MISIONI TJETËR
Është libri i tretë me shkrime i zotit Mërgim Korça, i analistit të mprehtë, oratorit eseist, studjuesit të historisë tonë të re, polemizuesit të saj dhe, për rrjedhojë, edhe i çështjeve aktuale.
U fut fuqishëm dhe i sigurtë në fushën e shkrimeve të këtij lloji, me bagazh të plotë dijesh dhe përvoje të njimendët, jo si një trill i vonë i tij, që ia siguronin kushtet e lirisë, por u ndje i thirrur nga koha për të thënë të vërtetën, aty ku ajo nuk dihej, ishte e mbuluar apo ishte e harruar me qëllim ose jo, të zbulonte të panjohura me rëndësi kombëtare, që i jepnin dinjitet historisë sonë, atje ku ai ishte bjerrur.
Gati 10 vjet më parë Mërgim Korça botoi librin e tij të parë “Histori të pashkruara”, ku na befasoi me analizat-ris( që solli, dukle na bërë të njohur personalitete madhore intelektuale, fetare e patriotë, bëri një lloj ringjallje sfiduese të tyre, por edhe akuzë ndaj atyre dhe sistemit që bëri të kundërtën.
Nuk vonoi dhe tre vjet më pas nxori librin e tij të dytë “Hedhje drite rreth shtrembërimesh historike”, ku shpjegohet qysh në titull misioni i tij. Zbulime dhe shpalosje të vlerave kombëtare, me befasinë e mëparëshme dhe risínë..
Dhe ja tani libri i tretë, që duket si një vazhdim i punës së Mërgim Korçës, një triadhë, ku autori jep ndihmesën e tij të paçmuar në ribërjen e ikonës së Shqipërisë së përjetëshme, ai ndërhyn me kujdes aty ku janë dëmtimet, me kompetencë dhe i shqetësuar si edhe me qetësi Olimpike na rrëfen vlerat madhore, u heq baltën e hedhur dhe nxjerr prarimin e artë që ka në vetvete vepra.
Si të tillë do të thosha se Mërgim Korça u bë klasilu i ynë modern i analizave, shembëlltyrë e njohjes së historisë tonë të re, veprave dhe gjuhës mbi të gjitha, përdorues magjepsës i dy dialekteve të shqipes, i qëndrimeve dhe kurajos në zgjidhjen e nyjëzimeve të ngjarjeve dhe konflikteve, teksa arrin të potretizojë kohë dhe nga ata që bënë kohë.
Fjala e tij aq sa ka pathosin e ligjërimit nga katedrat, po aq ka edhe thjeshtësinë intime të bisedave me mikun, rigorozitetin e shkencëtarit dhe madhështinë e brendshme të mendimtarit, që mbartin kujtimin, vërtetësinë, faktin, dokumentin, statistikën dhe nderimin për bëmat dhe ata që i kryen ato dhe gjithandej zotëron dashuria për vendin, si amanet dhe ideal, si veprim i brendshëm.
Duke ngërthyer të përziera vetitë e sipërpërmendura, shkrimet e Mërgim Korçës është e vështirë të përcaktohen mirëfilli se ç’janë, ç’gjinie i përkasin, madje, do të thosha se as që është e nevojshme, sepse rëndësi ka që ata janë të dobishëm dhe duhen, shpalosin kohë dhe zbërthejnë çështje, sintetizojnë e qartësojnë dhe hapin debate, por edhe mbyllin. Janë lexuar në kuvende, në Shqipëri dhe jashtë saj, kryesisht në SHBA, janë botuar në media më së shumti, por ndonjëherë dhe nuk kanë guxuar t’i botojnë.
Duke qënë libër, ato së bashku, pasurojnë botimet në lëmin e mendimit shqiptar.
