VOAL

VOAL

phl-7

October 27, 2014

Komentet

Studentët e Mjekësisë paralajmërojnë sërish qeverinë: Nëse vazhdoni të na injoroni, do ta merrni përgjigjen!

Studentët e mjekësisë që u ngritën kundër ligjit të qeverisë për mbajtjen peng të diplomave të tyre në përfundim të studimeve, kanë ngritur sërish zërin kundër projektligjit që ka përgatitur Ministria e Arsimit, një vit pas atyre protestave.

Ata nuk bien dakord me ndryshimet e bëra në ligjin e punës së detyruar në Shqipëri pas diplomimit pa u konsultuar me ta dhe e palajmëruan mazhorancën qeverisëse që do të vazhdojnë të ndjekin jo vetëm rrugën ligjore, por do t’i kthehen protestave që bënë jehonë edhe përtej vendit një vit më parë.

“U informuam nëpërmjet mediave në lidhje me një projektligj të draftuar nga Ministria e Arsimit për ndryshimin e ligjit nr. 60/2023, – thanë studentët sot. –  Shprehim keqardhjen dhe indinjatën në lidhje me faktin që pavarësisht përpjekjeve tona, u injoruam për të dytën herë radhazi në procesin e hartimit të projektligjit.

Duke pasur parasysh shkeljen e afatit të lënë prej Gjykatës Kushtetuese dhe mosplotësimin e boshllëkut ligjor në lidhje me kriteret për punësim, jemi duke u konsultuar me ekipin ligjor për të ndërmarrë gjithë hapat e nevojshme gjyqësore dhe kushtetuese. Çdo përpjekje për të na injoruar në vazhdim, do të marrë përgjigjjen tonë në çdo formë, ashtu si një vit më parë. sn

Gazetarët protestë para Kuvendit, Bardhi: Dënojmë sulmet ndaj medias! Raste që turpërojnë të gjithë politikën

Kreu i grupit parlamentar të PD, në fjalën e tij në lidhje me protestën e organizuar nga gazetarët në hyrje të Kuvendit në lidhje me sulmet ndaj mediave, tha se këto raste turpërojnë të gjithë politikën, jo vetëm ata që i kryen.

“I dënojmë sulmet ndaj medias. Liria e shtypit është një nga shtyllat e demokracisë. Gazetarët e terrenit kanë vështirësitë tuaja ashtu si media ka qenë pre e autoritarizmit të Ramës. Janë raste që turpërojnë jo vetëm ata që e kanë kryer por të gjithë politikën.

Në emër të grupit të PD keni mbështetjen e plotë tonën për të bërë punën tuaj”, tha ai.

Më parë për gazetarin Osman Stafa foli edhe deputeti Toni Gogu.

“Vetëm ju mos t’ju cënojnë pa dashje. (qesh)”, tha deputeti i PS-së, Toni Gogu para gazetarëve.bw

Brenda 1 viti 30 raste sulmesh ndaj mediave dhe punonjësve të saj, gazetarët protestë para Kuvendit: Politika të reflektojë!

Gazetarë të terrenit janë mbledhur sot para hyrjes së Kuvendit, ku po protestojnë për të drejtat e tyre. Me pankarta në duar, me mesazhe të ndryshme, gazetarët që përcjellin çdo ditë lajmin e fundit, të vërtetën te publiku, punonjësit e medias kanë protestuar sot, një ditë para 3 majit, Dita Ndërkombëtare e Lirisë së Shtypit. Kjo për faktin se sot ka seancë plenare dhe për të sjellë më mirë mesazhet te politika. Vetëm këtë vit janë raportuar rreth 30 raste të sulmeve ndaj gazetarëve dhe mediave. “Keni mbështetjen tonë. Unë dënoj çdo lloj sulmi.

Vetëm ju mos t’ju cenojnë pa dashje. (qesh)”, tha deputeti i PS-së, Toni Gogu para gazetarëve.

“Gazetarëve iu janë dërguar mesazhe kërcënuese. Nga Politikanë apo personazhe të tjera. Janë identifikuar gjatë këtij viti 30 sulme ndaj gazetarëve dhe mediave. Sot dita e sotme duhet të jetë alarm për ne gazetarët dhe çdo politikan të zgjedhur”, tha gazetari Isa Myzyraj duke bërë thirrje që politika duhet të reflektojë.

