Në qoftë se do të sillnim ndërmend shprehjen e Qershorit të vitit 2024 të drejtuesit të SPAK, prokurorit Altin Dumani kur atij i kërkohej një shpjegim mbi dosjen e inceneratorëve në Kuvendin e Shqipërisë, përgjigjja u motivua si:-“Është një krim intelektual dhe intelektuali para se të kryejë krimin mundohet ta fshehë. Për çështjen konkrete çështja është në hetim paraprak.”, sot na mbetet të themi se prej atëherë kanë kaluar vetëm 20 muaj.
Çdo projekt i investuar nga shteti është nën gërryerje ashtu sikurse qindra sipërmarrje private shemben deri me shpërthime të kontrolluara tritoli për t’i liruar hapësirat publike ose sheshe ndërtimi ku do të derdhen akoma më shumë para nga buxheti i shtetit apo edhe do të qarkullojnë valutat e narkotrafikut për t’u pastruar.
Këto dy pika, ajo e fillimit dhe e mbarimit investim dhe pastrim janë filozofia e Ramës që udhëheq Rilindjen e Bindur Socialiste.
Ndërsa në dy muajt e parë të 2026 jo vetëm infrastruktura rrugore nën shembje, pronat bujqësore të fermerëve nën ujë, por edhe qytetet e përmbytura me javë të tëra dhe pa asnjë ndihmë të emergjencës kombëtare nga shteti, por edhe siguria kombëtare dhe informacioni personal i shtetasve janë vënë në rrezik pas grupit të strukturuar kriminal të AKSHI-t.
Me siguri që priten ende sigurime provash pikërisht për të identifikuar se kush janë intelektualët që bëjnë krime të fshehtë.
Por me siguri shumë shpejtë do të dalë se është sistemi që është ndërtuar si i tillë, i dalë nga zgjedhjet e 11 Majit 2025, një shumicë e vendesh në Kuvendin e Shqipërisë nga mazhoranca socialiste në një mandat të katërt e cila e thelloi fitoren mbi korrupsion dhe propagandë, fryti i të cilës duket i pamenaxhueshëm në numrin e madh të krizave dhe skandaleve brenda vitit të parë të qeverisjes.
Pra asnjë premtim elektoral në dobi të shtetasve për ekonominë, shëndetësinë, arsimin, energjinë etj. nuk është mbajtur.
Me qenë se krimi intelektual vepron i fshehtë, inceneratori i Tiranës që nuk ekziston ka tërhequr dhe vazhdon të tërheqë më shumë para edhe se dy të ngjashmit në Elbasan dhe Fier që thuajse nuk kanë bërë orë pune.
Pra sikurse nuk kemi parë ende tym nga oxhaqet e inceneratorëve dhe paralelisht prodhimin e energjisë elektrike të përfituar nga djegia kryesisht e mbetjeve, kaluan gati 3 vite dhe kjo teknologji ju rikthye po nga ata “intelektualë” sërish teknikave të landfill-eve me një kosto të propozuar prei 113 milion € në dy qytetet e mëdha Elbasan dhe Fier (me 50 dhe 63 milion euro përkatësisht). E kemi të provuar tashmë se tymi epik, helmues shëndetësor dhe mjedisor i djegies së mbeturinave në vendgrumbullimet e plehrave gjatë pikut turistik në stinën e verës shton edhe miliona dëshmitarë të tjerë okular veç shqiptarëve. Këta të fundit edhe pse kanë patur guximin të protestojnë jo vetëm për inceneratorët, por edhe të faktojnë me dhjetra shpërdorime dhe krime ekonomike që shkaktohen çdo ditë prej korrupsionit të cilat mbulohen nga propaganda apo fshihen nga politika dhe qeverisja, kanë mbetur edhe më të varfëruar dhe të izoluar pasi reshjet e stinës së dimrit gjatë muajve Janar dhe Shkurt kanë shkaktuar përmbytje masive në mbarë vendin dhe disa dhjetra segmente rrugore dhe vepra arti infrastrukturore . Në krye të listës mbeten të pa realizuara premtimet si uji dhe energjia 24 orë, infrastruktura e investuar por gjithmonë e kërcënuar nga dëmtimet prej cilësisë së e dobët të projekteve dhe të punimeve që së bashku rezultojnë në shpërdorime dhe përvetësime të investimeve financiare, të cilave ju shtohet edhe izolimi për shkak të rrugëve të sapo ndërtuara dhe menjëherë të prishura.
Duhet kuptuar se që nga koha kur kjo skemë përfitimi (vjedhje), u projektua mbi inceneratorët do të mbahet mend edhe si kulmi i shitjes së një fushate elektorale të Rilindjes Socialiste. Ku si një makineri e investuar mirë pavarësisht se zgjedhjet do të ishin vendore apo të përgjithshme më vonë, paratë e “hedhura” edhe për mediat që do të pështilleshin fund e krye me rrëmbimin në çdo rast të rezultatit të zgjedhjeve. Përsa kjo strategji ka ndodhur, analiza sot mund të vërtetojë të pambrojtshmen se asnjëherë krimi zgjedhor i kryer nga forcat politike dhe blerja e votës nuk u arrit të goditej. Korrupsioni përkundrazi e forcoi pushtetin. Edhe nëse në fare pak raste të pandjeshme u duk sikur u godit ose u veprua me vonesë pas datës zyrtare të zgjedhjeve efekti i shtrembërimit, blerjes dhe intimidimit të votës veç brenda vendit bëri pis ose helmoi po ashtu edhe diasporën.
Fushatat zgjedhore kanë nevojë dhe duhet të dy e trefishohen me vigjilencë pikërisht mbi “krimin e fshehtë intelektual”, sepse vjen një moment si tani kur korrupsioni jo vetëm se nuk mund që të fshihet, por të përpin brenda me vetë-shkatërrimin e tij. Është një rrëshqitje kaq e shpejtë sa që lufta për të mbijetuar bëhet më kryesore se çdo organizim opozitar.
Për të gjetur “krimin e fshehtë intelektual” ka tashmë vetëm një pyetje përpara organeve ligj zbatuese që duhet të ngrihet:-“… ku kanë shkuar paratë e taksapaguesve shqiptarë, evropianë dhe amerikanë në këto 12-13 vite?”
Thënë ndryshe a është ky kilometri i fundit i keq qeverisjes, apo protestuesit që kërkojnë largimin e kësaj qeverie kilometrin e fundit e kanë tashmë të gërryer?!
Hapur në fushëpamjen e korrupsionit shtetëror duken edhe krimet edhe të zbuluar janë intelektualët e krimit të kryer.
Nuk ka se çfarë më të fshehim!
25 Shkurt, 2026
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)
Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)
Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)
L’Union des journalistes professionnels albanais de la diaspora (UJPAD)
Unione dei Giornalisti Professionisti Albanesi della Diaspora (UGPAD)