Tetë persona përballen me akuza për komplot për vrasje dhe terrorizëm, pasi sipas aktakuzës dyshohet se planifikonin një sulm me dronë dhe armë zjarri për të vrarë presidentin amerikan Donald Trump gjatë një eventi të UFC-së, i cili u zhvillua në oborrin e Shtëpisë së Bardhë në muajin qershor.
Aktakuza, e depozituar para një jurie federale në shtetin e Ohajos, ngarkon të arrestuarit me dy akuza të veçanta, ofrim të mbështetjes materiale për terroristë dhe komplot për kryerjen e një vrasjeje në territorin e qeverisë amerikane, përfshirë vrasjen e një zyrtari qeveritar.
Nga dokumentet gjyqësore mbetet e paqartë se sa pranë zbatimit të planit kishin arritur autorët e dyshuar përpara se ai të parandalohej.
Drejtori i FBI-së, Kash Patel, konfirmoi muajin e kaluar se komploti ishte zbuluar dhe goditur, ndërsa të paktën pesë persona u vunë në pranga dhe 23 të tjerë u identifikuan si pjesë e një rrjeti të mundshëm bashkëpunëtorësh.
Sipas aktakuzës, tetë burra, të moshës nga 19 deri në 32 vjeç, akuzohen se morën pjesë në planin për vrasjen e presidentit amerikan Donald Trump, zëvendëspresidentit JD Vance, kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, miliarderit dhe themeluesit të Tesla-s dhe SpaceX, Elon Musk, si edhe të “objektivave të tjerë me vlerë të lartë” gjatë aktivitetit “UFC Freedom 250”, të zhvilluar më 14 qershor.
Të akuzuarit janë: Abraham Alvarez, Daniel Eskridge, William Faulkner, Tycen Proper, Jordan Rinker, Brian Roa, Chandler Skaggs dhe Michael Thomas.
Në aktakuzë thuhet se grupi nisi të organizonte planin në muajin maj, duke siguruar fonde, armë zjarri, municione, jelekë antiplumb, eksplozivë, dronë, pajisje mjekësore, mjete komunikimi dhe materiale të tjera.
Përmes platformave online dhe rrjeteve sociale si Signal, SimpleX, Discord, TikTok dhe Instagram, grupi dyshohet se krijoi një sistem me “nivele” (tiers), përmes të cilit klasifikonte pjesëmarrësit sipas rolit të tyre të pretenduar në komplot.
Sipas dokumenteve, pjesëtarët e “nivelit të parë” kishin marrë përsipër të ekspozoheshin ndaj rrezikut, të shkelin ligjin dhe, nëse ishte e nevojshme, të fshiheshin. Gjithashtu, grupi dyshohet se kishte rënë dakord të vriste çdo punonjës të agjencive qeveritare amerikane që do të ishte në shërbim gjatë aktivitetit të UFC-së.
Anëtarët e grupit kishin planifikuar të udhëtonin nga Nebraska, Missouri, Washington, Ohio, Virxhinia Perëndimore dhe Kalifornia drejt Shtëpisë së Bardhë, ndërsa sipas aktakuzës ishte përcaktuar edhe mënyra e largimit pas sulmit.
Brian Roa dhe Michael Thomas akuzohen se iu nënshtruan stërvitjeve për qitje dhe luftime në Kaliforni gjatë muajit maj. Prokurorët pretendojnë se Daniel Eskridge mbante në telefon shënime mbi sistemin e niveleve, ku përfshiheshin edhe të dhënat personale të secilit pjesëmarrës. Ndërkohë, William Faulkner kontaktoi të paktën një person në Instagram duke kërkuar, kundrejt pagesës, printimin 3D të skeleteve për dronë.
Dokumentet tregojnë se Brian Roa u nis me makinë nga Kalifornia drejt Uashingtonit më 11 qershor, por një ditë më vonë hasi probleme me automjetin. Më 12 qershor, Abraham Alvarez u takua me Jordan Rinker në Omaha të Nebraskës për t’i dorëzuar një printer 3D. Në këmbim, Alvarez dyshohet se mori një jelek antiplumb, dylbi nate, maskë mbrojtëse për fytyrën, një karabinë dhe një brez për municione.
