Në fund të gushtit, NASA u kërkoi kompanive me të cilat bashkëpunon të përgatiten për ndërtimin e një reaktori bërthamor, të aftë t’i rezistojë një udhëtimi në hapësirë dhe të funksionojë pa mirëmbajtje pranë polit jugor të Hënës.
Një projekt që deri vonë mund të dukej si skenar i një filmi fantastiko-shkencor, por që agjencia amerikane e hapësirës synon ta ketë gati për t’u lëshuar deri në dhjetor të vitit 2030.
Sipas The New York Times, kjo “nxitim” nuk është i rastësishëm. Rusia synon të vërë në funksion reaktorin e saj bërthamor hënor deri në vitin 2036, në kuadër të bashkëpunimit të saj, në masë të madhe të mbyllur, me Kinën. NASA ka përshpejtuar tashmë afatet e saj, në përpjekje për t’u paraprirë rivalëve gjeopolitikë.
Gara lidhet në thelb me të ardhmen e eksplorimit të hapësirës. SHBA-ja dhe Kina synojnë të jenë të parat që do të krijojnë një bazë të përhershme në Hënë, do të kërkojnë burime si uji i ngrirë dhe do ta përdorin Hënën si pikënisje për misione drejt zonave më të largëta të Sistemit Diellor.
Kontrolli i aksesit te burimet hënore konsiderohet thelbësor për këtë strategji. Të dyja superfuqitë e shohin një reaktor bërthamor si një element kyç të kësaj ambicieje. Planet parashikojnë që reaktorët të aktivizohen vetëm pasi të mbërrijnë në Hënë.
Megjithatë, shkencëtarë të njohur paralajmërojnë se qeveritë po lëvizin shumë shpejt, në një periudhë kur eksplorimi hapësinor ka regjistruar tashmë dështime serioze.
Gjatë gjashtë viteve të fundit, disa raketa kineze, amerikane dhe ruse kanë dështuar dhe shpërthyer, ndërsa një sondë ruse hënore është përplasur në sipërfaqen e Hënës. Në të njëjtën kohë, mbetje hapësinore bien rregullisht në Tokë.
Një dështim që përfshin një reaktor bërthamor mund të shkaktojë pasoja zinxhir. Mbetjet e një reaktori që do të binin në Tokë mund të shpërndanin materiale radioaktive, siç ndodhi në Kanada në fund të viteve ’70. Në të njëjtën mënyrë, një shpërthim ose shkrirje e bërthamës së reaktorit në sipërfaqen e Hënës mund të bënte zona të tëra të paarritshme.
“Do të ketë gjithmonë një garë hapësinore dhe, nëse kësaj i shtohet edhe energjia bërthamore, ajo mund të marrë një kthesë potencialisht shumë më të rrezikshme”, paralajmëron Edwin Lyman, drejtor për sigurinë e energjisë bërthamore në Union of Concerned Scientists.
Analiza e specifikimeve teknike, dokumenteve të prokurimeve dhe studimeve akademike, si dhe bisedat me përfaqësues të industrisë, zyrtarë qeveritarë dhe kritikë të këtyre planeve, tregojnë se si Kina, Rusia dhe SHBA-ja po e çojnë përpara këtë ambicie bërthamore.
Në të njëjtën kohë, ato hedhin dritë mbi një aspekt të rëndësishëm të bashkëpunimit ruso-kinez në hapësirë, një aleancë që është promovuar personalisht nga presidentët Xi Jinping dhe Vladimir Putin.
Energjia bërthamore duket se është misioni kryesor i programit hënor që Kina i ka besuar partnerit të saj rus. Arsyeja është e thjeshtë, asnjë vend tjetër nuk ka më shumë përvojë se Rusia në këtë fushë.
Moska ka lëshuar në orbitë më shumë se 30 reaktorë bërthamorë, kryesisht gjatë viteve ’70 dhe ’80, të integruar në satelitë të periudhës së Luftës së Ftohtë. Rusia mbetet gjithashtu një nga fuqitë kryesore botërore në përdorimin civil të energjisë bërthamore.