E KALUARA QË S’IKËN
Ne dijmë si ta bëjmë të ardhmen tonë, por nuk dijmë si ta bëjmë të kaluarën tonë…
Pak a shumë kjo është thënia ironike, por edhe hokatare e një shkrimtari të njohur në botë, i një vendi të madh, që di ta shpotisë edhe veten edhe mua më duket sikur ky pohim na përshtatet më shumë se kujdo neve, që, ndërsa jemi gjakftohtë me të ardhmen, për të mos thënë moskokëçarës si kolektivitet, por të sigurtë që ajo do të vijë, merremi me të kaluarën aq shumë dhe me aq amatorizëm, vit për vit prekim të njëjtat çështje, gjithmonë njëlloj e gjithmonë sipas interesave vetanake dhe veprojmë sipas mendësive të dikurshme, sa mund të themi se kemi krijuar një mosmarrëveshje të madhe me të tashmen, gati një kaos.
Kjo mbase vjen si vazhdim dhe si kundërshti njëherazi e viteve të rënda të diktaturës, ku kishte “rregull burgu” dhe “qetësi varrezash”, teksa Shqipëria rreket të ndahet me të kaluarën duke kaluar në një tranzicion të gjatë e me sakrifica. Natyrisht që ndryshimet janë të mëdha, Shqipëria është e hapur tashmë dhe kërkon të bëjë jetën e një vendi demokratik, pa përvojën e duhur të demokracisë dhe me një trashëgimi të zymtë të një qeverisje totalitare, brutale dhe pa liritë elementare.
Shkrimet e Mërgim Korçës do të thosha se marrin nga kjo lëndë, e cila bëhet përmbajtja e tyre konkrete, nga jeta e vendit gjithsesi, nga realiteti dhe nga ata që e ndryshojnë këtë realitet, për mirë dhe për keq, ose ndryshojnë vetë sipas këtij realiteti, pse dhe si dhe autori i besueshëm hedh dritë mbi të paqartën apo të harruarën, ose të mosditurën saktë e plotësisht, shpesh rrëfen si memorialist duke besuar se me detajin mund të kuptohet edhe e tëra.
Autori duket sikur kërkon apo dhe sikur na udhëzon që të kuptohet, se është me rëndësi, që e kaluara jonë e përbashkët ende nuk është bërë histori, me kuptimin e një përvoje të vendit dhe të ecjes tonë kolektive, përpara, por shpesh dhe pas, megjithëse nuk kanë munguar kurrë vegimet për të qënë identitet dhe popull i begatë, pjesë e botës Euro – Atllantike, e kulturës dhe shpirtit të saj.
Vegimtarëte tillë janë edhe miqtë shpirtërorë të intelektualit Mërgim Korça, për të cilët ai shkruan shpesh dhe i përkujton. Një nga porositë e këtij libri duket se është edhe kjo, që mund të përmblidhet. E kaluara duhet të përbëjë një pasuri bëmash sipas një programi kombëtar e strategjish kolektive, idesh e vlerash, të sukseseve dhe humbjeve, të madhështisë dhe dhëmbjeve, etj,etj, që duhet t’i shërbejnë dhe i shërbejnë të tashmes si një truall i sigurtë nga ku duhet të prodhohet sinergjia e domosdoshme.
Gjithashtu vepra e Mërgim Korçës na ndihmon të kuptojmë që pse e kaluara jonë e afërt çuditërisht ka ende fuqinë e dhe sugjestionin të na ndajë ashtu siç dhe na ndante kur ishte e tashme e egër dhe mosnjohja sa duhet dhe si duhet e saj, ka bërë dhe bën që të përsëritet shumëçka e padobishme, duke e zgjatur drobitshëm tranzicionin duke lejuar shtetarë e politikanë, produkt dhe trashëgimi me pak përjashtime, që të bëhen prijësit-shkaktarë të këtij tranzicioni dhe vetë të jenë emra tranzitë.
Si rrjedhojë nevoja për qëndrime qytetare, të mënçura e të guximshme, për dije seriozee shkencore, është më e madhe se kurrë. Dhe ato ndjehen si domosdoshmëri. Ndonjëherë mirëpriten më shumë se sa mirëkuptohen ose e kundërta, mirëkuptohen, por nuk mirëpriten sipas klanit të interesave.
