Nga Boldnews.al
Nëse fjala burrë do të matej me pasuri padyshim që ai do ishte një “Big burrë”, por ajo që ndodhi në Parlament ishte përçudnimim i plotë. Ai u kishte premtuar zgjedhësve se Bashkia Selenicë nuk do të shkrihej, por deputeti “shkriu edhe dinjitetin” personal, bashkë me një zonë të tërë që po shpopullohet gjithnjë e më shumë. Në takimet me banorë, por edhe qëndrime publike, deputeti i PS-së Vullnet Sinaj deklarohej hapur kundër Hartës së re Territoriale dhe veçanërisht shkrirjes së Bashkisë Selenicë, duke iu bashkangjitur Vlorës.
Për shumë arsye apo për vetëm një të tillë, Vullneti përbetohej se vota e tij do ishte kundër dhe nuk do të tradhtonte kurrë zgjedhësit e tij, kryesisht atë që njihet si zona e Lumit të Vlorës. Si bir i asaj krahine ai kishte mësuar historinë e të parëve trima që kanë lënë shenjë në periudhat më të rëndësishme të vendit, nga koha e Perandorisë Osmane e më pas.
Po Vullneti u thirr në një betejë pa armiq, por me një “armë” të fortë siç ishte vota. Në mbledhjen e grupit Parlamentar të mbajtur një ditë para votimit, deputeti Sinaj dhe Braçe shprehën votën kundër, duke u trimëruar me kryetarin Balla. Një ditë më pas… Vullneti ndryshoi.
Para kërcënimit të hapur të kryeministrit Rama se do të përjashtonte nga grupi këdo që dilte kundër, Vullnet Sinaj u gjunjëzua, madje duhet edhe të mbante fjalim për të deklaruar votën pro. Ai është për herë të dytë deputet i zgjedhur i kuvendit të Shqipërisë ku në fundin e madatit të kaluar u vetëtrimërua pasi ia hodhi lehtë ndonëse ishte plotësisht në kushte të ngjashme si në rastin e ish-deputetit të PS-së Koço Kokëdhima që Gjykata Kushtetuese i ndërpreu mandatin.
Për njeriun që e mban veten për “Big burrë”, do mbetet i paharruar imazhi i mëngjesit së të premtes së 9 tetorit… I fshehur në fund të sallës votoi pro ndryshimit të hartës së re territoriale ku nga 61 bashki vendi bëhet me 46, ku ndër 9 të shkrirat është edhe Selenica.
Po ashtu tymi i një cigareje të ndezur brenda në sallë ishte domethënia më e saktë sesi me vullnet apo pa vullnet edhe Vullneti u traujtua thjesht si karton. Me këtë që bëri ka përdhosur emrin e paraardhësve të tij në zonën e Lumit të Vlorës.