 

(BalkanWeb)

Kurti: Kemi përmbushur të gjitha kërkesat e BE-së për heqjen e masave kufizuese

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se shteti ka përmbushur të gjitha kërkesat e Bashkimit Evropian për heqjen e masave kufizuese që blloku ka vendosur ndaj Kosovës.

Komisioni Evropian kishte vendosur masa ndëshkuese ndaj Kosovës një vit më parë për shkak të përshkallëzimit të situatës së sigurisë në veri të shtetit.

Kurti tha se javën e kaluar BE-ja miratoi Planin e Rritjes ekonomike – në vlerë prej 6 miliardë eurosh – për Ballkanin Perëndimor, i cili një ndër synimet ka edhe përshpejtimin e anëtarësimit të rajonit në bllok.

“Masa që janë në fuqi ndaj Kosovës bien ndesh me përpjekjet e rajonit për integrim të përshpejtuar në BE, sidomos edhe në Planin e Rritjes dhe qëllimin e tij. Në anën tjetër po vazhdojmë me përpjekjet tona që të hapim më tepër mundësi në kuadër të dialogut të reformave me BE-në. Në këtë kontekst, kemi përmbushur të gjitha kërkesat e BE-së për heqjen masave kufizuese dhe këto masa duhet të largohen”, tha Kurti gjatë mbledhjes së Këshillit ministror për integrim evropian më 2 maj.

Masat e vendosura nga BE-ja ndaj Kosovës përfshinin: suspendimin e përkohshëm të grupeve punuese për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, mosftesën e Kosovës në takime të nivelit të lartë dhe suspendimn e vizitave bilaterale.

Gjithashtu, u suspendua edhe programimi i fondeve për Kosovën, të cilat ishin paraparë të dorëzoheshin përmes Kornizës së Investimeve në Ballkanin Perëndimor dhe IPA 2024 (Intrumentet e Para-Anëtarësimit).

Pas masave ndëshkuese, Kosova mbeti jashtë granteve që BE-ja miratoi në korrik të vitit të kaluar, në vlerë prej 2.1 miliardë eurosh.

Në fund të prillit, disa burime diplomatike në BE i thanë Radios Evropa e Lirë se shumica e shteteve dërguese të bllokut janë në favor të heqjes të të gjitha masave ndaj Kosovës, ndërsa një numër më i vogël i shteteve do që heqja e tyre të bëhet në mënyrë graduale.

Kundër heqjes së masave, sipas këtyre burimeve, nuk është shprehur asnjë vend anëtar i BE-së.

Gjatë mbledhjes së Këshillit ministror, Kurti foli edhe për aspiratat e Kosovës që të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian.

Ai tha se Prishtina është e gatshme që të marrë statusin e vendit kandidat dhe të hapë negociatat për anëtarësim në bllok.

“Besojmë që anëtarësimi në BE duhet të jetë i bazuar në meritokraci. Si demokracia më e avancuar në rajon ne jemi të gatshëm t’iu përgjigjemi mijëra pyetjeve teknike që vijnë nga Komisioni Evropian. Krahasuar me rajonin, Kosova është jo vetëm e gatshme për statusin kandidat, por edhe për të hapur negociatat dhe kapitujt e shumtë drejtë anëtarësimit. Anëtarësimi në Bashkimin Evropian është zgjedhje strategjike. Ne kemi bërë zgjedhje, andaj Agjenda e Reformave Evropiane në Qeverinë tonë, që nga fillimi i mandatit, është trajtuar me shumë seriozitet”, ka deklaruar Kurti.

Më 15 dhjetor 2022, Kosova ka aplikuar për anëtarësim në BE. Kosova është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor që nuk ka statusin e vendit kandidat për anëtarësim në bllok.REL

Zvicër: Inflacioni rritet sërish: +1.4%

Inflacioni u rrit më shumë se sa pritej në prill

Në një lajm të Agjencisë Telegrafike Zvicerane (ATS), transmetuar nga RSI, bëhet e ditur se progresi i shënuar në rritjen në prill është më i madh se çdo parashikim pasi marsi arriti nivelin më të ulët që nga viti 2021. Mallrat më të shtrenjta përfshijnë karburantin dhe fluturimet

VOAL- Inflacioni, sipas ATS, transmetuar nga RSI, po rritet sërish në Zvicër dhe po e bën këtë në një masë më të madhe se sa pritej: në prill rritja e çmimeve në baza vjetore ishte 1.4%, krahasuar me 1.0% në mars, kur arriti nivelin më të ulët që nga viti 2021. Sipas të dhënave të publikuara të enjten nga Zyra Federale e Statistikave Bundesamt für Statistik (BFS), indeksi i çmimeve të konsumit qëndroi në 107.4 pikë në muajin e katërt të vitit. Rritja e prillit shkon përtej të gjitha parashikimeve.

