Disa ditë më parë, një Profesoreshë e nderuar e gjuhës angleze në Fakultetin e gjuhëve të huaja të Universitetit të Tiranës, më dërgoi një e-mail, në të cilin më pyeste se si mund ta siguronte Fjalorin frazeologjik anglisht-shqip (me 1254 faqe dhe 25 440 shprehje frazeologjike), të cilin e pata botuar në vitin 2018 në Studion “Intergrafika”, me drejtor specialistin e njohur të artit shtypshkrimor, zotin Eduard Shima. Profesoresha kishte shkuar për ta marrë në Bibliotekën Kombëtare, por zonja që shërbente në banak i kishte thënë se ishte e pamundur t’ia jepte, pasi Fjalori ndodhej jo në raftet e Bibliotekës, por në ndonjë kuti. I rekomandova Profesoreshës të shkonte në Studion Intergrafika për të marrë një kopje të printuar të fjalorit.
Meqenëse kam letërkëmbim internetik me një Zonjë shumë korrekte të Bibliotekës, iu drejtova me pyetjen se si është mundur që librat u vendoskan nëpër kuti dhe jo në raftet përkatëse? Zonja mjaft e nderuar më sqaroi menjëherë se Biblioteka nuk ka më mjedise për t’i sistemuar librat nëpër rafte, prandaj është e detyruar t’i vendosë nëpër kuti mbi njëra-tjetrën.
U befasova nga ky sqarim dhe thashë me vete:
Ky është një skandal që të bën të vësh duart në kokë. Ato zonja të nderuara, të shkathta, të papërtuara, të cilat, gjatë komunikimit me lexuesit, rrezatojnë gatishmëri, kulturë dhe mirësjellje shembullore, për mungesë mjedisesh, qenkan të detyruara t’i vendosin librat nëpër kuti.
Vetvetiu lind pyetja:
Ky Rama, 28 vjet në pushtet, fillimisht si kryetar i Bashkisë së Tiranës disa mandate, dhe kryeministër prej më shumë se 13 vjetësh, a e ka ditur se ku ndodhet Biblioteka Kombëtare? Nëse e ka ditur, a e ka marrë mundimin ndonjëherë të shkonte në mjediset e asaj Biblioteke dhe zonjat e nderuara që punojnë atje t’i pyeste se çfarë shqetësimesh kanë? Dikur Biblioteka Kombëtare është përmbytur dhe në mjediset e saj ka pasë rënë edhe zjarri, por, siç e ka pasë theksuar ish-drejtoresha e saj, zonja Persida Asllani, në një analizë, të botuar në faqen e internetit “abcNews” të datës 16 nëntor 2018, shteti nuk e ka pasë vënë ujët në zjarr absolutisht, dhe, nënkuptohet, kryefajtori është Rama. Biblioteka Kombëtare, si pjesë e kompleksit të Pallatit të Kulturës, është ndërtuar 66 vjet më parë. Por gjatë 28 vjetëve, Rama s’e ka vrarë kurrë mendjen për ngritjen e një tjetër Biblioteke me mjedise të bollshme për administrimin e librit. Përkundrazi, Rama e ka lidhur “krushqinë” vetëm me oligarkët e pangopur të ndërtimit, me të vetmin qëllim për “kullëzimin” e Tiranës dhe për të vjelë prej tyre sa më shumë përfitime. Për këto përfitime përrallore, dikur, ish-deputeti, i ndjeri Dritan Prifti, nga foltorja e Kuvendit ka pasë deklaruar:
“A ka shqiptar, që beson se zoti Edi Rama është i pastrehë? Ai në deklaratën e tij të pasurisë thotë që është i pastrehë dhe ne të gjithë e dimë që Edi Rama është pronar i fshehtë i mbi 200 apartamenteve në Tiranë, sepse flasin ndërtuesit. Taksa e tij e jashtëligjshme është 30 euro metër katror për çdo leje ndërtimi që ka dhënë nga viti 2000 e deri sot. A ka shqiptar që e beson këtë gjë qesharake, që Edi Rama nuk ka shtëpi, që jeton me nënën e vet?” (Citohet sipas: Dritan Prifti. “Edi Rama vetëm me hundë thith tre mijë euro në ditë”. Faqja e internetit e gazetës “Bota Sot”. 10 korrik 2010).
Kuptohet vetvetiu që me përfitimet e siguruara nga oligarkët e ndërtimit, Rama arriti të ngrejë sarajet e Surrelit, të cilat të kujtojnë sarajet e Abdyl bej Selimit të periudhës së sundimit otoman, të përjetësuara në vargjet popullore:
Pa dëgjo, o beu ynë:
Mbaje mirë terezinë,
Se njerëzia u piknë,
Ikën, morën arratinë,
Ca në Vlorë, ca në Delvinë.
E pe Abdyl bej Selimnë?
Kullat e bardha në brinjë,
Kukumjaçkat ulërijnë,
Ashtu do t’i lësh dhe tinë.
Vargjet në vijim i kushtohen me shumë respekt kolektivit të nderuar të Bibliotekës Kombëtare:
Ky Rama, ky “mendjezgjuar”,
Ndonjëherë a ka menduar
Të shkojë për të vizituar
Bibliotekën kombëtare,
Vatër e kulturës amtare?
Të ulet, të bisedojë,
Atje zonjat t’i nderojë,
Shqetësimet t’ua dëgjojë
Edhe kurrë të mos përtojë
Që t’u gjendet, t’i ndihmojë?
Se një hall i ka pushtuar:
Mjediset u janë ngushtuar
S’kan’ hapsirë të mjaftuar,
Librin për ta sistemuar,
Ndaj me kohë duhej menduar
Për një tjetër Bibliotekë,
Se ka tonelata lekë.
Por ky Rama, “derëziu”,
E ka mendjen krejt gjetiu:
Veç për kulla rri mendon.
Ndaj dhe nuk i bëhet vonë
Për librin që s’ka ku rri,
Ndaj është mbyllur në kuti,
Për turpin në qeveri,
Ku drejton një ditëzi,
Ky kancer në mushkëri
Për të gjorën Shqipëri.
———-0———-