Bashkëkryetari i koalicionit VLEN, Izet Mexhiti, ka mbështetur protestën e studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, të cilët kërkojnë përdorimin e gjuhës shqipe në provimet e jurisprudencës.
Në “Studio24”, Mexhiti deklaroi se studentët shqiptarë prej 20 vitesh e japin provimin e jurisprudencës në gjuhën maqedonase dhe janë privuar nga kjo e drejtë.
“Studentët kanë të drejtë. Protestat ishin të qeta dhe ne i mbështesim”, u shpreh ai.
Sipas Mexhitit, policia është përpjekur të shmangë tensionet gjatë protestës, por pas përfundimit të saj pati një incident, ku u arrestuan dy shqiptarë dhe një maqedonas pas një përleshjeje fizike.
Ai shtoi gjithashtu se është arritur një dakordësi me kryeministrin Hristijan Mickoski për zbatimin e ligjit për gjuhët dhe zgjerimin e përdorimit të shqipes në disa fusha të arsimit dhe licencimeve.
Sipas tij, në disa raste nevojiten ndryshime ligjore dhe në të tjera ndryshime të rregulloreve për të mundësuar përdorimin e gjuhës shqipe.
Izet Mexhiti: Në të kaluarën studentët nuk kanë protestuar, janë privuar nga kjo e drejtë sepse provimin e jurisprudencës e japin prej 20 vitesh në gjuhën maqedonase. Protestat kanë qenë të qeta dhe ne i përkrahim si zë që kanë të drejtë.
Policia është munduar të mos ketë përplasje. Pas protestës ka pasur një incident dhe janë arrestuar dy shqiptarë dhe një maqedonas për përleshje fizike.
Kemi rënë dakord me kryeministrin Mickoski që të implementohet ligji i gjuhës dhe të përdoret edhe gjuha shqipe për disa sfera të arsimit, licenca etj. Diku kërkohet ndryshim ligji, diku kërkohet ndryshim rregulloreje.