Këshilli i Përgjithshëm i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), që u mblodh të shtunën, ka nominuar sërish Albin Kurtin si kandidat për kryeministër.
Kryeministri në detyrë synon një mandat të ri pas fitores së LVV-së në dy palë zgjedhjet e vitit 2025, në shkurt dhe në zgjedhjet e jashtëzakonshme të dhjetorit.
Në të fundit, partia e tij mori mbi 51% të votave dhe Kurti doli sërish si më i votuar. Gjatë fjalimit të tij, Kurti tha se rritja e mbështetjes për Vetëvendosjen është e vazhdueshme, ndërsa shtoi se synojnë të marrin 60% të votave.
“Prej shkurtit deri në dhjetor vitin e kaluar u rritëm për 9%, nëse rritemi po aq prej dhjetorit deri në qershor mund të prekim 60%. Nëse punojmë veçse ne dimë, me sinqeritet dhe përkushtim edhe kjo padyshim është e mundur”, tha ai.
Ai akuzoi opozitën për bllokim të proceseve institucionale, duke thënë se veprimet e saj nuk e kanë mundur popullin, por kanë synuar pengimin e shtetit. Sipas Kurtit, zgjedhjet e reja nuk ishin të domosdoshme, por shtoi se ato mund të jenë të tilla për disa faktorë politikë, por jo për popullin.
“Sa herë po na bllokojnë ne po rritemi. Ata po marrin përgjigje më të fortë nga populli. Nuk kishim nevojë për këto zgjedhje. Mbase dikush, ndonjë strateg që drejton nga hija veprimet opozitare, po mendon që zgjedhjet janë të domosdoshme.
Ndoshta janë për dikë, por jo për popullin e shtetin. Kjo po ndodh sepse kemi një opozitë e cila ka kuptuar se nuk mund ta mund popullin, por ka zgjedhur ta bllokojë shtetin. Vullnet i popullit nuk është nen kushtetues, është forcë e historisë që na shpie përpara”, deklaroi ai.
Kujtojmë që KQZ ka njoftuar se 22 subjekte politike dhe tre koalicione janë regjistruar për pjesëmarrje në zgjedhjet e 7 qershorit, ndërsa nëntë subjekte kanë hequr dorë nga garimi të vetme ose në koalicion.