësimi filloi si Universiteti Teknologjik i Vlorës “Ismail Qemali”, me tri fakultete: Fakulteti i Tregëtisë, Fakulteti i Inxhinierisë Detare dhe Fakulteti i Infermierisë.
Përzgjedhja e këtyre fakulteteve u bë mbi bazën e traditës që tashmë ekzistonte në Vlorë për disa nga këto disiplina. Në 8 Nëntor 1924 në Vlorë u hap Shkolla e Mesme Tregtare, një ndër shkollat më të mira të vendit në atë kohë. Gjatë viteve 1970-1980, u hap filiali i Universitetit të Tiranës për degën e Ekonomikut, Shkolla e Lartë e Marinës, si dhe Shkolla e Mesme Mjekësore, të cilat në shumë vështrime shërbyen si bazë për ngritjen e fakulteteve të Universitetit të Vlorës.
Për organizimin e gjithë punës përgatitore të ngritjes së Universitetit u ngrit një grup pune i krijuar nga Dr. Sezai Bazaj, i cili me hapjen e Universitetit u emërua Rektor i këtij institucioni të ri. Në vitin 1998, Rektor u emërua Dr. Bilal Shkurtaj (sot Prof. Dr.), i cili u zgjodh nga Senati për dy mandate. Në zgjedhjet e vitit 2008, Prof. Dr. Tanush Shaska u zgjodh Rektor i Universitetit të Vlorës, i cili kontribuoi deri në vitin 2010. Në vitin 2010, Prof. Dr. Albert Qarri u zgjodh Rektor i Universitetit të Vlorës. Në vitin 2016 u zgjodh Rektor i Universitetit të Vlorës, Prof. Dr. Roland Zisi, i cili vazhdon të jetë në detyrë edhe sot, deri në përfundimin e mandatit të dytë.
Në ditët e sotme studentët vijojnë studimet në 15 departamente, të cilët janë në strukturën e organigramës së 4 fakulteteve: Fakultetit të Shëndetit, atij të Ekonomisë, të Shkencave Humane dhe Drejtësisë, si dhe Fakultetit të Shkencave Teknike dhe Natyrore.
Gjatë periudhës 30-vjeçare të ekzistencës së vet, Universiteti “Ismail Qemali” i Vlorës ka bërë përpjekje serioze e të vazhdueshme për rritjen e nivelit të mësimdhënies dhe të veprimtarisë kërkimore shkencore. Universiteti filloi punë në dy godina që u rikonstruktuan (sot Godina e Rektoratit dhe Godina B) me 162 studentë në të katër degët e tij dhe vetëm 10 pedagogë me kohë të plotë. Aktualisht në Universitetin e Vlorës janë 4154 studentë. Deri tani janë diplomuar rreth 12 mijë studentë në të tre nivelet e studimit. Gjithashtu në Fakultetin e Shkencave Hmane funksionon Doktorata “Studime Gjuhësore, Letrare dhe Kulturore”/ Doktoratë “Language, Literaty and Cultural Studies”.
Në këtë 30 vjetor, studentët tanë janë të pajisur me Kartën e Studentit, e cila do të sjellë përfitime të shumëfishta për studentët e Universitetit të Vlorës, ndërkohë që ata marrin një shërbim arsimor universitar cilësor dhe bashkëkohor.
Sikurse të gjithë IAL publike shqiptare, edhe ne synojmë modernizimin e universitetit tonë, përmes politikave me impakt të drejtpërdrejtë në institucion, me mbështetje financiare, nëpërmjet agjencive të ndryshme jo vetëm të MAS. Festa dhe e nesërmja e studentëve tanë kërkon nga drejtuesit dhe personeli akademik i UV, një angazhim më cilësor dhe më bashkëkohor të njësive dhe stafeve të tyre, në fushën e projekteve kërkimore-shkencore të cilat duhet të finalizohen me produkte shkencore të prekshme dhe me impakt të drejtëperdrejtë në zhvillimet ekonomiko-shoqërore të rajonit, në lidhjen e procesit mësimor, kërkimit dhe publikimit me ekonominë turistike të qytetit të Vlorës, sepse vetëm përmes kësaj metodologjie bashkëkohore universitare, UV do të jetë në sinkron me zhvillimet universitare, kulturore dhe sociale, jo vetëm të rajonit por edhe me ato të rrafshit kombëtar e ndërkombëtar.
