KOSOVË- Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, deklaroi se çelësi i një marrëveshjeje me Lëvizjen Vetëvendosje të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, mbetet arritja e një balance demokratike mes palëve.
Pas tri takimeve me Kurtin, në kuadër të përpjekjeve për zgjidhjen e krizës politike dhe formimin e institucioneve të reja, Abdixhiku tha se është shënuar progres në disa çështje, por se ende ekzistojnë dallime të mëdha lidhur me postin e presidentit.
“Ka shumë afrime në shumë çështje, por ende kemi distancë në çështjen kryesore, që është balanca demokratike. Kuvendi duhet të konstituohet sot, nuk ka arsye për të mos u konstituuar”, u shpreh ai.
Lideri i LDK-së theksoi se nuk dëshiron të diskutojë për emra konkretë për postin e presidentit, por këmbënguli se partia e tij duhet të përfaqësohet në këtë funksion për të garantuar balancën institucionale.
“Ne kërkojmë balancë demokratike, e cila kërkon që LDK-ja të jetë e përfaqësuar. Nuk po flasim për emrat individësh, por për balanca demokratike që do të ishte e mirë edhe për Kosovën”, deklaroi Abdixhiku.
Ai shtoi se afati për formimin e Qeverisë është edhe 25 ditë dhe se do të ishte më mirë nëse marrëveshja për të gjitha institucionet do të arrihej sa më shpejt.
“Kemi edhe 25 ditë për formimin e Qeverisë. Nëse merremi vesh më herët për të gjitha institucionet, më mirë. Nëse nuk merremi vesh, duhet të jemi transparent me ju dhe popullin se kaq kemi mundur dhe fatkeqësisht nuk mund të bëjmë më shumë. Përderisa po takohemi, është lajm i mirë”, përfundoi ai./Dosja.al