Lideri i partisë në pushtet Lëvizja Vetëvendosje, kryeministri në detyrë Albin Kurti, ka thënë të premten pas një takimi me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhikun, dhe ish-presidenten Vjosa Osmani, se nuk është arritur ndonjë pajtueshmëri mes tyre për një marrëveshje për formimin e institucioneve të reja të vendit.
Ai, megjithatë, u shpreh optimist për arritjen e një marrëveshjeje në bisedimet e ardhshme.
Takimi i tyre vjen pasi partia kryesore opozitare, Partia Demokratike e Kosovës (PDK), dhe Aleanca për Ardhmëninë e Kosovës (AAK), thanë se nuk do të jenë pjesë e bisedimeve me Kurtin mes një krize institucionale pothuajse dyvjeçare.
Duke folur për gazetarë rrugës për të hyrë në takimin në Prishtinë, Kurti tha se ndihej “optimist” për arritjen e një marrëveshjeje me LDK-në.
Kurti, partia e të cilit fitoi zgjedhjet e 7 qershorit, ka nevojë për një marrëveshje me opozitën për t’u siguruar që vendi do të ketë president të ri, dhe kështu t’i japë fund krizës së gjatë politike e institucionale.
Partia e tij i mori 53 mandate, dhe duke e pasur parasysh bashkëpunimin e deritanishëm të Kurtit me partitë e pakicave joserbe – që gëzojnë 10 vende – atëherë ai pritet t’i ketë votat e nevojshme prej të paktën 61 për ta konstituuar Kuvendin dhe formuar Qeverinë e re.
Por, nevojitet prania e 80 deputetëve në Kuvendin me 120 vende që votimi për presidentin e Kosovës të jetë i vlefshëm.
Me një marrëveshje të mundshme me LDK-në, e cila garoi në një listë të përbashkët me Osmanin, duke i fituar 18 vende, atëherë do të arriheshin të paktën 81 vota, mjaftueshëm për votimin e presidentit të ri, nëse të paktën 80 prej tyre do të qëndronin në sallë.
Tërheqja e PDK-së dhe AAK-së
Kurti zhvilloi takim fillimisht me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, të premten në mëngjes. Ndërsa, kreu i Aleancës, Ardian Gjini, e hodhi poshtë ftesën e tij për takim.
Bisedimet mes Kurtit dhe Hamzës dështuan, dhe ky i fundit tha se partia e tij do të tërhiqet nga bisedimet pasi do të qëndrojë në opozitë.
“Bazuar në bisedat që kemi pasur dhe diskutimet që kemi pasur, normalisht korrekte, qëndrimi ynë është që PDK për këtë mandat është parti në opozitë dhe ne i dëshirojmë sukses zotit Kurti dhe të gjithë atyre që takohen, bisedojnë, që t’i japin vendit institucione, duke i përfshirë të gjitha institucionet”, tha Hamza për gazetarët.
Kurti tha se si udhëheqës i partisë fituese të zgjedhjeve të qershorit, përgjegjësia e tij është për formimin e Qeverisë, por përsëriti qëndrimin se për çështjen e presidentit, përgjegjësia është e të gjitha partive.
Ai përsëriti qëndrimin për një figurë konsensuale dhe jo partiake për postin e presidentit, duke theksuar se një kandidaturë e tillë do të ishte në përputhje me Kushtetutën.
Ndërkohë, Gjini i Aleancës tha pasi e refuzoi takimin se partia e tij veçse i ka paraqitur gjashtë kushte që do të duhej t’i plotësonte Kurti në këmbim të mbështetjes të krijimit të institucioneve.
Analisti politik, Ilir Deda, i ka vlerësuar si pozitive këto takime, por ka theksuar se është koha e fundit “që me një apo dy takime maksimum” udhëheqësit politikë “të japin përgjigje për krijim të institucioneve”.
Deda i ka thënë Radios Evropa e Lirë se mbajtja e zgjedhjeve të reja do të ishte shumë e dëmshme për vendin, duke shtuar se “Kurti, Hamza dhe Abdixhiku, e kanë përgjegjësi të jashtëzakonshme që së bashku të merren vesh dhe t’i japin Kosovës një Qeveri funksionale, një president dhe një stabilitet politik në katër vjetët e ardhshëm”.
Bisedimet vijnë pasi këtë javë u certifikuan rezultatet e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.
Kryeparlamentarja dhe njëherësh ushtruesja e detyrës së presidentit të vendit, Albulena Haxhiut, pritet ta thërrasë një seancë konstitutive të Kuvendit.
Sipas Kushtetutës, seanca duhet të mbahet brenda 30 ditëve nga certifikimi i rezultateve.
Në këtë seancë bëhet konstituimi i Kuvendit, zgjidhen kryetari dhe nënkryetarët, ndërsa më pas vazhdohet me procedurat për formimin e Qeverisë së re.
Pas konstituimit të Kuvendit, Haxhiu e nominon partinë fituese të zgjedhjeve si mandatare për formimin e Qeverisë, në këtë rast Lëvizjen Vetëvendosje.
Haxhiu shkroi në Facebook pas certifikimit të rezultateve se do ta thërrasë seancën konstituive të Kuvendit brenda afatit të përcaktuar me Kushtetutë, pa treguar kur saktësisht.
Kushtetuta parasheh që presidenti duhet të zgjidhet brenda 60 ditëve nga dita e konstituimit të Kuvendit.
Nëse kjo nuk ndodh, Kuvendi shpërndahet dhe vendi shkon në zgjedhje të reja.
Nëse vendi shkon në zgjedhje sërish, atëherë ato do të ishin zgjedhjet e katërta parlamentare që nga fillimi i vitit 2025.

