Qysh në krye të këtij shkrimi reflektues, dua të shprehem: Faleminderit dr. Evarist Beqiri për shkrimin “Një roman me peshë historike” (kushtuar romanit “Halimi” i Petro Markos)
Ky shkrim lakonik dhe me shumë vlera i Evaristit, birit të denjë tërbaçiot, dr. Evarist Beqiri për romanin e shkrimtarit të shquar Petro Marko, kalorësin rebel të lirisë kushtuar Halim Xhelo Tërbaçit tonë të idealeve të larta kombëtare meriton mirënjohje jo vetëm për risjelljen në kujtesën e sotme të dy burrave të mëdhenj të kombit tonë, (shkrimtari i humanizmit universal nga Dhërmiu, luftëtari dhe frymëzimtari i Njëzetës nga Tërbaçi), por sidomos për çka unë e quaj një kambanë kushtrimi për ndërgjegjen kombëtare sot ndër ne.
Shkrimi i Evaristit më ktheu mbrapa në kohë, kur unë isha nxënës i shkollës 8-vjeçare “Halim Xhelo” Tërbaç në Gryka, ndoshta në klasë të tretë. I kam pasur qejf librat e mirë, qysh fëmijë. Atëherë kemi ardhur në Vlorë me grupin e fatosave, ndoshta të pionierëve me drejtor Dragoin e këngës labe Kujtim Mici dhe këtë e verifikoj, duke kërkuar në bibliotekën time romanin “Halimi” të Petro Markos, blerë në Skelë, më 10 shtator 1969.
E kam dashur shumë Petro Markon për veprën e tij të shkëlqyer letrare, sidomos për romanin “Halimi” (Tiranë; “Naim Frashëri”; 1969, 207 f.), për romanin etnologjik “Ultimatum” me objekt Luftën e Vlorës, 1920 (Tiranë, “Naim Frashëri”, 1972, [328] f., ku ndër personazhet kryesorë është Halimi ynë, po ashtu Selman Hyseni, Murat Tërbaçi etj.
Po ashtu e dua Petro Markon, këtë burrë që kullon fisnikëri e karakter edhe për vjershën e tij “Të kish’ rritur Labëria” thurur më 1937 për Halimin, e cila këndohet në Tërbaç e gjetkë si këngë e përvajshme e përjetësimit të Heroit.
Sa ngjanin në karakter e dinjitet Halimi me Petron!
E dua shumë Petro Markos, saqë do të kisha dëshirë të ishte nga Tërbaçi (po yni është dhe Dhërmiu, se derë e tepsi kemi qenë, si i thonë fjalës), të paktën, sipas burimeve shkrimore, qysh nga koha e Nilo Catalanos (vitet 1630-1640 e në vijim).
Evaristi meriton mirënjohje për mesazhet që jep, duke u shprehur se “romani “Halimi” nuk është thjesht letërsi. Ai është kujtesë, ideal dhe karakter…Sa grimca nga ajo djalëri e kulluar e shqiptarizmës jeton ende tek ne sot?”
Në nderim të 5 Majit – ditës simbolike të dëshmorëve, sjell ndërmend këngën popullore
“Lule more trima
Që ratë për Atdhe”
dhe shtoj:
Ju e bëtë detyrën
Çfarë po bëjmë ne?!
Evaristi më tej nënvizon: “Ndoshta nuk është rastësi që disa libra nuk plaken kurrë. Sepse nuk flasin [thjesht] për kohën e tyre…por për ndërgjegjen tonë”.
Mendojmë se është e duhur që të kujtojmë se një nga pseudonimet që përdorte Halim Xhelo në shkrimet që botonte ishte “NDËRGJEGJJA KOMBËTARE”
Ç’mendje parashikuese kishte për të ardhmen gri me nuanca të murme…