Me 07 Nëntor 2026 në Lozanë, Zvicër, në Sallën e Spektakleve në Renens u mbajt Festivali i 11-të Internacional i Folklorit i organizuar nga Shoqata ‘’Grupi i valleve Shqiponjat’’.
Për tetë vite me rradhë ky festival i cili synon të promovojë vlerat më të mira të folklorit është mbajtur në Itali, ndërkohë që tre edicionet e fundit po mbahen në Zvicër, duke mbledhur grupe, ansamble dhe shoqata kulturore nga shumë vende të botës dhe duke shpalosur tradita etnokulturore dhe forcuar lidhjet kulturore përmes artit, këngës, valleve dhe instrumenteve popullorë.
Njëkohësisht duke mbajtur gjallë gjuhën dhe traditat shqiptare në komunitetin shqiptar i cili ndjen më afër atdheun e tij, zhvillimet e sotme kulturore dhe perfshihet padyshim në rrjedhën e tyre duke qënë natyrshëm pjesë e tyre pavarësisht largësisë gjeografike.
Grupi i Valleve Shqiponja, produkt i familjes Qokaj nga Tropoja, me përfaqësues Ndue dhe Drita Qokaj, por dhe me fëmijët e tyre që tashmë po bëjnë emër në arte dhe sporte spikat me përpjkjet e tyre të pandalshme kah promovimi, ruajtja dhe lançimi i traditave tona etnokulturore.
Kohë më parë Klubi i Shkrimtarëve dhe Artistëve Tropojë i propozoi këshillit të Bashkisë Tropojë akordimin e titullit ‘’Qytetar nderi’’ për Ndue dhe Drita Qokaj, duke vlerësuar mundin dhe përkushtimin e tyre në këtë drejtim edhe pse si emigrantë dhe në vend të huaj përballen me vështërsi të shumta.
Mirënjohje e madhe për këshillin bashkiak, i cili votoi unanimisht këtë propozim, duke dëshmuar një qasje tejet pozitive në vlerësimin e kontributeve të çmuara të bashkëqytetarëve tanë, kudo që janë ata.
Në festival nga Tropoja morën pjesë Ansambli Dardania, me grupin e valltarëve të drejtuar nga Shpresart Memia dhe me pjesëmarrjen e Mjeshtrit të Madh, Nderi i Kombit, Deli Metaliaj, kryetari i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Tropojë dhe nderoi me praninë e tij Kryetari i Bashkisë Tropojë, z. Rexhë Byberi.
Festivali kishte grupe nga Shqipëria , Ansambli Shtetëror i Këngëve dhe Valleve, nga Kosova, Zvicra, Rumania, Gjermania, Franca etj.Pikërisht nga Franca erdhi dhe nje grup i valleve me fëmijë nga prindër nga Tropoja, të cilët kishin lindur atje por përfaqësonin folklorin e Tropojës, udhëhequr nga Robert Buçpapa.
Si pjesë e organizimit të këtij festivali, pjesë e jurisë dhe e shpalljes së fituesve, çmimeve dhe vlerësimit me titujt e nderit u ndjeva aq krenar për begatinë dhe forcën rrezatuese të folklorit shqiptar, por edhe ndjeva mrekullinë e mikpritjes shqiptare së bashku me pjesëtarët e grupit udhëtues nga Tropoja nga emigrantët që jetojnë në Zvicër për shumë vite, por asesi të tjetërsohen dhe të largohen nga traditat e Malësisë së Gjakovës.
Në aeroportin e Gjenevës na priti dhe na shoqëroi një djalë i kulturuar nga Tropoja, Fatbardh Dedaj i cili na afroi shoqërimin deri në Lozanë, u shndrrua sinqerisht në cicëronin tonë gjatë udhëtimit dhe na afroi me bujari nje drekë të këndshme gjatë të cilës evokuam episode nga e shkuara dhe e sotmjae vendlindjes sonë të përbashkët.
Në Lozanë na u gjend pranë, me dashuri dhe respekt Lulzim Lushaj, djali i mikut tonë të shtrenjtë Zeqir Lushaj së bashku me miqtë e tij, tashmë njerëz të suksesshëm, Petrit e Fadil Leniqi si dhe Haxhi Duraku me familjen e tij, por edhe Durim Kurmekaj, një djalë i dashur tropojan që jeton e punon tash sa vite atje.
Të lidhur bashkë, në përpjekje dhe mundime, në arritje dhe suksese, duke mbajtur fytyrën kah atdheu, korrekt dhe mikpritës si shqiptarë të mrekullueshëm. Mbrëmja e fundit e qendrimit në Zvicër në praninë e tyre, në shtëpinë e Lulzimit u kthye në një bashkëbisedim rreth gjendjes dhe fateve të atdheut, në një koncert me këngë e valle dhe përqafime malli. Një mbrëmje e paharrueshme!
11.11.2026