Intervistoi Xhevdet Shehu
Përkthyesi i mirënjohur Myfit Mushi së bashku me dy të tjerë ka qenë përkthyesi zyrtar i delegacionit të PPSH të kryesuar nga Enver Hoxha në mbledhjen e 81 partive komuniste në Moskë në vitin 1960.
Dhe nga ajo mbledhje aq e rëndësishme për kohën ai mund të tregojë pambarimisht. Por, ndonëse në moshë të thyer, ai kujton me një kthjelltësi të admirueshme gjithçka rreth një takimi tjetër në Kinë…
Në gusht të vitit 1967, pikërisht në kulmin e Revolucionit Kulturor kinez, dy përkthyesit shqiptarë ftohen papritur në një takim të fshehtë me kryetarin e Partisë Komuniste të Kinës, Mao Ce Dun, në një rajon të fshehtë të Kinës Jugore, pranë Shangait, ku ai jetonte larg zhurmës së Pekinit.
Në kohën e miqësisë sa të zjarrtë, aq dhe absurde midis Kinës dhe Shqipërisë në vitet 1960-70 të shekullit të kaluar, janë të shumtë shqiptarët që kanë vizituar Republikën popullore të Kinës, por të paktë janë ata që kanë mundur të takohen me Kryetarin e Kinës, Mao Ce Dun.
Një nga këta është dhe Myfit Mushi.
Në këtë intervistë për gazetën ‘DITA’, Mufit Mushi rrëfen detajet e ketij takimi të papritur dhe të paparashikuar me kreun e Kinës komuniste.
Ai dhe kolegu i tij dëgjuan të habitur dhe të shokuar idenë e Mao Ce Dunit se citatet e tij, të cilat ata po i përkthenin prej muajsh, “nuk i hynin fare në punë popullit shqiptar”.
Një qëndrim që shkonte në kundërshtim të plotë me pozicionin e Shqipërisë komuniste dhe të vetë Enver Hoxhës, i cili kishte urdhëruar përkthimin dhe botimin urgjent të citateve të Mao Ce Dunit.
– Zoti Myfit, ju kini qenë disa herë në Kinë gjatë miqësisë së famshme shqiptaro-kineze. Mund të na tregoni diçka rreth këtyre vizitave dhe cila shënoi kulmin e tyre?
– Është e vërtetë se kam qenë disa herë në Kinë dhe kam shumë kujtime nga ato vizita. Kam qenë në vendin e madh aziatik, me të cilët u gjendëm papritmas të lidhur më një miqësi shumë të fortë, në cilësinë e përkthyesit të gjuhës ruse dhe gjatë qëndrimit atje në periudha të ndryshme kohe, 1956, 1960, 1963-1964 dhe 1967, kam mundur të krijoj një farë ideje për këtë vend me hapësirë shumë të gjerë dhe këtë popull shumë të madh.
Për herë të parë u njoha me Kinën në vitin 1956, si përkthyes i delegacionit të Partisë së Punës, të kryesuar nga Enver Hoxha, që mori pjesë në punimet e Kongresit VIII të Partisë Komuniste të Kinës. Në 1960-n më qëlloi të shoqëroj po me cilësinë e përkthyesit, delegacionin parlamentar të vendit tonë, të kryesuar nga kryetari i Presidiumit të Kuvendit Popullor, Haxhi Lleshi, që bëri një vizitë në Kinë, në RD të Vietnamit, RDP të Koresë dhe në Mongoli.
Udhëtimin tim të tretë në Republikën Popullore të Kinës e bëra nga mesi i vitit 1963 dhe ai zgjati deri në mars 1964. Detyra ime këtë radhë ishte botimi në gjuhën shqipe në një nga shtypshkronjat e Pekinit, i veprave të Mao Ce Dunit në 5 vëllime.
Kurse vizitën e katërt e kam kryer në vitin 1967, kur unë dhe kolegu im, Vangjel Moisiu, morëm nga aparati i KQ të Partisë detyrën të botojmë atje citatet nga veprat e Mao Ce Dunit… Kjo e fundit mendoj se ka shënuar kulmin e vizitave të mia në Kinë…
– … Sepse gjatë kësaj vizite ju takuat Kryetarin Mao, apo jo? Mund të na tregoni shkurtimisht si ndodhi ai takim?
