Gruas
ç’ruan
në zbehtësinë e fytyrës
në aneminë e fjalës
ç’fsheh
barrën e dhjetë
apo vitet e tua
ç’ruan
në zbehtësinë e fytyrës
zërin e t’yt shoq
apo në përkëdhelje të humbur
ç’ruan në aneminë e fjalës
këngën e heshtur
apo një pranverë të sosur
ç’ruan
kur përkund kohën në djep
ç’ruan
ç’fsheh
Ora e parë
Jusufi
Jusuf Kanjushë e verdhë
Jusuf Gërvalla… mungon
Teuta Iliri Agroni Ylli
Fadi Fadil Talla… mungon
Ylfetja Ylfete Humolli… mungon
Shukrija Shukrije Obërtinca… mungon
Kimetja Arsimi Kujtimi
Halimi… Halimi… mungon
Shpresa Besa Kastrioti
Fatmiri Fatmir Kërleshi… mungon
Afrimi Afrim Zhita… mungon
Vazhdojmë
Valbona Shkurta Gjoni
Xhevati… Xhevati… mungon
Mungon Nesimi Bekimi
Afrimi… Afrim Prebreza… mungon
Mos më sillni
Certifikata mjekësore
Prindore policore shtetërore
Thoni vetëm mungon
Me lule do t’ua mjekojmë plagët
Do t’i presim
Do t’i presim
Thoni vetëm mungon
Do të çelin lule gjaku
ora vazhdon…
Prej teje deri të unë,
Një natë
Dhe rrugë e gjatë.
Prej teje deri të unë,
Njerëzit ecin pa zhurmë.
(Disa kthehen nga turni i tretë).
Prej teje deri të unë,
Hapat në trotuar.
Në kokat e kalimtarëve,
Zhurmë makinash.
(Si te unë fjalët).
Prej teje deri të unë,
Secili edhe një hap në shtëpi.
Prej teje deri të unë,
Nata e vodhi rrugën
E di emrin tim
Nëse më njeh – e di emrin tim
ka emrin e fluturimit
nëse e di emrin tim mos më thirr fluturim
Nëse më ke parë – e di kush jam
i kam krihet e thëllëzës
nëse e di kush jam mos më thërrit thëllëzë
Nëse ke dëgjuar këngën time – e di si këndoj
vëlla e kam bilbilin
nëse e di si këndoj këngën mos ma ndal
Nëse lotët i urren – e di se unë nuk qaj
qyqen nuk e kam fis
nëse e di se nuk qaj mos më thuaj se nuk ndjej.