Nga halli mësova disa zanate, si: bojaxhi, murator, elektricist, hekraxhi dhe të gjitha këto se më kish hipur në kokë të bëhesha shkrimtar. Shkrova një libër për hapjen e një tuneli të papërfunduar dhe më akuzuan, se në fund të tunelit s`kishte dritë. Ende pa mbaruar si do t`i dukej drita?! Hapa kanale, hapa transhe, por në hapje tunelesh nuk më lejohej, pasi isha i paaftë ta shihja dritën atje ku e shihnin të tjerët. Sa hap e mbyll sytë po quhesha njeriu i errësirës. Dhe sa herë që përmendeshin “forcat e errëta”, e dija që atje më kishin vendosur dhe mua. Të gjithë ata, që më tregonin se kush isha unë, më dukej sikur në ballë mbanin një llambë, si ajo që mbajnë minatorët. Nga fundi i kalvarit, meqë dallohesha në bukurshkrim më caktuan në dekorin e qytetit, ku shkruheshin parrulla dhe bëheshin portrete udhëheqësish.
Isha mësuar të ulja kokën dhe të shihja punën time, përderisa isha njeriu nga i cili duhej të ruheshin. Por, njeriu i heshtur ngjallte dyshime. Seç bluan ai në heshtje?! Ata me të cilët më lidhi puna e re, s`u pushonte goja. Vesin e llapaqenit me sa duhet e kishin marr me induksion, për shkak të sektori të parrullave si mjet propagande.
Sapo Leu u largua, Ndreu si ta kishte pritur me padurim largimin e tij, ngriti zërin:
-E patë me sa nxitim që iku, se e pret dashnorja?! Po e përdor ajo si gomarin në dasëm. Shkon i lyen shpinë.
-Ajo po ia ha lekët!-e pasoi Lefi, që me raste aktivizohej dhe në estradën e qytetit.
-S`i dini të gjitha ju! Leu s`është nga ata që të ha, por tjetër kush e ka urdhëruar.-e pasoi Hazbiu.
-Racë hyzmeqarësh.-ky i fundit ishte Ndini, i cili pretendonte se rridhte nga një familje kaçakësh.
-Ti e njeh Leun?-më pyeti Hazbiu. Unë u mjaftova me një “ja ashtuja”.
-E paqartë kjo “ja ashtuja”.-ma preu Ndini.
Kur Leu u kthye, sikur të mos ishin ata që e kishin sharë, nis t`i vinin në dukje vetira, që, zor se i gjeje dhe tek udhëheqesit që u bënim portretet.
-Mirë që erdhi ti, të bëjë dhe unë një dalje.-tha Ndreu dhe nxitoi jashtë pa i fshirë cërkat e bojës mbetur në duar.
-Nuk po e mbante vendi? E shoqja, që e ka mësuese, orën e tretë e ka pushim dhe ai shkon ta kontrollojë. I qep e gjora aq të gjata rrobat sa mbulohet këmbë e kokë. Dekoltera siç mbajnë gratë e botës, s`ka mbajtur ndonjëherë zysha!
-Të isha unë e kisha lënë!-u hodh Leu.
-Eh, sa herë e ka lënë ajo! Ajo ik dhe ai lutu pas derës. Fuste sekretarin mik dhe ajo kthehej, për hatër të partisë.
-Po ti e njeh Ndreun?-m`u drejtua mua.
-Ja ashtuja.
-Shih si hiqet?! Ndreu njihet si pare e kuqe, por ky s`do të prishi gojën. Se kur e prish e dhjetë fare!
Kur u kthye Ndreu e mbytën me lëvdata. Në pëllëmbë të dorës e mban atë grua, që ta ka zili i gjithë arsimi! I erdhi radha të ikte Lefi. Ky para se të dilte në rrugë, ktheu njëherë kokën nga ne:
-Unë po iki, por ju e dini vetë, ë!-ata qeshën dhe ia bën me shenjë: pse ç`a kujton ti, se do të kursejmë?!
-Iu ndez hunda për një teke. Kjo është e treta, që pi në orar të punë.
-Pi në klub, se në shtëpi ajo labja e nxjerr në ballkon dhe për të tymosur!
-Mirë që s`po ha më hudhëra se do na qelbte!-e mbylli Leu, kur në derë u duk Lefi. Më pas nis ta lavdëronin si dollibash. Se kishte mundur me raki aq e aq dasmorë. I fundit doli Hazbiu.
-Iku fuksi! Shkon tek drejtori t`i raportojë.-e theu heshtjen Lefi.