Rusia kontrollon gjithashtu sasinë më të madhe të disponueshme të një lloji karburanti bërthamor që konsiderohet ndër më të sigurtët për misionet hapësinore, uranium me pasurim jo të lartë. Në SHBA, ky karburant është në furnizim të kufizuar.
“Rusia praktikisht nuk ka konkurrentë në fushën e energjisë bërthamore hapësinore”, deklaroi për agjencinë ruse TASS Mikhail Kovalchuk, president i Institutit Kurchatov, i cili merr pjesë në projektimin e reaktorit hënor rus.
NASA, në të kundërt, po përpiqet të rikuperojë terrenin e humbur. Agjencia amerikane lëshoi një reaktor në vitin 1965, por ai u çaktivizua pas një defekti që nuk lidhej me reaktorin. Që atëherë, SHBA-ja ka shpenzuar më shumë se 20 miliardë dollarë në programe të energjisë bërthamore për hapësirën, pa zhvilluar një tjetër reaktor operacional.
Gara për reaktorin e parë bërthamor në Hënë nuk lidhet vetëm me eksplorimin, por edhe me demonstrimin e fuqisë. Presidenti Donald Trump e ka përfshirë epërsinë amerikane në hapësirë në axhendën e tij “America First”. Deklarata të ngjashme kanë bërë edhe Xi Jinping dhe Vladimir Putin.
Çdo bazë e përhershme në Hënë ka nevojë për furnizim të besueshëm me energji elektrike. Reaktorët bërthamorë nuk varen nga drita e diellit dhe mund të jenë relativisht të vegjël. Me projektimin e duhur, ata mund të funksionojnë gjithashtu me ndërhyrje minimale njerëzore, sipas NASA-s dhe Institutit Kurchatov.
Gjatë viteve të para të funksionimit, instalimet amerikane dhe kineze do të kenë nevojë për sasi relativisht të vogla energjie për të mbajtur pajisjet në temperaturën e duhur dhe për të karikuar roverët, automjetet që lëvizin në sipërfaqen e Hënës.
Për këto nevoja pritet të përdoren energjia diellore dhe sistemet e prodhimit të energjisë me radioizotope. Këto sisteme e shndërrojnë në energji elektrike nxehtësinë e prodhuar nga shpërbërja natyrore radioaktive e izotopeve dhe janë përdorur tashmë në hapësirë nga SHBA-ja, Rusia dhe Kina.
Një bazë më e madhe hënore, megjithatë, do të kishte nevojë për shumë më tepër energji sesa mund të sigurojnë këto sisteme.
Panelet diellore nuk do të mund të funksiononin gjatë netëve të akullta hënore, të cilat zgjasin më shumë se dy javë tokësore.
Për më tepër, çdo sistem energjetik i instaluar pranë polit jugor të Hënës duhet të përballojë luhatje ekstreme të temperaturës, nga rreth 54 gradë Celsius deri në -203 gradë Celsius.
Moska u ka ngarkuar agjencive shtetërore ndërtimin dhe dërgimin e një reaktori hënor të quajtur Selena, deri në vitin 2036. Ai do të furnizojë me energji elektrike instalimet hënore nën drejtimin e Kinës.
Selena do të jetë në gjendje të prodhojë deri në 10 kilovat energji elektrike dhe të funksionojë në mënyrë autonome për një dekadë. Projektimi i tij do të ketë karakteristika të përbashkëta me një reaktor të mëparshëm të projektuar për përdorim në Arktik.
NASA ka përshpejtuar afatet e saj, nga frika se një reaktor ruso-kinez mund të çojë në krijimin e një zone de facto përjashtimi në Hënë.
Reaktori amerikan Lunar Reactor 1 parashikohet të prodhojë 20 kilovat energji elektrike, afërsisht sa konsumi i 16 familjeve amerikane, dhe të funksionojë për pesë vjet pa ndërhyrje njerëzore.
