KYÇ BRUMI, QELQI (prozë)
-Do të të jap një çelës. Nuk kyç asnjë portë. Është më i vërteti dhe hyn tek të gjitha bravat. Vetëm për t’i hapur.
-Ç’është ky çelës? Nuk kam dëgjuar asgjë për të? As dëgjuar e as parë kund.
-Kur ne mendojmë … e kemi afër, në vete, këtë çelës. Kur përgjumemi ai
humbet. Jeton larg syut tonë.
-Larg çdo njeriu a larg syrit tim e syrit tënd ?
-Kur unë s’mendoj çelësi afrohet tek ty.
Në mos, kur ti përgjumesh ai zhduket
menjëherë prej teje.
-Zhduket? Ku shkon, ku fshihet,ç’kërkon?
-Njomet nga uji, mplekset me lëmyshqe.
-Po pastaj?
-Pastaj del prej tyre, hedh sytë rreth e
rrotull, shkund gjuhën e tij, shplan
fytyrën me një valë bregu dhe hyn në
det.
-Hyn në det? Po ai aty mbytet, s’ka as
luspa, as velëza cironke. Është i rëndë
për t’u mbajtur mbi ujë.
-Ja ashtu, njëherë mbahet tek lopata e
një varke, njëherë tek cima e ndonjë
anijeje.
-Jeton me peshkatarët më afër se me
ne.?
-Ai jeton me të gjithë dhe tek të gjithë.
Në një çast të vetëm ose shpesh.
-Qënka çelës përralle atëhere e përralla
me çelës e çelësa shkon deri në hënë
pa pyetur kënd, pa i marr leje kujt.
-Mundet…
-Ky çelës e kyç hënën ? Po diellit a i
afrohet?
-Hëna s’ka kyç, por ka qepalla që i hap
natën e natës dhe i mbyll në të aguar.
-Po, po, e besoj, hëna herë – herë i hap të
dyja qepallat ose njerën.
-Po dielli ku e ka çelësin e tij?
-Dielli vet është çelës, çelës aq i madh
sa hap gjithandej rreze të pafundme.
-Po asnjëherë nuk shuhen këto rreze?
-Deri tani jo. Ky është fat i madh për
njeriun. Për njerëzimin, desha të them.
-Shumë larg shkuam gjer në hënë e gjer
tek dielli.
-Jo, jo nuk shkojmë dot ne tek ata. Ne
jemi të pafuqishëm. Vjen hëna e vjen
dielli tek ne.
-A takohen ndonjëherë Dielli dhe Hëna ?
A e duan njeri-tjetrin. Dhe nëse e duan
pse nuk rrijnë bashkë ngahera, afër e
afër.?
-Ç’të të them, s’e di. Secili ka çelësin e
vet kur hap e mbyll portën e qiellit. Njeri
zgjohet, zbret kilometra pafund gjersa
mbërrin tek ne. Tjetri kyç portën e qiellit
e fle.
-Me sa kuptoj, Dielli dhe Hëna ia ndijnë
frymëmarrjen njeri-tjetrit, ia dëgjojnë
regëtimat.
-Mundet, mundet. Por unë them se edhe
Dielli, edhe Hëna psherëtijnë, kolliten,
ftohen keqas ndonjëherë.
-Prandaj krisin rrufe e vetëtin qielli
gjithandej nga lart e gjer poshtë tek
trualli ynë ?
-Dielli, ndonjëherë, është i mërzitur
keqas, hëna me çehre verdhacuke.
-Po si shërohen? A ka mjekë në qiell,
farmaci, spitale, barna,autoambulancë?
-Ata janë të shëndetshëm e plot muskuj
përhera. Ecin pafundësisht në orbitë.
Vrapojnë atletë të përbotshëm. Janë
përhera fitimtarë. Një kupë që kanë nuk
e ndajnë përgjysmë.
-Cilën kupë?
-Kupën e qiellit, pra. Ditën e gëzon dielli,
natën e gëzon hëna.
-E çuditshme kjo, as grinden dhe as nuk
i mbajnë mëri njeritjetrit. Ne, këtu, në
tokë për një kupë të shkelmojmë
anembanë fushës, sa edhe thonjtë ia
vemë në fyt njeri – tjetrit.