-E njeh Hazbiun ti?-m`u drejtua Ndreu.
-Ja ashtuja.
-Nuk ke përgjigje tjetër ti, që thua gjithmonë të njëjtën fjalë?
-Mua më kanë sjellë këtu për t`u edukuar në gjirin tuaj. Të mësoj prej jush dhe jo t`u bëj moral. Juve s`u lejohet, ta shihni botën me sytë e mi.
-Hë ç`je ti, ç`je ti për të rrëshqitur?!
Pasi erdhi Hazbiu dhe e mbytën me lavde, duke i vënë në dukje një veti, që për fjalët që kishin thënë pas kurrizit të tij, s`do ua besonte kush.
-Ky burrë ka një cilësi të lartë: s`i shet kurrë shokët!-tha Lefi. “Këtu, mjerë ai që mungon.”-thashë me vete dhe vendosa të mos luaja nga vendi. Pas një heshtje që zgjati ca, Leut s`iu durua:
-Po të kullojnë sytë mbi beze, dil njëherë edhe ti si shokët!
-Dil e kulloti një çikë sytë, meqë na mbahesh dhe si poet! Nuk të merret për shkelje. Racionin e qumshtit dhe daljen e kemi me teskere.
-Mos e luani se është i trëmbur!-ua preu shpresat Hazbiu.-Më lehtë i del hidhërimi patlixhanit kur e fut në ujë se sa këtij i del frika.
-Nëse ai ka ardhur për t`u ndrequr, duhet të bëjë si ne.-u hodh Lefi.-I kam zëtë ata që duan të bëjnë të ndershmin me zor!
-Ky po na del më i ndërgjegjshëm se ne?!-u hodh Ndreu.
Ndërkohë ia behu sekretari i partisë, i cili pasi përshëndeti me një ngritje dore dha komunikimin e radhës:–Ju e dini që në byronë politike kemi disa figura të reja. Me rastin e festave na kërkohet urgjentisht, që të bëhen portretet e udhëheqjes. Ti, m`u drejtua mua.-do bësh shokun…-Më caktoi të bëja portretin e atij, që më kishte nxirë jetën.-Apo do ndonjë tjetër?-pyetjen e mora për provokim.
-Të rrimë shtrembër e të flasin drejt, këtij hakshe i ka ardhur shansi tek dera. Le të reflektojë.-ndërhyri Hazbiu.
-Sikurse e dini, e kemi sjell në gjirin tuaj, që të edukohet. A ka filluar të shkrihet me masën?-pyeti sekretari.
-Vjen ca i tërhequr, për të mos thënë i kamufluar.-tha Leu.
-Ka një ndroje para nesh, por besoj se me kalimin e kohës do t`i dali.-e pasoi Ndreu.
-Nuk di mbase gaboj, por mua më duket sikur vuan nga një frymë mosbesimi ndaj nesh.-tha Hazbiu. Të tjerët e miratuan me kokë.-Kemi një orë që i lutemi, për të mirën e tij, helbete poet tjetri, dil që dil, siç dalim dhe ne, ai kujton se mos po ia kemi me hile?!
-Po më thoni se vë në dyshim moralin tuaj? Nëse ky nuk shkrihet me ju, nuk harmonizohet me sjelljet tuaja, nuk merr frymën tuaj, s`ka për të parë dritë në fund të tunelit.-sekretari u drejtua nga unë.-Kaq po të them: mos u nda nga shokët! Vetmia intelektuale është e huaj për ne.-dhe duke mos e fshehur pakënaqësinë ndaj meje mori për nga dera e jashtme.
-I ke faj u bë kasapi të drejtoj kulturën!-u hodh Ndini.
-Me shkollë natë tjetri dhe na mbahet sikur ka lexuar më shumë se shoku Enver!-për të mos i dëgjuar më, lashë penelin dhe nxitova drejt derës. U largova për të mos u ndarë nga shokët. Meqë ata s`kursyen as sekretarin, që mbulonte sektorin e dekorit, le të thonin ç`të donin, mjafton që t`më pranonin si njëri ndër ta. Kur u ktheva më mbytën me lëvdata. Tani më duhej të bëja portretin e njeriut, që më kishte nxirë jetën. Gjithë dritën dhe ngjyrat për të cilat isha kritikuar se i mungonin krijimtarisë sime i lëshova mbi portretin e shokut…
Pas viteve `90-të ishte radha e byroistit të mungonte. Mos harro se ke vizatuar portretin e atij shokut, do më thoshte Hazbiu, Ndini, Leu e Ndreu, përveç Lefit…
Fatbardh Amursi