(A mund t’i përgjigjen shqiptarët jashtë atdheut ftesës së një qeverisje të korruptuar?)
Mes shumë çështjeve madhore të reformës në drejtësi të cilat vihen re me zbatimin e luftës kundër korrupsionit ndaj pushtetit politik dhe ekonomik, veçanërisht më të dallueshme në vitet fundit të tre mandateve të Rilindjes Socialiste ku në mënyrë të përsëritur skema e “fitores së zgjedhjeve” lidhet me pasurim të shpejtë dhe influencë pushteti, hapja së fundi e të gjitha grup kapitujve për në BE kanë nxjerrë më së miri skeletin e shtetit Shqiptar. Të katër shtyllat* ku ai ngrihet tregojnë se sa i është shmangur drejtimit, detyrimeve, dhe përgjegjësive ose thënë në vetë thelbin dhe përmbajtjen e Demokracisë në këto katër shtylla mbështetet përfaqësimi i qytetarëve ku bashkëvepron llogaridhënia dhe sundimi i ligjit dhe ku janë ngritur nga themelet institucionet që realizojnë zgjedhje të lira, mbrojnë liritë dhe të drejtat themelore të njeriut si dhe zbatojnë një sistem të kontrollit dhe balancës mes pushteteve. Në qoftë se në rrafsh teorik kjo duket e qartë si shprehje e lirive dhe të drejtave të njeriut, prona private dhe drejtësia nga ana tjetër, propaganda dhe parti-shteti i dalë nga vota e shtrembëruar e 11 Majit, 2025 po tregojnë shpejtësinë e kalbëzimit që me fillimet e një mandati të katërt të elitës së Rilindjes Socialiste si pasojë e tendencës për kapjen në një dorë të vetme të të gjitha pushteteve, në mos mbetjen në tentativë në qoftë se drejtësia dhe media nuk ushtrojnë veprim dhe sidomos protesta e ndërgjegjshme e publikut në tërësinë e problemeve dhe të interesave ku është prekur.
Nga kjo tablo disa vjeçare dhe e pandryshuar në dukje e pushtetit duhen shquar shumë tituj lajmesh të propagandës që nuk mungojnë herë pas here për diasporën. Ka nevojë të theksohet se marrëdhënia shtet dhe diasporë përveç formës së “spektaklit patriotik” ka formuar një nënshtresë të pashëndetshme ku duket qartë zgjatja e duarve të pushtetit përtej kufijve nën termin e përpunuar të ‘diplomacisë publike’*, keqpërdorimin e kësaj të fundit pikërisht përmes mungesës së informacionit mbi realitetin shqiptar dhe sigurisht me ushtrimin e propagandës njëngjyrëshe politike, të partisë shtet.
Vetëm gjatë dy muajve të fundit në disa lajme propagandë të ATSH-s trajtohet tema se për të katërtën herë po thirret në Tiranë Samiti i Diasporës. Flet për temën Kryeministri Rama, Ministrja e Punëve të Jashtme Spiropali, koordinatori i Rilindjes Socialiste për Diasporën Balla, Institucioni i Ministrisë së Jashtme përmes zëvendës ministres Shyti ku tek ky i fundit rrumbullakosen motivet e mundëshme politike të Rilindjes Socialiste që kulmojnë me sloganet e fushatës zgjedhore që sapo përcollëm, ose marrja vesh e rezultateve zgjedhore përfshi këtu edhe diasporën u konfirmua 6-7 muaj pas zhvillimit të tyre në 11 Maj, 2025. Si këta tituj përmbledhës: “Ligji ‘Për shërbimin diplomatik’, mundësi për përfshirjen e diasporës”, Samiti i diasporës në pranverë, ta mbajmë të angazhuar komunitetin e çdo bashkie jashtë vendit”, ” Samiti i Diasporës, moment historik për bashkimin e shqiptarëve kudo në botë”, “Në prill mbahet Samiti IV i Diasporës”, “Bëhuni pjesë e Samitit IV të Diasporës”, “Një hapësirë ku rrënjët na bashkojnë, dhe vizioni i përbashkët na çon përpara”* më i fundit zhvillohet “mbledhja e Grupit Ndërinstitucional të Punës për Hartimin e Strategjisë Kombëtare të Diasporës 2026–2030”, është një titull i gjeneruar i politikës së jashtme të Rilindjes Socialiste që prej viteve 2017-2018, kur Shqipëria kishte Ministri Diaspore dhe politikanë të vjetër e që më pas u shndërrua si një Agjenci Aneks në Ministrinë e Jashtme e ku vazhdimisht kishte në fokus ftesën për turizmin elektoral sa herë që në Shqipëri kishte zgjedhje vendore dhe të përgjithshme, ose një Agjenci Diaspore që prodhoi, broshura dhe guida politiko-patriotike dhe shpërndau në diasporë titujt ambasadorë të kombit. Një inflacion vlerësimi pasi pa mohuar kontributet e të gjithë shqiptarëve në diasporë, nuk ekzistojnë dokumente të shkruara, botime, realizime audio-vizive veç atyre paneleve qeveritare dy tre ditorshe që qeveria zgjedh për të bërë zhurmën propagandistike sidomos kur afrojnë fushatat zgjedhore dhe më pas gjithçka lihet në harresë. Diaspora shqiptare shihet dhe vilet si kontribut i remitancave*, pra shqiptarë në diasporë që me kursimet e tyre ndihmojnë familjarët dhe të afërmit për të përballuar jetesën.