-Ne edhe kur jemi afër e afër dukemi si
të kyçur gojë, sy e vesh. As
flasim, flasim përgjysmë, flasim me
shenja elektronike. As shohim,
shpërndajmë gjithandej mjegullti fyerje.
As dëgjojmë. Ia çpojmë timpanin
njëritjetrit me brohorima të kasnecëve
të perënduar.
-Sa keq…Nuk po e kuptojmë njëritjetrin,
nuk po ia dëgjojmë fatkeqësinë,
fatkeqësitë shoshoqit, sa keq.
-Ja kështu, vërsniku im. Ne mbajmë në
gojë çelësa prej brumi, prej brumi të
thartuar gjithandej, çelësa qelqi që
krisin, plasin e thërrmohen brenda një
çasti fatkeq prej syve tanë.
-Eh, çfatkeqësi !…
-Çelësi është nyje e kërcell, fat e frikë,
zbritjengjitje, rrëmujë e rreshkje.
-Si të të kuptoj ?
-Ja, po ta them. Do dilnim të shtunën
shëtitje me gruan. Kur sa vura çelësin
tek foleja e vet ai u këput. Gjysma mbeti
tek foleja, koka e tij tek gishtat e mi.
-E rrallë kjo, e rrallë…
-E rrallë, por u hutuam. Në shtëpinë tonë
mbyllur dy herë. Njëherë me kyç e
njëherë mbyllur nga e papritura. Po sikur
të bjerë zjarr, po sikur të lëkundet globi i
dritave nga … shkundullima e … s’po ia
them emrin…
-Eh, e rrallë kjo, e frikshme…
-Sikur ishte çelës prej brumi…
-Harruam fare se ku jemi. Ku jemi, o
komshi ?
-Ec e ec, ndërkohë, e kaluam perëndimin
e diellit. U shuan rrezet e tij.
-Po, po u ftohën. Më duket se shkoi shpejt edhe muzgu.
-Tani jemi në hënë.
-Në hënë?
-Po, po, ajo sa i çeli qerpikët. Jo me kyç brumi…. as qelqi…
-Do ma japësh çelësin që më premtove?
-Çelësin e fantazisë ?
ZËRI NË ZARF
(prozë)
Memecët flasin gjatë ditës gjuhën e tyre. Në mëngjes me tri fjali, në mesditë me dy fjali të tjera. Në mbrëmje e harrojnë fjalinë e fundit dhe sa kujtohen e shkruajnë ngathëti e vetëtimthi me gabime drejtshkrimore në një… Ku e shkruajnë?Këta janë memecë shtëpie.Nuk kanë lindur të tillë dhe as nuk janë mpakur pa zë. Përkundrazi kanë qenë njerëz të gjallë e të freskët, vrapimtarë të shpejtë të rrëmujshëm, veshur me sqimë ose shkel e shko, qep këtu e shqep atje. Zëra të butë, të ashpër, të rreptë e lodronjës, tenorë e basë me mexosopranon mes tyre.Memecët nuk flasin fare kur u avitemi, stepen, mblidhen paksa kutullaç, trembem nga fytyra ose fytyrat që i shohin, që i njohin herët ose sapo i panë. Përsëpari, kalimthi ose me shumë vramendje.
Njeriu, që trokiti dhe hyri në shtëpinë e të moshuarve nuk është memec, por gojëkyçur.Sa dëgjojnë fjalët e para të të sapoardhurit pleqtë çuditërisht nisin të përloten, qajnë lehtazi, ndonjë çasti me ngashërime. Po shohin një fytyrë tjetër.Tek ata ngadhnjen e papritura dhe padurimi. Janë vetëm ose bëjnë sikur janë vetëm përderisa afër frymojnë pleqnisht tek njeri-tjetri. Kur njerin pret të mpakurve e zë gjumi në minder, tjetri dëgjon mjaullimën e maces dhe nuk ndihet vetmitar.Gojëkyçuri jeton (gjoja) memec i përkohshëm. Ka ardhur t’u ndreq të moshuarve sobën e gatimit ose sistemin elektrik ose… t’u çel gojën memecëve. Por ata, ashtu të qetë e të sosur njëherë e përgjithmonë me gjysma fjalësh, fjalë e fjali buzëthara nuk shqiptojnë asnjë rrokje veç në të rrallë belbëzojnë, i tundin kokën të sapoardhurit. I afrohen akuariumit ku lëvrijnë e ngacmohen ca cironka në gjuhën e ujit.
