Deputeti Belind Këlliçi ka shpërthyer në një postim në rrjetet sociale, duke akuzuar Edi Ramën për abuzim të pushtetit dhe për pengimin e drejtësisë.
Ai theksoi se me vendimin e fundit, ku Rama ruajti imunitetin përballë kërkesës së SPAK, Shqipëria dështoi në testin kritik të Brukselit. Këlliçi e quajti këtë një akt kundër Shqipërisë, duke shtuar se Rama po mbron aferat korruptive dhe duke e konsideruar këtë një përpjekje për të shpëtuar karrigen e tij.
Ai bëri thirrje për mobilizim qytetar më 12 mars, për të kundërshtuar një kryeministër që ka lidhje me krimin dhe kartellet, dhe që ka shpallur luftë ndaj drejtësisë.
Postimi:
Shqipëria nuk e kaloi testin kritik, bashkohemi më 12 mars të shpëtojmë vendin!
Edi Rama vendosi sot të ruajë imunitetin përballë drejtësisë me forcën e kartonave që ka në Kuvend. Edi Rama u tha të gjithë shqiptarëve se ai është mbi ligjin dhe nuk është i barabartë me qytetarët. Duke zgjedhur të mbrojë aferat e tij korruptive, dhe duke mbrojtur bashkëpunëtoren më të ngushtë, Edi Rama sfidoi drejtësinë dhe integrimin europian të vendit, si dhe hodhi dhe një hap tjetër në përshkallëzimin e tensionit politik në vend.
Ky akt është një vendim kundër Shqipërisë, vetëm e vetëm që Edi Rama të ruajë karrigen e lëkurën e tij. U dëshmua haptazi dhe sot se qendrimet e përbetimet e tij për drejtësinë kanë qënë një propagandë e ulët që ra, në rastin më të parë kur hetimi shkoi në paradhomën e tij.
Me vendimin që shpalli sot, Edi Rama konkludoi pengimin e drejtësisë, një kurs që nisi që ditën e parë kur mbërriti në Kuvend kërkesa për arrestimin e Belinda Ballukut.
Të gjitha zvarritjet dhe sulmet e vazhdueshme ndaj SPAK kulmuan me vendimin sot për të rrëzuar kërkesën e Strukturës së Posaçme anti-korrupsion.
Testin kritik, siç e cilësoi këtë Brukseli, Shqipëria sot nuk e kaloi.
Tanimë është e qartë për çdokënd. Edi Rama është gati të marrë peng vendin dhe të ardhmen e tij, për të shpëtuar nga drejtësia, për të shpëtuar nga burgu që e pret.
I ngelet qytetarëve, i ngelet shqiptarëve të thonë fjalën e fundit. Me 12 mars, bashkohemi para Kuvendit, e të shpallim se Shqipëria nuk është plaçkë e një kryeministri të korruptuar e të lidhur me krimin e kartelet.