Në nivel mujor, çmimet u rritën me 0.3% (edhe në këtë rast më shumë se parashikimet, të cilat ishin midis +0.1% dhe +0.2%), ndërsa në muajin mars rritja në përqindje ishte e barabartë me zero.

Sipas BFS, rritja e indeksit krahasuar me muajin paraardhës i atribuohet faktorëve të ndryshëm, përfshirë rritjen e çmimeve të udhëtimeve ndërkombëtare dhe transportit ajror. Edhe benzina dhe mobiljet janë shtrenjtuar. Nga ana tjetër, tarifat në sektorin e hotelerisë dhe parahoteleve, si dhe tarifat e gazit janë më të lira.

“Civilët janë shumë më mirë të armatosur se policia”, dështon fushata për çarmatosjen e Serbisë

Pas fushatës së çarmatimit në Serbi, numri i armëve legale u zvogëlua me 190.000 copë. Por në qarkullim kanë mbetur edhe shumë armë të tjera ilegale.

“Ne të gjithë e dimë se të gjithë kemi armë, por askush nuk do t’jua pranojë këtë”, thotë për DW Ivan M.* (38) nga Novi Sadi. Familja e tij nuk dëshiron të flasë se çfarë lloj arme posedon.

Ivona R.* (40), një grua nga Novi Sadi, gjithashtu pranon se ka një armë që e ka trashëguar nga babai i saj i ndjerë. Edhe Goran P.* (59), nga një qytet i vogël në Vojvodina, ka pasur një armë, siç thotë ai, pothuajse gjithë jetën. Ata të gjithë bëjnë jetë të qetë. Siguria e tyre nuk është në rrezik. Por posedimi i armëve në Serbi nuk është rezultat i një kërcënimi real të sigurisë, është një çështje e traditës.

“Vlerësohet se civilët tanë janë shumë më mirë të armatosur se policia,” tha për DW ekspertja e sigurisë Branislava Kostiq, që shihet në dasmat tona, festimet dhe të ngjashme.

Këtë e vërtetojnë vlerësimet e projektit hulumtues zviceran “Small Arms Survey” nga viti 2018, sipas të cilit, Serbiaështë e treta në botë për sa i përket armatimit civil – pak pas Jemenit dhe SHBA-së me mbi 39 armë të lehta për çdo njëqind banorë, që është tre herë e gjysmë më shumë se të dhënat zyrtare të shtetit.

Me bombë në treg
Mirëpo, kur në majin e kaluar ndodhën dy vrasje masive, ku mbetën të vrarë 17 persona dhe u plagosën 21 të tjerë, u duk se për një moment ndryshoi disponimi ndaj armëve. Shteti miratoi një sërë masash që shpallnin çarmatimin në shkallë të gjerë të Serbisë.

Një aksion dy mujor gjatë të cilit qytetarët u ftuan të dorëzojnë armët pa pasoja dhe pa përgjegjësi penale, ka rezultuar në dorëzimin e 82.398 armëve të zjarrit, 4.243.139 copë municion dhe 26.485 mjete shpërthyese. Ministria deklaroi se ishte aksioni më i suksesshëm i kryer ndonjëherë.

“Ajo që nuk ishte mirë, ishte mënyra se si janë sjellë ato armë, sepse kemi informacione se njerëzit kanë bartur bomba në transportin publik. Duhej organizuar në një mënyrë më të sigurt, që ekspertët të merrnin armët”, shpjegon për DW, Marina Kostiq Shulejiq nga Shoqata Profesionale e Sektorit të Sigurisë.

Gjatë fushatës, qytetarët paraqitën një sërë situatash absurde në rrjetet sociale, duke treguar se si mbanin pistoleta në çantat e tyre, më pas rrugës për në punë apo pasi bënin pazar në treg, ndaloheshin në polici për të lënë armët. Ata dëshmuan gjithashtu se kanë pritur në radhë para sportelit të policisë për një orë e gjysmë së bashku me shtetas të tjerë të “armatosur”.