Gojëkyçuri, pas ndonjë ore, mbaron hallin e të mpakurve. Lan duart, e mbush vet gotën e ujit për të freskuar pak grykën tharë nga mungesa e fjalëve midis tyre. Hap kuletën e të hollave familjare mbi tryezë, merr aq të holla sa i duhen për hakun e punës. I tund kokën çiftit të mpakur dhe del jashta shtëpisë.
(Kush e solli gojëkyçurin këtu? Një tjetër gojëkyçur? Si nuk erdhën bashkë. Njeri djali i shtëpisë dhe tjetri shpëtimtar i nevojtarëve)?
I moshuari kyç derën. Çifti nis e flet, flet e bubullon, bubullon e gajaset me sy e me vetull. Të mpakurit hyjnë nën jorgan dhe gudulisen përciptazi. Tani atyre s’u ka mbet’ asnjë cipë për t’u plasur. Macja k’cen mbi karrike, sheh peshqit, l’pin mustaqet.I plaçin sytë memecllëkut, memecllëkut të g’njeshtërt pleqnor!*Zërin tim e mbyll në zarf. Zarfi dhe unë dalim në rrugë, ecim hapa pa i fol njeri-tjetrit. Shoh zarfin, u ndjeva ngushtë. Ai aty po gufohet e aty po sheston. Po sikur mua të më flas ndonjë i njohur, po sikur t’jem i detyruar t’i gjegjem? Ku ta gjej zërin? Ai, mbyllur në zarf, nuk do ma fal mua sjelljen time të pahijshme mbushur me terr.Ndjeva keqardhje për zërin tim. Shkrepja e beftë sa ma shkëndijojë hutimin. Po unë mund t’i flas sot e kurdoherë çdo frymori me gishta, me sy e me vetull, me buzë dhe… me hundë.Nëse të gjitha këto tipare shkalafiten ndonjë ditë, gjë që besoj se nuk mund të ndodh shpejt dhe gjithçkaje, (ndonëse lëkura e tyre diç është fishkur), atëhere unë do nxjerr nga xhepi atë diçkanë shpëtimtare, mbështjellë me lëkurë dhie, me një kordon të shkurtër si prej briri.Më marrtë të keqen atëhere zëri, zëri im, jo i imi por i tjetrit e tjetrit që pa e çarë kokën e pa asnjë mirësjellje më flet mua në mes të pikut zanor elektronik e do t’i gjegjem përnjiheri.Pse kot e kam unë atë diçkanë magjike me gjithë fjalët e fjalorët brenda, me gjithë rrezatimet e rrëmujat e peisazhet e kësaj bote, veçanërisht të Vlorës, nga e cila ende s’kam ik’ shpirtërisht?S’kam kohë në asnjë mot motmotit të merrem me ty, o njeri bubullonjës!Edhe ti jeton me magjinë tënde, me magjinë e qelqtë të shkrimit çape ngadaltë ose çapraz e fluturues. Më shkruaj…*Në rrugë shumëçka (jo gjithçka) flet e ngashnjehet, kërcet e kris, brohoret e rrëshqet, mbufatet e shfryhet, ngjitet e vjen vërdallë, ngjishet e shtrydhet… Boritë parakalojnë boritë, rrotat pluhurosin e baltosin njera-tjetrën plot sharje, mallkime e kanosje. Të qetë e të vemëndshëm janë vetëm semaforët dhe autoambulacat, të cilat merren vesh midis tyre me shkelje syri dhe sirena të nxituara padurimi, pa iu trembur njeratjetrës e pa marr vesh asgjë për fatin e njeriut. Hijet e pemëve përkëdhelen, hija e minares duket qafëthyer plot ylbere.Njerëzit nuk flasin në rrugë ose në të rrallë shqiptojnë fraza të rëndomta.Muzika çan tisin e padukshëm ajror, mbush plot tinguj veshët e trotuareve dhe të gropave, ia kalon bilbilit të policit në oktavë. Frymorët tundin e shkundin kokat, ngrejnë hundët përpjetë, kruajnë veshët, lëpijnë buzët si në ndonjë skenë seksi, i hipin biçikletave prapthi, shajnë veten. Ftillohen, u bëhet mbarë të nisen drejt përpara, por ca prej tyre ende me kryet pas. Njerëzit, ngrejnë supet dhe krahët, bëjnë ca shenja të njëllojta ose të përveçme, gudulisen afër, gulçojnë afër e tej, bëhen gati të flasin, flasin gjys’ fjalësh ose fjalë të përcipta e të kota.