– Po, e kam të pashlyer nga mendja atë takim. Nuk ishte kollaj, për të mos thënë se ishte fat të takoje një udhëheqës si Mao Ce Duni, i adhuruar si perëndi nga rreth një miliard njerëz. Shumë të paktë ishin dhe vetë kinezët që arrinin të takonin duart me të.
Në fakt ne e kishim takuar Mao Ce Dunin edhe në ditën e 1 Majit të atij viti. Maoja do të dilte në tribunë. Mirëpo u vonua për gati një gjysmë ore. Të gjithë filluan të shqetësoheshin. Ndërkohë shikonim disa autoambulanca që lëviznin me shpejtësi dhe me sirena. Ç’po ndodh?, i pyetëm shokët kinezë. Po vjen Kryetari Mao, na thanë. Njerëzve kur e shikojnë u bie të fikët nga gëzimi. Ky ishte dhe shkaku i vonesës së tij në tribunë.
Ai erdhi me vonesë dhe ne dy përkthyesit shqiptarë kemi dhe një fotografi me Mao Ce dunin nga ajo ditë. Ishte më shumë një përshëndetje, një shtrëngim duarsh që menjëherë u fiksua nga fotografët dhe zuri vend në të gjitha gazetat kineze të nesërmen.
Por, në këtë episod që do të tregoj tani, i cili ndodhi në gusht 1967, ia vlen të ndalem dhe të tregoj për ju të gazetës ‘DITA’ të cilën e lexoj me kënaqësi të veçantë.
Kjo periudhë, pra gjysma e dytë e viteve 1960, ishte shumë e rëndësishme për Kinën komuniste dhe që njihej si kulmi i Revolucionit Kulturor. Gjatë kësaj kohe kam qenë dëshmitar i ngjarjeve të tilla që tronditën thellë gjithë Kinën, tërhoqën vëmendjen e opinionit ndërkombëtar, gjatë të cilave njëra palë e forcave politike, e cila kishte në anën e saj edhe forcat e armatosura, lau hesapet me palën tjetër dhe përforcoi pushtetin e vet në të gjitha fushat e jetës.
Dhe pikërisht, në kulmin e këtij revolucioni, në gusht të vitit 1967, unë dhe kolegu im i punës së përbashkët në Pekin, Vangjel Moisiu, krejtësisht papritur u ndodhëm në vilën sekrete të Maos.
– Nuk ishit njoftuar më parë nga kinezët për këtë takim?
– Jo. Gjithçka ndodhi krejt papritmas dhe në mënyrë të rrufeshme. Ne kishim shkuar në Shangai për të kaluar disa ditë pushimesh, pas një pune rraskapitëse, që shpesh vazhdonte edhe pas mesit të natës. Papritmas vjen nga Pekini Fani, përkthyesi i shqipes që punoi bashkë me ne, një djalë mjaft i shkathët, i cili pati mbaruar studimet në Universitetin shtetëror të Tiranës dhe që e njihte shqipen relativisht më mirë se të gjithë kinezët e tjerë që patën ndjekur studimet bashkë me të në Tiranë.
Në atë kohë ai punonte në Drejtorinë e Lidhjeve Ndërkombëtare të KQ të PK të Kinës. Një ditë, ndërsa ne ishim duke ngrënë drekë, Fani na tha se kishte ardhur urgjentisht nga Pekini me një aeroplan gjuajtës, me një mision tepër të rëndësishëm që kishte lidhje edhe me ne, por, ama, se çfarë misioni ishte ky, këtë do ta mësonim më vonë. Pasi hëngrëm drekë ai na tha se do të shkonim diku. “Atje do ta merrni vesh se për çfarë bëhet fjalë”, – na tha ai.
Makina la mbrapa qytetin e madh e të zhurmshëm të Shangait dhe pas pak iu shmang magjistralit kryesor. Pastaj u futëm në një zonë pyjore, një xhungël e vërtetë pyjore. Ishte një rrugë e braktisur, e paasfaltuar, në të cilën ne ecëm për mbi një orë…
– Po ju a e nuhatët apo parandjetë se do të takoheshit me Maon?
– Fillimisht ishte e pamundur ta kuptonim. Por duke udhëtuar kilometra të tëra nëpër pyje, unë parandjeva diçka, ndërsa Vangjeli jo. “Do të takohemi me Maon”, – i them në vesh Vangjelit. Ai tundi kokën në shenjë mohuese si të më thoshtë: “Ç’po ia fut kot!” Unë i përsëris që me siguri do të takohemi me Maon, kurse ai në të tijën: “Në atë krah fli”.