Mërgim Korça është ndër ato mëndje te esëllta që gjykojnë me ndershmëri dhe rreptë, po,po, rreptë me aftësinë që dukuritë t’i vendosin në rrethanat dhe kohën e tyre dhe prej saj shpalosin njohjen e duhur dhe vlerat e dobishme e në morinë e çështjeve dhe shqetësimeve dhe halleve që ka vendi, dijnë të kërkojnëqë të bëhet më e duhura e mundur, më e mira, që shoqëria të aftësohet edhe më në parashikimet e asaj që mund të vijë, që të mos na kapë në befasi, por shumëçka të jetë e thirrur në dobi të vendit.
Një nga shqetësimet e historisë onë tonë, keqkuptimet me të, deri në shpërdorim, është çështja e kolaboracionistëve shqiptarë, që ka specifikat e saj, kushtet dhe rezultatet.Mërgim Korça është shpjeguesi më i mirë i kësaj çështjeje, më i vërteti dhe bindësi. Kolaboracionizmi është i pashmangshëm dhe aq sa i komplikuar duket, po aq të thjeshtë e ka zgjidhjen, mjafton të shohim në ka qënë a është kolaboracionizëm në dobi apo në dëm të vendit…
SHFLETIM NË DRAMËN E MADHE
Edhe Mërgim Korça është pjesëz e historisë tonë të re, jo bërës i saj, por pësues, si i tillë dhe dëshmitar.
Por nëse kthehemi në atë shqetësimin oruellian, se si ne do të mund të ndërtojmë të kaluarën tonë, se t’ardhmen e dijmë, sa për paradoks mosdija është dhe dije dhe dija mosdije, unë do të doja “të shfletonim” të kaluarën e Mërgim Korçës, aq sa na lejohet këtu, kush është ai, nga vjen, etj, se ato do të na bënin të kuptojmë më mirë autorin dhe veprën.
Familja Korça ka bërë histori dhe është goditur nga historia. Unë nuk do të largohem shumë në faktologji, por në librat e mi, “Rrugët e Ferrit” dhe “Ferri i çarë”, ku personazhet janë të vërtetë dhe ngjarjet reale, përveç vuajtjeve në burg, tregoj diçka dhe për jashtë burgut, për njerëz që i njihnin, se historia është kudo dhe herë pas here më del edhe Mërgim Korça. Ja ç’thuhet në një bisedë disi të zakonshme në qytetin e internimeve në Lushnjë, nën diktaturë:
Lushnja ka nxjerrë gjithë ata artistë. T’i numërojmë… Vaçen e thamë, Vath Korreshi, Margarita Xhepa, Pavlina Mani, Loni Papa, Ilia Shyti, po i vëllai, piktori Zoi? Lere atë, se është i arratisur. E njeh ti Mërgim Korçën, inxhinier, që shpik makina bujqësore? Di gjithë ato gjuhë ai, është lindur në Austri. Të jesh krenar për tët atë, guxoi e i tha atij babai im, jo vetëm për detyrën e lartë, ministër në arsim, ka qenë ministri im, por edhe për vdekjen që zgjodhi në … burg. A, prandaj dhe e shoqja e inxhinierit, doktoreshë Mimoza, është aq e mirë me ata me biografi të keqe. Po priftin Irené Banushi e ke parë në ndërtim, pa mjekër? Njoh gjyshin e Llukanit, prift ortodoks, nuk del nga shtëpia, se nuk donte ta kiqte mjekrën, e di sa e gjatë është bërë? – e tërheq zvarrë nëpër shtëpi …
Dhe ja, po sjell një pjesë tjetër më të rëndësishme, po futem në burgjet e diktaturës tani, aty ku jeta koncentrohet tmerrësisht dhe i ngjan historisë dhe kur nuk futet në histori:
Po ministri tjetër i Arsimit, Xhevat Korça, e di ç’bëri? Babai i inxhinier Mërgimit në Lushnjë, që ,,, Po, po. E çfarë bëri? Grevë urie, të parën fare në burgjet e komunizmit. Vendosi t’i jepte fund jetës, s’mund të rronte dot ashtu. Dhe ishte shkolluar nëpër Europë ai, albanolog, përkthyes. I vetëm ia doli që në arkivat e Beogradit dhe të Vjenës të qëmtonte e të përkthente mbi 5000 faqe dokumentacion, dale si quhen, “Acta € diplomata Austro-Hungarie”, po, po, kështu, gjithshka ç’shkruhej për Shqipërinë, të cilat i mbajnë të mbyllura në Arkivin e Shtetit Shqiptar tani. Kurse atë e mbyllën në burgun e Burretit. Ja shpërblimi, nderimi … Edhe bibliotekën ia rrëmbyen, ia mori Koçi Xoxja, kurse mobiljet e shtëpisë, militantë të tjerë.
