Kongresi i ka dërguar presidentit amerikan, Donald Trump, një projektligj për sanksione gjithëpërfshirëse ndaj Rusisë, duke hapur një fazë të re të presionit ekonomik të Uashingtonit ndaj Moskës.
Senatorja Jeanne Shaheen, demokratja më e lartë në Komitetin e Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë dhe bashkëkryesuese e Grupit të Vëzhguesve të NATO-s në Senat, tha se legjislacioni synon të shënjestrojë të ardhurat financiare dhe energjetike të Rusisë dhe të rrisë presionin ndaj Kremlinit.
Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë më 17 shtator, Shaheen foli për projektligjin për sanksionet, nevojat urgjente të Ukrainës, luftën hibride ruse dhe aktivitetet e Moskës përgjatë krahut lindor të NATO-s. Ajo në këtë intervistë po ashtu foli për paqëndrueshmërinë në Ballkan dhe rolin e opozitës ruse në kundërshtimin e narrativit të Kremlinit për luftën.
“Presioni ndaj Putinit”
Radio Evropa e Lirë: Kongresi sapo ka miratuar projektligjin për sanksionet ndaj Rusisë, legjislacioni i parë i madh dypartiak i Kongresit në mbështetje të Ukrainës që nga paketa e ndihmës emergjente e miratuar në prill të vitit 2024. Çfarë ndryshon për Moskën tani që legjislacioni po i dërgohet presidentit Trump për nënshkrim?
Jeanne Shaheen: Shpresoj se ky dërgon një mesazh të rëndësishëm. Ishte një votim me mbështetje shumë të fortë dypartiake në të dyja dhomat. Në Senat u miratua me 86 vota për dhe 11 kundër, ndërsa dje [v.j. 16 shtator] në Dhomën e Përfaqësuesve mori mbi 100 vota, me mbështetje të madhe dypartiake.
E mbështetën si demokratët, ashtu edhe republikanët. Ajo që do të bëjë është të godasë jo vetëm sektorin financiar të Rusisë, oligarkët dhe njerëzit përreth Vladimir Putinit që po ndihmojnë në zhvillimin e luftës së Rusisë. Do të godasë gjithashtu të ardhurat që po e financojnë këtë luftë, të ardhurat nga nafta dhe gazi.
Legjislacioni do të vendosë tarifa ndaj pesë vendeve kryesore që përdorin naftën dhe gazin rus, që janë kryesisht Kina dhe India. Ato janë përdorueset më të mëdha. Dhe, ajo që kemi dëgjuar nga India është se nëse ky projektligj miratohet ajo do të ndalojë blerjen e naftës dhe gazit rus.
Pra, shpresoj se ky legjislacion do t’i dërgojë një mesazh të fortë jo vetëm Putinit dhe Rusisë, por edhe Kinës dhe blerësve të tjerë të naftës dhe gazit rus. Ai po ashtu godet flotën në hije.
Por, ky është edhe një mesazh për Ukrainën. Dje patëm një konferencë për media ku udhëheqësit e të dyja dhomave folën për mesazhin që po u dërgojmë ukrainasve. Mesazhi është se ne e vlerësojmë guximin e tyre. Ata po luftojnë për demokracinë dhe lirinë dhe ne do të përpiqemi të bëjmë gjithçka që mundemi për t’i mbështetur.
Radio Evropa e Lirë: Sa shpejt mund të fillojnë këto sanksione që të ushtrojnë presion të matshëm mbi ekonominë ruse dhe çfarë do të përcaktojë shpejtësinë me të cilën ato do të hyjnë në fuqi?
Jeanne Shaheen: Kjo varet nga administrata. Tani, presidenti po planifikon ta nënshkruajë këtë projektligj brenda një dite apo pak më shumë. Shpresojmë që, sapo të nënshkruhet, Departamenti i Thesarit të fillojë zbatimin e këtyre sanksioneve.