Makina ndalet para një vile rrethuar me gjelbërim. Dikush del nga vila dhe na hap derën e makinës. Dalim nga vetura dhe ndjekim shoqëruesin. Në një sallon të thjeshtë qëndronte në këmbë Mao Ce Duni. Të habitur në kulm shtrënguam duart me të. Ai na ftoi të kalonim në një sallë tjetër që dukej si ambient pritjeje. Zumë vend në kolltukë, Maoja, unë, Vangjeli dhe Jao Ven Juani (figura më e re në shtabin e Revolucionit Kulturor) dhe Fani, përkthyesi ynë, i cili shumë vjet më vonë do të përfaqësonte vendin e tij në Shqipëri, në cilësinë e ambasadorit.
– Përse u organizua ai takim dhe pikërisht me dy përkthyes shqiptarë?
– Në radhë të parë duhet të vendosemi në kohë. Ishte në stilin kinez të asaj kohe që të jepej ndonjë njoftim, ku të dëshmohej se kryetari Mao ishte shëndoshë e mirë, e në këtë mënyrë njëherësh përgënjeshtroheshin fjalët e shtypit botëror lidhur me të që shprehnin dyshimin se Maoja kishte vdekur.
Shoqëruesit kinezë na patën thënë në mirëbesim se qenë bërë shumë përpjekje për të vrarë Maon, prandaj dhe ishin marrë masa të forta për mbrojtjen e tij. Bile ishte zbuluar, sipas fjalëve të tyre, një atentat për ta vrarë në tribunën e Tien An Menit, me një raketë. Qysh nga paraqitja e Maos në festimet e 1 Majit, nuk mbaj mend të ishte bërë ndonjë njoftim zyrtar për të. Mendoj që pikërisht për këtë arsye u organizua edhe takimi ynë surprizë.
Në këtë takim, i cili ndodhi më 16 gusht 1967, në orën 6 pasdite, e që zgjati plot 90 minuta, gjë jo e zakonshme për Maon, udhëheqësi kinez na foli me hollësi për qëllimet dhe detyrat e Revolucionit Kulturor që po zhvillohej në Kinë, për ecurinë e tij, por edhe të metat që ishin vënë re dhe për perspektivat e tij. Ai foli edhe për qëndrimet e ndryshme të forcave që vepronin brenda kësaj lëvizjeje dhe pozicionet e personaliteteve të ndryshme politike.
Në një çast ai e ndërpreu bisedën dhe iu drejtua përkthyesit tonë, Fanit:
“Ti vjen nga Pekini. A mund të më tregosh se çfarë u bë në takimin ku duhej të bënte autokritikë Çen Ji?” (një ushtarak i lartë me gradën e mareshallit, ministër i Punëve të Jashtme dhe një nga udhëheqësit më të rëndësishëm të Partisë Komuniste Kineze). Fani shpjegoi se ditën e caktuar, në sallën e mbushur plot, Çeni doli në tribunë, u përkul para portretit të Maos dhe tha: “Maoxhusi, ju kërkoj falje”.
Pastaj u përkul para portretit të Lin Biaos dhe përsëriti të njëjtën gjë. U përkul edhe para portretit të Çu En Lait dhe kërkoi sërish falje. Së fundi u përkul para publikut dhe sërish i kërkoi falje një studenti që qe arrestuar me urdhrin e tij, sepse kishte vënë fletërrufe kundër Çu En Lait. Ky qe, në vija të përgjithshme, informacioni që Fani i dha Maos për Çen Jinë.
– Po Mao si reagoi?
– Duke marrë shkas nga ajo që dëgjoi, Mao na tha se Çen Jia ka bërë gabime të rënda gjatë Revolucionit Kulturor, porse ishte gjithashtu një njeri shumë i zoti, e hëpërhë nuk kishin me kë ta zëvendësonin. Prandaj, tha Maoja, ai do të vazhdojë të qëndrojë në postin e ministrit të Jashtëm. Mendime analoge na shfaqi ai edhe për një sërë personalitetesh të tjerë, kryesisht ministra. Në vazhdim të bisedës me ne Maoja u ndal në perspektivën e Revolucionit, foli për katër fazat kryesore të tij, për objektivat më të afërta dhe ato më të largëta, për vështirësitë e mëdha që haseshin.
