Një prej blogerëve më të njohur ushtarakë rusë pro-Kremlinit, i cili sipas raportimeve ka lidhje me shërbimet e inteligjencës ruse, është arrestuar në Mal të Zi.
Kryeministri i Malit të Zi, Millojko Spajiq, konfirmoi sot, më 9 tetor, se në vendin e tij janë arrestuar disa shtetas rusë, mes tyre edhe Mikhail Zvinchuk, themelues i rrjetit rus Rybar.
Mikhail Zvinchuk, themeluesi i blogut të njohur të luftës Rybar, u ndalua sot së bashku me bashkëshorten dhe tre shtetas të tjerë rusë, në qytetin turistik bregdetar të Risanit, nën dyshimin për përhapjen e ndikimit rus, raportuan mediat vendase.
Në një postim në rrjetin social X, Spajiq tha se arrestimi erdhi pas paralajmërimeve se vendi do të përballej me përpjekje për destabilizim dhe luftë hibride.
“Ky nuk është momenti për deklarata të nxituara, por as për përfundime naive. Ekzistojnë indicie serioze që kërkojnë shqyrtimin e kujdesshëm të çdo gjurme dhe vlerësimin e çdo lidhjeje në një kontekst më të gjerë. Nuk do të bëjmë publike ato që duhet të mbeten në domenin e shërbimeve të sigurisë”, shkroi ai.
“Mali i Zi mbron interesat e veta dhe askush nuk do ta rrezikojë të ardhmen tonë evropiane”, deklaroi Spajiç më tej.
Edhe nga Rybar u konfirmua më vonë në Telegram se themeluesi i këtij rrjeti, Mikhail Zvinchuk, është ndaluar në Mal të Zi, së bashku me shtetas të tjerë rusë.
Në një postim në kanalin e tij në gjuhën angleze, Rybar tha se të gjithë të ndaluarit “qëndronin ligjërisht në Mal të Zi dhe se ishte planifikuar filmimi i Manastirit të Cetinës, për të cilin ishte paraqitur më herët një kërkesë zyrtare”.
Rybar tha se ekipi i tij është në kontakt me Ministrinë e Jashtme të Rusisë, e cila po punon për zgjidhjen e situatës, duke pretenduar se “nuk është shkelur asnjë ligj i Malit të Zi”.
I themeluar në vitin 2018 nga Zvinchuk, ish-zëdhënës i Ministrisë ruse të Mbrojtjes, Rybar është një prej blogjeve më të ndjekura ushtarake ruse që mbulojnë luftën në Ukrainë, me më shumë se 1.5 milionë abonentë në Telegram. Ai është pjesë e një rrjeti të gjerë mediash online që promovojnë pushtimin e Ukrainës nga Vladimir Putin.
Megjithatë, aktivitetet e Rybar shtrihen përtej Ukrainës, pasi kanali përhap narrativa pro-Kremlinit në Afrikë dhe Lindjen e Mesme. Së fundmi, ai është akuzuar për amplifikimin e narrativave të ekstremit të djathtë lidhur me krizën e emigracionit në Ceuta, një enklavë spanjolle në Afrikën e Veriut.
“Ministria e Jashtme e Rusisë po punon për zgjidhjen e situatës. Meqenëse nuk ka pasur shkelje të legjislacionit vendas, presim që të gjithë të ndaluarit të lirohen”, thuhej në një deklaratë të publikuar nga kanali në Telegram.
Operacioni u krye nga Policia e Malit të Zi dhe Agjencia për Siguri Kombëtare (ANB) e këtij shteti.
Britania vendosi sanksione ndaj Zvinchuk dhe Rybar në dhjetor 2025, për rolin e tyre në përhapjen e propagandës së Kremlinit dhe minimin e mbështetjes për Ukrainën. Qeveria britanike deklaroi se Zvinchuk kishte marrë fonde nga Rostec, konglomerati shtetëror rus i industrisë së mbrojtjes, dhe kishte bashkëpunuar me pjesëtarë të shërbimeve ruse të inteligjencës.
Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara e kanë akuzuar veçmas Zvinchuk për përpjekje për të ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2024, duke ofruar një shpërblim deri në 10 milionë dollarë për informacione mbi personat e përfshirë.
Pak ditë para arrestimit, Zvinchuk ishte mburrur në rrjetet sociale se kishte arritur të hynte në Mal të Zi, pavarësisht sanksioneve perëndimore dhe ndalimit të hyrjes në vend. Ai ironizoi një punonjës të kufirit, i cili, sipas tij, i kishte kontrolluar sendet personale, por nuk kishte verifikuar emrin e tij në një bazë të dhënash.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se Moska ishte në dijeni të ndalimit të Zvinchuk dhe se do të punonte për të siguruar lirimin e tij. sn