
Pas hapjes së Shqipërisë dhe rënies së perdes së hekurt komuniste, pas vitit 1991; nga Saranda në Janinë, pata shkuar edhe herë të tjera në spitalin me emrin prestigjioz: “Spitali Universitar Shtetëror i Janinës”, në Duruti.
Më tepër, në rolin e gazetarit rezident për jugun e vendit tim, në Agjencinë zyrtare të Lajmeve, (ATSH).
Por më 12 maj 2026, e pashë veten, një pacient anonim që duhet t’i nështrohej një kirurgjie të vështirë në zemër.
Tani, kisha me vete, vetëm imazhin e një profesionisti besimplotë, atë, të prof. XRISTOS ALEKSIU, drejtor i Klinikës së Kardiokirurgjisë.
“Shpresojmë, të bëjmë më të mirën si ekip dhe gjithçka do të shkojë mbarë!”, – e regjistrova në mendje një ditë para narkozës, fjalën e tij si prej shenjti.
Pas shtrimit dhe më pas operimit në kardiokirurgji; ishte qëndrimi në reanimacion për pak ditë që unë, të ftillohesha me habitatin që më rrethonte, mes disa pacientëve të tjerë në ditë-netët intensive të punës nga skuadra e reanimacionit.
Isha thjesht në anonim , që duke përtypur dhimbjet, nuk pengohesha të shihja, të perceptoja, përreth.
Ndjeva në ajër, një përkushtim ikonik të mjekëve dhe infermierëve, ku gjithkush mbante nën kontroll, diskutonte shkurt dhe linte shënimet në dosje, mbi treguesit e të sëmurëve në sallë.
Fqinji im djathtas, ishte një peshkatar nga Korfuzi dhe djathtas, një grua e moshuar rome.
3.
Nëse, një njeri i artit figurtiv pamor, do të përdorte lapsin/grafit, do të mund të na sillte karakterin e disa profileve nga Skuadra e Shenjtë e Kardiokirurgjisë në Spitalin Shtetëror Universitar të Janinës.
Me grafitin shpirtëror leksikor, është pak më e vështirë. Por është e mundur, deri diku.
- ALEKSIU
- Është padyshim një nga krenaritë e kardiokirurgjisë greke sot.
Mendoj se personaliteti i Tij është i tillë, jo apriori, por falë edhe disa gurëve xhevahiri që ka në formësim, qënie dhe karakter, si: aftësia dhe kompetenca, ekperienca, komunikimi i nevojshëm e krejt natyrshëm me kolegët, pacientët dhe, padyshim: modestia.
Ai, mesa “lexova” me sy të lirë, di t’u japë besim, së pari kolegëve të skuadrës dhe padyshim, pacientëve.
- BALAS, djaloshi me rrënjë nga Suli.
Kirurgu, dr. Xristos BALAS, është një tjetër pasuri e kësaj Skuadre. Tek djaloshi me rrënjë nga Suli mund të lexosh: qetësinë, guximin dhe kompetencën.
Është pjesë aktive e Skuadrës. Kurdoherë i përqëndruar dhe në bashkëveprim me kolegët dhe pacientin. Te përqëndrimi i tij, i pafjalë për çdo pacient, jep siguri dhe qetësi.
Pas disa vizitave në dhomën nr. 214 të pavionit, m’u krijua, përfytyrimi që shpaloste shumë thjesht mbi situatën time para dhe pas operacionit Me një çantë gjigande në dore, tipike të mjekëve që lëvizin larg ( ai operon në spitalet Athinë, Janinë, Londër) m’u perceptua, si njeriu që udhëton drejt pacientëve nëpër qiejt mes Janinës, Athinës dhe Londrës.
Por “gjeneralët” kanë nevojë edhe për ndihmësit e tyre: Personelin e ndihmësmjekëve/eve.
O zot, mendova i kryqëzuar në krevat mes serumeve, tek shfaqej befas në portë, infermierja e radhës: Nga çfarë lënde janë krijuar punonjëse të tilla të shërbimit shëndetësor të cilave, u ka mbirë buzëqeshja në buzë, tek i afrohen pacientëve në 24 orët e shëbimit te dhomat e Kardiokirurgjisë?