“Problemi i dytë është se ato armë nuk ruhen në mënyrë të sigurtë pasi janë pranuar në stacionet e policisë”, shton Branislava Kostiq për armët që nuk janë përditësuar, të renditura, të regjistruara.

Polici vodhi 272 pistoleta

Një nga shembujt e neglizhencës është rasti i një polici nga Nishi, i cili vodhi 272 pistoleta të cilat ishin dorëzuar në stacion gjatë operacionit. Siç shkruan mediat vendase, informacionet fillestare ishin se mungonin 63 pistoleta, ndaj për shkak të të dhënave të dobëta, ka pasur një proces të gjatë tenderimi se sa pistoleta janë vjedhur në të vërtetë.

Abuzimet janë të mundshme, sepse aksioni është kryer papritur dhe pa procedura të hollësishme se çfarë të bëhet me armët e grumbulluara, beson Marina Kostiq Shulejiq. Prandaj shoqata e saj i bën thirrje MPB-së: “Nuk kemi informacione nëse ato armatime janë shkatërruar apo janë ruajtur diku apo ndoshta janë shitur dhe shpërndarë diku tjetër. Ne thjesht nuk e dimë se çfarë ndodhi me kaq shumë armë të mbledhura”.

Nuk ia vlen

Bashkëbiseduesit tanë nuk ia dorëzuan armët policisë, por për këtë arsye policia iu foli në procesin e rishikimit të lejeve për mbajtjen e armëve. Goran P.* thotë se përvojat e tij me policinë kanë qenë shumë të këndshme.

“Ata erdhën, shpjeguan gjithçka bukur dhe më doli që do të duhej të paguaja rreth 200 euro për ta mbajtur armën”, thotë Gorani. “Prandaj ua kam dorëzuar armën dhe do ta blej lehtësisht një tjetër ilegalisht”. Çfarë rëndësie ka”.

Ekspertet femra me të cilat biseduam nuk habiten nga një qëndrim i tillë. Branislava Kostiq thotë se përllogaritjet janë se numri i rasteve të tilla mund të shkojë deri në 80.000, sepse njerëzit nuk duan të paguajnë taksa, por duan të kenë armë.

Rezultatet e masave të qeverisë, të cilat tregojnë se nga 766.665 armë të regjistruara menjëherë pas vrasjes, ky numër ka rënë në 575.695 sot, pra mund të jenë vetëm maja e ajsbergut, sepse të gjitha argumentet e tjera mbështesin tezën se numri i armëve pa leje po rritet në të njëjtën kohë.

“Ne shohim edhe rritjen e numrit të armëve në rrugë, që do të thotë se ka më shumë të tilla në tregun ilegal”, thotë Kostiq Shuleji. Shumë armë po shkojnë në Ukrainë, kështu që mund të ndodhë që disa nga këto armë të kthehen prapë ilegalisht.”

Nuk ka ulje të dhunës në një shoqëri

Megjithatë, disa nga masat e shpallura nga qeveria pas vrasjeve masive nuk janë zbatuar. Hulumtimi i Qendrës së Beogradit për Politikë të Sigurisë (BCBP) tregon se shteti ka hequr dorë nga shtrëngimi i kushteve për marrjen e armëve, si dhe nga futja e një kontrolli të detyrueshëm gjashtëmujor shëndetësor për personat e armatosur, pasi këto dy masa do të kërkojnë një ndryshim në Ligjin për Armë dhe Municion. Nga ana tjetër, ashpërsimi i paralajmëruar i dënimeve për armëmbajtje pa leje dhe futja e një vepre penale që do të dënonte këdo që lejon fëmijët të posedojnë armë, do të kërkonte ndryshime në Kodin Penal.

Pra, a ka lëvizur ndonjë gjë nga pozicioni fillestar? “Për pyetjen kulturore, evropiane nëse luftërat, por edhe këto vuajtje e tmerre që ndodhën, na kanë mësuar se sa probleme lidhen me armëmbajtjen, përgjigja është: Jo, sigurisht që jo. Grumbullimi i armëve tregoi se armët më së shpeshti i kthenin të moshuarit, jo të rinjtë, sepse kishin frikë për fëmijët dhe nipërit e tyre. Megjithatë, të rinjtë nuk kishin nevojë të kthenin armët”, thotë Branislava Kostiq.

Ministria e Punëve të Brendshme nuk është përgjigjur për pyetjen, nëse të dhënat statistikore tregojnë ulje të dhunës në shoqëri. Edhe një rishikim sipërfaqësor i faqeve të para të mediave tregon se dhuna e bashkëmoshatarëve nuk ndalet, se shkalla e lartë e femicideve vazhdon të regjistrohet, se kronika e zezë është përplot.

