Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, zhvilloi një vizitë zyrtare dyditore në Romë, ku u takua me kryeministren italiane Giorgia Meloni, ministrin e Jashtëm Antonio Tajani dhe një ditë më parë me Papën Leo XIV në Vatikan.
Vizita u zhvillua në një moment delikat për diplomacinë ndërkombëtare, mes tensioneve në Lindjen e Mesme, krizës në Iran dhe shqetësimeve për sigurinë energjetike globale.
Takimi Meloni–Rubio: Hormuzi dhe kriza iraniane në qendër të bisedimeve
Takimi mes Melonit dhe Rubios në Palazzo Chigi zgjati rreth një orë e gjysmë dhe u përqendrua kryesisht te situata në Iran dhe tensionet në Ngushticën e Hormuzit, një nga korridoret më strategjike të tregtisë dhe furnizimit energjetik në botë.
Sipas burimeve qeveritare italiane, Italia konfirmoi gatishmërinë për të vënë në dispozicion mjete detare për operacione të mundshme çminimi në zonë, por vetëm pas miratimit të Parlamentit italian dhe në kuadër të një koordinimi ndërkombëtar.
Në tryezën e diskutimeve ishin gjithashtu stabiliteti në Liban; e ardhmja e misionit paqeruajtës UNIFIL; lufta në Ukrainë; situata politike në Venezuelë dhe Kubë; si dhe iniciativat për garantimin e lirisë së lundrimit ndërkombëtar.
Sipas mediave italiane, Meloni dhe Rubio kanë diskutuar edhe mbi raportet mes Romës dhe administratës amerikane pas deklaratave të presidentit amerikan Donald Trump, i cili kishte kritikuar Italinë për qëndrimin në dosjen iraniane dhe kishte përmendur mundësinë e reduktimit të pranisë ushtarake amerikane në bazat italiane.
Tajani: “Europa dhe Amerika kanë nevojë për njëra-tjetrën”
Përpara takimit me Melonin, Rubio zhvilloi një bisedë dypalëshe në Farnesina me ministrin e Jashtëm italian Antonio Tajani.
Pas takimit, Tajani e cilësoi bisedën “pozitive” dhe ritheksoi rëndësinë strategjike të marrëdhënieve transatlantike.
“Europa ka nevojë për Amerikën, Italia ka nevojë për Amerikën, por edhe Shtetet e Bashkuara kanë nevojë për Europën dhe Italinë”, deklaroi ai.
Në komunikatën e Departamentit Amerikan të Shtetit thuhet se gjatë takimit u diskutua për bashkëpunimin ekonomik dhe të sigurisë, ndërsa Rubio nënvizoi “nevojën që vendet perëndimore të mbrojnë interesat e tyre ekonomike”.
Në fokus të bisedimeve ishin gjithashtu: siguria detare; kriza në Lindjen e Mesme; armëpushimi mes Libanit dhe Izraelit; çarmatimi i Hezbollahut; si dhe koordinimi mes NATO-s dhe aleatëve europianë.
Takimi me Papën në Vatikan
Një ditë më parë, Rubio u prit në Vatikan nga Papa Leo XIV në Pallatin Apostolik.
Sipas Selisë së Shenjtë, gjatë takimit u diskutua për konfliktet ndërkombëtare, tensionet humanitare dhe rëndësinë e diplomacisë për ruajtjen e paqes globale.
Takimi u konsiderua i rëndësishëm edhe në funksion të uljes së tensioneve mes administratës amerikane dhe Vatikanit lidhur me luftën në Iran dhe situatën në Lindjen e Mesme.
Antonio Tajani, duke komentuar takimin Rubio–Papa, deklaroi se “fakti që takimi me Atin e Shenjtë shkoi mirë ndihmon në qetësimin e klimës ndërkombëtare”.
Origjina italiane e Marco Rubios
Gjatë vizitës në Romë, Rubio mori gjithashtu dokumente zyrtare mbi origjinën italiane të familjes së tij nga Casale Monferrato në Piemonte.
Dokumentacioni genealogjik iu dorëzua nga Tajani dhe presidenti i rajonit Piemonte, Alberto Cirio, të cilët e ftuan sekretarin amerikan të vizitojë Piemonte-n, duke e cilësuar atë “shtëpinë e tij”./Alba Kepi, Syri TV