Janë gra dhe vajza të thjeshta. Jorgjia, Silvana, Eleni…
-Quhem…Silvana, -thotë me mirësi në fytyrë më e reja e tyre
-Nga nëna jam nga Zakintho, nga babai, nga Lushnja në Shqipëri.
E urova në greqisht dhe në shqip.
4.
RETROSPEKTIVË
Dalja e parë imja drejt Janinës fqinje, botës së “ndaluar, ish armike” ishte në vitin 1993. Shkaku ishte lëvizja e bukur skautiste dhe miqësimi vëllazëror i skautve të rinj shqiptarë me oganizatën greke ”Soma Elinon Proskopon”.
Aso kohe, ende punoja ne gazetën kombëtare “Bashkimi” për jugun e Shqipërisë dhe botova nga Janina një reportazh për skautizmin me titull: “Shumë vende-një botë!”. Nga njerëzit e skautizmit grek në ato vite, kujtoj të paharruarin: Xristos Gogas.
Vite e vite më vonë, piva një kafe në shtëpinë e filologut të njohur të Janinës, Nikos Ifandis. Profesori më pyeti:
– E njeh Gogën?
– Sigurisht…..”
–Perimeve ligo *(prit pak),-dhe formoi një numër në telefonin e tij.
Të nesërmen, në një nga kafenetë e rrugës “Dhodhonis”, Kristos Gogas miku i skautizmit shqiptar, ashtu simpatik, me mutaqe e buzëqeshjen e përhershme, u ngrit nga tavolina me gazetën e dikurshme ne gjuhën shqipe dhe ma afroi publikisht të hapur në faqen e mesit të “Bashkimi” që aso kohe drejtohej nga prof. Hamit Boriçi: “SHUMË VENDE-NJË BOTË!.
5.
-NJË FOTOGRAFI DHE NJË NISMË MIRNJËHOHJE PËR SPITALET E VERIUT TË GREQISË.

Në dhomën nr.14 të Pavionit të Kardiokirurgjisë, gjatë vizitës rutinë të stafit kryesor të mjekëve që kryesohej nga dr. ALEKSIU; një pacient shqiptar, iu drejtua atyre me greqishten e tij të çalë, me dëshirën për t’u bërë një foto.
Pas një hezitimi një grimëherë, mjekët janë të gjithë bashkë, në foton e këtij reportazhi me natyrshmëri dhe fisnikërinë e vizatuar në pamje e secilit: XRISTOS ALEKSIU, GRAMATIKOS JIORGOS, BALLAS XRISTOS, XRISTOS TOURMOUSOGLOU, IAKOBAKIS ILIAS.
***
Idea për të shprehur (minimalisht), një akt Mirënjohës publik për tre institucionet kryesore shëndetit publik në rajonin e Janinës dhe Thesprotisë, (Filat); e lindur vite e vite më parë nga gazetarët, kur ambulancat dhe personeli grek i shëndetit publik, prisnin ditë-natë urgjencat me të plagosur shqiptarë nga situata absurde e vitit 1997;
vjen tani si një nismë e përqafuar nga pushteti vendor në Sarandë.
Sepse me aktin civil që tre spitalet me emër (Universitari, “Haxhikosta” dhe Spitali i Filatit; të shpallen “NDERI I SARANDËS”; është merita më e vogël që duhet t’u njohim bluzave të bardha greke në Janinë, që jashtë çdo konjukture të çastit; vjen vetëm si një respekt për punën dhe sakrificat në shpëtimin e qindra e mijëra jetëve të qytetarëve shqiptarë, që fati, i çoi te dert e këtyre ekipeve të bekuara shëndetësore.
Dhe, do të jetë në tagrin e duhur, pjesëmarrja në një ceremoni të tillë në Janinë, e deputetëve më së pari shqiptarë po edhe grekë, të të dy krahëve kryesorë (shëndeti nuk ka Parti!) Ku, jo për dekor, të ishin të pranishën edhe dy homologët Ministra të Shëndetit (grek dhe shqiptarë) së bashku me diplomatët kryesorë respektivë në Athinë dhe Tiranë.
Sepse, sipas mendimit tonë, Mirënjohja me shkronjë të madhe, ka qenë dhe duhet të mbetet, një virtyt i moçëm dhe jo një “mall” i rrallë.
Në kontekstin e mësipërm, edhe në fushën e shëndetit dhe humanizmit, për jetët e shtrenjta njerëzore.///
