Pas urdhrit të tretë të policisë, situata u qetësua dhe thirrjet ndaj efektivëve u ndalën.
HAGA- Qytetarët shqiptarë janë mbledhur para ambienteve të Dhomave të Specializuara, ndërsa seanca ndaj ish-krerëve të UÇK-së pritet të nis për pak orë. Kjo situatë është shoqëruar me tensione, pasi pas grumbullimit të tyre ka ndërhyrë policia, e cila u ka kërkuar të shpërndahen.
Efektivët paralajmëruan se nëse urdhri nuk zbatohej, do të përdornin forcën për t’i larguar. Pas kësaj, qytetarët nisën të fyenin policët holandezë, duke sjellë përplasje verbale. Pas urdhrit të tretë të policisë, situata u qetësua dhe thirrjet ndaj efektivëve u ndalën.
Mbështetësit shprehen në solidaritet me Thaçin, Veselin, Selimin dhe Krasniqin, të cilët ndodhen në paraburgim në Hagë që prej nëntorit 2020. Ish-kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK), Hysni Gucati iu drejtua protestuesve me një apel për qetësi.
“S’kemi punë me policinë holandeze”, tha ai duke u kërkuar të pranishmëve të shmangin çdo përplasje me autoritetet./Dosja.al