Ne kemi punuar shumë ngushtë me përfaqësuesin tregtar, ambasadorin Jamieson Greer, për legjislacionin, në mënyrë që ata të jenë të përfshirë dhe të shqyrtojnë vendet dhe mënyrën se si do të përcaktojnë se cilat prej tyre preken.
Prandaj, shpresojmë shumë se do të shohim veprime nga administrata sapo të miratohet projektligji.
Radio Evropa e Lirë: Kritikët kanë vënë në pikëpyetje nëse sanksionet do të ndryshojnë vërtet llogaritjet e Moskës. Cilët tregues konkretë do të vëzhgoni në javët dhe muajt e ardhshëm për të kuptuar nëse masat po funksionojnë?
Jeanne Shaheen: Do të vëzhgojmë nga afër zbatimin e tyre. Dhe, nuk është vetëm pjesa e sanksioneve që mendojmë se është e rëndësishme, por edhe, siç thashë, ndërprerja e burimeve financiare.
Rusia merr mbi 50 për qind të të ardhurave të saj nga shitja e naftës dhe gazit. Dhe e dimë që Evropa tashmë është shkëputur nga nafta ruse dhe është në proces të shkëputjes edhe nga gazi rus. Por, ka vende të tjera në botë që nuk e kanë bërë këtë.
Në këtë drejtim, Kina është më e spikatura. Kina duhet ta marrë mesazhin se nëse dëshiron të vazhdojë të blejë gaz rus, nëse dëshiron të vazhdojë ta ndihmojë Rusinë të financojë dhe të paguajë për këtë luftë të paprovokuar që po vret civilë, që është e tmerrshme, dhe nëse Rusia po ka rreth 35.000 viktima në mesin e ushtarëve në muaj, atëherë Kina do të duhet të paguajë. Do të duhet të paguajë vlerën e tregut.
Nuk duhet të ketë më blerje të naftës dhe gazit në tregun e zi përmes flotës në hije, ku nuk paguhet çmimi i tregut.
Radio Evropa e Lirë: Ukraina po hyn në një tjetër fazë të vështirë të luftës. Ju jeni në kontakt të rregullt me zyrtarët ukrainas. Çfarë i nevojitet më urgjentisht Kievit nga Uashingtoni tani?
Jeanne Shaheen: Mendoj se duhet të bëjmë gjithçka që mundemi për t’iu dhënë penguesit që po u ndihmojnë ata të mbrohen nga raketat ruse.
Kjo është një sfidë sepse po hasim vështirësi me bazën tonë industriale të mbrojtjes, jo vetëm në Shtetet e Bashkuara, por edhe te aleatët tanë evropianë. Mendoj se po përpiqemi të bëjmë gjithçka që mundemi për t’i siguruar Ukrainës këta pengues.
Duhet të sigurohemi që të kenë lidhje me Starlink, në mënyrë që të mund të ndjekin atë që po ndodh me raketat ruse. Dhe, duhet t’i ndihmojmë të përgatiten për një tjetër dimër shumë të ftohtë.
Duhet po ashtu të mendojmë për çdo mënyrë që mundemi për t’i bërë presion Vladimir Putinit që të ulet në tryezën e bisedimeve dhe ta ndalë këtë luftë. Ekonomia e tij po lëkundet. Siç thashë, ai ka 35.000 viktima në mesin e ushtarëve në muaj.
Aftësia për të kompensuar nevojën për ushtarë përmes rekrutimit po i kushton shumë para thesarit rus. Prandaj duhet të vazhdojmë të ushtrojmë sa më shumë presion që mundemi, jo vetëm Shtetet e Bashkuara, por të gjithë aleatët tanë.
Radio Evropa e Lirë: Presidenti Trump ka folur për një armëpushim në fushën e energjisë mes Rusisë dhe Ukrainës. Në çfarë kushtesh mund të bëhet një armëpushim i kufizuar një rrugë drejt një marrëveshjeje më të gjerë?
Jeanne Shaheen: Mendoj se kjo varet nga mënyra se si strukturohet armëpushimi dhe nëse Rusia është vërtet serioze për t’u ulur në tryezën e bisedimeve. Deri tani, nuk ka qenë.