Si hap të parë, NASA planifikon të përdorë energji bërthamore për shtytjen e një anijeje kozmike drejt Marsit në dhjetor të vitit 2028. Një teknologji e tillë nuk është provuar kurrë më parë.
Ndërkohë, Pentagoni planifikon të zhvillojë reaktorët e tij hapësinorë, të cilët mund të vendosen si në orbitë, ashtu edhe në Hënë, sipas Shtëpisë së Bardhë.
Megjithatë, afatet janë shtyrë vazhdimisht dhe pak ekspertë besojnë se vendet do të arrijnë t’i respektojnë ato.
Asnjë vend nuk disponon sot një mjet të testuar për ulje në Hënë, të aftë të transportojë materiale të rënda dhe potencialisht radioaktive në terrenin e vështirë hënor. Po ashtu, askush nuk ka instaluar ndonjëherë një reaktor bërthamor në një mjedis me gravitet të ulët.
Vetë bazat hënore ende nuk janë ndërtuar dhe nevojat e tyre reale për energji mbeten të panjohura. Për këtë arsye, ekspertët vlerësojnë se projektimi i reaktorëve mund të ndryshojë pjesërisht ose edhe tërësisht.
“Asgjë nuk është e sigurt në këtë moment”, thekson Julien de Trouy de Lanversin, shkencëtar bërthamor dhe profesor në Universitetin e Shkencës dhe Teknologjisë në Hong Kong.
SHBA-ja dhe Rusia argumentojnë se reaktorët e tyre do të qëndrojnë të çaktivizuar, ose “të paaktivizuar”, siç është termi shkencor, deri në mbërritjen e tyre në Hënë. Kjo e ul rrezikun.
Inxhinierët bërthamorë argumentojnë se karburanti “i ftohtë” i uraniumit paraqet një rrezik të vogël radioaktiv edhe në rast se bie në Tokë.
Megjithatë, një aksident mund të ndodhë veçanërisht gjatë procesit jashtëzakonisht të dhunshëm të lëshimit të një rakete.
“Ky është momenti kur ekziston një rrezik shumë i madh”, thotë Leopold Schumerer, drejtues i një grupi pune të Kombeve të Bashkuara për energjinë bërthamore në hapësirë. “Kemi shumë dështime të lëshimeve, ndaj kemi shumë të dhëna për atë që mund të shkojë keq.”
Një shembull është mundësia që një reaktor të bjerë në det. Uji ngadalëson neutronet, duke rritur mundësinë që ato të shkaktojnë ndarjen e atomeve. Kjo mund ta çojë reaktorin në gjendje kritike, pra të shkaktojë një reaksion zinxhir të ndarjes bërthamore dhe çlirimin e rrezatimit.
Rreziku është real, pasi shumica e platformave të lëshimit të raketave ndodhen pranë detit ose një tjetër burimi të madh ujor.
Aksidenti rus i vitit 2019
Ekspertët e energjisë bërthamore besojnë se diçka e ngjashme ka ndodhur me shumë gjasë në Rusi në vitin 2019, kur një raketë kruz, që dyshohej se funksiononte me një reaktor bërthamor, dështoi dhe ra në Detin e Bardhë.
Kur studiuesit u përpoqën ta nxirrnin nga deti, ndodhi një reaksion bërthamor, sipas Departamentit Amerikan të Shtetit. Të paktën pesë punonjës humbën jetën.
Rusia e ka mohuar këtë version, duke argumentuar se raketa nuk përdorte një reaktor bërthamor. Specifikimet e NASA-s parashikojnë që reaktori amerikan të ketë një projektim që do të parandalonte një situatë të tillë.
Rosatom, kompania shtetërore ruse e energjisë bërthamore, nuk pranoi të komentojë, duke deklaruar se programi i saj hapësinor është sekret.