Si u parandalua sulmi
Dokumentet më të fundit gjyqësore u depozituan pasi Departamenti amerikan i Drejtësisë njoftoi muajin e kaluar një seri procedimesh penale në disa shtete të SHBA-së lidhur me këtë komplot.
Policia mori informacion për kërcënimin e mundshëm ndaj Donald Trump dhe aktivitetit të UFC-së më 10 qershor, katër ditë përpara zhvillimit të eventit.
Një dokument gjyqësor i depozituar më 15 qershor tregon se policia u thirr fillimisht në një banesë në qarkun Knox, në verilindje të Columbusit, pasi nëna e Tycen Proper shprehu shqetësimin se djali i saj komunikonte me persona në internet dhe kishte blerë kohët e fundit armë.
Babai i Proper u tha autoriteteve se 19-vjeçari planifikonte misione zbulimi dhe sulme të shpejta “godit dhe largohu”, ndërsa kishte shpenzuar të paktën 3 mijë dollarë për pajisje kampingu, ushqime, pajisje mbrojtëse dhe sasi të mëdha municionesh.
Autoritetet deklaruan se grupi mbështeste teori konspirative ekstremiste dhe shpresonte se sulmi do të destabilizonte qeverinë amerikane. Nëna e Proper u tha hetuesve se djali i saj komunikonte me persona që pretendonin se ishin të krishterë dhe ish-ushtarakë.
“Njerëzit me të cilët komunikonte shprehnin pikëpamje ekstreme fetare dhe antiqeveritare, duke përmendur korrupsionin qeveritar, mënyrën e trajtimit të dosjeve Epstein, qendrat e të dhënave që konsumojnë burimet ujore të komuniteteve lokale, si edhe veprime të tjera të qeverisë”, thuhet në dokumentet gjyqësore.
Proper u deklaroi më vonë hetuesve se grupi komunikonte përmes një grupi në TikTok me emrin “Vanguard of the Old” (“Pararoja e të Vjetërve”). Ai u dha autoriteteve edhe emrat e Brian Roa dhe Michael Thomas, në banesat e të cilëve FBI-ja zhvilloi kontrolle më 13 qershor.
Sipas një deklarate federale nën betim, një nga të akuzuarit u tha hetuesve se plani parashikonte përdorimin e dronëve të mbushur me eksplozivë mbi zonën e aktivitetit dhe më pas hapjen e zjarrit ndaj turmës së panikosur që do të përpiqej të largohej.
Donald Trump mori pjesë në eventin e UFC-së, i cili u zhvillua pa incidente në ditën e 80-vjetorit të lindjes së presidentit, në prani edhe të disa politikanëve republikanë. Benjamin Netanyahu nuk ishte i pranishëm.
Tycen Proper dhe katër persona të tjerë u arrestuan dhe u akuzuan në Missouri, Nebraska dhe Kaliforni gjatë fundjavës kur u zhvillua eventi. Dy të tjerë u arrestuan nga FBI një javë më vonë në Washington dhe Missouri.
Departamenti amerikan i Drejtësisë bëri të ditur se 21-vjeçari Chandler Skaggs ishte personi i tetë ndaj të cilit u ngritën akuza këtë javë, pasi u arrestua në Virxhinian Perëndimore. Sipas prokurorëve, atij i ishte caktuar roli i snajperit në planin e dyshuar të sulmit. Avokati i Skaggs deklaroi se po shqyrton me kujdes akuzat dhe nuk pranoi të komentojë më tej.
Sipas legjislacionit amerikan, komploti për ofrimin e mbështetjes materiale për terroristë dënohet me deri në 15 vite burg, ndërsa komploti për kryerjen e vrasjes mund të dënohet deri me burgim të përjetshëm.