E ngarkuara me Punë e SHBA-ve në Tiranë, Nancy VanHorn ka pritur në Ambasadë familjen e Loni Adamit, një prej ish-punonjësve shqiptarë të rënë pas torturave në burg gjatë regjimit komunist, sepse refuzuan të dëshmonin kundër Amerikës.
Ambasada njofton nëpërmjet një postimi në faqen e saj, duke publikuar edhe një fotografi të vendosjes së buqetave me lule të memoriali i dy shqiptarëve Loni Adami dhe Kol Kuqali.
Në postimin e ambasadës thuhet se: “Sot, e Ngarkuara me Punë Nancy VanHorn mirëpriti në ambasadë familjen e Loni Adamit, guximi dhe sakrifica e të cilit shërbejnë si një dëshmi e fuqishme e përpjekjes sonë të përbashkët për liri. Si punonjës shqiptarë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara, Loni dhe kolegu i tij, Kol Kuqali, u përballën me burgosje dhe tortura dhe përfundimisht vdiqën në burg, sepse refuzuan të dëshmonin në mënyrë të rreme kundër Shteteve të Bashkuara gjatë regjimit komunist”.
Dhe më tej shpjegohet se memoriali i kushtuar dy shqiptarëve qëndron pranë flamurit të SHBA-ve, si kujtesë e përhershme e angazhimit në marrëdhëniet SHBA-Shqipëri.
“Një memorial kushtuar Loni Adamit dhe Kol Kuqalit qëndron pranë flamurit të Shteteve të Bashkuara në ambasadë si një kujtesë e përhershme e angazhimit të tyre ndaj marrëdhënieve SHBA-Shqipëri dhe ndaj lirisë”, thuhet në reagim. gsh



