Gratë e politikës dhe jetës publike “janë bashkuar” në të vërtetat e “guximshme” që kanë thënë të premten në emisionin Oktapod të Turjan Hyskës. Arbjola Halimi e Partisë Demokratike, Joleza Koka e FRESSH dhe Iris Luarasi e shqoërisë civile, kanë mbledhur bashkë, dëshmi, përshtypje dhe opinione, mbi sjelljen e meshkujve, protestat dhe ardhjen e 8 marsit.
“Burra që shahen si gratë e liga”- i ka cilësuar Luarasi deputetët shqiptarë, pas javës së zhurmshme që krijoi sërish Parlamenti këto kohë.
Ndërsa deputetja e Partisë Demokratike Arbjola Halimi, u shpreh se nuk ka patur skenar të organizuar për gjuajje me vezë, por kryeministri Rama provokoi rëndë. Deputetja që u pa të shkonte drejt vendit ku qëndronte Rama, por u ndal nga Garda, deklaroi se nuk po “i sulej” kryeministrit, por i ishte drejtuar foltores.
Ndërsa kryetarja e FRESSH Joleza Koka, “vlerësoi” zgjedhjen e bërë nga opozita, pasi sipas saj, vezët tërheqin vëmendje. Lidhur me protestën e grave të opozitës një ditë më vonë, deputetja Halimi u shpreh se gjuha e kryeministrit ishte tejet ofenduese dhe meritonte më shumë se një protestë.
Përsa i përket fjalëve të përdorura nga deputetja tjetër e PD, Albina Dede, e cila gjatë protestës u shpreh se Rama nuk mund të sillej me gratë demokrate si me dashnoret kolektive të bordellit të socialistëve, Halimi tha se kolegia e saj përdori një metaforë, pasi nuk kishte qëllim të fyente gratë socialiste. Por për Iris Luarasin, gjuha e përdorur nga Dede dhe disa gra të tjera të opozitës në atë protestë, ishte seksiste dhe provokonte ndarjet veri-jug.
Lidhur me një reagim ironik që Arbjola Halimi kishte bërë ndaj Majlinda Bregut, deputetja e pranoi se e kishte për Bregun mesazhin, duke argumentuar se gjithkush në PD është i lirë të shprehet, por duhet të dijë të presë dhe reagime. Gjatë debatit, kryetarja e FRESSH, Joleza Koka, u shpreh se po përpiqet ta ndryshojë nga brenda sistemin politik.
Përsa i përket kryeministrit socialist, Koka tha se Rama i do gratë, nuk është pasiv, madje i ka “hapur krahët” vajzave dhe grave në parti.
Komentet