Po çfarë u bë me atë djalë?-psherëtinte me vete Vait Kraja, ndërsa krasiste pjergullat e kopshtit të vogël të shtëpisë së vet njëkatëshe nën diellin e ngrohtë të pranverës. Iku,d he ankohet gjithmonë se jeta në emigracion është e vështirë. Po ai nuk e di se çunat e Refikut ngritën mu pranë shtëpisë së tij një vilë trekatëshe, që llamburit nga dritat dhe të merr mendjen me bukurinë e saj. Ndërsa ai,Vait Kraja,i pari i katundit të malësisë,pasi zbriti në Tiranë,këtu e vite të shkuara,mbeti me këtë njëkatëshe mbuluar me llamarina,të cilat kishin filluar të dëmtoheshin nga lagështia.Refiku,ky humbameno i dikurshëm,që në fshat i vinte era nga plehu i bagëtisë,të më shesë mua mend tani?Të kishte qenë i ri e dinte vetë se nga e nxirrte lekun,po tani mosha po e bënte nevrik dhe gjuhës nuk i vinte dot fre.Krasiste degët e thara sikur po mbushte me to një boshësi të idhtë.Po shpirti bosh ishte aq i thellë kur mendonte tre djemtë që ikën në mërgim,njëri u martua me një malaziane,tjetri përfundoi në Australi,ndërsa i vogli vërtitej rrugëve të Athinës dhe ankohej gjithnjë se nuk kishte punë.E ndërsa mendonte djemtë e vet mendja i shkonte sërish tek çunat e Refikut,aty dalldisej fare ; ai e mbante mend Refikun kur vinte dhe i lypte para hua, herë ia kthente dhe herë jo, sepse ai, Vait Kraja ishte dikush atëhere.Refikun e kishte përkrahur shumë atëhere dhe i kujtohej fare mirë, si sot e mbante mend, kur nxirrte nga magazina e tij e madhe e kooperativës, qepë, patate, fasule e ia jepte fshehurazi gruas së Refikut që gjithnjë e mbajti me premtime, po kurrë nuk e shtroi fustanin për të.Vetëm kur ia preu ndihmat dhe Refiku ia nisi sherrin me të shoqen, vetëm atëhere ajo u kujtua se Vait Kraja duhej begenisur, po në momentin e fundit,ndërsa duhej ta mbante premtinin e dhënë edhe atëhere e drodhi duke u lidhur me sekretarin e partisë dhe Vait Krajën për pak e shkarkuan nga detyra e magazinierit.Atij atëhere iu desh ta luste e merrte me të mirë atë grua të bukur po të varfër, e cila pasi ia shqelmoi me krenari sedrën e vet, ia mori premtimin se do t`ia jepte ndihmat duke vënë dorë tek malli dhe gjëja e fshatit që ishte mall ku zot ishin të gjithë e ndërsa zot ishin vetëm katër pesë vetë.