Dëgjo, tri herë e kishin dënuar me vdekje Xhevat Korçën. Turqit në fillim e pastaj grekët, se punonte për Shqipërinë e shqiptarët, si kundërshtar. Komunistët në vazhdim, kështu. Pastaj e çuan në burgun e Burrelit. Tmerri ishte atje. Mbushur qelitë dinga me intelektualë nga më të njohurit, kë do ti, kryetarin e parlamentit, Mihal Zallarin apo dijetarin Visarion Xhuvani, nga Dodbibajt kishte, nga Kokoshët … Vuçiterna, Bitincka, Kurti… Aleksandër Ҫurçia, at Pjetër Mëshkalla, Dom Shtjefën Kurti, Gjon Shllaku, Mborja, Alimerko, Leonidha Kume, Vrionët, plot.
Xhevat Korça vendosi, në emër të jetës dhe të dinjitetit të saj të shenjtë-duken fjalë të mëdha, por ka njerëz që janë caktuar vërtet për madhoren – ai, pra, vendosi t’i jepte fund jetës. Zgjodhi grevën e urisë. Ishe e para herë që ndodhte. S’e dinim se kishte edhe akte të tilla. Në uri kishim qenë gjithmonë. Xhevat Korça donte të protestonte ndaj padrejtësive dhe ndaj diktaturës së pamëshirshme. T’u tregonte xhelatëve, dhe jo vetëm atyre, se mbi vetë jetën ka edhe fuqi të tjera më sipërane, të paprekëshme, ka edhe moral, edhe personalitet, dhe liri të nbrendshme. Shteti i posedon jetët edhe vdekjet e njerëzve, megjithëse gjithkushi ka në dorë diçka nga jeta e vet, pak më shumë nga vdekja, por nga qëllimi i tyre i fshehtë akoma më shumë, në mos të gjitha.
Dhembja, vuajtja, uria, sakrificat sublime kalojnë nga njëri burg në tjetrin, i mbartim ne, që na hedhin andej-këndej, vetë ajri. Edhe ti je njëkohësisht në qelitë e Burrelit, baltrave të Kënetës së Vdekjes në Vloçisht, në kanale, në sheshin e aeroportit, ku fryn erë e fortë, në miniera, bie shkëmbi, vritemi të gjithë, ringjallemi fantazma…
Nisi dita e parë e grevës së urisë. Zoti Xhevat nuk e pranoi supën dhe copën e bukës të burgut. I shtyu me dorë, me përbuzje… Edhe ditën e dytë. Madje dhe me krenari. Një si marramenth i lehtë kaloi nëpër të tjerë, por duhej të ishte edhe i tij. Të tretën ditë trupi pati një si mpirje, ankth dhe ngazëllim të çuditshëm. U kaloi edhe mureve. Dergjia qe shndërruar në betejë… pas saj duhej të vinte shkatërrimi. Kashta e dyshekut zverdhte vdekshëm nga të çarat. Njeriu i shtrirë po tretej edhe më. Sytë i qenë zmadhuar dhe buzët plasaritur. Qimet e mjekrës nuk e mbulonin dot thellimën në nofulla. Kishte filluar mavijosja.