“Nuk mund të zgjidhet një formë e dhunës, derisa nuk zgjidhet problemi i një shoqërie që mbijeton me dhunë”, vlerëson Branislava Kostiq, “Njerëzit tashmë janë mësuar me faktin se kushdo që ka pushtet ka mundësi të shkelë të gjitha të drejtat tuaja. një nga karakteristikat e një shoqërie të dhunës. Padyshim që ne po bëhemi shoqëri e dhunës me shumë karakteristika, e një nga ato është se me kalimin e kohës njerëzit e pranojnë dhunën si normale”, përfundon Kostiq. dw

Dërgohet në OKB propozimi final për rezolutën për Srebrenicën

Selia e OKB-së në Nju Jork. Fotografi nga arkivi.

 

Propozimi final për rezolutën për Srebrenicën i është dërguar presidentit të Asamblesë së Përgjithshme të Kombe të Bashkuara, Dennis Francis, dhe të gjitha misioneve të përhershme në OKB.

Njoftimi u bë nga ambasadori i Bosnje e Hercegovinës në OKB, Zllatko Lagumxhija.

“Pas disa rundesh të konsultimeve gjithëpërfshirëse, propozimi final për rezolutën për ‘Ditën Ndërkombëtare të Reflektimit dhe Kujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë më 1995’, i hartuar nga një grup shtetesh, i është dërguar presidentit të Asamblesë së Përgjithshme dhe të gjitha misioneve të përhershme në OKB”, shkroi ai në X, që më herët njihej si Twitter.

Ditëve të fundit, konsultime joformale janë mbajtur në selinë e OKB-së në Nju Jork për draft-rezolutën që synon të shpallë 11 korrikun si Ditë Ndërkombëtare të Kujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë.

Siç ishte njoftuar paraprakisht në ueb-faqen e OKB-së, në konsultimet për draft-rezolutën morën pjesë misionet e përhershme të Gjermanisë dhe Ruandës, së bashku me misionet e Shqipërisë, Bosnje e Hercegovinës, Kilit, Finlandës, Francës, Irlandës, Italisë, Jordanisë, Holandës, Lihtenshtajnit, Malajzisë, Zelandës së Re, Sllovenisë, Turqisë dhe Shteteve të Bashkuara.

Ndërkaq, më 30 prill, Këshilli i Sigurimit i OKB-së mbajti një seancë për Bosnje e Hercegovinën me kërkesë të Rusisë. Seanca u mbajt me arsyetimin për të diskutuar situatën e sigurisë dhe rreziqet e cenimit të Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit. Rusia kërkoi mbajtjen e seancës pas letrës së Zhellka Cijanoviqit, anëtares serbe të Presidencës së Bosnjës që i dërgoi Këshillit të Sigurimit.

Seanca u mbajt në kohën kur Serbia dhe politikanët nga entiteti i Republikës Sërpska në Bosnje, dhe aleatja e tyre, Rusia, po lobojnë kundër miratimit të rezolutës për gjencodin në Srebrenicë në OKB. Votimi i kësaj rezolute në Asamblenë e Përgjithshme gjatë majit.

Kur Këshilli i Sigurimit i OKB-së vendosi të miratonte një rezolutë për gjenocidin në Srebrenicë nëntë vjet më parë, Rusia vendosi veto dhe miratimi dështoi. Kësaj radhe, rezoluta do të hidhet në votim në Asamblenë e Përgjithshme, ku nuk ka të drejtë të vetos.

Pavarësisht vendimeve të gjykatave ndërkombëtare, Beogradi dhe autoritetet në Republikën Sërpska mohojnë se në korrik të vitit 1995 në Srebrenicë është kryer gjenocid.

Më 2007, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë e cilësoi si gjenocid krimin e kryer në Srebrenicë, ku më shumë se 8.000 burra dhe djem u vranë nga Ushtria e Republikës Sërpska.

Deri më tani, më shumë se 50 persona janë dënuar me mbi 700 vjet burgim për gjencodin dhe krime të tjera të kryera në Srebrenicë. REL

Rusia thotë se Ukraina ka sulmuar me dronë rajonin Smolensk

Një ushtar ukrainas duke operuar një dron. Fotografi ilustruese nga arkivi.

