Në emisionin e mëngjesit “Kafe Shqeto” në Syri TV, moderatori Flavio Qarri ndau me publikun një raport alarmant të Komitetit Shqiptar të Helsinkit, ku ngrihen shqetësime serioze për kushtet e paraburgimit të ish-Presidentit Ilir Meta në IEVP “Jordan Misja”.
Raporti tronditës i Komitetit Shqiptar të Helsinkit (KShH) ka zbuluar shkelje serioze dhe trajtim të papranueshëm ndaj ish-Presidentit Ilir Meta në paraburgimin e IEVP “Jordan Misja”, duke ngritur pikëpyetje të forta mbi respektimin e të drejtave themelore në sistemin penitenciar shqiptar.
Pas një monitorimi të zhvilluar më 10 prill, KShH konstaton se Meta po mbahet në kushte që cilësohen degradues: tualet pa ndriçim funksional, zile emergjence jashtë shërbimit, kufizim i ajrimit nën minimumin ligjor dhe trajtim i diferencuar nga të paraburgosurit e tjerë.
Sipas raportit, Meta ka qëndruar në ajrim vetëm 40 deri në 90 minuta në ditë, ndërkohë që ligji parashikon të paktën dy orë. KShH e konsideron këtë një shkelje të drejtpërdrejtë të ligjit dhe një cenim të dinjitetit njerëzor.
Situata bëhet edhe më alarmante me pretendimet për kufizime në komunikim: takimet me deputetë dhe bashkëpunëtorë politikë po trajtohen si vizita familjare, duke reduktuar ndjeshëm mundësinë për kontakte me familjarët. Po ashtu, raporti denoncon pengesa ndaj komunikimit me median, ndërhyrje të paligjshme në numrat telefonikë të autorizuar dhe mungesë transparence për masat disiplinore.
KShH evidenton gjithashtu mungesën e bibliotekës, kufizime në aktivitetet sportive dhe probleme të vazhdueshme me higjienën, duke paralajmëruar se kombinimi i këtyre faktorëve mund të përbëjë trajtim degradues sipas standardeve të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Në dokument theksohet se këto problematika nuk janë thjesht administrative, por prekin drejtpërdrejt standardet ligjore dhe kushtetuese për trajtimin e personave të privuar nga liria.
Komiteti Shqiptar i Helsinkit i ka kërkuar Drejtorisë së Burgjeve dhe Ministrisë së Drejtësisë ndërhyrje të menjëhershme. syri.net
RAPORTI: