TIRANË- Avokati Arben Llangozi ka rikthyer videon e publikuar prej tij më 12 qershor, ku pretendon se Ergys Agasi, në atë kohë në kërkim nga drejtësia, udhëtonte me makinën tip Audi A8 të zi që i përkiste drejtoreshës së SHISH, Vlora Hyseni. Në një reagim të tij, Llangozi thotë se videon e kishte publikuar më herët dhe kishte denoncuar publikisht lëvizjen e Agasit me automjetin që ai e lidh me Hysenin, por pretendon se në atë kohë nuk ishte besuar.
Avokati rikthen gjithashtu një pretendim të mëparshëm të tij për një marrëdhënie intime mes Ergys Agasit dhe Vlora Hysenit, duke thënë se edhe ky pretendim ishte pritur me mosbesim.
Reagimi i Llangozi vjen pasi Vlora Hyseni është vendosur nën masën e sigurisë “arrest në shtëpi” dhe është pezulluar nga detyra. Në postimin e tij, avokati ngre pikëpyetje mbi mënyrën se si Ergys Agasi në kërkim mund të lëvizte me një automjet që ai pretendon se i përkiste drejtueses së SHISH.
Postimi i Plotë:
Më 12 qershor publikova videon e Ergys Agasit në kërkim duke udhëtuar me makinën e drejtoreshës së SHISH, askush nuk më besoi. Më 12 qershor publikova këtë video dhe denoncova publikisht se Ergys Agasi, megjithëse ishte në kërkim me vendim gjykate, udhëtonte me Audi A8 të zi të drejtoreshës së SHISH, Vlora Hyseni. Askush nuk më besoi. Ishte shumë e rëndë për t’u pranuar, një njeri në kërkim nga drejtësia lëvizte me makinën e drejtueses së shërbimit sekret shqiptar.
Më herët kisha bërë publik edhe pretendimin se mes Agasit dhe Hysenit ekzistonte një marrëdhënie intime. Edhe kjo u prit me mosbesim. Sot Vlora Hyseni është nën masë sigurie dhe e pezulluar nga detyra, ndërsa sipas raportimeve publike hetohen dyshime se informacione shtetërore i janë përcjellë pikërisht Ergys Agasit. Prandaj sot rikthej videon e 12 qershorit. Atëherë shumëkush zgjodhi të mos besonte atë që po denoncoja. Sot kjo video kërkon një shpjegim shumë më serioz, si mund të ishte Ergys Agasi në kërkim nga shteti dhe njëkohësisht të lëvizte me makinën e drejtueses së SHISH?