Eh, kujtime, të shkretat kujtime që vijnë dhe e përvëlojnë kaq shumë këtë ditë të kthjellët, me diell të ngrohtë që të ysht e të fton t`u rikthehesh atyre kohërave të lumtura, ku ai ishte njeri i respektuar e s`e kishte dorën topanxhë, as ndër gur, po e kishte dorën të shtrirë për këdo që ia donte kokrra e qejfit ta ndihmonte .Kujtimet janë si dega e pjegullës, ca të njoma e ca të thata, po kujtimi e ndjesia për të shoqen e Refikut , këtij humbamenoje të currufjepsur që ia ngrinte rytbenë e shoqja, për atë deli zonjë që ia kishte falur gjysmën e mallit të kooperativës, nuk thahej që nuk thahej kurrë e s`kish një pjesë për ta krasitur se ishte i njomë, ndonëse vitet kishin shkuar dhe ishin turbulluar shumë ujëra e pamje.Ajo atëhere e kishte mposhtur, ndonëse nevojtare dhe sot po e mposhte, me atë vilë të madhe që, për çudi ose rastësi, e kishte ndërtuar pranë shtëpisë së tij njëkatëshe.Dhe gjithnjë dilte në ballkon , e shihte atë nga lart, bashkë me Refik mavrinë që s`guxonte t`i rrinte shumë afër se ajo e urdhëronte t`i sillte kafenë, ujin, ose të bënte ndonjë punë tjetër, të nderte herë herë kanotjeret e rrobat e tjera.Dhe ajo dosë e bukur nuk e çante kryet për këtë e s`donte t`ia dinte pse e shikonte nga poshtë Vait Kraja.Madje për këtë ndjente një krenari duke përkëdhelur sedrën e dikurshme, ndoshta edhe të sotmen me krenarinë e saj që fliste me një gjuhë të heshtur dhe të rëndë.Kjo hakmarrje e heshtur luhej çdo ditë, sepse asaj i dolën të zotë djemtë. Ata morën rrugët e botës, po u kujtuan për nënën e tyre, ndërtuan shtëpi, blenë makinë, e veshën të ëmën me rroba të shtrenjta dhe i bindeshin asaj si pula.Po djemtë e tij , që nuk ishin më pak të zotët, e që të merrnin gjak në vetull, sepse i kishin ngjarë kësaj kocke, pse u treguan kaq të shpërndarë dhe pa pikë mendje se kishin lënë pikërisht në periferi të Tiranës dy prindër si mos më keq?Preu një degë të njomë, u murrëtye në fytyrë,i erdhi keq. Ta marrë e mira , mërmëriti,e mati me sy degën , që kishte rënë mbi një pjesë të mirë të strehës .
U ul poshtë dhe ndezi një cigare.Rrezet e ngrohta të diellit silleshin rreth tij me një pëshpërimë të mërzitshme .Një gotë raki dhe një kafe mund ta konsideronte helm,aq shumë e ndjente mërzinë, inatin , sa i frushullonin veshët nga një zë i pandjerë, kur mendonte se mos ishte vetëm Refiku…Të gjithë bashkëfshatarët e tij kishin ngulur vilat rreth shtepisë së tij e cila ngjante me kasollen e jevgut dikur.Po edhe jevgu thonë se është bërë milioner,djemtë i qenkan martuar me aziatike.Jo, s’kish çarje tjetër, do ta shiste atë shtëpi dhe do të shkonte atje ku mos e shihte asnjë i njohur.Nuk e duronte atë tirani të heshtur ,qëndrimin kërcënues të vilave luksoze si hakmarrje, endur nga mallkimi i atyre njerëzve që vinin dikur tek ai, shtëpi e qenur, hanedane, trekatëshe dhe e bukur, në krye të fshatit,me toka të bollshme, ujë,pyje e kullota të mira prej nga buronte një pasuri e madhe për kohën.Po unë jam gjene ai që isha ,tha ai,oxhaku s’bëhet buxhak,ndërsa vetë nuk e kuptoi se ato fjalë i tha fare kot,pa ndjerë se të tjerët nuk i kishin kurrëfarë faji,përveçse ekzistonin pranë tij.
Filloi të rrotullohej nëpër oborr,ndërsa ndjente se pemët ishin bërë më të heshtura , ndoshta ia kuptonin të gjitha mendimet dhe u vinte keq për të.Tërbimi që vinte nga pamundësia ia dobësonte gjymtyrët .S’duhet me u lavdëruar, s’dihet si bie njeriut,po të mos mendojë djali për babën e vet, kjo është: haje dreq…Dhe unë kam mbaruar, tha me vete,ndërsa u ul në një plloçë,vuri fytyrën midis pëllëmbëve,si për të përmbledhur pak trutë e kokës,e iu fanit sërish shtëpia e madhe në malësi,miqtë e largët që trokisnin tek porta e madhe,kuajt me zilkat e buta që trokëllinin lehtë në muzg,miqtë që vinin dhe varnin pushkët në perona,deshtë që thereshin në oborr ,raportimi pa urdhër i punëve të bëra tek gjyshi i madh,zjarri bubulak dhe çiftelia, dhe sa bukur ishte atëhere kur respekti njihej dhe ndriste emrin e njeriut, po sot?Një psherëtimë e gjatë i doli nga kraharori,i ra mbi fletët e verdha ,dhe atij iu duk se ato iu ngritën në një shtjellë të pabesueshme.
