Kryetari i partisë “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, deklaroi në emisionin “Të Paekspozuarit” në Vizion Plus, se partia që ai drejton i qëndron mbështetjes së kandidaturës së Florian Binajt për Tiranën.
Pjesë nga biseda:
Ylli Rakipi: A mundet opozita të krijojë një front të gjerë? Ti ke qenë partizan i kësaj ideje. Kush është pengesë për bashkimin e opozitës?
Adriatik Lapaj: Ky është proces. Sigurisht që ligji elektoral nëse bëhet pa hile dhe demokratik, do të parashikonte koalicione parazgjedhore, barazinë e votës dhe do të krijonte kushtet e nevojshme për garë të ndershme, të lirë dhe të barabartë. Pastaj si dhe qysh krijohen koalicionet, secili e vlerëson në momentin e duhur. Ajo që besoj fort, që në momentin në të cilin është Shqipëria, është moment që kërkon që egot të lihen mënjanë. Të kuptojmë se vendi ka nevojë për zgjidhje sot dhe jo pas 100 vjetësh. Partitë janë instrumente në funksion të atdheut. Nëse Shqipëria na shkon në konflikt civil, shkatërrohet gjithçka, çfarë vlere kanë pastaj partitë politike?
Ylli Rakipi: A e ke konceptuar, kuptuar, idenë e bashkimit të opozitës?
Adriatik Lapaj: Paradhoma e të gjithë ndryshimit është Kodi Zgjedhor.
Ylli Rakipi: Më konkretisht, janë përpara zgjedhjet lokale. A je për kandidat të përbashkët në Tiranë?
Adriatik Lapaj: Ne kemi marrë vendim vitin e kaluar që ka qenë kandidimi i zotit Binaj, përtej partive. E konsideruam shumë të rëndësishme Tiranën. Në këtë kuptim nuk kemi ndryshuar qëndrim për këtë.
Alban Dudushi: Për parimin apo për zotin Binaj?
Adriatik Lapaj: Për të dyja pasi zoti Binaj ka dalë nga parimi.
Alban Dudushi: Berisha po flet për kandidat të PD.
Adriatik Lapaj: Ky është problem që i përket PD. Vjet u propozua kandidat i përbashkët. Ne vumë një kusht, duhet të jetë përtej një subjekti. Doli Binaj, shprehu vullnetin dhe mori konsensusin. Ne i qëndrojmë atij vendimi. Ka një arsye pse nuk e kemi ndryshuar qëndrimin, nuk mund të presim në besë një qytetar të angazhuar.
alban Dudushi: Po studentet dhe protestuesit?
Adriatik Lapaj: Për këtë jemi të hapur, por po themi se çfarë qëndrimi kemi deri tani.