Pamja e tij aty ishte e pazakontë në të pazakonshmen e burgut. Një vendosmëri kërcënuese, që pafuqia e gjymtyrëve, e muskujve, deri edhe e skeletit sikur tejkalohej me një fuqi tjetër të papërballueshme, me atë të shpirtit. Ai po dinte t’i ikte gjëndjes së tmerrshme. Të tjerët në qeli po shqetësoheshin. Xhevat Korça mes tyre po shuhej. Mbase ishte shpejt për të vdekur. Ҫ’ duhej bërë? Vdekja është jotja, po ne jemi bashkë, përreth vdekjes sate. Si t’a çbindnin Xhevatin? Ҫ’ mendonte at Pjetër Mëshkalla? Jezuiti i urte u afrua të dysheku i kashtës. U ulu në gjunjë aty. Skenë biblike, tronditëse:
– Vlla, Xhevat, të lutem, mos m’e hupë shpirtin… hiq dorë!- u dëgjua ulët zëri i tij dhe sikuru ndezën qirinj përreth. Heshtje e thellë. Kishin ngrirë të gjithë në pritje të përgjigjes.
– At, faleminderit… të kam mik, kështu kam kujtuar…- zëri i Xhevatit kishte një si ngjirje dhe mekje, sikur të qé fërkuar me gurë varresh, atë mister.
– Unë po vazhdoj rrugën e nisur… që të mos bëhem lodër e shtypësve, ti kërkon të më thyesh… prisja tjetër ndihmë…
Atit i rrodhën dy pika lot, pyet avokatin e burgosur, Xhevdet Kapshticën, e dëshmon ai. U rreqetha i tëri tani që po flas, shiko si m’u bë krahu, gjithë mornica,kokrra kokrra. At Mëshkalla e puthi në ballë njeriun e shtrirë dhe u largua mbrapsht, i përkulur paksa. Greva e urisë vazhdonte. Sytë e nxirë të Xhevatit shihnin përtej gjithçkaje, përshkonin edhe tavanin, mbase kërkonin qiell dhe i faniteshin, ku ta dish çfarë, gruaja, djemtë. Me të madhin ishin bashkë në burg, por ai doli dhe u arratis. Si do të jetë fati i tjetrit me baba të vdekur në burg…?- dhe i mjegullohej Tirana me tiranë… rropullitë i qenë tharë, sa mirë, shpëtoi nga ajo supë fyese, ç’kërcisnin ashtu, nervangritshëm sahanët?… Po ai kishte parë përkrenaren e Gjergj Kastriotit në Vjenë. E si mund të bëhet sahan përkrenarja? Po shpata e heroit – lugë burgu! O Zot… dhe ra në një tjetër kapitje, humnerë pas humnere.
Ҫ’është ky që i erdhi pranë, Gjergj tjetë rky, kush e thirri? Po këndon kokoshi, po zbardh, mëngjese nuk ka, jo… Nuk flisnin bashkë… pse kishte shkuar në mal me partizanët ai, pendimet tani nuk ndryshonin dot më asgjë… Gjergj Kokoshi ia kapi dorën e holluar, por të rëndë, si peshë sendesh…Aty pranë ishte, i gjunjëzuar përpara tij, dhe i mallëngjyer tha:
-Xhevat, ti po e mbyll jetën t’ânde me kapak florini, hallall të qoftë! Po bân atê qi ne s’mundena m’e bâ, – dhe desh u përplas se nuk shikonte dot prej lotëve, pa e ditur se ku po shkonte. Edhe një miku i tij dikur kishte vrarë vetën, në Austri kishte studjuar edhe ai, mësues, bir i Butkajve, si sfidë luftës vëllavrasëse, me një plumb. Mjaft me gjak… Gjaku i Xhevatit sikur po ndalte ndër deje. Dukej. kishte ngricë mbi fytyrë. Realiteti i jashtëm nuk hynte më brënda tij. E brendshmja e tij po përhapej gjithandej, frymë, Korçë, moral, përgjegjësi, Kosovë, Vjenë, dhembje, kryelartësi, qortim, mirësi, ankth… tmerr…
Edhe kur nuk shikonim, të gjithë shikonin andej, ku po shuhej një jetë, më shumë se aq. Një ideal, shpresë… As neve nuk na hahej… po shuheshim bashkarisht…
Ai po i shpëtonte dënimit apo po dënonte dënimin? Sytë nuk lëviznin më. Duke shkuar vetë drejt vdekjes? Me vetëvrasje… Dergjej i akulluar…i ikur, gjithsesi… kishte mbetur sfida … përçmimi ndaj burgut dhe gjithë diktaturës… Ja ç’bëjmë ne, Xhevati martir! Te vendi i tij na u shfaqën kolona mermeri, kapitele, tempulli, ndriçonte aq shumë, sa bëhej i tejdukshëm… Po ju ç’do të bëni pas kësaj, vrasësa?!
