Nisma për vendosjen e shtatores u ndërmorr nga gazetari Marin Mema dhe u mbështet financiarisht nga personalitete, por edhe qytetarë të shumtë.
Një shtatore gati nëntë metra e lartë e mbretëreshës ilire Teuta është vendosur në ballkonin panoramik të Shëngjinit, duke i dhënë zonës një vlerë të shtuar historike.
Nisma për vendosjen e shtatores u ndërmorr nga gazetari Marin Mema dhe u mbështet financiarisht nga personalitete, por edhe qytetarë të shumtë.
Kjo është shtatorja e parë e një prijësi ilir që vendoset brenda territorit të Shqipërisë.
“Uroj shumë që ky të jetë vetëm hapi i parë i një sërë monumentesh që duhet, e ripërsëris, duhet të ndërtohen për të rikujtuar trashëgiminë, kulturën dhe identitetin tonë kombëtar. Nëpërmjet tyre, ne ruajmë dhe përcjellim te brezat e ardhshëm historinë dhe vlerat tona kombëtare”, u shpreh gazetari Marin Mema.
Teuta e mori pushtetin pas vdekjes së bashkëshortit të saj Agronit. Ajo ishte gruaja e dytë e tij si dhe njerka e tutorja e djalit të tij Pinit. Ndonëse sundoi për vetëm tre vite, Teuta vijoi politikat e Agronit duke zgjeruar territoret e fisit ilir të Adrianëve duke sulmuar Peloponezin në Greqinë e sotme. Gjatë fushatave ekspansioniste, ajo morri nën kontroll edhe qytetin e Foinikes, që në atë kohë ishte kryeqendra e Epirit.
Teuta legjitimoi piraterinë në detin Adriatik, e flota e saj ushtarake u shndërrua në terrorin e anijeve tregtare greke dhe romake. Ajo u tradhëtua nga guvernatori i saj Demetër Fari menjëherë pas nisjes së fushatës së romakëve për pushtimin e Ilirisë. Fari i dorëzoi Korkyrën dhe gjithë flotën e anijeve detare të saj te romakët. Korkyra, apo Korfuzi i sotëm, ndodhej nën kontrollin e mbretëreshës Teuta.
Shtatorja e inauguruar dje në Shëngjin është vepër e skulptorit Julian Muçollari.