Vladimir Putini po i mban të gjithë në pritje, duke e zvarritur procesin edhe me administratën Trump dhe të dërguarit e saj, sepse mendon se mund të na rraskapitë, sa të heqim dorë.
Epo, mendoj se dje pamë një mesazh të fortë nga Kongresi, nga dy partitë, se nuk do ta lejojmë Putinin dhe Rusinë të na bëjnë të heqim dorë duke na rraskapitur. Do të bëjmë gjithçka që mundemi për të ushtruar presion ndaj tyre.
“Lufta hibride po ndodh që një kohë”
Radio Evropa e Lirë: Rusia po përdor gjithnjë e më shumë dronë, sulme kibernetike, sabotime dhe mjete të tjera përtej Ukrainës. Sipas jush, ku përfundon lufta konvencionale dhe ku fillon lufta hibride?
Jeanne Shaheen: Lufta hibride po zhvillohet tash e një kohë dhe tani po shohim një intensifikim të saj.
Lajmi i mirë është se ukrainasit janë shumë novatorë. Ata kanë qenë një hap përpara teknologjisë ruse të dronëve dhe ne duhet të bëjmë gjithçka që mundemi për ta mbështetur këtë.
Kjo nuk është vetëm në interes të Ukrainës, është edhe në interes të Amerikës. Ajo që kemi parë në Lindjen e Mesme është se këta dronë kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme ndaj aseteve amerikane në Lindjen e Mesme.
Ne duhet të jemi sa më të avancuar në aspektin teknologjik në fushën e dronëve dhe kundërdronëve dhe Ukraina mund të na ndihmojë me këtë.
Në fakt, presidenti Zelensky, kur u takua rreth një muaj më parë me senatorët, e bëri këtë ofertë. Ai tha: “Ne duam të punojmë me ju për ta ofruar këtë teknologji”.
Radio Evropa e Lirë: Ju keni ngritur, në mënyrë specifike, shqetësime për aktivitetin rus përgjatë krahut lindor të NATO-s. Çfarë, sipas vlerësimit tuaj, po teston Moska në Baltik dhe në Poloni?
Jeanne Shaheen: Ai nuk po e teston vetëm në Baltik. Po e teston edhe në Poloni.
Ne e dimë se ai po e përdor. Sot patëm një seancë dëgjimore në Komitetin për Marrëdhëniet me Jashtë dhe një nga çështjet që u ngrit ishte fakti se Serbia ka shërbyer si një pikë ndalimi për rusët kur ata kryen sulmin në Lajpcig. Më pas u kthyen në Serbi.
Prandaj duhet të sigurohemi që po e luftojmë luftën hibride kudo që mundemi. Dhe kjo nuk është vetëm në interes të Amerikës, por edhe në interes të aleatëve tanë evropianë.
Sapo pamë Distriktin Jugor të Nju Jorkut që ngriti aktakuzë ndaj pesë rusëve, të cilët flasin për vrasjen e amerikanëve në Shtetet e Bashkuara. Ata janë banditë, janë mafiozë, janë të lidhur me Vladimir Putinin dhe ai i ka këta banditë, që po shënjestrojnë disidentët rusë, të cilët ndodhen ligjërisht në Shtetet e Bashkuara.
Radio Evropa e Lirë: Nëse Rusia vazhdon të veprojë nën pragun e një lufte të hapur, si duhet të duket përgjigjja e SHBA-së dhe e NATO-s?
Jeanne Shaheen: Mendoj se duhet të vazhdojmë të bëjmë gjithçka që mundemi për ta mbështetur Ukrainën.
Duhet të vazhdojmë të punojmë me aleatët tanë të NATO-s dhe të jemi në gjendje t’u përgjigjemi disa prej këtyre sulmeve hibride. Ata po punojnë për këtë në mënyra që, mendoj, do të jenë të dukshme gjatë ditëve dhe muajve të ardhshëm.