Erdhën…Batanijen e mbanin dy veta nga anët. Brenda saj ishte Xhevat Korça i vdekur. Dolën jashtë. Heshtje dhe pikëllim i thellë. Ku do të iknin? Në harrim… në gropat e frikshme të kujtesës. Njeriu bashkon thellësitë dhe lartësitë, është kryqi prej mishi mes territ dhe dritës. Ashtu si në jetën e tij ka vdekje, edhe në vdekjen e tij ka jetë. T’i shkosh ndërgjegjes së madhe, qiellt… Qershiza… rrënjët e saj… nëpër eshtra dhe kafka… Përfundshëm pret e ardhmja. E di ç’më tha Xhevati me buzët e plasura dhe të thara, në heshtjen mortore? Kush di të jetojë di edhe të vdesë. Përsipër po sheshonin dheun me lopata, po e ngjeshnin me këmbë.
Tronditëse! E rëndë! E zymtëdhe heroike! Më duket sikur regjimi kishte dënuar vetë historinë, e kishte futur nëndhé, në burg, po e vdiste, e vdiq.
Dhe një bir i tillë, Mërgim Korça, në diktaturën më të madhe të vendit më të vogël në perandorinë komuniste e kishte të parapërcaktuar fatin e mbrapshtë. Që t’i mbijetoje persekutimit të gjithformshëm e permanent duhej një forcë shpirtërore dhe një inteligjencë e tillë e pazakonshme për të ruajtur vetveten, së pari si ekzistencë, pastaj prapë së pari si qënie njerëzore e duhej të mbroje sa të ishte e mundur liri të brendëshme, dëshira të gjymtuara e kufoma ëndrrash të vrara, duhej të krijoje tempullin e fshehtë ku priste shpresën e shenjtë për të qenë njeri, me dinjitetin që rrezikohej aq shpesh…
Dhe një pasazh tjetër, jemi ende nën diktaturë, unë i porsadalë nga burgu, përsëri në Lushnjën e internimeve. Përsiatjet ose monologu i brendshëm i dikujt, që nuk pranon të bëhet bashkëpuntor i Sigurimit të Shtetit:
E inxhinieri Mërgim Korça i kujt është? Thuaj sa të duash ti që nuk i njoh, njihi të thonë ata, të japim ne para, që t’i qerasësh. Po e shoqja e Mërgimit, doktoreshë Mimoza, ju vizitonte me kujdes të veçantë. Pçse? 8 të pushkatuar kanë ata si familje, prandaj. Kur e kishte babanë në burg, në rrobat që merrnin prej tij thoj e copa lëkure gjenin brenda… e torturonin. Pastaj e pushkatuan. I njihte edhe Enver Hoxha si fis, e kishin kushëri, të parë a të dytë më duket, e ia vunë fajin Koçi Xoxes për pushkatimet dhe ai, diktatori, thoshin që kishte qarë kur e mori vesh. Mashtrim, po paradoksi i zi ky ishte, porositë e tij tani vetëvepronin, mekanizmi i i mynxyrës e kishte nisur punën, mund të vazhdonte edhe pa i shtypur butonat ndonjëherë. Le të vejë në universitet vajza e Syrja Selfos, kishte thënë. Por e kritikonin Mimozën nëpër mbledhje në spital: pse Nënë Tereza do të bëhesh ti, nuk lejojmë ne gabime të tilla, imëthi s’ka siç keni bërë, klithte sekretarja e parë a e dytë, luftë klasash edhe tek të sëmurët…
Ka diçka mitike në familjen Korça, nga mitet moderne, sigurisht, që përhapej ndër ne si një mërmërimë e fshehtë, e trëmbur.