Studentët tanë në UV studiojnë në fusha e programe të ndryshme si: Ekonomik, Inxhinieri, Juridik, Infermieri, Pedagogji të Specializuar, Shkenca Kompjuterike, Informatikë, Gjuhë të Huaja, Gjuhë dhe Letërsi Shqipe, Mësuesi, Matematikë – Fizikë etj. Në total UV ofron 2 diploma tekniko-profesionale, 30 programe studimi Bachelor, 37 Programe studimi Master (Shkencor dhe profesional) si dhe një program doktorature. Në UV ofrohen edhe programe studimi: “Master Profesional” në “Udhërrëfim dhe Komunikim Turistik”, program studimi: Formim i vazhduar në fushën Psiko-Pedagogjike, programin e riorganizuar të Ciklit të Dytë në “Mësuesi për Arsimin fillor” dhe programi double degree në fushën e Turizmit në bashkëpunim me Universitetin “Aldo Moro”, Bari Itali. Gjithashtu aplikohen edhe dy programe të reja double degree: Bachelor në “Gjuhësi të Aplikuar në Fushën e Turizmit”, në partneritet me Universitetin e Salentos, Lecce, Itali dhe programi “Inxhinieri mekanike”, në bashkëpunim me Universitetin Politeknik, Bari, Itali.
Universiteti “Ismail Qemali” Vlorë është zgjedhja e duhur për studentët, sepse ai është i akrediturar dy herë nga Agjencia e Sigurimit të Cilësisësë Arsimit të Lartë në Shqipëri dhe Bordi i Akreditimit, Gjithashtu, të gjithë programet e ciklit të parë Bachelor janë të akredituara dhe në proces akreditimi (drejt finalizimit) ndodhen programet e ciklit të dytë Master Profesional e Shkencor. Kjo ju jep mundësinë fëmijëve tanë që të vijojnë serizishtë studimet në një Institucion si UV, ku diploma ka vlerë dhe njihet ndërkombëtarisht.
Përmes marrëveshjeve të shumta që UV ka nënshkruar me Universitete partnere në gjithë Europën, studentët mund të zhvillojnë pjesë të studimeve (semestrale) në një prej këtyre institucioneve dhe kostoja e studimeve nuk do rëndojë mbi buxhetet familjare, por do të mbulohet nga programi Erasmus+. UV ka disa vlerësime ndërkombëtare në fushën “Mobility of students and openess”. UV është vlerësuar si “Praktikë e mirë” për implementimin e ICM, prej Zyrës Kombëtare Erasmus+ në Shqipëri si dhe prej universiteteve të vendeve të programit si Universiteti i Padovës, Universiteti i Pireut etj.
UV ka një staf akademik e administrativ të kualifikuar dhe me përvoja pune ndërkombëtare
3. Përurimi i Universitetit
Përurimi i Universitetit “Ismail Qemali” Vlorë u realizua me sukses, duke respektuar ekonominë e fjalës dhe kohës sipas programit. Kjo ngjarje e rëndësishme akademike – shkencore u zhvillua në mjediset kryesore që ka Akademia e Shkencave në sallën “Aleks Buda” më 24 prill 2024, nga ora 15:00 – 16:00. Prania e Kryetarit të Akademisë Akad. Prof. Skënder Gjinushi, e Nënkryetarit të Akademisë, njëkohësisht Kryetar i Komisionit të Panairit III Mbarëkombëtar të Botimeve Akademike dhe Shkencore Akad. Prof. Vasil Sofokli Tole, e Rektorit të Universitetit Ismail Qemali Vlorë prof. dr. Roland Zisi, prof. dr. Bardhosh Gaçe, e prof. Teuta Toska, prof. Rovena Vata Mikeli, i kolegëve Petro Luarasi , Pandeli Kosta Elton Brakaj etj. qe lartësi për ravijëzimin nga Universiteti “Ismail Qemali” Vlorë në Akademinë e Shkencave. Mirënjohje Departamenti i Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë – UV! Faleminderit prof.as.dr. Monika Hasani (shefe e Departamentit), pedagogëve të nderuar dr. Ermir Xhindi, dr. Artan Xhaferaj, prof.as.dr. Gladiola Elezi, prof. as. dr. Edlira Duro Cerkezi, dr. Edlira Dhima, dr. Deniz Cupi Xhoga, si dhe dr. Asllan Vrapi, Msc. Ana Çano etj.! Patjetër prania e pedagoges së Departamentit, dr. Bello Vilma, sot Zëvendës Ministre e Turizmit e hijeshon Panairin e Vlorës në Tiranë. Ndërkohë, kujtojmë, se është hera e parë që në mjediset e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë bëhet Universitetit “Ismail Qemali” Vlorë. Njihet dhe dihet roli i individit në shoqëri. Në rastin konkret, roli i pedagogut, studiuesit dhe Rektorit të Universitetit tonë prof. Landit nuk ka nevojë për koment, por për falënderim institucional dhe motivim. Gjithmonë qofsh me faqe të bardhë UNIVLORA!
