Prishtinë, 26 maj 2026
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në ceremoninë e diplomimit të gjeneratës më të re të 270 asistentëve për fëmijë dhe nxënës me nevoja të veçanta arsimore.
Teksa uroi të porsa diplomuarit, kryeministri në detyrë Kurti theksoi se mënyra se si kujdesemi për fëmijët që kanë nevojë për më shumë mbështetje, tregon shumë për shtetin, të cilin po e ndërtojmë.
“Shumë njerëz e matin suksesin me pozitën që kanë apo me pagën që marrin. Por ka edhe profesione të cilat maten ndryshe. Maten me buzëqeshjen e një fëmije. Me besimin që fiton një nxënës. Me lehtësimin që ndien një prind kur e di se fëmija i tij ose i saj nuk është vetëm. Ky është profesioni të cilin e keni zgjedhur ju”, tha ai.
Fjala e plotë e kryeministrit në detyrë Kurti:
I nderuar z. Hajrulla Çeku. ministër i Arsimit dhe Shkencës,
E nderuara znj. Arbërie Nagavci, ish- ministre e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit,
E nderuara znj. Fikrije Zymberi, drejtore e Agjencisë për Arsim dhe Aftësim Profesional,
Të nderuar të diplomuar,
Të nderuar prindër dhe familjarë,
Të nderuar mësimdhënës, partnerë dhe mysafirë,
Të nderuar të pranishëm,
Zonja dhe zotërinj,
Sot është një ditë krenarie për ju, për familjet tuaja dhe për Republikën e Kosovës.
Sot po diplomon gjenerata më e re e 270 asistentëve për fëmijë dhe nxënës me nevoja të veçanta arsimore. Dhe dua ta them që në fillim: ky është vetëm një diplomim i cili i bashkëngjitet radhës së diplomimeve të këtilla që tashmë janë bërë politikë qendrore e arsimimit dhe edukimit tek ne. Por, nuk është edhe vetëm një diplomim, sepse është një ngjarje që flet për vlerat e shoqërisë sonë. Sepse mënyra se si kujdesemi për fëmijët tanë që kanë nevojë për më shumë mbështetje, tregon shumë për shtetin të cilin po e ndërtojmë.
Të dashur të diplomuar,
Ju keni zgjedhur një profesion i cili kërkon dije, por mbi të gjitha kërkon zemër, kërkon dashamirësi, kërkon dashuri.
Një profesion që kërkon durim dhe përkushtim të përditshëm. Shumë njerëz e matin suksesin me pozitën që kanë apo me pagën që marrin.
Por ka edhe profesione të cilat maten ndryshe. Maten me buzëqeshjen e një fëmije. Me besimin që fiton një nxënës. Me lehtësimin që ndien një prind kur e di se fëmija i tij ose i saj nuk është vetëm.
Ky është profesioni të cilin e keni zgjedhur ju.
Ju do të jeni pranë fëmijëve në momentet kur ata kanë më shumë nevojë për mbështetje. Do t’i ndihmoni të ndihen të barabartë në klasë me gjithë të tjerët. Do t’i ndihmoni të marrin pjesë, të komunikojnë, të zhvillohen dhe sidomos të besojnë në vetvete. Dhe ndonjëherë, pa e kuptuar as vetë, do të bëheni arsyeja pse një fëmijë nuk dorëzohet. Kjo është një përgjegjësi e madhe, por njëherazi është edhe një nder i madh.
Të nderuar prindër dhe familjarë,
Sot është edhe dita juaj. Pas çdo studenti, i cili e merr diplomën, qëndron një familje e cila e ka mbështetur, e ka inkurajuar dhe ka sakrifikuar. Ka pasur shumë net pa gjumë, lodhje sfilitëse, sfida të panumërta dhe shumë përpjekje. Prandaj dua t’ju falënderoj sinqerisht për gjithçka që keni bërë që këta të rinj e të reja të arrijnë deri në këtë ditë këtu sot.
E tani ju nuk do të shihni vetëm një diplomë në duart e tyre, por një mision të ri në jetën e tyre.
Në vitet e fundit, të nderuar pjesëmarrës, Qeveria e Republikës së Kosovës ka vendosur që arsimimi dhe edukimi gjithëpërfshirës të jetë prioritet real dhe jo vetëm deklaratë publike. Ne kemi investuar në zgjerimin e këtij programi, kemi mbështetur qendrat, të cilat ofrojnë atë dhe kemi ndarë mjete buxhetore për punësimin e asistentëve në shkollat tona. E kemi bërë këtë, sepse besojmë fuqishëm se çdo fëmijë meriton të ndihet i pranuar, i respektuar dhe i mbështetur në shkollë. Asnjë fëmijë nuk duhet të ndihet i lënë anash. Asnjë prind nuk duhet të ndihet i vetmuar në përpjekjen për edukimin dhe arsimimin e fëmijës së tij.
Dhe, pikërisht këtu fillon rëndësia e rolit tuaj. Ju do të jeni pjesë e ndryshimit shoqëror, të cilin po e ndërtojmë dhe avancojmë bashkë.
E sot, Kosova ka mbi qindra profesionistë të certifikuar në po këtë fushë. Kjo është një arritje e madhe për vendin tonë. Por, mbi të gjitha, kjo është shpresë për mijëra fëmijë dhe familje. Është shpresë për një nënë që dëshiron ta shohë fëmijën e saj të përfshirë në klasë. Për një baba që dëshiron ta shohë fëmijën e tij që ecë përpara me dinjitet. Për një fëmijë që ka nevojë vetëm për pak më shumë mbështetje që ta shpalosë potencialin e tij apo të saj dhe, për këtë, do ta keni qeverinë e Republikës së Kosovës pranë juve, përherë me ju, sepse, të gjithë fëmijët, nuk janë vetëm anëtarë të familjeve tuaja, janë edhe qytetarë të Republikës së Kosovës nga të cilët ne presim ardhmëri të ndritshme dhe ndaj të cilëve ne kemi përgjegjësi institucionale, zyrtare, qytetare e morale.
Të nderuar asistentë,
Do të ketë ditë të vështira, do të ketë sfida emocionale. Ndonjëherë, do të ndiheni të lodhur, por dua që t’ia përkujtoni vetes përherë se pse e keni zgjedhur këtë profesion.
Kujtojeni momentin kur një fëmijë arrin të përfshihet për herë të parë në aktivitetet e klasës, kur një nxënës fiton vetëbesim apo kur një prind ju thotë: “Faleminderit, sepse fëmija im ndihet i lumtur në shkollë”. Ato momente do t’ju japin forcë që të vazhdoni edhe më fort përpara.
Dhe, në fund, të dashur të diplomuar,
Sot e merrni një diplomë, por me të e merrni edhe besimin e shoqërisë sonë. Kosova ka shumë nevojë për ju, sepse Kosova ka shumë nevojë që fëmijët e Kosovës, pa dallim, të rriten shëndetshëm dhe të zhvillohen me cilësi për të ardhmen që e ndërtojmë bashkë. Shkollat tona kanë nevojë për ju, si institucione të arsimit e lartësimit të mendjes e të trupit. Fëmijët tanë kanë nevojë për ju. Prandaj, ecni përpara me krenari dhe me profesionalizëm.
Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, ju uroj nga zemra për këtë sukses.
Urime diplomimi. Ju priftë e mbara në rrugëtimin tuaj profesional dhe njerëzor.
Faleminderit shumë për ftesën, kontributin dhe vëmendjen.
/Zyra e Kryeministrit