Dhe e fundit, shëmbet Muri i Berlinit, po binin diktaturat komuniste me rradhë dhe Shqipëria duhej të ndryshonte patjetër, të hapej.
Inxhinieri Mërgim Korça, ndërsa ikte përgjithmonë në SHBA, ndali për ca kohë në Itali dhe arriti të lidhej me Indro Montanelin. Me gazetarin e madh?- pyeta i befasuar. Po, po, babai i tij ka qenë këshilltar i tim eti, kur ishte ministër i Arsimit… Ju, shqiptarët, kishte thënë Montaneli, më tregoi zoti Korça e kishit shëmbullin e Rumanisë, Ndërsa i prisnit njërën kokë Hidrës, asaj i dilnin dy të tjera dhe s’pati një Herakli, që të digjte qafat e tyre si në mit. Dhe kështu trupit prej qeni-mostër të diktaturës i dilnin kokë të reja gjarpëri, se nuk u përpoqët t’ia hiqnit atë, kokën vulnerabile, kishte përfunduar Montaneli. Rrugëve shikoja komunistë të njohur të shëtisnin me qen, me qen me një kokë. Kanë filluar qentë të rrinë me ne, ngazëllehesha cinik.
Kaq. Një shfletim i shpejtë si një kronikë e papërfunduar dot. Mërgim Korçës kështu i ra dhe fati tjetër, të dëshmojë dramat e vendit të tij. Dhe ai duhet të përzgjedhë, kur tregon. Dhe shkruan atë që jo të gjithë do të mund ta tregonin.
NË VEND TË EPILOGUT. DUELI I BUKUR…
Mërgim Korça është inxhinier mekanik për nga profesioni. Talenti i tij ishte tejet i rrallë, aq sa arriti ta kapërcejë luftën e tmerrshme të klasave dhe tiranët t’i hapnin udhë, nga që ai ishte i aftë të përgatiste, duke i projektuar vetë, maqineri të ndryshme bujqësore, unikale në llojin e tyre, aq të domosdoshme për punën dhe zhvillimin. Një shkencëtar në provincë, mëndja dhe puna e të cilit duheshin shfrytëzuar, kur Shqipëria ishte e mbyllur dhe enigmatike për botën.
Mërgim Korça theu fatin e tij të përcaktuar nga diktatura, se ai nuk duhej të studjonte në asnjë universitet, por duhej të mbetej gjithë jetën i persekutuar, rob i punërave të rënda fizike.
Sepse ishte i biri i Xhevat Korçës, intelektual i lartë dhe patriot, themelues në arsimin shqiptar, etj, që do të emigronte si kundërshtar i monarkisë dhe Mërgimi do të lindëte në mërgim, në Graz të Austrisë. Do të ktheheshin në atdhe dhe Xhevati do të bëhej ministër i Arsimit, etj, dhe komunistët, pasi do të merrnin pushtetin dhe do të vendosnin diktaturën do ta burgosnin si kundërshtar të tyre dhe ai do t’i jepte fund jetës në burgun e Burrelit duke lënë vetëm gruan dhe dy djemtë. Genci, vëllai i madh i Mërgimit, do të arratisej për në SHBA, ku do të bëhej drejtues i lartë në “Gjeneral Motors”, në kolosin industrial amerikan.
Mërgimi do të kryente punëra të rënda në atdhé, punëtor në gurore si një skllav, ushtar, ferma, etj, por nga familja kishte marrë një edukatë të shëndoshë morale, kulturë dhe liri të mëndjes dhe të shpirtit, dashuri për atdheun, për librat dhe gjuhën amtare. Perënditë e kishin paracaktuar të ishte bir i dijes dhe ai këmbëngulte të kalonte pengesat … arriti, pa shkëputje nga puna, duke përfituar nga ndonjë zbutje e qëllimtë e luftës së klasave, të diplomohet si inxhinier mekanik.