Instituti Kurchatov, përgjegjës për aspektin shkencor, dhe Roscosmos, që ka përgjegjësinë për programin hapësinor rus, nuk iu përgjigjën pyetjeve. Pa përgjigje mbetën gjithashtu Ministria e Jashtme e Kinës dhe China Manned Space Agency.
Një tjetër rrezik është një defekt që mund të bëjë që një reaktor të rikthehet në Tokë pasi është vënë në funksion.
Në vitin 1978, rikthimi i pakontrolluar në atmosferën e Tokës i satelitit sovjetik me energji bërthamore Kosmos 954 shpërndau materiale radioaktive në një sipërfaqe prej gati 124 mijë kilometrash katrorë në veri të Kanadasë.
Pas rreth një viti operacionesh pastrimi, u rikuperua vetëm 0.1% e burimit energjetik të satelitit. Në SHBA, çdo reaktor bërthamor hapësinor parashikohet t’i nënshtrohet vlerësimit nga ekspertë të shtatë agjencive të ndryshme qeveritare.
Megjithatë, asnjë sistem nuk mund ta përjashtojë plotësisht mundësinë e një aksidenti.
“Vetë përkufizimi i një aksidenti është që gjërat nuk zhvillohen sipas planit”, thotë R. Scott Kemp, profesor i asociuar i Shkencës dhe Inxhinierisë Bërthamore në MIT. Kemp vlerëson se aksidentet mund të jenë edhe më të mundshme në Hënë.
Në Tokë, reaktorët bërthamorë ndodhen brenda strukturave të fuqishme mbrojtëse, të projektuara për të parandaluar përhapjen e materialeve radioaktive.
Ndërtimi i strukturave të ngjashme në Hënë do të ishte jashtëzakonisht i kushtueshëm dhe teknikisht i vështirë. NASA ka deklaruar se reaktori i saj do të ketë mbrojtje, por nuk ka dhënë detaje se si do të realizohet ajo.
Reaktorët hënorë ka të ngjarë të rrethohen nga zona ku nuk do të lejohet hyrja, për të kufizuar ekspozimin e astronautëve dhe pajisjeve ndaj rrezatimit. Me sisteme të kufizuara mbrojtëse, edhe aksidentet më të vogla mund të shkaktojnë një përhapje shumë më të madhe të materialeve radioaktive, sipas Kemp.
Në Hënë nuk ka erë, por graviteti më i ulët do të thotë se mbetjet e një shpërthimi mund të përshkojnë distanca të mëdha.
Ekziston edhe një problem tjetër ende të pazgjidhur: çfarë do të ndodhë në fund të jetës së reaktorëve?
Në Tokë, çmontimi i një reaktori bërthamor është një proces kompleks dhe jashtëzakonisht i kujdesshëm që zgjat me vite. Në Hënë, si NASA, ashtu edhe agjencitë ruse, deklarojnë se thjesht do ta lënë pas materialin radioaktiv.
“Në një garë, ata nuk duan të merren me një problem të vështirë për të cilin askush nuk ka një zgjidhje”, komenton Julien de Trouy.
Në të gjitha dokumentet teknike dhe njoftimet e prokurimeve, NASA deklaron se synon të përdorë karburant bërthamor me pasurim jo të lartë, i cili konsiderohet alternativa më e sigurt për reaktorët e avancuar.
Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se kushtet gjeopolitike dhe afatet shumë të ngushta mund ta komplikojnë situatën.
Reaktori i fundit hapësinor që NASA testoi, në vitin 2018, përdorte uranium me pasurim të lartë, i cili është më i lehtë dhe më i lirë për t’u lëshuar në hapësirë krahasuar me karburantet e tjera. Administrata e parë Trump kishte dekurajuar përdorimin e tij, pasi materiali mund të përdorej potencialisht për prodhimin e armëve bërthamore.
Sot NASA synon të përdorë karburantin HALEU (High-Assay Low-Enriched Uranium), pra uranium me pasurim të ulët dhe përmbajtje të lartë. Problemi është se HALEU është në furnizim të kufizuar në SHBA. Rusia është prodhuesi më i madh i tij, por SHBA-ja ka ndaluar importet e uraniumit rus që nga viti 2024, për shkak të luftës në Ukrainë.
