Menjëherë pas publikimit të pamjeve filmike ku shfaqet një punonjës i shoqërisë private të sigurisë duke goditur me grusht shtetasin E. S., Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit urdhëroi ngritjen e një grupi të posaçëm hetimor për të analizuar dhe hetuar të gjitha veprimet e ndodhura gjatë tubimit të zhvilluar më datë 30.05.2026 nga banorë të fshatit Zvërnec, në vendin e quajtur “Portonovë”.
Në vijim të veprimeve hetimore, u bë identifikimi dhe shoqërimi i punonjësit të shoqërisë private të sigurisë, shtetasit Gerald Biba, 32 vjeç, banues në Durrës, i cili, në përfundim të veprimeve të para hetimore, u arrestua në flagrancë, i dyshuar për veprat penale “Heqja e paligjshme e lirisë” dhe “Plagosja e lehtë me dashje”.
Ky shtetas ka goditur me grusht shtetasin E. S. dhe më pas, në bashkëpunim me shtetasit A. G. dhe G. V. (të dy të proceduar penalisht), e kanë tërhequr me forcë drejt vendit të rezervuar për rojet, duke i shkaktuar dëmtime të lehta trupore.
Ndërkohë, paralelisht me veprimet hetimore, Drejtori i Përgjithshëm ka urdhëruar Drejtorinë e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit për nisjen e menjëhershme të hetimit disiplinor për të gjithë zinxhirin komandues të DVP Vlorë, në lidhje me masat dhe menaxhimin e tubimit të zhvilluar ditën e djeshme.
Policia e Shtetit është e vendosur të respektojë të drejtat dhe liritë themelore të qytetarëve, të garantojë sigurinë e jetës dhe të pronës, si dhe të ndëshkojë çdo punonjës policie që neglizhon detyrën apo abuzon me të. bw