Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, e ka quajtur “manovër të radhës së Kurtit” propozimin e Lëvizjes Vetëvendosje, që PDK dhe LDK të propozojnë tre emra unifikues jo partiak për çështjen e presidentit.
Duke folur para gazetarëve, Hamza tha se qëllimi i Kurtit është që të gjendet fajtori.
“Përndryshe, ka pasur kohë të mjaftueshme me i bo të gjitha veprimet e nevojshme, në mënyrë serioze të përgjegjshme, në mirëbesim dhe në besim reciprok. Jo me tentu që me oferta joserioze të minutave të fundit, me hedh fajin diku tjetër. Prandaj, për PDK-në kjo çështje kam deklaru që është e mbyllur, është diskutuar gjerë e gjatë në Këshillin Drejtues të PDK-së, është bo publike përmes një deklarate politike nga Këshilli Drejtues i PDK, që përkundër rolit konstruktiv me qëllim që vendi të ketë institucione, nuk kemi pas mirëkuptim nga Kurti dhe LVV. Për PDK-në kjo çështje është e mbyllur dhe ne kthehemi te qytetarët, atje ku e lypim besimin. Nuk ka ofertë serioze nga ana e tyre” – tha Hamza.
Lëvizja Vetëvendosje sot me 25.04.2026 ka bërë një propozim të ri, në lidhje me zgjidhjen e çështjes së presidentit, para se vendi të shkojë përfundimisht në zgjedhje.
Përmes një komunikate për media, Vetëvendosje ka thënë se propozimi i tyre i ri është që PDK dhe LDK të propozojnë së bashku tre emra për president, nga të cilët mund të zgjidhet një president i ri.
Sipas propozimit të Vetëvendosjes, këta tre emra duhet të jenë figura unifikuese, me integritet të lartë qytetar e kombëtar, me kontribut të dëshmuar në jetën profesionale dhe jashtë skenës aktuale politike
Kryeministri Albin Kurti më 20.04.2026, pas takimit me Lumir Abdixhikun e LDK-së, tha se bisedimet mes tyre për çështjen e zgjedhjes së presidentit rezultuan të pasuksesshme.
Ai tha se Abdixhikut iu propozua të bëhet zëvendëskryeministër në Qeverinë Kurti 3 dhe LDK-ja t’i ketë Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe tri ministri të tjera.
“Nën shpjegimin që Vetëvendosja nuk duhet t’i ketë të tri pozitat e larta shtetërore, atëherë ne bëmë një ofertë tjetër për LDK-në. Kjo është që pozita e kryetarit të Kuvendit dhe nënkryetarit të Kuvendit të pësojnë një rrokadë, ashtu që ose nënkryetari i LDK-së ose dikush tjetër për të cilin përcaktohet LDK-ja, zë pozitën e kryetarit të Kuvendit, ndërkaq kryetarja aktuale e Kuvendit dhe ushtruesja e presidentit Albulena Haxhiu do të bëhej nënkryetare e Kuvendit… Më shumë se aq nuk kam çka i ofrojë.” – tha Kurti.
Kurse, sipas Abdixhikut, Kurti insistonte gjatë takimit që pozita e presidentit të jetë e Lëvizjes Vetëvendosje.
“Me LDK-në Vetëvendosja nuk ka diskutuar as edhe një emër [për president] përveç Glauk Konjufcës… Jemi prap në pozitën e njëjtë si para vendimit të Gjykatës Kushtetuese. U porpoqa, u porpoqëm të gjejmë zgjidhje.” – tha Abdixhiku para gazetarëve.
Afati për zgjedhjen e presidentit përfundon me 28.04.2026. Haxhiu po e ushtron këtë pozitë nga data 04.04.2026.
Nëse deri atëherë nuk zgjedhet presidenti i vendit, brenda 45 ditëve mbahen zgjedhjet e parakoheshme parlamentare./Kallxo.com