Festimet e 30 vjetorit të lindjes, i dashur universiteti im i nise me një veprimtari të rëndësishme të nivelit akademik dhe shkencor, duke u përfaqësuar denjësisht në botën akademike mbarëkombëtare.
Është nder dhe përgjegjësi për Universitetin “Ismail Qemali” Vlorë që merr pjesë në Panairin e 3-të mbarëkombëtar të librit akademik dhe shkencor, që zhvillohet në mjediset e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Tiranë, 23-25 prill 2024, organizuar nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës me bashkëpunimin e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit.
Është vlerësim dhe fatmbarësi që Universiteti ynë përurohet ditën e dytë sipas programit të Panairit të 3-të mbarëkombëtar të librit akademik dhe shkencor këtu në sallën “Aleks Buda” në këtë ngjarje të rëndësishme për botën akademike dhe universitare për shqiptarët e Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi e kudo nëpër botë, ku ata ndezin dritë kombëtare.
Është krenari dhe motivim që në përurimin e Vlorës në Tiranë tregojnë interesim dhe marrin pjesë akademikë, profesorë, pegagogë, autorë, studiues, bibliografë, katalogues, specialistë dhe kolegë përgjegjës të bibliotekave!
Si koordinator institucional i Universiteti “Ismail Qemali” Vlorë shpreh mirënjohjen për Akademinë e Shkencave e Shqipërisë, për kryetarin e saj akad. Skënder Gjinushi, nënkryetarin Vaso Tole, i cili është drejtues i kësaj ngjarje të madhe akademike dhe shkencore, për sekretaren teknike Albana Bogdani, dhe veçanërisht për dr. Bruna Prifti, me të cilën kemi pasur një komunikim shumë korrekt dhe dashamirës gjatë gjithë ditëve parapërgatitore për mbarëvajtjen e panairit.
Ne, si universitet, kemi marrë pjesë dhe në Panairin I, Tiranë, 22-24 prill 2022, me një paraqitje modeste; ndërsa sivjet, krahas 36 institucioneve kërkimore dhe IAL, ku përfshihen institucione të arsimit të lartë publikë, jo publikë dhe privato-publikë, institute dhe qendra shkencore publike, Shqipëri, në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut, ente botuese jopublike etj., vijmë me botime të ndryshme, si monografi shkencore të pedagogëve dhe stafit, në funksion të edukimit universitar të studentëve dhe në dobi të punës akademike, kërkimit shkencor dhe zhvillimit institucional. Gjithashtu në këtë panair vijmë me buletine shkencore, përmbledhje konferencash, seminare apo edhe botime monografike të studentëve tanë në përfundim të programit të studimit të masterit, që, për ata të cilët kanë synime për të nesërmen e tyre, janë sprova serioze e inkurajuese në fushën e kërkimit shkencor, aq më tepër që është hera e parë që Universiteti “Ismail Qemali” i Vlorës përurohet në Tiranë, në Akademinë e Shkencave. Njihet nga dialektika roli i individit në shoqëri në hapësirë dhe në kohë, kështu ndodh sot me universitetin tonë dhe rektorin e tij
Ne, si universitet, me Akademinë jemi fatlumë për dy arsye: së pari, sekretarin e Akademisë ne e kemi pedagog në Departamentin e Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë dhe gëzon statusin “Personel Akademik i ftuar” dhe, siç do ta vëreni, Akad. prof. Shaban Sinani ka të regjistruar 23 njësi bibliografike në “Bibliografinë e Universitetit “Ismail Qemali” Vlorë, pjesa II; së dyti vërtet monografia shkencore “Studime ndërdisiplinare në albanologji” është juaja, se është botim i ASHSH, por autori është yni, sepse e kemi pedagogun tonë dhe Rektor të Universitetit.