Trokiti porta, ai s’dëgjoi gjë,veç kur ajo u shty lehtas me droje , pa një djalë të ri, veshur me një xhup të zi .Ai përmendi emrin e vet, pyeti se mos ishte kjo shtëpia e Vait Krajës.Kur mori përgjigjen,në fytyrën e tij u ndje një lehtësim ,sytë iu hapën më fort,ndjenja e sigurisë sikur ia hoqi ndrojen e mëparshme.Xhupi i lëkurtë i shkonte me mjekrën e zezë,ndërsa flokët e gjatë duhej ta tregonin një djalë të shkathët.
_Ulu, ulu ,i tha Vaiti, duke i zgjatur një karrike të prishur nga shirat,apo doni të hyjmë brenda në dhomë, po tashmë djali ishte ulur dhe po kqyrte përreth ,duke shtrembëruar pak buzët dhe duke i dhënë të kuptojë tjetrit se jetonte në një stallë derrash.Kjo e tërboi edhe më shumë Vaitin me fatin e vet.
-Vij nga Athina ,tha i panjohuri,kam takuar djalin tënd , të bën të fala…Vait Kraja heshti një minutë.
-Ku e takove malukatin, mos e pruftë kaptinën,tha,duke ngritur zërin sa tjetri e pa me habi dhe bezdisje.–Tani nuk quhet Besmir, quhet Jani ,është vaftisur…-
Dreq le të quhet, ç`e do, një fëmijë që nuk pyet për babë e nanë s’ka për t’ia parë hajrin kësaj bote.
-Nuk di ç’të them, mërmëriti tjetri .
-Ç’të thuash për atë kopuk, që sorollatet nëpër Athinë si një delenxhi dhe nuk e di se ku ndodhen prindërit e vet…
-Di të them se…
-Mos më thuaj asgjë ,e kam bërë lanet, nëse një ditë do t’ia shoh bojën , do ta pështyj në surrat…
-Dale, se s’është ashtu…-
-Si ka me qenë , mor dashamir,ai horr bredh nëpër buzuqet e Greqisë dhe ia fali djersën kurvickave të kaurrit..
-Jo, nuk është ashtu,!
-Ashtu thonë bota, po e di vorba çfarë ka brenda.
Vaiti nuk e linte bashkëbiseduesin të mbaronte fjalën . I irrituar tej mase, sidomos nga fakti që djali i tij i pandjerë gjithato vite ,guxonte dhe i çonte të fala ,sikur ai mezi i kishte pritur ato. Tjetri heshti pakëz duke lëvizur cepin e xhupit të shtrenjtë, vështroi një herë pjerrtas në të, por vështrimin ia drejtoi fjala e Vaitit:
-Ka djem e djem, jo si ai horri im..
-Unë e njoh për djalë të mirë, madje njëherë më ka shpëtuar jetën,kur na ndiqte një ushtar grek.
-Po, për botën është i mirë ai, veçse ç`e do , nëse s`je për familjen tënde , s`je as për të tjerët.
-Nuk është ashtu, u nxeh pak tjetri, ai më ka dhënë diçka për ju.Tërhoqi me vrik anën e xhupit ,hapi një zinxhir nga xhepi i brendshëm,andej nxori diçka të fryrë dhe ia zgjati Vaitit.
-Ç`janë këto?
-Tetëqind mijë dhrahmi ,janë për ju .
-Tt…Vait Kraja i mori paratë dhe i mbante në dorë, mbase nuk e besonte,ose nëse e besonte s`dinte ku t`i shpinte gjithë ato fjalë që kishte thënë më parë.Një diell i zjarrtë gëzimi ia ndriçoi fytyrën, një zbutje e menjëhershme i solli një mërmërimë të ngadaltë,që e soll drejt një arsyetimi më njerëzor.