Të merr malli të dëgjosh një fjali të plotë, një të vetme.
Rruga, jo rruga, mos t’i bien në qafë kot, por frymorët duket sikur shqiptojnë abetaren dhe dinë përmendësh vetëm tabelën e mbledhjes dhe të zbritjes, të mbledhjes dhe zbritjes të rrokopujave plot krisje e tym, të dalldive dashurore. Gjithçka pa zë, veç me shenja, kërcime të bëfta, me gu-gu- e gjuhë e gjurmë flu.Në një çast kjo dalldi njerëzore nxjerr nga xhepat fletushka të bardha e shumëngjyrëshe, lapsa majemprehtë e majengrenë. I fluturon fletët n’ajër. Secila fletë i rri afër njeriut, shtanget në ajër. Çuditërisht s’e lagu as shiu që rrodhi e shkoi si pordhët e gomarit, s’ka me e djeg as rrezja bujrum e diellit.Lapsat k’cejnë nën tingujt e muzikës aheng e tym, ndalen një çast dhe pas pak secili prej tyre në dëshirore rri qetë mes gishtave të njeriut, nis e shkruan mbi fletë.Teksti, përhera ngado shumëngjyrësh, qeshngryset, sillet bujar ose koprac. Këtë e dinë veç lapsat e fletët dhe era që e mbështjell çdo fletë të shkruar rreth lapsave dhe i nis letrat në adresë… në adresë të kujt? Nga cila postë? Unë në postë jam dhe nuk shoh asnjë laps mbështjell me fletë ose të paktën mbështjell me ndonjë gjethe të njomësht fluturake. Po a mund të lexojë i verbëri? E nëse aty ku shkon letra ka ende syzgjuar dhe lexon letrën ai që duhet ta dëgjojë është shurdh edhe qorr. Më falni, qortoj veten: njeriu është i verbër.
Në postë rrëshqas paksa me dinakëri mes njerëzve. Fytyra e dikujt shpreh ngazëllim, dimër fytyra e tjetrit. Por të gjithë ata, pa asnjë përjashtim janë syulur për të mos thënë sy gremisur ose me sytë në… në tavan të postës e të… e të mendimeve të tyre të qeta, të mundimshme. Sikur luajnë me gishta në tastierën e ajrit, sikur dëgjojnë me veshët e mesditës, sikur pëshpërisin me buzë gjethesh. Të gjitha nga pak, të gjitha asgjë e shumëçka.Zarfi im zëmbyll, plot zëra mbyll e çel, sikur çmpihet paksa në duart e nënpunëses së postës. Zarfi me librin tim të fundit do çelet vetiu kur të mbërrij në adresën shpirtërore të mikut tim poet.Përshëndes nënpunësen e postës, dal jashta i frymëzuar.Zogjtë po flasin qysh nga mëngjesi mes tyre, qeshin lotojnë, fluturojnë e mjekojnë plagët e njeritjetrit, drurët… flasin edhe ata, kopshtet, ujërat, lëndinat, edhe humnerat flasin, bile edhe gjumi flet.
I verbëri nuk sheh. Të verbërit shohin. Janë të verbër të përkohshëm ashtu siç janë të përkohshëm edhe memecët, edhe shurdhakët
Më në fund po heq dorë njëherë e mirë nga… Aty lexoj emra, shoh foto. Po ata emra përhera janë me një still të shkruari e të jetuari, ato foto janë të zverdhura edhe pse ndonjëherë qeshin.E qeshura ngrin aq sa ngurtësohen edhe tiparet e të njohurve e unë i ngatërroj ato në parafytyrimin tim.
Ku të trokas e t’i zgjoj të njohurit? Më parë duhet të trokas e të zgjoj veten duke nisur nga shkronja -a- dhe nga nota e parë e muzikës -do-, për të shkruar e nisur vetes dhe të gjithëve vetëm një fjali të ftohtë e përvëlonjëse, të dhembshur e tronditëse, vetjake e të gjith’kohshme: A do shihemi ndonjëherë sy më sy, o njerëz, a do frymojmë zërash?