Protesta e Revolucionit Flamingo e ka përcëlluar e shkrumbuar të apostrofuarin kryesor Edi Rama, largimi i të cilit është kauza e atyre qindramijëve që mblidhen prej 16 ditëve në Tiranë e diasporë.
Për çudi, por jo dhe aq, protesta ia ka prishur rehatinë edhe establishmentit të PD, që bie të jetë shkaktari kryesor që elektorati demokrat të ketë humbur besimin tek partia kryesore opozitare.
Establishment i PD do fundin e protestës, sikur e do i pari Edi Rama që e mallkon dhe çfarë nuk shpif kundër atyre njerëzve ku në ballë dallohet rinia.
Opinioninbërësit e Syrit, midis tyre edhe nga ata që protestuesit nëpër meme e pankarta i shohin si kondoma të pushtetit të korruptuar, thanë mbrëmë se “sikur protesta të përfundonte sot e kish kryer misionin”.
Nuk është e vërtetë.
Dezinformuan.
Misioni i protestës është largimi i Edi Ramës.
Por ata folën ashtu si ua deshi zemra dhe si i urdhëruan.
Deri Ambrozia Meta, me të cilën krenohet opozita për ballafaqimet e saj me kryeministrin, deklaroi dje në pikë të mëngjesit se “Edi Rama do të largohet më 2027”.
Një provokim i pacipë për ata qindra mijë njerëz që kërkojnë largimin e menjëhershëm të Edi Ramës e që mbushin Tiranën me aromën e një shije shprese larg dekompozimit të formatit 35 vjeçar që ofroi kjo klasë politike bashkë me mediat, elitën e ambalazhet e saj.
PD-së i doli situata nga duart. Humbi shansin të drejtonte protestën.
Premtoi protesta 5 vjet dhe nuk i realizoi.
Nuk mundi ta mbledhi popullin.
Apo nuk deshi, e tërhequr shumë pas lluksit apo ku dihet çfarë e larg kauzave të interesit kombëtar.
Tani establishmenti i PD do ta ndryjë e t’ia cënojë integritetin e protestës së Revolucionit Flamingo.
Kjo protestë ka një tipar të veçantë, është e organizuar, ka disiplinë, por as nuk ka liderë dhe as i pranon liderët.
Sepse lider i protestës është vetë populli, gjenerata Z deri tek gjenerata Beta, me prindër e gjyshër e plot e plot shqiptarë hallexhinj, mbetur jetimë pa mëshirën e narkoshtetit por edhe pa mëshirën e partisë kryesore të opozitës që është pothuaj inekzistente sepse nuk ka aktivizëm dhe nuk përfshihet e nuk çan krye për dertet e problemet e përditëshme të qytetarëve.
Ka pesë vjet gazetari Osman Stafa që ndjek fatin e pafat të qytetarëve shqiptarë sa tek Onkologjiku në QSUT të cilëve u mungon krejtësisht kujdesi shëndetësor.
Po ashtu janë dhjetra e dhjetra mijë pensionistë që vuajnë me pensione mjerimi por që establishmenti i PD i mban larg vemendjes, ndërsa ua do votën, sikur do edhe listat e mbyllura në bindje ndaj Njëshit dhe kundër Reformës Zgjedhore.
Në protesta ka shumë sloganë.
I pari dhe kryesori është: Rama jep dorëheqjen, Rama ik, Rama out! Që do të thotë qeveri teknike, kod i ri zgjedhor dhe zgjedhje të reja.
Slogani i dytë është “Rama n’burg, Berisha n’burg”, si burgosje e këtij 35 vjeçari, e kësaj mënyre qeverisje! Si një kapak! Me të gjithë të përfshirët brenda kupolës. Për një Shqipëri të Re, me treg të lirë, konkurencë, shanse të barabarta, me meritokraci e kompetenca, me edukim, shëndetësi e mirëqënie.
Protestat e Revolucionit Flamingo nuk e durojnë më trashëgiminë e “pardesybardhëve” nga elita e superstrukturës komuniste që nuk e kryen antikomunistizimin por u kthyen në avokatë rehabilitues së nomenklaturës byroiste Hoxhiste dhe përfshinë në strukturat e larta të shtetit kontigjente të Sigurimit famëkeq të Shtetit, zyrtarë të lartë e çinovnikë të bindur të regjimit apo trashëgimtarë biologjikë të diktaturës. As elitat e këtij tranzicioni që u katapultuan dhe morën e ndanë frenat e pushtetit politik, ekonomik mediatik me universitetet e shoqërinë civile, të pasuruar e privilegjuar që e kanë braktisur e dëbuar popullin nga Shqipëria dhe po e zëvendësojnë me krah pune e popull si mall të importuar.
Edhe establishmenti anonim i PD nuk tregoi ndjeshmëri fare me katastrofën kombëtare e dramën e qytetarit shqiptar, veç u rrotullua në rehatinë e vet, duke legjitimuar me zgjedhje e forume hesape e llogari mbijetesën e pushtetit partiak.
Prandaj agjitpropi i establishmentit të PD do që kjo protestë të marrë fund sa më shpejt, prandaj fantazon sipas interesit të kryeministrit, që Edi Rama do largohet më 2027, duke rënë ndesh me kërkesën kryesore të protestuesëve për dorëheqjen e menjëhershme të kryeministrit.
Protestën nuk e pranon establishmenti i PD, i atyre listëmbyllurve me kompani, që duan protagonizëm partiak pa patur asnjë lloj autoriteti, pa gëzuar asnjë lloj simpatie apo empatie si pasojë e tradhëtisë së tyre ndaj elektoratit demokrat, i cili sot është pjesëmarrës i protestës.
Kjo protestë nuk kërkon të evidentojë liderë, as të privilegjuarit e së nesërmes, aty kërkohet Edi Rama out, kërkohet që vendi të shpëtojë nga kapja e shtetit dhe kapja e politikës nga një grusht njerëzish me në krye Edi Ramën me enturazh e patronazhistë, klientelistë e të rekrutuarit.
Në mikrofonat e protestës flitet thjeshtë, qahen halle, mund të ketë edhe të futur, por edhe kur dikush e merr mikrofonin nuk identifikohet me partinë, por thjesht si qytetar i protestës më të bukur dhe më të emancipuar që na e kanë parë sytë këtë dekadë që ka objektiv një sistem demokratik perëndimor, një vend normal për të jetuar me dinjitet të gjithë qytetarët, një projekt që i garanton Shqipërisë të dalë nga ngujimi 35 vjeçar drejt funksionimit të sistemit demokratik, shtetit të së drejtës, me pushtete të pavarura, me media të pavarura, dhe me drejtësi që t’i japë fund mosndëshkueshmërisë së politikanëve.
Vetëm pjesmarrja në protestë na çon tek zgjidhja.