Radio Evropa e Lirë: Le të kthehemi te Serbia, por edhe te Ballkani më gjerësisht. Ju keni ngritur shqetësime për mundësinë e paqëndrueshmërisë, që mund të përfshijë Kosovën, Serbinë dhe Bosnje e Hercegovinën. Cili është shqetësimi më i madh që keni sot për këtë çështje.
Jeanne Shaheen: Është lidhja që Serbia dhe serbët në Republikën Sërpska kanë me Rusinë dhe interesi i tyre për ta destabilizuar rajonin.
Rusia e sheh këtë si një front të dytë të mundshëm dhe ne duhet të bëjmë gjithçka që mundemi për të ruajtur stabilitetin në rajon. Duhet ta bëjmë të qartë se edhe ushtria jonë po e vëzhgon situatën nga afër.
Ne kemi një prani të NATO-s në Kosovë. Kemi misionin EUFOR në Bosnjë e Hercegovinë. Duhet të sigurohemi që rusët ta dinë se këto misione janë në gatishmëri të lartë dhe po e vëzhgojnë nga afër atë që po ndodh.
Radio Evropa e Lirë: Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është dënuar me 25 vjet burgim për krime lufte nga Gjykata Speciale në Hagë. Çfarë mund të nënkuptojë ky vendim për politikën e Kosovës dhe sigurinë rajonale?
Jeanne Shaheen: Nuk e di. Nuk kam pasur rastin që ta shqyrtoj këtë çështje, prandaj nuk mund të komentoj për këtë.
Roli i opozitës ruse
Radio Evropa e Lirë: Le të kthehemi te Rusia. Çfarë roli mund të luajë opozita ruse përderisa lufta vazhdon dhe shtypja brenda Rusisë mbetet e ashpër?
Jeanne Shaheen: Ata kanë qenë shumë efektivë në nxjerrjen në pah të asaj që po ndodh në Rusi dhe në ruajtjen e lidhjeve me vendin, në mënyra që mund të ndihmojnë në rritjen e numrit të disidentëve që ndodhen brenda Rusisë dhe në shpërndarjen e informacionit për atë që Vladimir Putini po bën, për sa i përket shtypjes të kujtdo që nuk e ndjek politikën e tij.
Ata po zbulojnë pasojat e viktimave që po ndodhin. Dhe, po flasin për ndikimin e sanksioneve në ekonominë ruse, sanksione që janë vendosur jo vetëm nga Shtetet e Bashkuara, por edhe nga Evropa, si dhe për pasojat e këtij legjislacioni të ri dhe ndikimin që do të ketë.
Pra, opozita ruse qenë shumë e rëndësishëm në përpjekjet për ta mbajtur përgjegjës Putinin.
Radio Evropa e Lirë: Për fund, nga Ukraina te Baltiku dhe Polonia e deri te Ballkani, a janë këto kriza të veçanta, apo i shihni si elemente të ndërlidhura të një sfide më të gjerë ndaj sigurisë evropiane?
Jeanne Shaheen: Le të jemi të qartë, ajo që po ndodh është e gjitha e ndërlidhur dhe po shohim Rusinë duke bashkëpunuar me Kinën, Iranin dhe Korenë e Veriut, jo vetëm në Ukrainë, por edhe në Iran.
Ne e dimë se iranianët po përdorin informacion nga Kina dhe Rusia që u ndihmojnë për të shënjestruar asetet amerikane.
Është e papranueshme që ne të mos bëjmë gjithçka që mundemi për të shënjestruar Vladimir Putinin, për të goditur Kinën, për t’i ndalur sulmet e tyre ndaj burrave dhe grave amerikane që shërbejnë në Lindjen e Mesme dhe ndaj aseteve tona atje.
Kjo po u kushton para taksapaguesve amerikanë dhe po u kushton jetë amerikanëve, dhe kjo nuk duhet të lejohet. Kjo administratë duhet të bëjë më shumë për ta ndalur këtë.