Kancelari gjerman Friedrich Merz ka mbërritur në Kiev në një vizitë të papritur, në një kohë kur kryeqyteti ukrainas është nën kërcënimin e sulmeve të reja ajrore ruse.
Pak pas mbërritjes së tij në Kiev, në qytet u dëgjuan shpërthime. Më herët ishin aktivizuar sirenat e alarmit ajror dhe autoritetet kishin paralajmëruar për praninë e dronëve rusë në hapësirën ajrore mbi kryeqytet.
Pas mbërritjes, Merz deklaroi se kishte udhëtuar drejt Kievit për t’i shprehur Ukrainës mbështetjen e Gjermanisë në një periudhë të rëndësishme të luftës.
“Jam në Kiev sepse Ukraina ka nevojë për të gjithë mbështetjen tonë në javët e ardhshme”, tha kancelari gjerman në një deklaratë.
Merz theksoi se mbështetja gjermane për Ukrainën do të vazhdojë dhe se këtë mesazh do t’ia përcjellë edhe presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky.
“Do t’i them presidentit Volodymyr Zelensky: Mund të vazhdoni të mbështeteni në ndihmën tonë”, u shpreh ai.
Kancelari gjerman paralajmëroi gjithashtu për rrezikun që paraqet vazhdimi i luftës, duke deklaruar se, nëse Rusia nuk ndalet, makina e saj ushtarake mund të kthehet në të ardhmen kundër vendeve të tjera. Panorama