Gjykata ka vendosur sot me kërkesë të Prokurorisë që të pezullojë nga detyra kreun e Policisë së Shtetit, Haki Çako për çështjen e pajisjes së dyshimtë të përgjimit.
Përmes një njoftimi për mediat, Prokuroria njofton se Haki Çako dyshohet se ka konsumuar veprën penale të shpërdorimit të detyrës, sa i përket ekzistencës së pajisjes përgjuese.
Prokuroria thotë se pajisja e dyshimtë e ardhur nga Italia, është administruar në kundërshtim me ligjin. Gjithashtu, sipas njoftimit, është marrë edhe masa e arrestit shtëpiak për Artion Dukën, drejtor i Forcave Operacionale, si edhe Entiol Xhelihajn, specialist në këtë sektor, që akuzohen për shpërdorim detyre dhe “eprimeve që pengojnë zbulimin e të vërtetës”.
“Prokuroria e Tiranës, në kuadër të veprimeve hetimore të deritanishme, dyshon se këta persona, me veprime ose mosveprime, kanë lejuar aktivitet të kundërligjshëm përgjimi. Prokuroria e Tiranës po vijon hetimet për të provuar nëse, pas veprimeve të dyshuara si të kundërligjshme, ka edhe zyrtarë të tjerë të lartë shtetërorë.
|Prokuroria e Tiranës, Njësia Task-Force, ka nisur hetimin kryesisht, në bazë të një materiali procedurial, sipas të cilit, Policia e Shtetit ka në dispozicion një pajisje përgjimi, “IMSI Catcher”. Sipas informacionit, kjo pajisje ka hyrë në territorin e Republikës së Shqipërisë pa autorizimin përkatës dhe mund të realizojë interceptime telefonike”, shkruan deklarata e Prokurorisë.
Komentet