– A tregoi Maoja ndonjë interes për Shqipërinë në vazhdim të takimit me të?
– Po. Në vazhdim të bisedës, ne i shpjeguam që ishim dërguar në Pekin me porosi të Enver Hoxhës, për të botuar në gjuhën shqipe librin me citatet e Maos.
“Ç’ju duhen juve citatet e mia?” – pyeti për habinë tonë Mao Ce Duni.
“Ato kanë vlerë të madhe për vendin tonë”, – iu përgjigja unë.
“E ç’vlerë mund të kenë për popullin shqiptar citatet e mia, të cilat bazohen mbi jetën, praktikën dhe kushtet e Kinës? Për ju ato s’kanë asnjë vlerë”, – replikoi ai.
– Si reaguat ju kur dëgjuat këto fjalë të Maos?
– Mund të imagjinohet habia dhe situata e vështirë që krijoi një reagim i tillë i paparashikuar te ne. Për një çast menduam se po na hidhej poshtë, po na shkonte kot gjithë ajo punë disamujore dhe vendosa ta “mbroj” edhe një herë mendimin tim.
“Partia jonë u jep shumë rëndësi atyre, – shtova unë, – për to është interesuar personalisht shoku Enver. Madje mund t’ju them që fillimisht se tirazhi i tyre qe caktuar në 20 mijë kopje, por ditët e fundit, me sugjerimin tonë, Tirana kërkoi që ky tirazh të rritet deri në 100 mijë ekzemplarë dhe kjo për shkak të interesit që ato paraqesin edhe për Shqipërinë”.
“Po jua them haptas, – vijoi Maoja pas përgjigjes time, – unë kam dhënë porosi të prerë të mos botohen as në Kinë citate nga fjalimet e mia, por të botohen citate të zgjedhura nga veprat e Marksit, Engelsit dhe Leninit, mirëpo këta, – ja ku është shoku Jao Ven Juan, – këta nuk i kanë zbatuar porositë e mia”.
Ai i hodhi një vështrim qortues Jaos, i cili, i ndodhur ngushtë, nuk e hapi fare gojën.
Por pas kësaj Maoja bëri një pauzë të gjatë dhe tha: “Enver Hoxha duhet përmendur kurdoherë si marksist-leninist i madh”, – duke vijuar të fliste me respekt për të, për rolin e tij në drejtimin e vendit gjatë dhe pas Luftës.
Takimi interesant dhe i papritur me Mao Ce Dunin mbaroi. Vetë Maoja na përcolli deri te makina. Kjo përballje 90-minutëshe me të na la përshtypjet më të mira për këtë udhëheqës të njohur dhe personalitet të madh, që respektohej dhe adhurohej nga i gjithë populli i tij.
– Po më tej, si rrodhën ngjarjet? A pati ndonjë jehonë rreth atij takimi?
– Pas disa ditësh u kthyem në Pekin. E para gjë që bëra ishte zbardhja (hedhja në letër) e shënimeve stenografike që kisha mbajtur gjatë takimit me Mao Ce Dunin, të cilat ambasada jonë ia nisi urgjentisht Tiranës. Më vonë ato u shfrytëzuan në njërin nga librat e Enver Hoxhës. Tani, pasi kanë kaluar afro 47 vjet, e kam të pamundur t’i deshifroj ato mesazhe të asaj bisede të gjatë, për të plotësuar dhe saktësuar këtë pjesë të kujtimeve, të cilat në tërësi janë të sakta, por ende jo të plota…
Gjithsesi, mund t’ju them se të nesërmen, pas mbërritjes në Pekin, na njoftuan se Kan Sheni, njëri ndër udhëheqësit kryesorë të Revolucionit Kulturor, kishte kërkuar një takim urgjent me ne. Na habiti kjo kërkesë para largimit për në atdhe. Madje u shqetësuam pak se mos na bënin ndonjë shtyrje tjetër të qëndrimit në Kinë, siç kishte ndodhur një muaj më parë.
Takimi u mbajt në Shtëpinë e Mbledhjeve Popullore. Aty ishin të pranishëm edhe ambasadori shqiptar në Pekin, Vasil Nathanaili. Kan Sheni shfrytëzoi rastin për t’i kërkuar ndjesë atij për faktin që nuk u ftua në takimin tonë me Maon, duke shpjeguar se ishte thjesht një keqkuptim. Pavarësisht nga kjo, të gjithë e kishim të qartë arsyen: fshehtësia e vendndodhjes së Mao Ce Dunit.
