Në fjalën e tij presidenti Begaj tregoi se vizita këtu u mundësua pas një ftese që ai kishte marrë nga Universiteti i Teksasit A&M ,në një seri leksionesh mbi “Ëndrrën Amerikane në 250 vjetorin e formimit të SHBA-së”.
Ndër të tjera presidenti Begaj theksoi:-“Kujt i shkonte mendja që ne Uster do të kishim një shqiptare kryetare bashkie për herë të parë në histori apo ta kishim një vend ku ne të kishim ushqimin shpirtëror. Kështu që unë ju falenderoj shumë për mikpritjen, për gjithçka që ju bëni këtu si komunitet për të ruajtur vlerat e kombit, sepse vërtet keni gjetur një atdhe të dy këtu, por kurrë nuk hoqët dorë nga atdheu i të parëve tuaj, nga rrënjët e tuaja duke trashëguar kulturën, traditat, veshjet, muzikën. E pashë atë djalin e ri me një veshje kombëtare shqiptare dhe shumë nga ju më përmendin që kanë ardhur nga trevat e zonës së Korçës, kështu që është një është një kënaqësi e veçantë. Unë përveçse mirënjohjes dhe vlerësimit maksimal për ju, dua t’ju them që Shqipëria sot nuk është më siç ka qenë, ka ndryshuar. Ne kemi bërë hapa të mëdha përpara qoftë në transformimin e shoqërisë në çdo sektor të mundshëm qoftë edhe për sa i përket njohjes së Shqipërisë në arenën ndërkombëtare. Tashmë nuk është Shqipëria si një njollë e zezë, por është një vend i cili njihet për kontributin që ka, sidomos në politikën e jashtme dhe në fushën e sigurisë, ku ajo është e linjëzuar me atë të Bashkimit Europian, ku ne ëndërrojmë dhe aspirojmë të bëhemi anëtarë në vitin 2030, por edhe me atë të Shtetet e Bashkuara të Amerikës që ne kemi partnerë dhe aleatë strategjik. Është nder për ne, është kënaqësi e veçantë që marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara janë të ndërtuara në histori, të ndërtuara dhe nga ju për faktin që ë marrëdhëniet shtetërore zhvillohen nga qeveritë, por ato që janë më të rëndësishme janë marrëdhëniet njerëzore të cilat janë zhvilluar nga ju dhe kurdo shikon shqiptarë që flasin me amerikanët, janë të respektuar, janë të pranuar, janë të integruar, jo të asimiluar. Kjo është vërtetë një kënaqësi shumë e madhe. Kështu që unë uroj dhe besoj që ju të vini sa më shpesh në Shqipëri. Kemi nevojë për ju.”
Më tej në formën e një bashkëbisedimi u prekën tema të ndjeshme nga disa pjesëmarrës mbi çështjet e vlerësimit dhe organizimit të diasporës pa e politizuar në SHBA, rëndësia e ruajtjes së gjuhës shqipe, traditat kulturore bashkë me ato të besimit, shkëmbimi i vizitave përfshi edhe interesimin turistik, bashkëpunimi i të rinjve të dalë nga shkollat dhe bizneset me vendlindjen e tyre apo prindërve të tyre pasi zhvillimi ekonomik dhe arsimor i familjeve shqiptaro-amerikane të emigruara veçanërisht ajo në vitet e tranzicionit, shërbejnë si ura të rëndësishme lidhjeje me përfitime të dyanshme në çdo fushë të jetës.
Në një moment të bashkëbisedimit veprimtari Frankli Zdruli theksoi se shteti shqiptar mund të ketë një afrim më vlerësues me diasporën edhe në rastin e mirënjohjes për punën dhe pasionin e shumë bashkatdhetarëve duke propozuar dy raste siç është ai i Ikonografit të Kishës” Fjetja e Shën Marisë”, piktori Dhimitri Çika i cili zbukuroi arkitekturën e dy vëllezërve shqiptarë inxhinierët Isak me Ikonat dhe shkrimin Shqip në to. Sikurse dhe Dhimitraq Demirin që për dy tre dekada ka punuar dhe vazhdon të punojë për mësimin dhe ruajtjen e valleve folklorike shqiptare në të rinjtë dhe të rejat shqiptaro amerikanë të Usterit. Po pavarësisht kësaj, veprimtarët dhe organizatorët e ngjarjeve festive shpesh herë mblidhen në takime dhe vlerësojnë me mirënjohje apo promovojnë vlerat edhe arritjet individuale të bashkatdhetarëve çka kjo mund ti tërheqë vëmendjen edhe Shqipërisë në rastin e ruajtjes dhe forcimit të lidhjes mes vendlindjes dhe Amerikës si një atdhe i dytë për shumë shqiptarë.
Afrimi i mbylljes së vizitës në mjediset e Kishës, hapi dhe një njohje të re me dëshmorët shqiptaro-amerikanë gjatë dy Luftërave Botërore të shekullit të kaluar e më gjerë në konfliktet e armatosura ku ata kanë marrë pjesë dhe nderohen për kontributet dhe trimërinë e tyre.
Në mjediset e jashtme vizitorët u njohën me projektin e strehimit të mbi 80 apartamenteve në Illyrian Garden, të ndërtuara që në vitet 90’të nga bashkësia shqiptare dhe qyteti, ku u realizuan shtëpi të të moshuarve për prindërit e tyre dhe më gjerë për qytetarët në nevojë.
I mirë informuar nga ky takim si dhe me dëshirën për të vazhduar lidhjen Presidenti Begaj i shoqëruar nga Ambasadori Ervin Bushati dhe një pjesë e të ftuarve zhvilluan një takim me kryetarin e Bashkisë së Usterit Joseph M Petty dhe anëtarë të Këshillit Bashkiak ku u shkëmbyen dhurata simbolike të ndërsjella si dhe njohja me historinë mbi 300 vjeçare të qytetit, bashkësitë e etniteteve të spikatura që i japin jetë, lëvizje zhvillimit të qytetit ku prania e shqiptarëve është e veçanërisht e ndjeshme gjatë dy-tre dekadave të fundit.
Mbyllja e vizitës së shkurtër në Uster në Bashki dhe me bashkatdhetarët shqiptaro-amerikan në Kishën “Fjetja e Shën Marisë”, shënon në histori dhe takimin e parë të një Presidenti Shqiptar në një bërthamë, patriotike dhe energjike të emigracionit shqiptar të vendosur në SHBA, që i kanë dhënë dhe mund t’i japin më shumë Shqipërisë.