Biografi e shkurtër e Xhevdet Hajdar Blloshmi
Ka lindur në 1911 në Bërzeshtë. Ishte djali i tretë i Hajdarit. Ka qënë i martuar dhe ka lindur katër fëmijë, Selahudinin, Hysenin, Minervën dhe Dianën. Xhevdeti, mbas vrasjes së vëllezërve Hakiut dhe Shefqetit në Dunicë të Pogradecit mbas një jave a pak më shumë, shkon atje me disa shokëdhe mori gjakun e vëllezërve Blloshmi e të tjerëvë të ekzekutuar mizorisht më 7 mars 1944. Mbas kësaj qëndron disa vite në Shqipëri, padyshim, në arrati. Nuk kemi informacion se kur është larguar dhe nga ka udhëtuar për të përfunduar në SHBA.Më 26.11.1996 ndërron jetë. Të katër fëmijët e tij kanë qënë të internuar deri në 1990 kur komunizmi u vithis dhe u shua në të gjithëLindjen. Aty nga viti 90-91 të katër fëmijët e tij udhëtuan drejt Rumanisë ku i priste babai i tyre dhe më pas udhëtuan në SHBA ku jetuan bashkë derisa ndërroi jetë. Gjatë kohës që Xhevdeti ishte në SHBA ishte veprimtar i Bllokut Kombëtar Indipendent. Po ashtu me rastin e çgroposjestë luftëtarëve të lirisë në 1994 në përroin ku ishin ekzekutuar dhe varrosjes me të gjitha nderimet që meritonin në një parcelë të veçantë në varrezat e qytetit të Pogradecit, Xhevdet Blloshmi ka dërguar një letër përshëndetëse nga SHBA.
Jam përpjekur shumë për të mësuar më shumë hollësira për ngjarjen e Dunicës sidhe mënyrën e largimit të tij nga Shqipëria, por pa rezultat deri sot.
Në proces-verbalin e mbajtur në Bërzeshtë, gjatë konfiskimit të pasurisë së të arratisurit politik Xhevdet Blloshmi, nga lagjia Farret, katundi Bërzeshtë shkruhet: “Sot më datën 13 gusht 1945, ditën e hënë ora 10:00 paradite, unë Mustafa Kila, nënpunës i komitetit ekzekutiv i nënprefekturës Librazhd, mbërrita në lagjen Farret, të katundit Bërzeshtë dhe mbasi bashkova komisionin fshatar të ngarkaur për këtë punë, i kryesuar nga shoku Sulë Murati dhe anëtarët Osman Goli e Shaban Vreto kontrolluam dhe konstatuam gjithë pasurinë…”
Në një dokument arkivor, “vendim mbi sekustrimin e pasurisë” së Xhevdet Blloshmit shkruhet: “në zbatim të ligjit nr. 40 datë 14 janar 1945 Xhevdet Blloshmit i konfiskohen 1831 fr. Shqiptare, depozituar në bankë dhe një mulli bloje drithi në fshatin Farret.”
Letra e Xhevdet Blloshmit nga U.S.A për rastin e zhgroposjes të të vrarëve në Dunicë
Përulemi me respekt para jush
Haki dhe Shefqet Blloshmi dhe gjithë viktimave të komunizmit që varrosen sot.
Jemi sot këtu para jush, ne pasardhësit tuaj, që Demokracia na dha mundësinë t’iu nderojmë në këtë ditë të shënuar. Së bashku me të gjithë të pranishmit përulemi me respekt para jush dhe vendosim lule të freskëta. Mbi gjakun tuaj dhe të qindrave të tjerë si ju, ju desh kuçedrës komuniste të triumfonte në Shqipëri duke shkelur mbi vendimet e Mukjes dhe tradhëtuar idealet e popullit. Haki dhe Shefqet Blloshmi, dy vëllezër nga familja e Hajdar Blloshmit. Të dy të rinjtë bëjnë pjesë në 12 Blloshmët e tjerë të vrarë e të pushkatuar nga komunistët që nga marsi i 44-ës, deri në janarin e 45-ës, pa përfshirë këtu vitet e burgjeve, të internimeve dhe pushkatimeve më të vonshme që do të arrinin deri te më i riu i Blloshmëve, Vilsoni i pushkatuar më 17 korrik 1977. Ju mbajtët lart traditat e Atit tuaj, që krenohej që gjithë Blloshmët e kishin origjinën nga Milloshi i famshëm i betejës së vitit 1389 në Fushë-Kosovë, (çka është vërtetuar nga studiues të huaj e vendas). I cili, Hajdari, i deklaroi Sulltanit në gjyqin e Stambollit: “mua mund të më dënoni, por shqiptari nuk e ka fituar lirinë pa gjak”. Ju mbajtët lart traditat e atij ati, që i ktheu përgjigje dinjitoze Carit të Serbisë me rastin e ftesës që i bëri për të trajtuar me të gjitha të mirat në Serbi, si serb, pasardhës të Milloshit gjoja serb. “Jam Shqiptar dhe i tillë do të mbetem”. Ju mbajtët lart denjësisht traditat e babait tuaj arsimdashësit, poliglotit, pjesëmarrësit të Kongresit të Manastirit, të Kongresit të Elbasanit për hapjen e Normales, inciatorit për hapjen e shkollave shqipe në Librazhd, Starovë, Bërzeshtë, etj. I caktuar delegat në kuvendin e Vlorës nga Starova e Pogradecit për Shpalljen e pavarsisë në të cilin nuk arriti të merrte pjesë pasi u internua nga pushtuesit ne Bullgari, një ndër mësuesit e parë të Normales së Elbasanit, deputet i disa legjislaturave në Parlamentin Shqiptar nga viti 1926-1932. Hakiu dhe Shefqeti jo vetëm i ruajtën këto tradita të mira e të trashëguara nga prindërit por me zotësinë e tyre i çuan ato më përpara. Haki Blloshmi mësimet e para i mori në shkollat shqipe në Bërzeshtë dhe në Korçë. Në moshën 16 vjeçare vajti për të vazhduar shkollën e mesme dhe të lartë në Amerikë. Përfundoi shkëlqyeshëm universitetin e Harvardit për Ekonomi Politike. Punoi tre vjet në Ambasadën shqiptare në ShBA, pranë kolosit të letrave shqipe, të famshmit Faik Konica. U kthye në atdhe për të vënë në shërbim të popullit të tij, dijet e fituara. Më vonë kreu studimet pasunversitare në Francë. Pushtimi fashist e gjeti në vendin e tij ku organizoi rezistencën antifashiste dhe u vu në krye të çetës nacionaliste të zonës deri në ditët e fundit. Mori pjesë në disa takime me forcat komuniste për të evituar vlla-vrasjen, pas mbledhjes së Mukjes, si në Elbasan, Berat, Gramsh, Sopot të Librazhdit etj.
Në marsin e 1944-ës u rrethua nga një batalion i brigadës së parë. Doli jashtë rrethimit bashkë me disa të rinj të çetës së tij në përpjekje për të shpëtuar pjesën tjetër. Komunistët vunë në përdorim metodën e terrorit e të pabesisë, për të shtënë në dorë Hakiun: 17 pjestarët e çetës të plagosur i nxori në një vend të dukshëm dhe lajmëruan Hakiun që në rast së nuk do të dorzoheshe do të vriteshin të 17 të plagosurit e kapur mes të cilëve ishte edhe i vëllai i tij Shefqeti, Hakiu sakrifikoi veten duke u dorzuar me qëllim që të shpëtonte shokët. Por komunistet s`e mbajtën fjalën. Ata përdorën terrorin e kuq, duke pushkatuar përpara të plagosurit dhe më pas Hakiun. Sot pas 50-vitesh, jemi krenarë përpara jush. Idalet demokratike për të cilat ju luftuat e humbët jetën, do të shkojnë përpara me këtë popull demokrat. Demokracia erdhi në Shqipëri falë mundit, djersës dhe gjakut të atij populli të shumëvuajtur. Ajo kërkon mbështetjen e të gjithëve. Të mos presim se çfarë do na sjellë demokracia por çfarë do të bëjmë në për demokracinë. Të ndëruar qofshi të gjithë.
I juaji përgjithmonë,
Xhevdet Hajdar Blloshmi