Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës për vrasjen e Arlinda Zekajt, ka thënë se e dënon ashpër këtë krim duke kërkuar zbardhjen e çdo përgjegjësie.
Kurti u shpreh se e mbështet iniciativën për themelimin e një komisioni parlamentar që heton dhe zbardhë çdo dështim të mundshëm institucional për këtë rast, ndërsa propozoi edhe dy ndërhyrje për Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Ministrinë e Drejtësisë.
“Edhe unë i bashkangjitem kësaj iniciative dhe propozoj dy ndërhyrje konkrete – të ngarkoj Ministrinë e Punëve të Brendshme që përmes strukturave kompetente të Policisë të organizojë brenda 72 orëve rishikimin urgjent të rasteve aktive me rrezik të lartë. Për secilin rast të dokumentohen masat e sigurisë, zyrtari përgjegjës për ndjekjen e tyre dhe bashkërendimi me institucionet përkatëse, qendrore dhe lokale përfshirë zbatimin policor të udhrave mbrojtës dhe reagimin ndaj alarmeve të mbikëqyrjes elektronike. Gjithashtu brenda 72 orëve, Ministria e Drejtësisë të vijë me një raport të detajuar që zbardh gjithë reagimin apo mosreagimin e secilës hallkë të zingjirit institucional në këtë rast”, ka thënë Kurti.
Kurti ka theksuar se vrasjet e grave në Kosovë janë edhe si pasojë e mendësisë së patriarkalizmit.
Ai është shprehur se nga kjo mendësi nuk përjashtohen as institucionet. Sipas tij kjo është arsye pse duhen hetuar hetuesit dhe pse kur kemi të bëjmë me gjykatësit na duhet të mendojmë se kush do t’i gjykojë ata.
“Dukuria e vrasjes së grave është pasojë e mendësisë së patriarkalizmit që fatkeqësisht nuk i përjashton as institucionet, ku ushqen neglizhencën dhe mosveprimin përballë dhunës ndaj grave. Kjo është arsyeja pse kur të hetojmë duhet t’i hetojmë edhe hetuesit, kur të presim prej prokurorëve do të na duhet t’i akuzojmë edhe ata, e kur kemi të bëjmë me gjykatësit do të na duhet të mendojmë edhe kush do t’i gjykojë ata. Sivjet janë vrarë tetë gra, na duhet një debat publik për mënyrën se si shoqëria dhe shteti i trajton gratë që kërkojnë shkurorëzim, pavarësi dhe të drejtën e tyre në pronë e trashëgimi.
Për bindjen time të fuqishme ky është thelbi. Ne e kemi një raport të vështirë me shkurorëzimin dhe barazinë gjinore kur vije puna tek trashëgimia dhe pronësia. Duhet të flasim për mënyrën se si kërkesat legjitime të grave për të drejtat e tyre shndërrohen në burim konflikti. Si normalizohet kontrolli mbi jetën dhe vendimet e tyre dhe si në vend që të mbështeten, ato shpesh lihen të përballen të vetme me dhunën dhe institucionet që dështojnë t’i mbrojnë”, ka deklaruar Kurti.
Kurti ka thënë se duhet ofruar gatishmëria nga të gjithë për të kundërshtuar mendësinë e cila vlerën e gruas e mat me nënshtrimin e saj.
“Çdo shkelje duhet të zbardhet dhe çdo përgjegjësi të trajtohet sipas ligjit. Vrasja e saj na detyron të kërkojmë përgjegjësi në çdo hallkë institucionale dhe ta shqyrtojmë ndërgjegjen tonë shoqërore çfarë po mbrojmë kur në emër të familjes kërkojmë heshtjen e gruas, kur në emrin e nderit gjykojmë zgjedhjet e saj, kur durimin përballë dhunës ja njohim si virtyt ndërsa kundërshtimin ia ngarkojmë si faj. Një shoqëri nuk mund ta quaj vlerë atë që ruhet duke cenuar dinjitetin dhe jetën e një njeriu. E dënoj ashpër këtë krim. Për Arlindën kërkoj drejtësi dhe zbardhjen e çdo përgjegjësie. Nga të gjithë ne kërkoj gatishmërinë për ta kundërshtuar atë mendësi që ende e mat vlerën e gruas me nënshtrimin e saj. Për ta kundërshtuar këtë mendësi duhet të jemi të qartë për atë që e bën një vlerë të denjë për t’u mbrojtur – respekti për dinjitetin njerëzor”, ka thënë Kurti./Koha.net