Dokumentet e NASA-s tregojnë se agjencia pret që Departamenti Amerikan i Energjisë të sigurojë sasi të karburantit me pasurim të ulët për reaktorët hapësinorë. Megjithatë, vetë qeveria amerikane po has vështirësi për të prodhuar sasi të mjaftueshme.
Pala ruso-kineze nuk ka bërë të ditur se çfarë lloj karburanti planifikon të përdorë. Reaktorët hapësinorë rusë të së kaluarës përdornin uranium me pasurim të lartë.
“Nuk nevojitet asgjë më shumë se një punishte mekanike dhe një sasi e vogël eksplozivi të fuqishëm për ta shndërruar këtë në një armë plotësisht të besueshme”, paralajmëron kongresmeni demokrat i Illinoisit, Bill Foster, fizikant që kishte kontribuar në përpjekjet për të parandaluar përdorimin e uraniumit me pasurim të lartë në reaktorët hapësinorë.
Kompanitë që hyjnë në garë
Të paktën një kompani që mund të konkurrojë për kontratën e NASA-s për reaktorin hënor, Space Nuclear Power Corporation, po zhvillon një reaktor që përdor uranium me pasurim të lartë.
Një nga themeluesit e kompanisë refuzoi të komentojë, duke iu referuar “natyrës konkurruese” të programeve që pritet të zhvillohen.
Ndërkohë, programi amerikan hapësinor mund të shndërrohet në një mundësi të madhe biznesi për kompanitë që prodhojnë mikroreaktorë, të cilët mund të gjenerojnë deri në 10 megavat energji elektrike.
Këta reaktorë të kushtueshëm janë shumë të vegjël për të përmbushur nevojat e mëdha energjetike të qendrave të të dhënave, por kanë gjetur një treg potencial në aplikimet hapësinore dhe ushtarake.
Muajin e kaluar, Pentagoni përzgjodhi kompaninë Antares për të zhvilluar dhe prezantuar një mikroreaktor për përdorim në hapësirë. Antares ishte një nga pesë kompanitë që realizuan me sukses testet e reaktorëve gjatë verës, në kuadër të një programi të Departamentit Amerikan të Energjisë.
Kompania ka njoftuar se synon të konkurrojë për kontratat e NASA-s dhe Pentagonit për reaktorët hënorë. Mikroreaktorët mund të instalohen përfundimisht në Hënë, por deri më tani asnjë prej tyre nuk është provuar plotësisht si operacional dhe i gatshëm për një mision të tillë.
Çështje të rëndësishme të sigurisë mbeten ende të pazgjidhura: si do të largohet nxehtësia, si do të mbrohet reaktori nga rrezatimi dhe si do të garantohet integriteti i tij strukturor.
Problemi bëhet edhe më i vështirë sepse reaktorët hapësinorë duhet të jenë njëkohësisht të vegjël dhe të lehtë.
“Është plotësisht e realizueshme të vendosësh një reaktor në Hënë”, thotë Katie Huff, drejtuese e Departamentit të Inxhinierisë Bërthamore dhe Inxhinierisë Fizike në Universitetin Wisconsin-Madison.
Por sa më shumë energji të kërkohet, aq më i vështirë bëhet ndërtimi i një reaktori të tillë, thekson ajo.
Dhe pavarësisht konkurrencës së fortë për atë se kush do të mbërrijë i pari, Huff vlerëson se qeveritë kanë arritur më shumë kur kanë bashkëpunuar sesa kur kanë konkurruar.
“Dua të shoh më shumë bashkëpunim ndërkombëtar në hapësirë”, thotë ajo. “Pikërisht aty shkenca bashkëpunuese e ekipeve ka arritur të kapërcejë politikën tonë të vështirë ndërkombëtare.”
Panorama