Voal – Zbardhet dosja e Prokurorisë për Krimet e Rënda për grupin e dhjetë të akuzuarve si pjesë e grupit kriminal, që përpunonte kokainë në laboratorin e Xibrakës në Elbasan deri në janar 2015.
Pjesë e dosjes në pritje të gjykimit te Krimet e Rënda janë edhe personazhe VIP si Ermal Hoxha, nipi i diktatorit Enver Hoxha, si dhe dy shtetas kolumbianë. Sipas dosjes, një kopje e të cilës është siguruar nga gazeta “Panorama”, organi i akuzës ka siguruar përgjime telefonike, vëzhgime ambientale dhe prova shkencore të përbëra nga aktekspertime të ndryshme për përfshirjen e të pandehurve në procesin e trafikimit, të prodhimit e përpunimit të lëndëve narkotike.
Disa nga të pandehurit janë “kryqëzuar” nga kuponët tatimorë që kanë mbajtur për blerjen e solucioneve të ndryshme kimike që shërbenin për përpunimin e kokainës, e cila futej në Shqipëri në gjendje të papërpunuar.
Referuar bisedave të përgjuara nga ana e Prokurorisë, të pandehurit i referohen me “ata shokët” kur e kanë fjalën për dy shtetasit kolumbianë. Sipas Prokurorisë, i pandehuri Ermal Hoxha përdorte emrin “Shkodër” kur i referohej destinacionit “Elbasan”. Ndërsa për Genci Xhixhën, të pandehurit i referoheshin me “i shëndoshi”, ose “daku”.
Nga aktet e këtij hetimi rezulton se në datën 17.12.2014 ka mbërritur në Prokurorinë për Krime të Rënda një informacion nga ana e autoriteteve gjermane mbi organizimin e një aktiviteti të trafikimit të një sasie lënde narkotike të dyshuar si kokainë nga Shqipëria drejt Gjermanisë.
Nga hetimi i kryer përmes përgjimeve telefonike dhe vëzhgimeve, rezultoi se shtetasi Ilir Hyseni, pas mbërritjes në Shqipëri, kishte kontakte me shtetasin Kastriot Imeri. Në vijim të veprimeve të tij, Ilir Hyseni, përveç kontakteve me Kastriotin, nisi të kishte kontakte edhe me shtetasin Ermal Hoxha, përdorues i numrit celular 06xxxxx 949.
Në këto kushte, Policia Gjyqësore vazhdoi me vëzhgimin e lëvizjeve të shtetasve Ilir Hyseni dhe Ermal Hoxha deri sa, në datën 13.1.2015, u zbulua se këta shtetas udhëtuan nga Tirana për në ish-magazinat e rezervave shtetërore në Xibrakë të Elbasanit.
Në këto kushte vazhdoi vëzhgimi i këtyre ambienteve, nga ku rezultoi se përveç Ilir Hysenit dhe Ermal Hoxhës, aty kishin akses edhe Kelmend Dalipi, pronari i magazinës, Arjan Dalipi, Gentian Gjonaj dhe Sajmir Batku. Rezultoi nga përgjimet telefonike se personat e mësipërm kishin komunikime të shpeshta me njëri-tjetrin.
Gentian Gjonaj rezultoi të ishte përdorues i numrave celulare 06xxxx189 dhe 06xxxx189, Arjan Dalipi përdorues i numrit 06xxxx975, Kelmend Dalipi përdorues i numrit 06xxxx645 dhe Sajmir Batku përdorues i numrit celular 06xxxx365.
Personat e mësipërm komunikonin për vajtjet në Elbasan dhe lëvizjet e tyre. Nga vëzhgimet u konstatua se edhe dy shtetas të huaj, të cilët më pas rezultuan të ishin kolumbianë, Cesar Avila dhe Walther Moren Moreno, kishin akses në ambientin e sipërcituar.
Nga vëzhgimet e datës 13.1.2015 rezulton se Ermali, me automjetin e tij “Volvo” me targë AA xxx KO, në orën 10:40 ka hyrë në Elbasan. Në orën 10:30 është futur te magazinat në Xibrakë, prej ku ka dalë në orën 10:45, së bashku me dy persona të tjerë (që u identifikuan më pas si Cesar Avila dhe Walther Moreno) dhe është nisur drejt Tiranës.
Edhe nga përgjimet telefonike të numrit celular në përdorim të Ermal Hoxhës, rezulton se për marrjen e tyre në Elbasan ai kontakton Genci Xhixhën, pasi ky i fundit do t’i takonte ata në Tiranë. Në orën 10:54, nga numri 06xxxx949, Ermali telefonon Gencin në numrin 06…888. Ermali, që ishte nisur ndërkohë nga Elbasani, i thotë se vjen për 40 minuta dhe e pyet nëse do ta takojë dikë që ai e kishte me vete (duke nënkuptuar shtetasit kolumbianë).
Në orën 11:33, Genci telefonon Ermalin. Në bisedë Genci i kërkon që të ngjitet lart (në shtëpi), të zbresë çantat dhe të ikin pasi do të lëvizin shpejt. Nga vëzhgimet rezulton se në orën 11:40, Ermali i ka çuar dy personat në një pallat në rrugën “Milto Tutulani”, dhe të tre, duke mbajtur dy çanta dore, janë ngjitur te kati i dytë i pallatit, prej ku kanë zbritur në orën 11:45.
Në orën 11:48, Ermali së bashku me kolumbianët, ndalon te kafe “Gxxx” në rrugën Komuna e Parisit, ku takojnë Gentian Gjonajn dhe Genci Xhixhën. Më pas kanë shkuar të hanë drekë te restoranti “Pxxxx”.
Nga vëzhgimet rezulton se në 12:50, automjeti “Volkswagen Sharon”, AA xxx DD, i përdorur nga Ilir Hyseni, hyn në ambientet e magazinës në Xibrakë së bashku me Sajmir Batkun, ku takojnë Arjan Dalipin.
Në 13:10 Sajmiri ka nxjerrë një makinë “Jeep” nga kapanoni, me targë TR xxx T. Në orën 13:23, Ilir Hyseni ka dalë nga magazina, ndërkohë që Sajmiri ka dalë në orën 13:27 dhe kanë lëvizur drejt Tiranës. Pasi janë larguar dy personat e sipërcituar, Arjani ka hyrë në kapanonin me llamarina, ku ndodhej laboratori.
GJUHA E KODUAR
Edhe në mëngjesin e datës 14.1.2015, Ermali ka komunikuar me Gencin për transportimin e dy personave për në Elbasan. Genci, i cili flet nga një telefon tjetër, i kërkon që t’u bëjë telefon atyre shokëve se ai do të shkonte t’i merrte për gjysmë ore. Ermali i thotë që nuk ka kontakt me ata të dy (kolumbianët), por me Balin, siç thërritet Iliri nga bashkëpunëtorët e tjerë. /Panorama/
Komentet