Caktohet në Lushnjë. Stacioni i Makinave dhe Traktorëve atje do të kishte kështu një shkencëtar të palodhur, aq sa tërhoqi dhe vëmëndjen e qeverisë, posaçërisht të kryeministrit të atëhershëm, njohës i mekanikës dhe ai. Vlerësohet për punën e pazakontë që kryente, laureohet me titullin më të lartë në fushën shkencore ”Punonjës i Shquar i Shkencës dhe Teknikës”.
Si qytetar e njihnim të gjithë, i sjellshëm dhe i kulturuar. Dukej si i huaj. Burrë i pashëm, i gjatë, aq sa serioz dhe enigmatik. Me flokët e krehura lart, me sy të vëmëndshëm, buzëqeshte bujarisht, po aq dhe miqësor e i përzemërt. Shkrimtarët e qytetit e përflisnin si një intelektual që kishte lexuar gjithshka, lexonte në disa gjuhë të huaja dhe e njihte letërsinë, veprat e mëdha më mirë se ata, shkrimtarët e qytetit, se i kishte të trashëguara në origjinal. Ka pasion letërsinë, thoshin. Por nuk shkruante, jo! Në Shqipëri sundonte socrealizmi dhe dënoheshe po të flisje me simpati për letërsinë e huaj borgjezo – revizioniste.
Mërgim Korça emigroi menjëherë për në SHBA, sapo Shqipëria u hap dhe po ndryshonte, diktatura se mbante dot më vetveten dhe perandoria komuniste po binte. Vendoset në Detroit, ku jeton edhe sot me familjen e tij. Është gjysh, por punon si dikur, mbi libra natyrisht, duke iu kthyer pasionit të hershëm, por të ndrydhur, shkrimeve. Menjëherë u bë i njohur në median shqiptare mbarëkombëtare. Shkrimet e tij mirëpriten me ëndje dhe kërshëri, për gamën e gjerë e për të vërtetat që sjellin, me korrektesën dhe sigurinë inxhinierike, që ia jep dhe llogjika e profesionit. Personazhet dhe ngjarjet janë të ndërlidhur mes vedi ashtu si edhe me rajonin, me Europën dhe botën Atllantike, po kështu edhe shkrimet e Mërgim Korçës mbartin risi të kësisojshme, shtojmë këtu kanë kokëfortësinë e faktit, të përziera me një mall rikthimi, me elegancën konservatore të gjuhës shqipe dhe me kumte atdhetare në kohën e hapjes globale, ku përplasen kultura dhe vlerat duan ruajtur me zgjuarsi. E tregon më së miri dhe libri që kemi ndër duar, , që edhe në mos qoftë dakord për këtë apo atë gjë e do të kishte dashur të polemizonte, dhe kjo është kënaqësia intelektuale e autorit mbetet i bindur se ghithçka kërkohet në emër të së mirës së madhe. Ndërkaq Lushnja e vogël dhe e largët, këshilli i saj bashkiak, e ka shpallur “Qytetar Nderi” Mërgim Korçën, ndërsa në SHBA, po aq të largët, Mërgim Korça bën pjesë në trupin pedagogjik të Wayne State University.
S’mund të rri pa kujtuar tani në fund se si i ati i Mëgimit, zoti Xhevat Korça, dikur i kërkoi duel një avokati austriak, se në një shkrim të tij ai kishte fyer Shqipërinë si edhe shqiptarët … Dhe Mërgimi në një farë mënyre i vazhdon këto dueletë prapambetura. Me shkrimet e tij dhe polemikat ai vazhdimisht sikur hedh dorashkën me guxim dhe elegancë dhe fton në duel këdo që del kundër së vërtetës dhe nderit kombëtar dhe ashtu si ati i tij, të lë të zgjedhësh armën. Atij i mjafton arma e dijes, e sprovuar tashmë në dashurinë për atdhé …
Tiranë 2014