Sipas kalendarit, Universiteti “Ismail Qemali” Vlorës ka dy përurime:
• Studime ndërdisiplinore në albanologji – Prof. dr. Roland Zisi;
• Bibliografia e Universitetit Ismail Qemali, Vlorë. Pjesa II, (2006-2023), përgatitur nga bibliografi Albert Habazaj.
Në panel: Prof.dr.Roland Zisi, Akad. Vaso Tole, Msc. Albert Habazaj;
Drejton: Albert Habazaj
Paraqesin botimet: Prof. Teuta Toska, akad. Vasil S. Tole, Dr. Ermir Xhindi, prof. dr. Bardhosh Gaçe (akad. Shaban Sinani i planifikuar, për arsye detyre nuk mundi të mirrte pjesë me kumtesën e tij), Msc. Albert Habazaj, Petro S. Luarasi;
– Falënderon autori i librit “Studime ndërdisiplinore në albanologji” prof. dr. Roland Zisi
4. “Studime ndërdisiplinare në albanologji” i autorit Roland Zisi, një botim i ri i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë
– Autori i librit “Studime ndërdisiplinare në albanologji”, botim i Akademisë së Shkencave, Tiranë, 2024 është prof. Roland Zisi, pedagog dhe studiues i njohur i letërsisë shqipe, Rektor i Universitetit “Ismail Qemali” Vlorë, i cili edhe pse është në epilog të detyrës, ka po atë përgjegjësi, vizion e ndershmëri profesionale, sikurse në epilogun e datës 27 maj 2016, 8 vjet më parë, kur fitoi postin e lartë të drejtuesit të universitetit të Vlorës.
– Libri përmban 17 studime, kryesisht në fushën e studimeve letrare, me karakter historiografik – interpretues, disa prej tyre me karakter krahasues. Përparësi kanë studimet për autorë shqiptarë, por zënë vend edhe shkrimtarë të njohur joshqiptarë, përveç Albert Camu-s, një grupim i shkrimtarëve frëngjishtshkrues, autorë magrebin, si Tahar Ben Jelloun, Yasmina Khadra, Kamel Daoud, Boaulem Sansal, Salim Bachi,  etj, të shqipëruar nga Prof. Nonda Varfi
– Paraqesin interes disa çështje specifike të hermeneutikës, që lidhen me letërsinë shqipe, sidomos me tre shekujt e parë të saj, si bilinguizmi (prania e një gjuhe të dytë “sigurie kanonike”, autopërkthimet etj.). Në këtë kontekst profili i kolegut të tij Nonda Varfi në pjesën e veprimtarisë si përkthyes është “i privilegjuar” me dy artikuj.
– Autori synon ta lexojë letërsinë shqipe “nga majat”, dhe këtu çmohen studimet për Naim Frashërin dhe “utopinë e tij atdhetare – romantike”; Dritëro Agolli me “utopinë tjetër”, ideologjike; Ismail Kadare me simbolikën e shenjave perandorake në veprën letrare të “ciklit oriental”.
– Lidhjet mbiadriatike të letërsisë shqipe, kontaktet pararilindëse të arbëreshëve me tokën e të parëve, misionarët basilianë si zhvillim ekumenik kulturor dhe fetar, janë disa prej interesimeve parësore të autorit.
Bashkëpërkimet ndërballkanike në letërsi e kulturë trajtohen jo si afërì rastësore, por si rregullsi të krijuara nga fqinjësia e gjatë dhe empatia.
– Duket në këtë libër përvoja e gjatë e autorit si studiues i letërsisë romantike të shekullit XIX dhe i dy periudhave të mëvonshme. Risi në këto studime është qasja antropologjike ndaj letërsisë, leximi i saj me kodet e metodës së antropologjisë kulturore, sidomos në trajtesat e letrësisë frankofone magrebine dhe shqipëruesit të saj Nonda Varfi. Autori Zisi, përveç punës shkencore të mirëfilltë dhe të vëmendshme, ka një virtyt të lartë human: Mirënjohjen, saqë ai guxon e bën edhe një sprovë bibliografike me listimin e v epërës së shqipëruesit, pedagogut dhe studiuesit të njohur Nonda Varfi.
– Libri u shërben programeve të mësimdhënies universitare dhe bashkësisë së studiuesve të letërsisë.