Dronët ukrainas kanë goditur infrastrukturën e energjisë në rajonin Smolensk të Rusisë më 2 maj, bëri të ditur guvernatori i këtij rajoni, Vasily Ankhin, përmes një postimi në Telegram.

“Sot, rajoni i Smolenskut u godit sërish nga dronët ukrainas. Në qarkun Rosllav, armiku tentoi të dëmtojë një ndërtesë së energjisë. Nuk ka viktima. Ekipet e shpëtimit dhe ata të zbatimit të ligjit janë në vendin e ngjarjes”, shkroi ai, pa dhënë detaje të tjera.

Ndaras, Ministria ruse e Mbrojtjes tha se sistemet e saj kundërajrore kanë rrëzuar 12 dronë ukrainas në pesë rajone.

Ukraina, e cila po përballet me pushtimin e nisur nga Moska më 2022, nuk ka komentuar për këto pretendime të Rusisë, të cilat nuk kanë mundur të verifikohen në mënyrë të pavarur.

Kohëve të fundit, Ukraina po përballet me sulme të vazhdueshme ruse, të cilat po shënjestrojnë edhe infrastrukturën e energjisë. Kievi, ndërkaq, kryen vazhdimisht sulme ajrore në rajonet ruse që janë në kufi me territorin ukrainas.REL

Kryeministri Kurti takoi nënkryetaret e Mitrovicës së Veriut, Zveçanit dhe Leposaviqit

Prishtinë, 1 maj 2024

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rašić dhe ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, takoi sot në Prishtinë, nënkryetaren e Komunës së Mitrovicës së Veriut, Katarina Ađančić, nënkryetaren e Komunës së Zveçanit, Nataša Tomanić dhe nënkryetaren e Komunës së Leposaviqit, Marina Bogojević.

Gjatë këtij bashkëbisedimi, që erdhi pas vizitës dhe takimeve të shumta në Berlin në lidhje me anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, kryeministri Kurti diskutoi me tri nënkryetaret mbi nevojat për shërbimet komunale që mund të ushtrohen të bashkërenduara në kuptim të lirisë së asocimit të komunave.

Nënkryetaret Ađančić, Tomanić dhe Bogojević thanë se e shohin anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës si një hap të rëndësishëm për fuqizimin e komunave të tyre dhe se një qëndrim të tillë do ta shprehin edhe në takime me përfaqësuesit diplomatikë të shteteve të QUINT-it.

Kryeministri Kurti shprehu mirënjohjen e tij ndaj nënkryetareve të Mitrovicës së Veriut, Zveçanit dhe Leposaviqit për punën e tyre të përditshme dhe kurajën për t’i shërbyer publikes dhe qytetarëve.

Ky ishte takimi i dytë në pak se dy javë që kryeministri Kurti ka pasur me tri nënkryetaret e komunave veriore, duke dëshmuar kështu interesimin dhe vullnetin e dyanshëm për komunikim të rregullt dhe bashkëpunim të afërt.- Zyra e Kryeministrit

Ekspertët: Pirja e alkoolit duhet të jetë minimale

VOA/Marrë nga Associated Press

Dikur mendohej se pirja në nivel të moderuar e alkoolit ofronte përfitime për zemrën, por përmirësimi i metodave të studimit e ka hedhur poshtë këtë.

“Pirja në sasi të vogël e alkoolit është një mënyrë e mirë e përmirësimit të shëndetit”, thotë Dr. Timothy Naimi, i cili drejton Institutin Kanadez mbi Studimin e Përdorimit të Substancave në Universitetin e Viktorias në Kolumbian Britanike.

A PO NDRYSHOJNË UDHËZIMET PËR PIRJEN E ALKOOLIT?

Udhëzimet ndryshojnë shumë nga vendi në vend, por ka një prirje të përgjithshme të pakësimit të konsumit të alkoolit.

Britania, Franca, Danimarka, Holanda dhe Australia së fundmi shqyrtuan prova të reja dhe ulën rekomandimet e tyre për konsumimin e alkoolit. Duke filluar nga viti 2026, Irlanda do ta bëjë të detyrueshme përfshirjen e paralajmërimit për kancer në etiketat e pijeve alkoolike.

“Konsensusi shkencor është zhvendosur për shkak të provave të shumta që lidhin alkoolin me mbi 200 sëmundje, përfshirë kancerin, sëmundjet kardiovaskulare dhe plagosjet”, thotë Carina Ferreira-Borges, këshilltare rajonale për alkoolin në zyrën rajonale të Organizatës Botërore të Shëndetësisë për Evropën.

