Gazment Bardhi, ka reaguar sërish në lidhje me polemikën për mesazhin e ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, duke deklaruar se ky i fundit e ka fshirë komunikimin pasi ai u bë publik.
Në një postim të ri, kreu i grupit parlamentar demokrat thekson se fshirja e mesazhit përbën, sipas tij, një pranim indirekt të përmbajtjes fyese ndaj shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.
“Të quash shqiptarët e Maqedonisë së Veriut ‘idiotë’ në një komunikim me ambasadorët nuk është lapsus. Është mentalitet politik”, shkruan Bardhi, duke shtuar se nuk ka fabrikim, por një sjellje arrogante dhe të padenjë për një zyrtar të lartë.
Ai akuzon ministrin për hipokrizi, duke thënë se ndonëse në publik paraqitet si mbrojtës i shqiptarëve jashtë vendit, në komunikime private i përçmon ata. Sipas Bardhit, kjo sjellje reflekton një qeveri që, sipas tij, ka humbur lidhjen me realitetin.
Në reagimin e tij, Bardhi përmend edhe pretendime për “kërcënime të kamufluara” ndaj ambasadorëve në të njëjtin grup komunikimi, duke kërkuar mbrojtje për ata që kanë denoncuar rastin.
Ai i bën thirrje kryeministrit Edi Rama që të verifikojë rastin dhe të marrë masa të menjëhershme, duke kërkuar shkarkimin e ministrit të Jashtëm.
Postimi i Bardhit:
Ministri i Jashtëm fshin mesazhin përçmues për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut pasi skandali u bë publik.
Të quash shqiptarët e Maqedonisë së Veriut “idiotë” në një komunikim me ambasadorët nuk është lapsus. Është mentalitet politik. Nuk ka asnjë fabrikim. Ka vetëm një ministër të Jashtëm arrogant dhe të padenjë për detyrën.
Sjellja e tij idiote është ekzakt modeli i kësaj qeverie: Fillimisht përçmon. Pastaj viktimizohet. Në fund mohon.
Hipokrizia e Ministrit të Jashtëm që në publik bën sikur kujdeset për shqiptarët jashtë kufijve, por në biseda private i përçmon shqiptarët, tregon simptomën e kësaj qeverie: ata nuk duan t’ia dinë as për shqiptarët jashtë, as për shqiptarët brenda.
Një ministër që flet me këtë gjuhë poshtëruese, përbuzëse dhe denigruese mund të përfaqësojë arrogancën e një pushteti që ka humbur çdo lidhje me realitetin, por nuk përfaqëson as Shqipërinë, as kombin.
Dënoj me forcë edhe kërcënimin e kamufluar publik për ambasadorët, në grupin me të cilët dërgoi mesazhin denigrues për shqiptarët.
Ata që denoncojnë përçmimin meritojnë mbrojtje. Ai që duhet të mbajë përgjegjësi dhe që ka shkelur betimin kushtetues është vetëm Ministri i Jashtëm.
Mohimi, fshirja e mesazheve, sulmi ndaj denoncuesve (për fat të mirë nuk është vetëm një person që ka reaguar ndaj qëndrimit skandaloz të Ministrit) nuk është mënyra që e zgjidh situatën.
Kryeministri ka të gjitha mjetet në dispozicion për të verifikuar mesazhin dhe fshirjen e tij.
Të paktën një herë në jetën e tij politike, Edi Rama duhet të sillet me nder dhe ta shkarkojë Ministrin e Jashtëm.
Edhe për faktin se qenka tepër idiot!!!