5. Bibliografia e Universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë, pjesa II në Panairin III Mbarëkombëtar të Librit Akademik dhe Shkencor, 23-25 prill 2024)
Bibliografia e Universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë, pjesa II
Paraqitje/ Shkurtore
BIBLIOGRAFIA e Universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë Tekste mësimore universitare dhe monografi shkencore të pedagogëve të Universitetit “Ismail Qemali” Vlorë Pjesa II (për periudhën 2006-2023) ka këtë staf realizues: përgatiti: MSc. Albert Habazaj; redaktorë: prof.dr. Bardhosh Gaçe, prof.dr. Roland Zisi; autor i parathënies (tekstit shtesë) prof. asoc. Enkelejd Mëhilli; konsulentë: prof. dr. Albert Qarri, prof. as. dr. Armela Panajoti, prof. as. dr. Aurela Dai Saliaj, prof. as. dr. Hajdar Kiçaj, prof. as. dr. Frosina Londo; koordinator shkencor: MA. Mirlona Buzo; përpunimi kompjuterik/ d-COBISS: MSc. Altin Mahilaj; © Universiteti “Ismail Qemali”: Vlorë, Triptik, Botim i parë, 2023, ISBN 978-9928-379-8-25
Ky dokument është një përmbledhje e klasifikimit dhe përshkrimit shkencor e sistematik të informacionit nga botimet e ndryshme (libra të pedagogëve dhe studiuesve tanë) ku përfshihen të gjitha fushat e dijes (përveç fesë, teologjisë), është fryt i një pune të gjatë, sistematike, të vëmendshme dhe serioze, një punim shkencor unikal për Universitetin “Ismail Qemali” Vlorë; ndërkohë dhe ndihmesa ime e thjeshtë në fushën e Bibliotekonomisë, falë vullnetit, përgjegjësisë dhe dashurisë profesionale, që vjen si vijim i pjesës I “Bibliografia. Botime të pedagogëve të Universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë (1994-2006).
Ndryshe nga e para, kjo bibliografi është e integruar në Sistemin dhe Shërbimet e Përbashkëta Bibliografike Online (COBISS), sipas Standardeve Ndërkombëtare të Përshkrimit Bibliografik, si edhe në Sistemin Informues për Veprimtarinë Kërkimore në Shqipëri.
Në këtë dokument përfshihen 179 tituj (njësi bibliografike), nga të cilët 62 monografi shkencore dhe 117 tekste mësimore.
Ndihem mirë për këtë realizim të mundimshëm, por, ndërkohë, me synime, dëshirë e mundësi për të bërë edhe Bibliografinë e artikujve shkencorë, botuar në Buletinet shkencore: Universiteti “Ismail Qemali” Vlorë nga nr. 1 (2002- ) e në vijim ( – 2024), si dhe disertacionet për gradën shkencore “Doktor i Shkencave” të pedagogëve të Universitetit tonë.
***
Bibliografia “Tekste mësimore universitare dhe monografi shkencore të pedagogëve të Universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë, Pjesa II (për periudhën 2006- 2023) botohet në bazë Vendimit Nr. 31, datë 13.12.2022 të Rektoratit të Universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë, nr. 31, datë 13.12.2022, me Nr. 1974/4 prot. dhe në mbështetje të Vendimit Nr. 3, datë 24.01.2023 me Nr. 140/3 prot. “Bibliotekat sigurojnë akces në informacion dhe në ide pavarësisht nga mjedisi dhe pa njohur kufij. Ato shërbejnë si porta drejt dijes, mendimit dhe kulturës, duke ofruar mbështetje për vendimarrje të pavarur, zhvillim kulturor, studim dhe të mësuarit gjatë gjithë jetës për individë dhe grupe” (shih: Rezoluta e IFLA-s për bibliotekat, shërbimet informuese dhe lirinë intelektuale, Glasgoë, 2002). Bibliografia e teksteve mësimore universitare, monografive shkencore, monografive të tjera dhe vepra të tjera të përfunduara të pedagogëve të Universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë, pjesa II (2006- 2023) është vijim i pjesës I “Bibliografia. Botime të pedagogëve të Universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë (1994-2006). Ndryshe nga e para, kjo bibliografi është e integruar në Sistemin dhe Shërbimet e Përbashkëta Bibliografike Online (COBISS), sipas Standardeve Ndërkombëtare të Përshkrimit Bibliografik, si edhe në Sistemin Informues për Veprimtarinë Kërkimore në Shqipëri (E-cris.AL). Në këtë Bibliografi, përveç njësive bibliografike – libra të pedagogëve të UV, janë përfshirë dhe punimet