Janë bërë tre Samite më parë.
Ku i shohim ndryshimet?
Po ju sjellim vetëm një të dhënë të përmendur kohët e fundit. Që me fillimin e tranzicionit Shqipërisë i është larguar 40%e popullsisë. Të tjera të dhëna përforcojnë se veçanërisht gjatë dhjetë viteve të fundit mbi 1 milionë. Ndërsa Instituti i Statistikave, për vitin 2025, tregon se diaspora e re shqiptare janë rreth 49% e shtetasve shqiptarë gjithsej (1,177,529 meshkuj dhe 1,078,817 femra), dhe struktura e moshës së 2.25 milion shtetasve shqiptarë në diasporë përbëhet nga (18% janë 0–14 vjeç, 77% janë 15–64 vjeç, 5% janë mbi 65 vjeç).
Çfarë na mbetet pa u kuptuar dhe se çfarë del në qoftë se do të analizonim për Diasporën Shqiptare jo vetëm në shifra është mos guximi i politikës që përsa kohë e numëron si statistikë (si kapital njerëzor me moshë aktive, forcë prodhuese që e ndihmon ekonomikisht vendin, ka zhvillim profesional dhe strategjikisht urë bashkëpunimi me të gjitha shtetet ku shqiptarët jetojnë dhe punojnë dhe janë integruar në kulturën e shteteve pritëse), nuk ka përse të katër Samitet e Diasporës të shkrihen brenda formateve që ka përcaktuar ideologjia në dekompozim e Rilindjes Socialiste.
Shqiptarët në shtetet dhe trojet e tyre ku jetojnë, por edhe kudo në botë e kanë të qartë se janë një faktor për Kombin Amë. Ata as nuk kanë nevojë për t’u numëruar dhe trembur dikë se sa e madhe është shqiptaria, por kanë nevojë për së pari të kenë një qeverisje që nuk i shërben interesave klienteliste dhe mbijeton përmes korrupsionit.
“Nis puna për hartimin e Strategjisë Kombëtare të Diasporës 2026-2030”, është një slogan i vjetërsuar ashtu sikurse e përmendëm edhe vitin 2017, kur diaspora përfaqësohej nga një Ministri.
A thua se ka çaluar gjatë këtyre 9-10 viteve, apo dikujt i ka interesuar ta mbajë dhe ta përfaqësojë të tillë?
Mbase na e thotë edhe ky Samit IV…
Një tjetër çështje e rëndësishme është edhe se si përfaqësohet pluralizmi politik në diasporë përveç atdhedashurisë?!
Protestat kundër korrupsionit, keq qeverisjes dhe vëmendja ndaj sigurisë kombëtare dhe narkotrafikut brenda vendit e kanë padyshim pasojën e tyre edhe në diasporë. Edhe diaspora mund ta thotë fjalën e vet duke e bojkotuar propagandën e Rilindjes Socialiste që kërkon jo vetëm ta kapitalizojë frymën e një dashurie për Atdheun, por edhe ta bëjë pis atë sikurse kjo mënyrë qeverisje e përdori diasporën me përfaqësimin në zgjedhjet e 11 Majit duke shënuar një rekord absurd të rezultatit të votës në diasporë me 60% deri në 80% në favor të ati pushteti që ka larguar mbi 1 milion shqiptarë në dekadën e fundit.
A është mungesa e përfaqësimit “Strategjisë Kombëtare të Diasporës 2026-2030 e Rilindjes Socialiste vizioni i përbashkët që i çon shqiptarët përpara”?
Apo është nevoja për ndryshimin dhe mbrojta e demokracisë ajo që duhet të largojë njëherë e mirë parti-shtetin e korruptuar që qeveris sot Shqipërinë?
_____________
* katër shtyllat/kolonat-legjislacioni, ekzekutivi, gjyqësori dhe shtypi (media)
* diplomacisë publike- tërheqja e publikun e gjerë, shoqërisë civile dhe medias në vende të tjera, përfshi këtu edhe diasporën.
* ATSH lajme- Janar, Shkurt, Mars (2026)
* Remittances – dërgesë parash
18 Janar, 2026
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)
Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)
Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)
L’Union des journalistes professionnels albanais de la diaspora (UJPAD)
Unione dei Giornalisti Professionisti Albanesi della Diaspora (UGPAD)