Banakierët e restoranteve janë bërë gjithnjë e më novatorë me koktejet joalkoolike, duke mbështetur prirjen kulturore për ulje të konsumimit të alkoolit.

“Njerëzit e moshës sime i kuptojnë më mirë tani ata që nuk konsumojnë alkool”, thotë 28 vjeçarja Tessa Weber nga Teksasi. Ajo hoqi dorë nga alkooli në janar, sepse alkooli po ia shtonte ankthin. Ajo është e kënaqur me rezultatin e vendimit të saj, bën gjumë më të mirë dhe ka më shumë energji.

“Është mirë të vlerësoni pasojat e pirjes së alkoolit“, thotë zonja Weber.

KONSUMIMI I MODERUAR I ALKOOLIT NUK KA PËRFITIME SHËNDETËSORE?

Kjo ide erdhi nga studimet e mangëta, që krahasonin grupe njerëzish sipas sasisë së alkoolit që ato konsumonin. Zakonisht, konsumi matej në një periudhë të caktuar. Asnjë nga studimet nuk bëri zgjedhje të planifikuar mirë të pjesëmarrësve që konsumonin alkool dhe atyre që nuk e bënin këtë, kështu që ata nuk mund të vërtetonin lidhjen mes shkakut dhe efektit të pirjes së alkoolit.

Njerëzit që thonë se pinë në mënyrë të moderuar alkool kanë përgjithësisht nivel më të lartë arsimimi, të ardhura më të larta dhe qasje më të mirë në kujdesin shëndetësor, thotë Dr. Naimi.

“Rezulton se kur merren parasysh këta faktorë, përfitimet e konsumimit të alkoolit fillojnë të zhduken”, thotë ai.

Një problem tjetër është se shumica e studimeve nuk përfshinin të rinjtë. Pothuajse gjysma e njerëzve që vdesin nga shkaqe të lidhura me alkoolin vdesin para moshës 50 vjeçare.

Studime të tjera sfidojnë idenë se alkooli ka përfitime. Këto studime krahasojnë njerëzit me një variant të gjenit që e bën të pakëndshëm pirjen e alkoolit dhe atyre që nuk e kanë këtë variant të gjenit. Njerëzit me këtë variant të gjenit priren të konsumojnë shumë pak ose aspak alkool. Një nga këto studime zbuloi se njerëzit me variantin e gjenit që e bënë të pakëndshëm pirjen e alkoolit kanë një rrezik më të ulët të prekjes nga sëmundjet e zemrës, një goditje tjetër për idenë se alkooli i mbron njerëzit nga problemet e zemrës.

SA PIJE ALKOOLIKE DUHET TË KOINSUMONI NË DITË?

Kjo varet nga gjendja e individit.

Pirja rrit rrezikun e disa llojeve të kancerit, përfshirë kancerin e zorrës së trashë, atë të mëlçisë, kancerin e gjirit, gojës dhe fytit. Alkooli shkatërron substancën e quajtur acetaldehid, e cila mund të dëmtojë qelizat e trupit dhe të frenojë riparimin e tyre. Kjo krijon kushtet për përhapjen e kancerit.

Mijëra vdekje në vit në Shtetet e Bashkuara do të mund të parandaloheshin nëse njerëzit ndjekin udhëzimet e qeverisë për dietën, të cilat këshillojnë burrat të kufizojnë konsumin e alkoolit në dy, ose më pak pije në ditë dhe gratë në një, ose më pak pije në ditë, thotë Dr. Naimi.

“Mesazhi i thjeshtë, që mbështetet më së miri nga provat është se, nëse konsumoni alkool, më pak është më mirë kur bëhet fjalë për shëndetin”, thotë ai.

Procesi – Kosova në hapat e fundit drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës

Rruga e Kosovës drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës vlerësohet se mund të rrezikohet pas rekomandimeve të fundit franko-gjermane. Këto dy shtete po kërkojnë miratimin me dekret qeveritar të draft statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Njohës të procesit shpresojnë që këto rekomandime të mos jenë kushtëzime thelbësore për anëtarësim.

Hapat e fundit të Kosovës drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës mund të marrin kthesë tjetër. Kështu të paktën mendojnë njohës të fushës, pas mesazheve të fundit të Francës dhe Gjermanisë, njofton RTK.