Dhe në fakt Sheni na tha në mirëbesim se vendin ku ndodhej Maoja e dinin vetëm anëtarët e Byrosë Politike: “Në lidhje me këtë ruhet fshehtësia më e madhe”, – na tha ai. Më pas Sheni hyri në temë, duke m’u drejtuar mua: “Gjatë takimit me kryetarin Mao ju keni mbajtur shënime të hollësishme. Gjatë bisedës me ju, kryetari shtjelloi gjerë detyrat dhe rrugët e mëtejshme të zhvillimit të Revolucionit Kulturor, strategjinë dhe taktikën e tij. Mendimet e Maoxhusë lidhur me Revolucionin kanë rëndësi të jashtëzakonshme për Partinë dhe popullin kinez. Ne duhet të njohim udhëheqjen e Partisë me to dhe t’i zbërthejmë ato. Prandaj, ju lutem, të më jepni një kopje të shënimeve tuaja. Besoj se e dini që ai nganjëherë mendimet e reja për probleme të ndryshme të rëndësishme i shfaq në takime me personalitete që takon. Kështu ndodhi edhe këtë radhë, por as Juan Ven Juani, as Fani nuk kanë mbajtur shënime. Ja përse ju lutem të më jepni një kopje të shënimeve tuaja”.
I premtova t’ia plotësoj kërkesën brenda ditës dhe ashtu bëra. Kan Sheni tha se është një fakt shumë kuptimplotë që udhëheqja e Partisë Komuniste të Kinës si dhe ajo shtetërore, do t’i marrë udhëzimet e reja shumë të rëndësishme të kryetarit Mao nëpërmjet një shoku shqiptar. U ndamë me Kanin pas urimeve të ndërsjella.
– Mund të tregoni për kthimin tuaj në atdhe?
– Takimi me Kan Shenin shënoi dhe fundin e misionit tonë në Kinë. Më 22 gusht ne u nisëm për në Tiranë. Disa orë pas nisjes nga Pekini dëgjojmë të transmetohet nga qendra e zërit në avion një komunikatë. Shihnim vëmendjen e madhe të njerëzve që dëgjonin në heshtje, por s’po kuptonim asgjë. Do ta merrnim vesh përmbajtjen e komunikatës pak minuta më vonë, kur një stjuardesë hyri me një vandak gazetash “Zhenmin Zhibao”, të cilat filloi t’ua shpërndajë udhëtarëve.
Në mes të faqes së parë ishte vendosur një foto e madhe nga takimi i kryetarit Mao Ce Dun “me dy specialistë shqiptarë”. (fotoja që shoqëron këtë intervistë – shën.red) Sipas komunikatës, takimi, që kaloi “në një atmosferë të përzemërt”, ishte bërë ditën e djeshme, pra më 21 gusht, në Pekin. Në fakt, siç e shpjegova më lart, takimi ynë u zhvillua në Shangai më 16 gusht. Me sa duket edhe kjo qe e kuptueshme për situatën e asaj kohe në Kinë, ku ruajtja e sekretit në lidhje me vendndodhjen e Maos ishte një preokupim kryesor i qeverisë kineze.
Një grua kineze, e ulur pranë meje, duke parë foton në faqen e parë të gazetës, thirri me të madhe: “Nidi!” (“Ju”?, në gjuhën kineze.) “Te” (“Po”), – iu përgjigja unë. Në atë çast shumë të tjerë aty rrotull erdhën të më shikojnë plot kureshtje dhe të më prekin kush dorën, kush supet. A thua se ishim njerëz të një specieje tjetër.
Kolegu im, Vangjeli, ishte ulur në radhët e para dhe nuk u dje, nuk ra fare në sy. Por shumë shpejt fjalët u përhapën në avion dhe të dy u bëmë objekt vështrimesh dashamirëse, kurse fqinja ime filloi të më flasë anglisht, gjuhë të cilën, për fat të keq, nuk e kuptoja.
Ajo që kuptova nga ky episod kurioz ishte se kinezët kishin muaj pa marrë njoftime mbi gjendjen shëndetësore dhe vendndodhjen e udhëheqësit të tyre të admiruar. Një gjë që s’mund të mos i habiste dy europianë që jetonin atë situatë aq specifike dhe të papërsëritshme në Kinën e Revolucionit Kulturor. / Dita /
Komentet