shkencore të figurave të njohura të shkencës shqiptare, si prof. Dritan Spahiu, Llukan Puka, Shaban Sinani, Sulo Hadëri, Sherif Bundo, Beshir Ciceri, Ilir Mandro, Agron Xhagolli etj. që, në në Universitetin “Ismail Qemali”, Vlorë kanë pasur apo gëzojnë statusin “Personel Akademik i ftuar”. Në fund të çdo njësie bibliografike, ndodhet ID përkatëse që e identifikon secilën njësi në këtë sistem. Formati i përzgjedhur i njësisë bibliografike: ISO 690. Klasifikimi i njësive bibliografike: tipologjia, viti, titulli Burimi i regjistrimeve bibliografike: Baza lokale e të dhënave me akronimin UVL dhe baza e përbashkët e të dhënave COBISS.AL/ COBIB.AL Universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë – Bibliografia e Universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë: tekste mësimore universitare, monografi shkencore, monografi të tjera dhe vepra të tjera të përfunduara të pedagogëve: pjesa II (2006-2023)

6. Bibliografia – një punim shkencor unikal për Universitetin “Ismail Qemali”, Vlorë
(parathënia e bibliografisë)

Prof. Asoc. Enkelejd MËHILLI
Zv. Rektor për Kërkimin Shkencor dhe Zhvillimin Institucional Universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë

Bibliografia “Tekste mësimore universitare dhe monografi shkencore të pedagogëve të Universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë, Pjesa II (për periudhën 2006- 2023), përgatitur nga bibliografi Albert Habazaj, përgjegjës i Bibliotekës Shkencore “Nermin Vlora Falaschi”, Universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë është një tekst i veçantë, unikal për intitucionin tonë të lartë arsimor. Ky tekst është një shërbestari modeste në fushën e dijes së bibliotekonomisë, ku hartuesi, duke respektuar parimet, kriteret dhe metodat e përshkrimit dhe klasifikimit bibliografik ka bërë me korrektesë profesionale klasifikimin dhe përshkrimin shkencor e sistematik të botimeve libra për t’ua bërë të njohura të tjerëve. Kjo Bibliografi është një punë e vlefshme, së pari për ndërkombëtarizimin e punimeve shkencore të koleksionit libra të pedagogëve të Universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë. Ky dokument përmban të gjitha tekstet mësimore dhe monografitë e publikuar nga pedagogët e UV për periudhën 2006-2021 [2023]. Në këtë dokument përfshihen 179 tituj (njësi bibliografike) nga të cilët 62 monografi dhe 117 tekste mësimore. Paralelisht ato prezantohen sipas metodës sistematike në rendin alfabetik (autor, titull), duke hartuar një bibliografi të plotë të formatuar sipas të gjitha rregullave dhe teknikave profesionale të kërkuara, përshkruar me saktësi dhe plotësisht, bazuar në Standardet Ndërkombëtare të Përshkrimit Bibliografik, integruar në Sistemin dhe Shërbimet e Përbashkta Bibliografike Online (COBISS). Bibliografia Tekste mësimore universitare dhe monografi shkencore të pedagogëve të Universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë, Pjesa II (për periudhën 2006- 2021[2023]) është një punë e gjatë, sistematike dhe serioze e MSc. Albert Habazaj, specialist i fushës, realizuar me metodologjinë e zgjedhur prej tij: shfrytëzimi i informacionit bibliografik ekzistues të skedarëve të Bibliotekës shkencore të universitetit dhe të fakulteteve, shqyrtimi një për një i të gjithë titujve të grumbulluar për të regjistruar njësitë bibliografike dhe lidhjen e tyre profesionale, logjike e shkencore për realizimin e Bibliografisë ose librit të librave, duke iu përgjigjur kërkesave bashkëkohore të përshkrimit bibliografik me standardin e lartë të informacionit ndërkombëtarisht të përputhshëm. Kjo bibliografi me tekste mësimore universitare dhe monografi shkencore të pedagogëve të Universitetit është vijim i tekstit “Bibliografia: Botime të pedagogëve të Universitetit “Ismail Qemali” Vlorë (1994-2006)” dhe vjen si një ndihmesë e domosdoshme e kohës për Strategjinë e Kërkimit Shkencor të Universitetit “Ismail Qemali” Vlorë.

ASHSH;Tiranë, e mërkurë, 24.04.2024; 15:00