-Po, vërtet djalë i mirë është ,s`dihet si i ka hallet, paska menduar për babën , helbete, i kam bërë kokën.
-Donte të më jepte më shumë, po unë nuk ia mora nga rreziku që paraqet rruga.
-Çfarë rreziku ,bre voc,ti bjerë paratë në shtëpi, dhe mos harro ti thuash se babën e ka marrë malli…Tani eja brenda të pimë nga një gotë.
-Jo, tha tjetri, tani më duhet të iki…
Vaiti filloi të sillej nëpër oborr, duke u rënë me këmbë degëve të thata të pjergullës.Që të nesërmen ai do merrte një brigadë ndërtuesish dhe do ngrinte muret e shtëpisë, do t`i hiqte llamarinat e çatisë që lëshonin një zhurmë të potershme në shi.Gjatë kësaj kohe që ai do ndërtonte, me siguri ,ajo s`do dilte më në ballkon, dhe ai s`do kishte nevojë ta shihte nga poshtë, ashtu siç shihet një njeri që nuk e do.Djemtë e tij kur ta merrnin fjalën se babai po ndërtonte shtëpinë, me siguri do të dërgonin para të tjera.Ai shtëpinë për ta e donte.
Ngriti kokën lart dhe shikoi nga shtëpia e Refikut ,po ajo nuk kishte dalë në ballkon siç e kishte zakon.Ç`parandjenja të fuqishme që kishte, po, sidoqoftë, punë e madhe.Kush ka qenë, prapë do të jetë, mërmëriti me zë , ndërsa xhupziu i zgjati dorën. Vaiti e përcolli me përzemërsi gjer tek porta.Gjithë jetën kishte bërë plane dhe nuk i kishin dalë keq, ai kishte dështuar vetëm me të shoqen e Refikut dhe njëfarësoj me djemtë , po të paktën ,zoti po kujtohej t`ua kthente mendjen atyre.Filloi të ëndërrojë duke e menduar sesa vjet do i duheshin për ta barazuar shtëpinë me vilën e Refikut.Do të bënte një ballkon përballë asaj dosës nazemadhe, e cila edhe pse ishte plakur, prapë ishte e bukur dhe krenare.Kur ta ngrinte ballkonin në të njenjtën lartësi do të rrinte me orë të tëra përballë saj, për t`i treguar sa shumë e kishte dashur dhe se ajo s`duhej ta harronte ndihmën e tij.Dhe sa më shpejt të ndodhte kjo, aq më i lumtur do të ndjehej ai dhe aq më e pikëlluar ajo.Ai ngriti vështrimin dhe pa se ballkoni i saj qe bosh.Me siguri diçka kishte ndjerë ajo, ose ishte duke u zënë me atë humbamenon Refik, për pazaret e ditës dhe vonesat e ndryshme që sillte ngadalësia e tij.Vait Kraja u rrotullua nëpër oborr sikur donte të merrte një valle.Edhe sikur valle të merrte ,gëzimi s`do qe gjë para xhepit të ngrohur.
Sa do të gëzohej e shoqja, e cila iu kujtua vetëm kur shtyu derën e dhomës.Ajo rrinte në divan dhe arnonte diçka.Vaiti ia mori copën nga duart dhe ia hodhi tutje.Gjithnjë kjo grua kishte qenë e urtë, nuk ia kishte prishur kurrë, as kishte dashur ndonjëherë të merrte pjesë në diskutimet e tij, as nuk e pyeste dhe i bindej si dele manare.Nga mallëngjimi i parave dhe një ndjenjë faji ndaj së shoqes, Vaiti po rrinte në këmbë duke u menduar për të gjetur fillin e fjalës me të cilin do shpështillte atë gëzim të madh.
-Oj grua,-thiriri ai me një dëshirë për ta përqafuar,po ajo ia ktheu pa pritur se çfarë do t`i thoshte:
-Tu thaftë ajo gjuhë!-dhe u shtri në divan gjysmë e alivanosur….
Komentet