Afrim Hoti, njohës i çështjeve politike, shpjegon procedurën e anëtarësimin në Këshillin e Ministrave. Ai thotë se ministrat e jashtëm duhet vetëm të japin fjalën e fundit për anëtarësim, por thotë se ka mundësi që të kërkohet nga ndonjë ministër edhe asociacioni.

Kur Kosova gati se ka mbërritur në fund të procesit për anëtarësim në Këshill të Evropës, kumbarët e planit franko-gjerman po kërkojnë miratimin me dekret qeveritar të draft statutit të Asociacionit.

Sipas njohësit të kësaj fushe, Albinot Maloku, Kosova ka qëndruar mirë sa u përket procedurave për anëtarësim. Andaj, ai shpreson që rekomandimet franko-gjermane të mos jenë kushtëzime thelbësore për anëtarësim.

Në prill të këtij viti, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës mbështeti raportin që rekomandon anëtarësimin në këtë organizatë.

I njëjti ka kaluar në duart e ministrave të Jashtëm të këtij këshilli, i cili do të vendosë nëse Kosova do të bëhet anëtarja më e re e tij.

Të dhënat e OBSH: Shqipëria, me numrin më të ulët të mjekëve për banorë në Europë më 2020

Me tkurrjen e popullsisë, numri i mjekëve për banorë erdhi në përmirësim vitet e fundit, por sërish Shqipëria renditet e fundit në Europë për këtë tregues, referuar të dhënave të fundit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Të dhënat për Shqipërinë, që i takojnë vitit 2020, tregojnë se, numri i mjekëve për 10 mijë banorë është 18.8 në vitin 2020, niveli më i ulët në rang europian dhe në rajon. Pas Shqipërisë, numrin më të ulët të mjekëve për banorë e ka Turqia me 20.4 doktorë për 10 mijë banorë dhe më pas Bosnja me 21 doktorë, e ndjekur nga Mali i Zi me 27.4 doktorë për 10 mijë banorë.

Në anën tjetër, Greqia kryeson listën për numrin e lartë të mjekëve për 10 mijë banorë. Në vitin 2020, ky vend kishte 63.1 doktorë për 20 mijë banorë e ndjekur nga Portugalia me 56,2 mjekë për 10 mijë banorë, Austria me 53.5 mjekë, Norvegjia me 50.9 mjekë për 10 mijë banorë.

Vendet e zhvilluara të Europës kanë mbi 40 mjekë për 10 mijë banorë. Madje edhe Moldavia që është një ndër vendet më të varfra të Europës ka 40.6 mjekë për 10 mijë banorë.

Në rajon, numrin më të lartë të mjekëve për banorë e ka Serbia me 36.7 për 10 mijë banorë.

Në vitin 1990, Shqipëria kishte 13.7 mjekë për 10 mijë banorë, por treguesi u përkeqësua deri në vitin 2016 kur numëroheshin 12.3 mjekë për 10 mijë banorë, si rrjedhojë e emigrimit të lartë në këtë profesion dhe investimeve të dobëta publike në shëndetësi.

Në vitin 2018 treguesi shënoi rritje në 21.5 mjekë për banorë si pasojë e zbatimit të një plani për shtimin e organikës ne entet publike te shëndetësisë dhe nga ana tjetër rënia e popullsisë ka favorizuar përmirësimin e raportit.

Mirëpo emigracioni i fortë në këtë grup, sidomos drejt Gjermanisë, e përkeqësoi sërish treguesin përgjatë 2018-2020, i cili arriti në 18.8 mjekë për 10 mijë banorë.

Ekspertët vendas të statistikave të shëndetit pohojnë se vitet e fundit për shkak se popullsia banuese në vend është më e ulët se popullsia zyrtare që raporton INSTAT, të gjitha prevalencat për sëmundjet, duke përfshirë dhe mjekët për banorë janë të pasakta.

Ata pohojnë se, të dhënat e censit nuk duhen vonuar pasi shifra e pasaktë e popullsisë po behët shkak për deformimin e politikave shëndetësorë dhe shpërndarjen e financimeve në sektor.

Gjatë pandemisë Covid-19, Shqipëria u përball me vdekje shtesë ndër më të lartat në Europë, teksa barra e sëmundjeve në rritje për shkak të plakjes së popullsie sugjeron më shumë investime në këtë sektor.

Burimi: Health Data, OBSH
/Monitor